Fjalimi i plotë i Kryeministrit Rama në Luginen e Preshevë/
Ndihem thellësisht i privilegjuar, që si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë t’ju them: Mirë se ju gjeta! Dhe, t’ju siguroj se unë dhe Qeveria jonë nuk do të reshtim së punuari për të rilindur Shqipërinë, por edhe për të rilindur shpresat dhe besimin e çdo shqiptari, kudo ku ai jeton.
Ju jam thellësisht mirënjohës për këtë mikpritje të paharrueshme dhe për këtë organizim kaq dinjitoz, që ju siguroj se do të mbetet i pashlyer në kujtesën time dhe pa asnjë dyshim do diktojë edhe përkushtimin e jashtëzakonshëm timin dhe të të gjithëve ne, në Tiranë, për të qenë pranë jush dhe për të punuar sëbashku, në mënyrë që secili prej jush dhe posaçërisht, çdo vajzë dhe çdo djalë, këtu të pranishëm, maturantë, të reja dhe rinj të kenë një rrugë të hapur, për të realizuar ambiciet e tyre dhe të kenë gjithmonë një derë të hapur në Shqipëri, për të kryer studimet e tyre dhe me diplomën e tyre për të mundur të punojnë edhe këtu.
Ajo që dëshirova ta lë për ta njoftuar këtu, në këtë takim, është se pas një diskutimi intensiv me Kryeministrin e Serbisë dhe me ekipin qeveritar serb, ne, në orët e fundit të mbrëmjes kemi firmosur marrëveshjen për shkëmbimet e të rinjve, por çka për ne është me një rëndësi të veçantë, edhe për njohjen reciproke të diplomave.
Çka do të thotë se kësisoj kemi hapur një faqe të re për të gjithë ata që me diplomën e Shqipërisë do të duan të ushtrojnë profesionin e tyre dhe të realizojmë ambicien e tyre. Diploma e Republikës së Shqipërisë nuk do të jetë më, një letër e panjohshme, por një dokument i njohur dhe i barasvlershëm me diplomën e marrë këtu në Republikën e Serbisë.
Pavarësisht vështirësive të kuptueshme dhe pavarësisht mosdakordësive të njohura, më lejoni t’ju them se unë jam shumë besimplotë që kemi hapur një faqe të re në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë. Jam besimplotë që, duke bërë kështu, kemi marrë përsipër përgjegjësinë që na takon, që të mos lejojmë që gjenerata e re e shqiptarëve, por edhe gjenerata e re e serbëve të trashëgojnë traumat dhe pasojat traumatike të një konflikti jashtëzakonisht të gjatë, që fëmijët shqiptarë dhe fëmijët serbë nuk e meritojnë.
Kjo është një përgjegjësi që Qeveria e Republikës së Shqipërisë e ka marrë të plotë, e njeh plotësisht si detyrimin e saj dhe përtej të gjitha atyre që mund të thonë ata, të cilët preferojnë të jetojnë me slogane dhe me retorika të së shkuarës, ne, me këtë përgjegjësi dhe me këtë vetëdije kombëtare do të bëjmë çmos që t’i japim një të ardhme të denjë çdo shqiptari dhe shqiptareje, pavarësisht se ku jeton, pavarësisht se ku banon dhe pavarësisht nëse është qytetar i Republikës së Shqipërisë, nëse është qytetar i Republikës së Kosovës, apo nëse është qytetar i Republikës së Serbisë, së Malit të Zi e me radhë.
Ne jemi të bindur se na është dhënë një mundësi historike.
Mundësia historike e një paqeje të munguar për dekada dhe për shekujt të tërë, në këtë rajon, të identifikuar botërisht me luftën, të identifikuar botërisht me urrejtjen, të identifikuar botërisht me dasinë e pangushëllueshme.
Sot në vitin 2014, 100 vjet pas Luftës së Parë Botërore, që shpërtheu pikërisht në rajonin tonë, Ballkani dhe të gjithë, ne, si pjesë e tij kemi mundësinë historike ta kthejmë këtë moment paqeje, që vjen si rezultat i përfundimit të një procesi dramatik shpërbërjeje të ish Jugosllavisë dhe që kurorëzohet me marrëveshjen e nënshkruar vitin e shkuar mes Kosovës dhe Serbisë, në një paqe të qëndrueshme, për të cilën ia vlen të jetohet.
Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm dhe duke qenë se nuk është hera e parë që unë vij në Preshevë, më lejoni t’ju them me modesti se jam plotësisht i vetëdijshëm për brengat, për vështirësitë dhe për pamundësitë tuaja. Brenga, të shkaktuara shpesh herë, pavarësisht nga ju. Vështirësi, me të cilat ndesheni shpesh herë, pavarësisht nga ju. Pengesa që shpesh herë i gjeni në rrugën tuaj, në mënyrë të pamerituar. Sëbashku kam besim të plotë se duke shfrytëzuar këtë moment të jashtëzakonshëm paqeje dhe duke u përpjekur që ta kthejmë në një rrugë të qëndrueshme bashkëpunimi në paqe, ne do t’i shuajmë brengat e të shkuarës, që prekin sot padrejtësisht, zemrat dhe mendjet e fëmijëve në shtëpitë e shqiptarëve këtu. Ne do t’i zhbëjmë vështirësitë që vijnë si rezultat i një të shkuare që vazhdon ta kërcënojë Ballkanin. Ne jini të bindur dhe kini besim, do t’i heqim të gjitha pengesat që e ndalojnë një vajzë dhe një djalë, me kombësi shqiptare, që të ndjehet europian i barabartë mes të barabartësh, pavarësisht se ku jeton.
Nuk është një detyrim vëllazëror vetëm, nuk është as një detyrim politik vetëm, as edhe një detyrim thjesht qeveritar, është një detyrim kushtetues. Bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë që Qeveria e Shqipërisë dhe cilido qoftë Kryeministri i Shqipërisë të mos e harrojë për asnjë moment se liria dhe të drejtat e çdo shqiptari, kudo ku jeton, janë të paprekshme dhe si të tilla duhet t’i mbrojë pavarësisht vështirësive që ka mbrojtja e tyre dhe pavarësisht pengesave që gjejmë sëbashku, në rrugën për t’i garantuar ato.
Bazuar pikërisht te kjo e drejtë kushtetuese, unë dua që sot të nënvizoj se është një kohë e re dhe ne duhet të jemi të vetëdijshëm, por, njëkohësisht, edhe duhet të punojmë me njëri-tjetrin, për t’u sjellë ashtu siç i ka hije kësaj kohe të re. Kush e ka të vështirë të ndahet nga e shkuara, nuk jemi ne. Ne duam të jemi dhe sëbashku do të jemi europianët e rinj të këtij rajoni, të cilit i ka ardhur koha të bashkohet një herë e përgjithmonë me Europën. Sepse sot, ndryshe nga shumë vite më parë apo nga disa vite më parë, nuk jemi vetëm ne, njerëzit rajonit që kemi nevojë për Europën e Bashkuar, por është edhe Bashkimi Europian që ka nevojë për ne të gjithë.
Nga ana tjetër, më lejoni, që këtu përpara jush, në vendin ku shqiptarët sot hasin vështirësi që nuk i hasin në vende të tjera ku jetojnë, për hir të vërtetës, nënvizoj me krenari se ne shqiptarët, shqiptarët e Shqipërisë, shqiptarët e Kosovës, shqiptarët e dy shteteve që janë garante të paqes, stabilitetit dhe të ecurisë demokratike të rajonit, mund të jemi me plot gojën, krenarë për mënyrën sesi respektojmë minoritetet.
Mund të jemi me plotë gojën krenarë, sepse kemi të gjithë të drejtën, bazuar jo në Konventa, jo në letra, por në fakte, t’i tregojmë botës mbarë se: “Po! Në Shqipëri dhe në Kosovë ka modele të admirueshme të bashkëjetesës; ka modele të admirueshme të respektit për liritë dhe për të drejtat e minoriteteve!” E, me këtë krenari, por duke u nisur nga vetja, ne kemi të drejtën të kërkojmë të njëjtën gjë edhe nga të tjerët.
Sot, në Shqipëri, ka një minoritet grek i cili nuk ndjen për asnjë çast në jetën e tij asnjë dallim, e jo më pastaj diskriminim, në raport me qytetaret dhe qytetarët shqiptarë, me kombësi shqiptare. Sot, në Shqipëri, ka një komunitet shumë të vogël në numër maqedonas, i cili jo vetëm nuk ndjen asnjë dallim dhe asnjë diskriminim në raport me popullsinë me kombësi shqiptare, por pas ndarjes së re territoriale do të ketë edhe Bashkinë e vet. Pavarësisht, se numri është shumë i vogël. Sepse nuk janë numrat që duhet të përcaktojnë sjelljen ndaj tjetrit, por është mënyra sesi ne e shohim veten tonë dhe është ajo çfarë duam për veten tonë. E pra, ne shqiptarët duhet të jemi të gjithë krenarë, sepse atë që duam për veten tonë nuk ia mohojmë tjetrit. Por ama, atë që i japim tjetrit asnjë tjetër nuk mund të na e mohojë ne!
