DIELLI me shqiptarët në Melburn – Australi./
RAMAZANI NË KOMUNITETIN SHQIPTAR NË MELBURN /
Imam Dr. Bekim Hasani, imami i komunitetit shqiptar në Melburn të Australisë rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, organizimin e komunitetit shqiptar në Melburn, rëndësinë e muajit të Ramazanit, bashkëjetesën vëllazërore, vepra të ndryshme bamirësie si: ushqimi i të varfërve, vizita e të sëmurëve në spitale, shtëpi të pleqve, grumbullimi i ndihmave për popullin shqiptar, ndihma të ndryshme gjatë pandemisë etj. Me Imam Dr. Bekim Hasani bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.
RËNDËSIA E MUAJIT TË RAMAZANIT NË BESIMIN ISLAM
Ramazani ka një rëndësi të veçantë në fenë islame. Agjërimi i muajit të Ramazanit konsiderohet si njëra nga pesë shtyllat e fesë islame. Allahu na ka treguar në librin e shenjtë se qëllimi kryesor i agjërimit është që të jemi të devotshëm dhe të afrohemi sa më afër Krijuesit tonë. Agjërimi ka një shpërblim të madh tek Zoti Fuqiplotë ngaqë njerëzit të cilët agjërojnë, e bëjnë këtë vetëm për ta kënaqur Zotin e tyre edhe pse askush nuk mundet ta dijë se kush agjëron dhe kush jo. Nga Pejgamberi alejhi selam transmetohet: Allahu i Madhëruar ka thënë: -“Çdo vepër e birit të Ademit i takon atij, përveç agjërimit. Ai është për Mua dhe Unë shpërblej për të. Agjërimi është mburojë (nga epshet dhe zjarri), prandaj kur të agjërojë ndokush le të mos flasë fjalë të ndyta dhe mos ta ngre zërin, e nëse dikush e ngacmon apo e sulmon, le të thotë: Unë agjëroj, unë agjëroj”. Nga ky hadith kuptojmë gjithashtu se agjërimi nuk do me thënë vetëm abstenim nga ushqimi dhe pija mirëpo tërë trupi i njeriut duhet të agjërojë duke filluar nga sytë, veshët, duart, këmbët e posaçërisht gjuha e njeriut. Gjuha duhet të largohet nga fjalët e ndyta dhe nga sharjet edhe nëse dikush e ofendon muslimanin me fjalë, ai duhet t’ju tregoj atyre se është agjerueshëm. Pejgamberi a.s gjithashtu thotë: “Kush nuk e le fjalën e rrejshme dhe punën me të (shpifjen), All-llahu nuk ka nevojë që i tilli ta lë ushqimin dhe pijen e tij. “Në transmetimin tjetër, hadithi fillon me fjalët: “Kush nuk e le fjalën e rrejshme dhe ashpërsinë në shprehje dhe sjellje”. Zoti xh.sh i ka nderuar agjëruesit duke e quajtur një derë të xhenetit “Er-rejjan” nëpërmjet të cilës vetëm agjëruesit do hynë në xhenet. Pejgamberi a.s thotë: “Në Xhennet ekziston një derë që quhet Rejjan nga e cila hynë agjëruesit në Ditën e Kijametit dhe askush tjetër nuk hyn nga ajo derë . E kur të hyjnë ata, ajo mbyllet e askush tjetër nuk hyn”.
RAMAZANI NË KOMUNITETIN SHQIPTAR NË MELBURN
Komuniteti shqiptar musliman në shtetin e Viktorisë ka organizuar aktivitete të ndryshme gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit në katër xhamitë shqiptare që gjenden në shtetin e viktorisë (xhamia shqiptare në qytetin e Sheppartonit konsiderohet si xhamia më e vjetër jo vetëm në shtetin e Viktorisë por në tërë australinë ngaqë qysh nga themelimi i saj ka qenë e hapur dhe funksionale deri me sot. Por edhe xhamia shqiptare në Melburn konsiderohet si xhamia më e vjetër në Melburn që është themeluar në vitin 1969. Nga aktivitetet fetare gjatë Ramazanit, vlen të theksohet organizimi i iftareve të ndryshme kolektive, falja e teravive në katër xhamitë shqiptare, manifestim i veçantë për hir të natës së madhe të Kadrit, falja e Bajramit, si dhe organizmi i mbrëmjeve gazmore për hir të festes së Bajramit etj.
RELIGJIONI NË KUSHTE PANDEMIE, MOTIVIMI I BESIMTARËVE
Koha e pandemisë është një sfidë për të gjithë duke përfshirë edhe komunitetin shqiptar musliman në Melburn të Australisë. Unë si prijës fetar i komunitetit shqiptar musliman në Melburn por edhe prijësit e tjerë, jemi munduar të jemi pranë bashkatdhetarëve tanë në këto kohë të vështira duke mbajtur ligjërata të shumta nëpërmjet rrjeteve sociale, komunikimi me telefon, duke i vizituar ata në shtëpitë e tyre posaçërisht ata që janë më të vjetër dhe nuk kishte kush të kujdeset për shëndetin dhe ushqimin e tyre. Unë kam një leje udhëtimi nga shteti që të kam mundësi të udhëtoj në kohe pandemie kur shteti ka qenë i mbyllur dhe të i ndihmoj ata që ballafaqohen me me dhunë familjare, depresion, apo çfarëdo ndihme që komuniteti kërkon nga ne.
HARMONIA NDËRFETARE NJË SHEMBULL EDHE NË AUSTRALI
Komuniteti shqiptar në Australi ka një harmoni ndërfetare të shkëlqyeshme që është shembull për shumë komunitete tjera në këtë vend. Çdoherë kur kemi manifestime të ndryshme si fetare ashtu edhe kombëtare, ne gjithmonë jemi të bashkuar, vizitojmë njëri-tjetrin për festa fetare. Kur ne si musliman kemi festat tona si festa e Bajramit, komuniteti shqiptar katolik na viziton dhe i ndajmë ato momenti gëzimi së bashku. Kur komuniteti katolik organizon ndonjë manifestim për hir të Krishtlindjeve apo Pashkëve, ne marrim pjesë. Por edhe kur kemi ndonjë varrim, ne shkojmë në xhami apo në kishë për t’ia dhënë lamtumirën e fundit personit të ndjerë. Këtë traditë e kemi trashëguar nga familjet tona në vendlindje ku ne si shqiptarë gjithmonë kemi bashkëjetuar dhe kur ka qenë në pyetje kontributi për vendin tonë, ne gjithmonë kemi qenë të bashkuar pavarësisht përkatësisë fetare.
VEPRA BAMIRËSIE QË LARTËSOJNË SHQIPTARËT NË AUSTRALI
Ne gjithmonë mundohemi të jemi në shërbim të komunitetit shqiptar në Australi por edhe komunitetit të gjerë australian. Ne kemi marr pjesë në shumë aktivitete të ndryshme siç është: ushqimi i të varfërve, vizita e të sëmurëve në spitale, shtëpi të pleqve, grumbullimi i ndihmave për popullin shqiptar, ndihma të ndryshme gjatë pandemisë etj. Ne veç e konsiderojmë Australinë si vend tonin, duhet të kontribuojmë sa më shumë për ta bërë këtë shtet një vend më të mirë, pasi është vendi ku kanë lindur dhe rritur fëmijët tanë.