• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“A R M I K U”

September 3, 2019 by dgreca

“A  R  M  I  K U”

Tregim nga Memisha Gjonzeneli, dekoruar me medaljen Naim Frashëri i Artë/*

       Kishin kaluar shumë vite nga koha që kisha dalë nga burgu, ku vuajta dënimin si “armik i popullit”…(Isha ende vetëm 16 vjeç, kur më arrestuan…)

Një pasdite po shëtisja buzë detit. Ishte verë. Këmbët i futa në ujë për t`i freskuar dhe këpucët i kisha lënë në anë të detit. Kisha humbur tërësisht në kujtime vetjake, por papritur më pruri në jetë një klithmë zë lartë gruaje:

 -Po mbytet, ndihmë, ndihmë, më  shpëtoni djalin. Amani, ndihmë!

 -Ajo po provonte të futej vet në det ashtu siç ishte e veshur dhe tepër e alarmuar.

Ktheva kokën nga vinin klithmat dhe pashë gruan që rendte drejt detit e bërtiste me të madhe.  Në det, përpara saj, mezi  dallova një kokë  njeriu që herë zhdukej, herë dilte mbi ujë. S`mendova më gjatë, po  u lëshova me shpejtësi drejt djalit që gati po mbytej.  Ndofta ishin lëvizjet e fundit fatale të  tij. Kur u afrova, djali  u fundos sërish dhe më humbi nga shikimi. U zhyta thellë, pa vetëdije se ç`po bëja, e kërkova me sy në thellësinë e detit dhe mezi e pikasa. Atë po e tërhiqte drejt thellësive rryma detare.  Ca flluska ajri në shtim, po i dilnin  nga goja.  E kapa, pa menduar se ai mund të më merrte me vete edhe mua dhe fatmirësisht, duke përdorur tërësisht forcën dhe aftësinë time rinore dhe përvojën si skelar dhe notar i hershëm, e nxora në sipërfaqe.  Ishte një fëmijë bukurosh, rreth 15 vjeç. E tërhoqa me mundim deri në breg, ku ishin grumbulluar edhe shumë njerëz të tjerë kurjozë dhe e  ktheva  përmbys,  me kokën  poshtë. Uji filloi t’i dalë nga  goja dhe gëzimi im, që ndjeva ringjalljen, shpërtheu. Nëna e tij vazhdonte lutjet dhe bërtiste e ndërhynte gabueshëm, aqsa  s`të linte të punoje. E hipëm në një makinë dhe drejt e në spital. Sa e futem brenda, unë doja  të  ikja,  po mu lutën për ta çuar misionin deri në fund. Isha zbathur, se këpucët   i  pata  lënë  te ana e detit, dhe i  lagur, por nuk e lash pa e shoqëruar në spital, deri sa doli infermierja dhe më  tha:

-Bravo! Ke shpëtuar një jetë njeriu. Ky fëmijë ta ka borxh jetën. Ejani ta shihni:

Ishte dyllë i verdhë, por për fat, po  e merrte veten. Doktori  kërkoi të afërmit e fëmijës. Dy  qytetarë që më shoqëruan mua  i thanë se nuk e njihnin  fare, e kishin parë  që kishte  nevojë  për  ndihmë dhe e kishin ndihmuar, detyra e tyre mbaronte këtu. Ashtu bëra edhe unë dhe u nisa të ikja. 

 -Jo, -tha mjeku, -ti do të rrish këtu, deri sa të vijë ndonjë i afërm.

Pas pak u dëgjuan të bërtitura tek dera. Ishte e ëma e fëmijës, që nga nxitimi nuk e kishin marrë në makinë.  

    Ajo vazhdonte: Amani, aman, më shpëtoni  djalin, se vetëm  atë kam! -Dhe hyri  brenda, e pa që ishte katandisur në ditë të  hallit. 