Ka shumë rëndësi që këto territore të kthehen nga një zonë e vështirë, ku nuk ka nevojë të takosh njerëz, por mjafton të hedhësh sytë majtas dhe djathtas për të kuptuar se ka një dallim të madh në një zonë ku dallimi duhet të jetë i padukshëm, në një zonë ku brenda për brenda territorit të Republikës së Serbisë nuk duhet të ndjehet e kundërta e asaj që ndjehet kur hedh sytë majtas dhe djathtas nëpër pjesën tjetër të territorit të Serbisë. Kjo është ajo që unë kam folur drejtpërdrejt, hapur dhe shkoqur në takimin kokë më kokë me Kryeministrin Vuçiç, të cilit ia kam bërë shumë të qartë se ne shqiptarët nuk jemi në një betejë të përbashkët për ndonjë Shqipëri të Madhe, por jemi në një betejë të përbashkët për një Europë të Madhe, që ka vend për të gjithë shqiptarët dhe që duhet të përfshijë të gjithë shqiptarët, sigurisht, bashkë me të gjithë të tjerët. Kush e dëshiron këtë, njësoj si ne, nuk duhet të lejojë që kushtet e vështira, që pengesat e pafundme, që sjelljet diskriminuese t’i shtyjnë njerëzit në një drejtim krejt tjetër.
Drejtimi i së ardhmes është drejtimi i lirive dhe të drejtave të barabarta për çdo qytetar të Europës. Si qytetarë të Europës, bashkërisht, sot, ne jemi në të drejtën e Zotit dhe të vendit që të mbrojmë me forcë lirinë dhe të drejtën e çdokujt që jeton në këto territore, për të mos u ndjerë i ndryshëm, në kuptimin diskriminues, ndaj askujt tjetër.
Nga ana tjetër, unë besoj se ky projekt, projekti i paqes dhe programi i transformimit të këtij projekti në realitet për çdo familje dhe për çdo individ, pavarësisht kombësisë dhe pavarësisht vendbanimit, kërkon, pa as më të voglin dyshim, edhe bashkimin e të gjithë faktorit shqiptar këtu në Luginë, për të adresuar problemet reale. Ato probleme reale që unë, falë edhe konsultimit me udhëheqësit dhe përfaqësuesit tuaj, i adresova Kryeministrit serb.
Probleme, që kanë të bëjnë me shkollimin, probleme që kanë të bëjnë me shëndetësinë, probleme që kanë të bëjnë me infrastrukturën dhe me zhvillimin ekonomik e social të një zone, e cila, sigurisht, përveç të gjitha këtyre ka nevojë edhe për një jetë kulturore. Për një jetë kulturore pa pengesa, për një jetë kulturore pa mure, për një jetë kulturore që të mos shihet shtrembër, por përkundrazi, të shihet si pasuri.
Sepse në këtë paqe për të cilën të gjithë së bashku duhet të punojmë që të jetë një paqe që ia vlen të jetohet, pakicat nuk mund të jenë më burim dasie, por duhet të jenë ura që lidhin fatet tona drejt të ardhmes. Askush nuk duhet të ndjehet keq, askush nuk duhet të ndjehet në pozitë të vështirë dhe askush nuk duhet të ndjehet si i mallkuar nga Zoti pse në vendin e vet ka edhe pakica, por gjithkush duhet të ndjehet me fat që në vendin e vet ka edhe pakica.
Sepse mënyra sesi sillemi me pakicat, përcakton atë që ne jemi. Për të qenë europianë deri në fund, nuk mjafton të flasim gjuhën e Brukselit, por duhet që t’i japim të gjithëve mundësinë që të flasin lirisht gjuhën e tyre. Duhet t’i japim të gjithëve mundësinë të mësojnë lirisht në gjuhën e tyre. Duhet t’i japim të gjithëve mundësinë që tek gjuha e tjetrit të ndjejnë jo kërcënimin, por fatin që kanë për të jetuar në një shoqëri të larmishme, me kultura të ndryshme, me tradita të ndryshme, me identitete të ndryshme, që përbëjnë mozaikun e Europës së Bashkuar, të cilës ne duam t’i bashkohemi, si një pjesë e munguar e këtij mozaiku.
Unë e di që është më e lehtë t’i thuash sesa t’i bësh gjërat. Ne shqiptarët e kemi me vend atë shprehjen që “nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë”. Por, kjo është sfida jonë! Dhe, aq sa nuk është e lehtë të ecësh përpara me projekte dhe programe afatmesme dhe afatgjata, aq kjo është e domosdoshme. Në këtë domosdoshmëri, për sa i takon gjithë shqiptarëve të Luginës, përfaqësimi në administratën publike duhet të jetë i plotë, mundësia për të qenë pjesë e jetës institucionale të këtij shteti duhet të jetë e plotë dhe rrugët që përmes përfaqësimit dhe jetës institucionale, projektet të bëhen realitet, duhet të jenë të gjitha të hapura. Sepse në të kundërt, deti mes fjalëve dhe veprave mbetet i pakapërcyeshëm.
Dhe, në pamundësinë për të kapërcyer detin mes fjalëve dhe veprave, kemi parë se historia ka dëshmuar më shumë se një herë, këtu në Ballkan me qindra vjet, njerëzit zgjedhin natyrshëm t’i kthejnë kurrizin detit dhe të luftojnë me njëri- tjetrin.
Sigurisht që, çështjet e Luginës janë çështje që kërkojnë zgjidhje me shtetin dhe me institucionet e Serbisë. Por, shteti shqiptar nuk do të tërhiqet nga detyrimi i tij kushtetues për të qenë i angazhuar në mënyrë konstante që duke forcuar dialogun dhe bashkëpunimin me Serbinë të forcojë pozitën e vet për të mbrojtur dhe për të mbështetur aspiratat e të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Republikën e Serbisë. Unë nuk shoh asnjë arsye. Përkundrazi! E thashë këtë në takimin me Kryeministrin, e thashë këtë në konferencën për shtyp, dje, dhe ne do të vazhdojmë ta përsërisim këtë: “S’ka arsye që shqiptarët e Luginës së Preshevës të kenë më pak mundësi, të kenë më pak liri, të kenë më pak të drejta se serbët e veriut të Kosovës”. Ashtu si dhe të gjithë minoritetet etnike apo kulturore në të gjithë rajonin tonë nuk mund më të diskriminohen për shkak të origjinës, nëse jemi të gjithë seriozë që kësaj mundësie fantastike, për të mbyllur një shekull konfliktesh dhe dasish dhe për të hapur një rrugë të re paqeje, t’i përkushtohemi jo me fjalë, por me vepra.
Duhet thënë hapur, qartë, sinqerisht, se reflektimi dhe plotësimi i të drejtave të shqiptarëve sipas standardeve europiane është një kriter i integrimit në Bashkimin Europian. Nuk mund të bëhemi dot pjesë e Bashkimit Europian si rajon, nëse çdokush në rajon nuk ndihet pjesë e projektit europian dhe nuk trajtohet si të ishte pjesë e Europës së Bashkuar. Ky i fundit është një element themeltar i kohës së re në rajon. Ndaj, jo për ne shqiptarët, por për të gjithë ata që e banojnë rajonin, ashtu si për çdo minoritet tjetër, çështja e Luginës së Preshevës është themeltare.
Nga ana tjetër, realizimi i lirive dhe të drejtave është fuqi e madhe që të dyja shtetet, apo shtetet mes tyre i japin vetes për të forcuar bashkëpunimin dhe për ta kthyer rrugën e një armiqësie të vjetër e sfilitëse për të gjithë, në rrugën e një miqësie të re, ku ka vend nën këtë diell për të gjithë dhe ku ka mundësi për secilin, pavarësisht kombësisë, pavarësisht nënshtetësisë, të realizojë si njeri ambiciet e veta dhe të jetë i papenguar si njeri, për të marrë frymë dhe për t’i dhënë frymë, ëndrrave dhe shpresave të veta.
Dua t’i përgëzoj si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, partitë politike shqiptare në Luginë për përfaqësimin në Parlamentin serb dhe në institucionet e këtij shteti.
Është një tjetër shembull që shqiptarët japin për të treguar se kanë vullnet për dialog aty ku ka hapësirë për dialog dhe se kanë vullnet për bashkëpunim me shtetin ku jetojnë, gjë që u jep automatikisht të drejtën që të kërkojnë jo më shumë, por shumë më shumë nga shteti ku jetojnë.