-Doktor,  të lutem më  shpëto  djalin! Nuk priti përgjigje, shkoi me shpejtësi në shtratin e të birit. Ai i hapi sytë. Ajo  filloi ta  puthte dhe ta përqafonte, duke falënderuar për mrekullinë që bëri  Zoti, pastaj  u kthye nga unë, më përqafoi fort dhe më puthi në të dy faqet.

-Te faleminderit, te faleminderit! -më   thoshte pa pushim…

Unë i kërkova leje doktorit dhe u largova me shpejtësi, se mësova që babai i djalit ishte oficer sigurimi dhe mendova do ishte mirë të mos më gjente aty.  Dola jashtë, po ku do të shkoja ashtu, i lagur dhe i zbathur? Më vinte shumë  turp. E ndërsa ecja i menduar, më kaloi pranë me shpejtësi një  makinë policie. Ktheva kokën dhe e pashë. “Në këtë makinë, -mendova, -do të jetë edhe babai i fëmijës që unë i shpëtova jetën”.

Pas disa ditësh, rastësisht takova doktorin. Sa më pa, filloi të qeshte.

-Çfarë ke?  -e pyeta.

-Atë  ditë, që  ti solle fëmijën e mbytur, sa ike ti, erdhi i ati i djalit. Kur e mori  vesh që të birin e kishe shpëtuar ti, iu kthye të birit i nervozuar:

-E shikon  çfarë  na ke bërë, more  palaço? Djali  mbuloj kokën me çarçaf.

-Edhe këtë kishim mangët, të na shpëtojë “armiku i popullit”.   

-Uaaa!  -tha e shoqja e habitur dhe e trembur, -po unë e putha edhe në  faqe! 

-Si? -bërtiti ai. -Të pa njeri?

-Jo, -tha  gruaja, -vetëm  doktori.

-Epo, doktori është  yni, s’prish punë. 

-Po ku e dija unë, more burrë se cili ishte ai?! Ai sikur ecte me këmbë në ujë. Sa bërtita unë, u gjend te djali, që përpëlitej ndenë ujë.  Pa, ta  shikoje si  notonte në det, pa pyetur për rrezikun që “i mbyturi, të mbyt!”!

 -Ah, moj grua! -tha i shoqi i mërzitur. -Ti  nuk i njeh ata se çfarë armiqsh janë. Dosjeve të tyre u vëmë  gjurin  kur i shtrëngojmë, kaq shumë  fashikuj me krime  kanë, por lere, hiqe mendjen prej andej dhe harroje fare atë njeri! 

-Të  faleminderit, doktor, – i thashë i menduar, krenar se shpëtuam një  njeri nga vdekja e sigurt.

 Ashtu zbathur, ecja nëpër rrugica, që të mos më shikonte njeri,  derisa  mbërrita në  Skelë. U drejtova te vendi ku lashë këpucët, por u mundova kot për to, dikush  para  meje, i kishte marrë.  Këpucët  nuk  qenë  të reja,  po për mua ishin të mira dhe duhet t’i zëvendësoja me të tjera, që duhet t’i  blija.  Shkova  në shtëpi i mërzitur,  u tregova ngjarjen prindërve. Babai qeshi i gëzuar

     -Po, more bir, -tha, -po shpëtove një jetë, mos e vrit mendjen për këpucët,se edhe ato do t’i  rregullojmë nga kursimet e bukës.   