E nga ana tjetër, këtë e shoh si një mundësi që përfaqësuesit tuaj jua japin juve, duke u bërë përçues të ëndrrave dhe të aspiratave të brezave më të rinj dhe duke sakrifikuar pak nga vetvetja si qenie politike për t’i dhënë shumë qenies suaj këtu, si shprehje e një identiteti të pathyeshëm, të patjetërsueshëm dhe të paasimilueshëm.
Jemi në të drejtën tonë që të shpresojmë të gjithë së bashku, që politika në të gjithë komunitetet shqiptare të jetë diçka tjetër nga çfarë ka qenë tradicionalisht kur interesa të vogla, interesa palësh, interesa legjitime, por jo përfaqësuese të të gjithë interesit tonë të madh kombëtar, kanë mbizotëruar mbi interesat e njerëzve të zakonshëm.
Krijimi i Këshillit Kombëtar të Luginës mua më duket një dritë që tregon vazhdimin në drejtimin e duhur të rrugës për të dalë nga një tunel i gjatë. Duke i përgëzuar të gjithë aktorët dhe protagonistët e këtij Këshilli, unë dua t’u siguroj se bashkimi në këtë Këshill, jo vetëm e forcon, por e bën shumë më të arsyeshme forcën e shqiptarëve për të qenë kontributorë, por dhe përfitues në këtë shtet.
Dua të përgëzoj për bashkëpunimin me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik të Republikës së Serbisë dhe misionit të OSBE-së me trupin koordinues të Republikës së Serbisë me komunat Preshevë, Bujanovc e Medvegjë dhe me fakultetin e Novisadit, që arritën të hapin paralelen e fakultetit ekonomik të Suboticës në Bujanovc, duke bërë një hap kuptimplotë në realizimin e të drejtave kolektive për arsim të lartë.
Dua të përfitoj këtu për ta konkretizuar atë që preku i nderuari miku im Ragmi Mustafa, se për të rejat dhe të rinjtë e Luginës, ne do të dyfishojmë kuotat në mjekësi dhe do të kemi kuota pa limit në të gjitha degët e tjera.
Ju e dini që ne po bëjmë një reformë rrënjësore në arsimin e lartë. Ju e dini që në kaq vite ne kemi arritur të kemi numrin më të madh të juristëve dhe të ekonomistëve për metër katrorë, në Europë, por kemi humbur shumë vite dhe kemi humbur shumë zanate. E për këtë arsye qeveria jonë është fokusuar shumë fort tek krijimi i një alternative për të rinjtë, alternativës së arsimit profesional, ashtu si në çdo vend normal të botës, në funksion të punësimit dhe në funksion të rritjes së dhuntive profesionale dhe sipërmarrëse të gjeneratës tjetër.
Nga ana tjetër, është e natyrshme që ne nuk mund të vazhdonim me një sistem të lartë arsimor që ishte kthyer në një industri prodhimi diplomash pa vlerë. Por të gjitha këto, aq sa vlejnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, aq edhe nuk mund të jenë arsye që kur kemi një ulje të arsyeshme kuotash, fjala vjen në mjekësi, për shkak të vetë kërkesës së fakultetit, kjo ulje kuotash të ndikojë për keq dhe t’i mbyllë rrugën kujtdo prej jush që kërkon të bëhet mjek, apo dhe në të gjithë nivelin e arsimit të lartë.
Kështu që, ndjehuni më shumë se me një derë të hapur. Jam i bindur se duke bërë këtë, ne do t’i japim mundësi kujtdo prej jush, që do të zgjedhë të arsimohet në Republikën e Shqipërisë që të mund ta bëjë këtë.
Nga ana tjetër, jemi të vetëdijshëm për vështirësitë që ju keni këtu në Luginë për tekstet shkollore dhe e dimë edhe fondin e ndihmës së akorduar, bashkë me qeverinë e Kosovës, por kjo është shumë pak. Për këtë arsye bashkë me Kryeministrin Vuçiç, jemi fokusuar tek domosdoshmëria për ta parë me sy kritik gjendjen e infrastrukturës arsimore në Luginë dhe cilësinë e arsimit, kuptohet dhe tekstet. Do të bashkëpunojmë edhe me qeverinë e Serbisë, do të bashkëpunojmë edhe me përfaqësuesit këtu që kjo situatë të ndryshojë. I kam kërkuar shprehimisht Kryeministrit të Serbisë, nëse duhet ta thoja këtu me zë të lartë që ai personalisht dhe qeveria serbe do të angazhohen personalisht për përmirësimin e infrastrukturës shkollore dhe spitalore e për t’i dhënë fund odisesë së papranueshme të gjithë nënave të reja që për të lindur fëmijët duhet të ikin me dhjetëra e dhjetëra e dhjetëra kilometra larg. E shprehimisht më ka thënë “Po”. Shpresoj dhe besoj që ta mbajë fjalën se pastaj nuk dua që kur t’i them nuk e mbajte fjalën, të thotë është provokim.
Do të doja të flisja shumë. Besoj që është e kuptueshme, por nuk dua t’u mbaj shumë. Dua vetëm të shtoj dhe diçka. Ne Shqiptarët kemi shumë të drejtë që të jemi të padurueshëm. Kemi të drejtë të jemi në Shqipëri, pas shumë vitesh pritshmërish të mëdha dhe zhgënjimesh të mëdha që të kërkojmë gjithçka që na ka munguar, – dhe atë që na ka munguar në Shqipëri, nuk na e kanë bërë të tjerët, ia kemi bërë vetes. Kemi shumë drejtë në Kosovë që të jemi të padurueshëm dhe çdo gjë të shkojë vaj, që të mos ketë kriza institucionale, të mos ketë mosmarrëveshje, sepse vitet kalojnë shpejt. Kemi shumë drejtë, edhe më shumë të drejtë këtu, që të jemi të padurueshëm, – se takova me shumë kënaqësi disa të moshuar të cilëve iu iku jeta në këtë Luginë dhe zor se një ditë të bardhë e panë përveç lindjes së fëmijëve.
Ndërkohë që, ata që i përkasin gjeneratës së pas “Murit të Berlinit”, po bëhen për t’u martuar dhe kthejnë sytë dhe shohin veten si në kurth. Pra, ne, kemi shumë të drejtë të tregohemi të padurueshëm, por ktheni pak kokën mbrapa. Ku ishin shqiptarët në vitet ’90 dhe kush ndër ne mund t’i përfytyronte në vitet ’90 shqiptarët siç janë sot, në këtë rajon, me kaq shumë më tepër gjëra të bëra realitet dhe jo një rrugë këtu dhe një urë atje, por gjëra të mëdha.
E besoj se më të dëgjuar dhe më të respektuar se ç’jemi sot, nuk kemi qenë asnjëherë. Sigurisht, kjo nuk është për të ndaluar e për të thënë: “dakord, po durojmë”. Çdo gjë mund t’u kërkoj atyre vajzave dhe atyre djemve, por durim nuk ju kërkoj dot. Kanë të drejtë të jenë të padurueshëm.
Kjo është për të nënvizuar dy gjëra;
E para, pse shqiptarët ia kanë dalë edhe aty ku ndër më optimistët ndër ne nuk mendonin se do t’ja dilnin ndonjëherë, – që të kenë edhe një shtet tjetër? Sepse shqiptarët nuk kanë kërkuar kurrë diçka që i takon tjetrit. Sepse shqiptarët nuk kanë rënë kurrë në kurthin e atij nacionalizmi që e bën njeriun, por që mund ta bëjë edhe një vend të tërë, të verbër, për të hapur luftëra, jo për lirinë e vet, por për të mos ta lënë tjetrin të lirë.
Dhe, sepse shqiptarët kanë ditur instinktivisht si popull, si komb, të dallojnë rrugën qorre të nacionalizmit primitiv me rrugën e patriotizmit europian. E nëse sot shqiptarët janë në këtë pozitë të gatshëm për të shkuar më tutje, por dhe të fortë për ta përballuar më tutje, vetëm një gjë s’duhet ta harrojmë. Kjo ka ardhur si rezultat i të qenit njerëz të besës me aleatët tanë të mëdhenj strategjikë SHBA-të dhe BE.
Prandaj, duke ia njohur gjithkujt të drejtën edhe të dalë mendsh, sepse është e drejtë e njeriut dhe kjo, nuk mundet të shkojmë pas askujt që del mendsh dhe na thotë: “shiko se ka një rrugë më të shkurtër”. Se rruga më e shkurtër thotë populli shqiptar të nxjerr gjithmonë gjatë.
Rruga jonë është përpara. Rruga jonë është e drejtë. Nëse sot ne kemi të drejtën të ndjehemi mirë kur shohim nga kemi ardhur dhe të ndihemi jo mirë kur shohim ku duam të shkojmë, atëherë duke marrë dhe lexuar si duhet historinë që na solli deri këtu, le të bëjmë së bashku histori për të shkuar aty ku duam dhe ku do të shkojmë me siguri.
Faleminderit!a