                                                         ***

     Qyteti i Fierit kërkonte  specialistë. Atje do të ngriheshin disa  vepra të reja  të rëndësishme industriale. Meqenëse isha saldator dhe kisha mbaruar shkollën e rezervave, shkova në Komitet, ku më pajisën me një fletë pune. Të nesërmen u nisa për në Fier. Më dërguan  të punoja saldator në sektorin e ujësjellësit. Atje punova deri sa e përfundova si linjë. E fillova linjën në Qafë të Koshovicës e deri tek hotel «Apollonia». Më pas më dërguan në Uzinën  e Azotikut, ku sapo kishte filluar ndërtimi. Aty punova nja dy vjet. Përfunduam gazsjellësin nga Azotiku në Divjakë,  deri sa e mori në ngarkim Ndërmarrja e Shfrytëzimit. Ishte një punë e vështire  dhe shume speciale. Tubacioni do punonte nën presion nga 45 deri ne 60 atmosferë. Në të gjitha kokat e saldimit duhej të vendosje me saldim numrin personal. Unë mbaja numrin &7. U kthyem prapë në Azotik. Punova pak kohë në TEC. Filluam punë me një tubacion në Azotik, në ofiçinën e vjetër.

Në një nga këto ditë vjen një polic dhe më thotë që ta lija punën, se do të shkonim në Vlorë. Rrugës, polici  më tha se më kishin internuar në fshatin tim, në Tragjas.  Dorëzova çfarë kisha në ngarkim dhe u nisëm për në Vlorë. Polici më çoi në Degën e Punëve të Brendshme. Atje, sa më panë, më  thanë të merrja  çfarë më  duhej dhe të nisesha për në Tragjas, ku do të  takoja kryetarin e këshillit dhe do të respektoja ato që do të më  thoshte ai.

-Atje ke dhe familjen, babin, nënën dhe vëllezërit. Kështu, merr çfarë  të duhet dhe në darke të jesh në fshat. Në Degë më komunikuan se më kishin dënuar 5 vjet internim, për arsye politike. Vëllai im, Tekiu, më  kishte blere edhe një biçikletë  «Mifa» gjermane.  Mbarova  punë shpejt, i hipa biçiklete dhe në darkë  isha në Tragjas. Atje po më prisnin familjarët, se ishin lajmëruar që  unë po vija.           Kaloi një vit në internim. Puna ishte e rendë, por nga trajtimi i keq ofendues që  na behej, na dukej  edhe me e rendë.

                                                           ***

       Kisha disa ditë që isha ftohur. Mora leje me shkrim në Këshill dhe me këtë leje do paraqitesha në Degë dhe, sa kohë do të më caktonin ata, aq do të rrija. I hipa biçikletës dhe drejt e në Dege. Para më doli një polic.

      -Çfarë kërkoni? Pse keni ardhur? Pse ke ikur  nga vendi i internimit? -pyeti ai.

     -Ku është oficeri i rojës? -e pyeta unë.           

     -Prit të shikoj, të flas me të! -dhe u largua.

     Prita gjysme ore, derisa doli oficeri i rojës.

     -Pse ke ardhur? -me pyeti.

     Unë i zgjata letrën e këshillit. Mbasi lexoi letrën, mu drejtua: 

     -Ti je nga Gjonzenelajt? 

     -Po, -i thashë. 

     -Një ditë, e ke të mjaftueshme, -më tha, pa më parë n sy.

     -Shoku oficer, nuk me del një dite, -i them, -sa të shkoj te doktori,  pastaj të vete të marr ilaçet, tani  jemi në drekë.

Shkroi pas letrës që kisha  “një ditë leje”  dhe me tha: 

 -Në darke të jesh në fshat. Ik tani!  Në çast mu kujtua që  ky ishte babai i djalit që  i shpëtova  jetën.

 -Ju keni ndenjur ne Skele dhe dini  shume not, -më tha me ironi.

-Po, -i thashë unë, -kemi shpëtuar edhe njerëz.

    -Edhe mundet, po  jeni «armiq të popullit». Vëllai yt  ka ikur me  not në Korfuz. Po e shikoja me buzëqeshje.

 -Nisu, -me tha, -po të zumë jashtë kohës, do të arrestojmë!

 -Nuk të pyeta, si e ke djalin?

 -Ku më njeh ti mua? -pyeti dhe u zverdh në fytyrë. Unë u nisa për te doktori. Nga mbrapa dëgjova: «Jeni të  gjithë armiq, në  burg  e keni vendin!».

 Mbarova  pune shpejt dhe u nisa për ë fshat. Po fytyra e oficerit nuk më hiqej nga  mendja. Si mund të sillet kështu njeriu?!  Nuk i kisha bërë asgjë veç të mirës, i kisha  shpejtuar nga vdekja djalin e vetëm.

Mbas disa ditësh u bëra më mirë. Jeta në fshat ishte  vështirësuar.  Shpesh rinia e fshatit na provokonte. Unë  gjithmonë  shikoja  punën time. Shpeshherë, kur qe punë e  e vështire, na dërgonin ne, dhe, sa e mbaronim, na dërgonin në punë të tjetra të vështira.

Unë punova  në disa  vepra të rëndësishme në Shqipëri, kudo pata fituar me punë respektin e atyre që punoja, sidomos të drejtuesve,  të  njerëzishëm që ndjenin mirënjohje dhe unë reflektoja reciprokisht, po oficerin tejet të indoktrinuar nga ana njerëzore, ende nuk e kam kuptuar!

                                                         ***

      ….Një dite mbarova punë shpejt dhe u ula në një gur në anë të Izvorit. U futa  në kujtime  dhe po qeshja  me vete. Tek shtëpia në anën e detit, ne jetuam që prej vitit 1943 deri ne vitin 1956, pra atje kaluam  pothuaj gjithë fëmijërinë tonë. Unë  rrija gjithmonë anës së  detit. Më pëlqente shume të peshkoja. Peshkimi  u bë edhe një ndihmë sado e vogël për familjen. Babin e futen në burg në dhjetor 1944,  mbasi kishte qenë me Ballin Kombëtar. Ne, u rritem pothuaj  pa baba. Gjatë asaj  kohe më është dhëne mundësia  që të ndihmoj shumë njerëz,  qe  deti i gënjente me të fshehtat e tij, aq sa  dhe rrezikonin të mbyteshin. Unë nuk njoh asnjërin prej tyre, se edhe vitet e kanë bërë të vetën. Ka nga ata që më njohin, po nuk flasin, me mendimin se nuk arrijnë dot të lajnë detyrimin e krijuar për jetën e shpëtuar. Një herë po peshkoja te Plazhi i Ri. Atje dikur ishte dhe një mol prej druri rreth 70 metër i gjatë, i futur në  thellësi. Në hyrje ishte afro dy metër i thellë dhe në fund  afro pesë metër. Në vere aty afër hapej dhe një kamp pionieresh. Kampistët vinin e laheshin në anë të detit, por kishte dhe nga ata që guxonin të vinin deri te moli. Më e keqja  ishte se nuk dinin  not,  mandej nga ata që nuk qene larë asnjëherë në det. Shpesh shikonin moshatarët qe hidheshin e notonin dhe e provonin edhe ata.  Një dite unë kisha hedhur grepat dhe po prisja mos binte ndonjë peshk, kur bërtitën disa njerëz: -Po mbyten! Ndihmë! Ndihmë!

     U hodha me shpejtësi në ujë.  Ishin dy fëmije.  Nuk pata problem, ishte afër  për t’i nxjerrë. Ata, ishin zverdhur, pak nga frika, pak nga uji që kishin pirë. Mbas një jave, të dy fëmijët, njeri 13 dhe tjetri 14 vjeç, erdhën e me gjetën. Mu hodhën të dy në qafë. Në fillim u habita, pastaj i njoha, i përqafova me dashuri dhe mu bë qejfi dhe u kënaqa shumë. Fëmijët nxorën nga xhepi nga 20 lekë e mi dhanë. Qesha me ta, po mu be edhe qejfi, ua ktheva leket mbrapsht, mirëpo ata nuk donin.

    -Ne nuk patëm më shumë, të lutemi, na fal, -më thanë të mërzitur. Me zor i morën leket mbrapsht.

     -Te lutemi, na thuaj çfarë të pëlqen që ta sjellim… Mendja më shkoi te ish oficeri i sigurimit…

  Një dite, kur isha duke peshkuar, pa ngrënë mëngjes, më kishte marrë uria keq se as darke nuk pata ngrenë. Kur vinë ata dy fëmijët.

Hej, -mik, -erdhëm ne, -më thane, -çfarë do që të sjellim? Nuk ikim pa porositur…      Pa  u menduar gjatë, u thashë:  «Po mundët, më sillni pak bukë».

Ata ikën gjithë qejf. Të nesërmen, para se të futeshin në det, me prunë një kanotiere te mbushur me copa buke. I falënderova me shpirt  dhe u thashë: «Tani  jemi barabar, mos ejani më këtu. Unë do t’ju dua përgjithmonë. Ju falënderoj me shpirt». Ata ikën duke shikuar nga pas, nuk e di se çfarë mendonin. Unë hëngra buke dhe atë qe teproi  e shpura në shtëpi. Mbas dy ditësh më vjen një shok i djemve dhe më thotë se fëmijët që më kishin sjellë bukë, donin t’i përjashtonin nga kampi, se i kishin dhëne bukë një «armiku te popullit», po përfituan se dhe dy dite kamp kishte dhe do të iknin në shtëpi. Mbas dy ditësh ata ikën në Berat dhe  nuk u pame më.  Po Drejtori vigjilent u dërgoi në shtëpi edhe në shkollë motivacionin për atë «krim» që kishin bërë.

U përmenda nga këto kujtime dhe u nisa për në shtëpi. Rrugës  kalonin fshatarë. Askush nuk fliste. Disa kthenin kokën enkas që të mos më flisnin. Ne, kishim biografi te keqe, ndaj diçka duhej të paguanim.

Më së fundi më duket se shpëtova, Ndërmarrja e Bonifikimit, bëri një kërkese në Komitet se i duheshin saldatore, ndaj më kërkuan edhe mua. Bëra atje plot punime shume të mira, kështu që  e justifikova interesimin. Më vonë kalova prapë me Ndërmarrjen e Montimit të Tiranës.  Punova në Ballsh, më vonë në PVC-Vlorë, ku bëra disa punime të rrezikshme dhe speciale, një prej të cilave ishte dhe  oxhaku metalik i Fabrikës se Çimentos, mbi 50 mera i larte, që askush nuk e kishte marrë përsipër. Më pas kalova me gjithë brigadën në Metalurgji dhe se fundi, po për arsye politike, më dërguan të punoja me plot shokë si unë, …në bujqësi. 

Dhe finalja:…prej Frutores – në Çikago, në Amerike, në një nga qytetet më industrial të SHBA-ve. Fillova pune si saldator. Mbas nja dy vitesh u ktheva për pushime në Vlorën time të dashur, qe nuk e ndërroj me asnjë vend në Botë, në veçanti Skelën e mrekullueshme, që nuk e gjen askund. Çdo pëllëmbe e saj, diçka thotë për mua.

Një darke isha ulur në një  lokal tek Plazhi i Ri. Lokali ishte në anë të detit. U ula në verande, ku dukej mjaft mirë deti dhe Skela ime e dashur. S’kishte gjë më të bukur. Deti ishte i qetë, dallgët përplaseshin ngadalë në breg, një pamje mahnitëse, që të jepte kënaqësi të veçantë.

Kisha humbur ne këtë atmosferë, kur dëgjoj një zë:

-Zotëri, na lejoni të ulemi edhe ne këtu?  Ishin katër vete, një grua dhe tre burra. Ktheva kokën drejt tyre.  

-Ju lutem, ka vende plot këtu afër, -u them.

 -Po, -tha burri që foli edhe me parë, -po ne duam të rrimë me ty, zotëri. I pashë me vëmendje.  Mu duk se nuk i kisha parë ndonjëherë. Dukeshin të qeshur, po pak të ndrojtur. Ata nuk e dinin si do vinte ky takim që ndoshta ishte  më interesanti.  Burri përsëriti lutjen, duke mu drejtuar në emër. Këmbëngulja e tij më bëri përshtypje.    

 -Urdhëroni, uluni, -u thashë. Ata këtë prisnin dhe u ulën pa e zgjatur më tej. 

-Zoti Memisha, shume pak ke ndryshuar që kur të kam parë për herë të fundit, hapi bisedën me i madhi prej tyre. 

-Të lutem, mund të prezantoheni, unë nuk ju njoh. 

-Ke shumë të drejtë, na fal, -vijoi bashkëbiseduesi duke u ngritur në këmbe dhe, me sytë gati në të lotuar, pa më thënë asgjë më shumë, mu hodh në qafë.  Për inerci, i hodha edhe unë dorën në qafë. Kur u shkëput nga përqafimi, me tha: «Tani po, do te prezantohemi: Unë jam Luan Zamani, djali që  vite më parë po mbytej në det dhe ti e shpëtove, ja atje poshtë, afër Akademisë; këta të  dy janë djemtë, kurse kjo është gruaja ime». Në çast mu kujtua gjithçka kishte ndodhur në atë kohë.

-Po, -i thashë, -më kujtohet dhe e di pse ke ardhur.

-Pse?! -pyeti i çuditur.

 -Atë dite, që të nxora ty nga deti e të çova në spital, harrova këpucët buzë detit dhe nuk i gjeta më, kështu qe sot do të më kesh prurë këpucët, -iu përgjigja me të qeshur dhe u dhashë dorën të katërve.

-Tani që më gjetët, më takon t’ju qirasë. Porositni çfarë të doni. Në tavoline erdhi kamerieri, i cili mu drejtua:

-Paske ardhur usta Memua?…Te priftë e mbara….pijet e para i keni nga unë, kurse të tjerat i kanë porositur këta, -dhe u drejtua nga Luani.

-Çfarë shkolle ke mbaruar? -pyeta Luanin.

-Inxhinieri mekanike, -ma ktheu. Në këtë kohë vijnë dy kamerierë dhe e mbushin tavolinën plot me pije e ushqime. Gjithçka po kalonte për bukuri. Kisha kohë që nuk e kisha ndjerë veten kaq mirë. Luani u ngrit në mes të darkës, por unë nuk e lejova dhe ai mu bind. Me pas, mori gotën me pije dhe u ngrit në këmbë. Duke mu drejtuar mua, tha këto fjale:«Sot është një nga ditët më të lumtura të jetës sime. Jemi «njohur» kur unë isha 15 vjeç, kurse sot mbush 56 vjeç. Edhe pse s’jemi takuar për 41 vjet, asnjëherë nuk të kam hequr nga mendja, te kam ndjekur kudo ku ke punuar e kënaqesha kur të shihja sa shume luftoje për jetën. Shumë herë jam matur të të flas, po nëna më lutej që të mos e beja atë veprim, se do ta merrte vesh babai e ku do të futeshim pastaj. E mora vesh se je kthyer nga Amerika, e dija edhe se këtej do të të gjeja, se ti nuk i je ndare kurrë Skelës. Mora me vete gjithë familjen, që edhe këta të të njohin».

U ngritën të katër në këmbe dhe u përqafuam si miq të vjetër. Falënderuam Zotin e madh që i rregullon kaq bukur gjërat, siç ishte dhe ky takim, sa i papritur aq edhe domethënës. Pas asaj dite me Luanin dhe familjen e tij kemi lidhur një miqësi shumë të mirë dhe kemi ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyera me njeri-tjetrin.

Vlorë, më 25.07.2019

Nga Libri “PENDIMI’

Filed Under: LETERSI Tagged With: Memisha Gjonzeneli-Tregim-Armiku

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT