*Rezoluta që miratoi Kuvendi i VATRËS kërkonte rivendosjen e independencës mbretërore të Shqipërisë dhe ndreqjen e kufive me një mënyrë që të hyjnë brënda krahinat shqipëtare të cilat u çkëputnë padrejtësisht prej Konferencës së Londrës me 1913; fjala vjen: Malësit’e Hotit, Grudës, Plavës, Gjakovës, Prizrenit, Mitrovicës, Prishtinës, Shkupit, Tetovës, Dibrës, Strugës, Ohrisë, Manastirit, Kosturit, dhe Krahinën e Çamërisë me qytetet e Prevezës dhe Janinës/*
– Publikohet me rastin e 103 vjetorit te themelimit te Federates Pan-Shqiptare te Amerikes VATRA- 28 Prill 1912-28 Prill 2015/
Duke parë se afroj ora më kritike për çështjen shqipëtare, javën e tretë të Nëntorit 1918 Vatra u-dërgoj nga një qarkëtore degëve të saj dhe i këshillonte të bëjin mbledhje të posaçme që të zgjithjin nga një delegat të zotin për në kuvënt të pazakontë që do të mblidhej në Boston për së shpejti. Me 11 t’atij muaji u-bë Armëpushimi dhe mori funt Lufta e Parë e Përbotëshme n’Evropë. Komisioni Qendral u-bëri një thirrje patriotike Shqipëtarëve t’Amerikës që të mblidheshin rreth Federatës Vatra, dhe me anën e saj të gjithë të bashkuar të nxirjin një zë të fortë në Konferencën e Paqës për të drejtat kombëtare të Shqipërisë.
Përveç dy degëve të riorganizuara, e Chicago-s dhe e Syracuse-it, në pakë dit’e sipër u-filluan dhe pesë degë të ra: në Portsmouth, N.H., Në Erie dhe Branddock, Pa., në Barberton dhe Niles-Youngstown, Ohio.
Duke parëshikuar se do t’i shtoheshin përgjigjësitë për çështjen e Shqipërisë dhe do të kish nevojë për fonde financiare më tepër, Vatra u-bëri thirrje gjithë Vatranëve që t’i jepjin edhe një sulm të ri Fushatës “Dita Tri Qershor” për Shpëtimin e Shqipërisë.
Vatra priste informata nga kryedelegati i saj në London Mehmed Konitza se si dukeshin punët e Shqipërisë pas pushimit të luftes, q’ashtu të dinte se ç’masa munt të mirte kuvëndi që pritej të bëhej për së shpejti. Dhe ay, Mehmed Konitza, kish shkuar në Shqipëri ato ditë që organizoj Kongresin e Durrësit dhe u-formua Guverna Provizore nënëe kryesin’ e Turhan Pashës. Me gjith’ato, koha nukë priste dhe u-vëndos mbajtja e kuvëndit.
Të Dielën me 29 Shën-Ëndre 1918 u-mbloth kuvëndi i Pazakontë në Winthrop Hall, Boston, dhe u-përfaqësuan 51 degë të regullshme të Federatës VATRA. Çairman i atij kuvëndi me rëndesi u-zgjoth Dennis J. Kambury, delegat’ i degës Nr. 69, Niles-Youngstown, Ohio, e cila s’kish pakë javë që ish themeluar. Sekretar i kuvëndit u-zgjoth Loni Kristua, delegat i degës Lynn, Mass., dhe raporter u-zgjoth Kostë Hotova, Delegat i degës Albany, N. Y.
Kuvëndi vazhdoj një javë, mbajti XV (15) sesione gjithësej, dhe mbaroj duke bërë miaft punë me rëndësi për të mirën e Shqipërisë. Në sesionin e 5-të u-leçit një Memorandum i bërë dhe i nënëshkruar prej klerit orthodhoks shqipëtar t’Amerikës, dhe u-prit me të trokitura duarsh të nxehta nga delegatët e kuvëndit. Memorandumi hidhtë poshte çpifjet dhe tëndencat e Grekëve edhe të grekomanëve të vëndit që thoshin se “Shqipëtarët e kërshtërë orthodhoksë duan bashkimin e tyre me Greqinë”! Kish shumë Epirotë që vërtet atë dëshirojin, të cilët ishin vërbuar nga propaganda e Grekëve fanatikë. Për atë shkak Shqipëtarët qenë goditur dhe gjakosur me Epirotët në mbledhjet e tyre në Boston.
Memorandumi u-bë sipas kërkimit dhe pëlqimit të Vatrës, dhe u-nënëshkrua nga këta klërikë orthodhoksë shqipëtarë: At Fan Noli, At Naum Cere, At Marko Kondili, At Damiani, At Pando Sinica dhe At Vangjel Çamçe. Pastaj ay Memorandum j’u dërgua Presidentit Woodrow Wilson në Washington, edhe Kryeministrive të Fuqive të Mbëdha n’Evropë.
Kuvëndi e gjeti të nevojshmë shtuarjën e delegatëve të Vatrës, dhe emëroj keta: Dr. Charles T. Erickson, Rasim Bej Dino, Anselmo Lorechia (drejtor i gazetës “Kombësia Shqipëtare” që diltë në Romë), dhe Faik Konitzën me Sotir Pecin si delegatë nderi. Faik Konitza ahere u-lëshua nga guverna Austriake passi u-munt nga Aliatet dhe e humbi luftën. Bashkë me Faik Konitzën ishin t’internuar në Vienë dhe Kolonel Zogu me Fazlli Frashërin, dhe kur u-lëshuan nga internimi ata të dy shkuan në Shqipëri dhe Faik Konitza vajti në Romë, i cili hyri prapë në shërbim të Vatrës si delegat i saj.
U-vëndos nga kuvëndi që Fan Noli të shkonte në Paris si delegat i Vatrës dhe të punonte me delegatët e tjerë atje. Për n’Amerikë, u-emërua Kostë Çekrezi delegat dhe editor i Revistës “Adriatik”. Dr. Ericksoni qëndroj një kohë të shkurtër në Paris, dhe, me këshillat e Mehmed Konitzës dhe të Dr. Turtullit, Vatra e thirri prapë Dr. Ericksonin dhe e emëroj delegat të saj në Washington bashkë më Çekrezin.
Ay kuvënt votoj me-një-zë sumën prej 120,000 dollarësh që të harxhohesh nga delegatët e Vatrës në Konferencën e Paqës në Paris edhe gjetkë për të fituar Independencën e Shqipërisë me kufit’e saj ethnografike.
Duke parë se vepërimet e Vatrës u-shtuan tepër dhe s’munt t’u bënte dot ballë Komisioni i Qendrës, kuvëndi e pa t’arësyshme zgjedhjen e një Këshille Kombëtare të përbërë prej 11 anëtarësh, njerës t’aftë për atë punë. Passi kjo çështje u-bisedua mirë prej delegatëve, u-vëndos zgjedhja e Këshilles Kombëtare dhe u-proponuan shumë njerës miaft të zottë, po me shumësin’e votave fituan këta:
Dennis J. Kambury, Paskal Aleksi, Shefki Aliko, Kristo Kirka, Kostë Hotova, Kosta Issak, Bahri Omari, Xhevat Harxhi, Anastas Pandele, Loni Kristo dhe Thimi Hondro.
Regullore e Këshillës: (1) Këshilla Kombëtare kish fuqin’ e një kuvëndi dhe jipte përfundime mi punët e Vatrës vetëm në çështjet politike. (2) Fuqia e Këshilles ish gjër në kuvëndin e regullshmë të Vatrës. (3) Anëtarët e Këshillës të zgjidheshin nga anëtarët e Vatrës me votim të kuvëndit. (4) Këeshilla Kombëtare thirrej në mbledhje kur ish nevoja nga kryetari i Vatrës, i cili e kryesonte gjër sa zgjidhej çairmani nga anëtaret e Këshillës. (5) Komisioni i Vatrës ish pjesëtar i Këshillës Kombëtare, sikundër dhe delegatët e saj n’Amerikë, po s’kishin të drejtë të votojin në bisedimet dhe vëndimet e Këshillës, natyrisht munt të pyeteshin për gjëra të Federatës që i dijin.
Kuvëndi vëndosi këtë thirrje patriotike për gjithë Shqipëtarët e Amerikës (po vetëm Vatranët përgjigjeshin!):
“Shqipëtarë t’Amerikes! Ardhi koha kritike në të cilën do të gjykohet fati i Shqipërisë. Armiqtë t’anë janë të pasur e të fortë dhe duhet t’u bëjmë ballë. Për të fituar të drejtat t’ona kombëtare duhet t’i lëftojmë këmba këmbës dhe që t’i lëftojmë me efekt na duhen para. Pjesë të çmuara t’Atdheut t’onë janë në rezik dhe tani ështe rasja t’i çkëputim nga duart e armikut. Ndihni pra më dorën plot dhe pa kursyer që t’a fitojmë Shqipërinë e madhe, plotërisht independente me Kosovën , Çamërinë dhe gjithë krahinat e tjera fjesht shqipëtare, dhe të rojmë të lirë, të lumur dhe kryelartë nënë hien e Flamurit të Skënderbeut. O burrani!”
Në sesionin e fundit, Kuvëndi i Pazakontë bëri dhe votoj me-një-zë nga gjithë delegatët Rezollutën që shënojmë ketu më poshtë, dhe u a dërgoj guvernave të Fuqive të Mbëdha: t’Amerikës, t’Inglisë, te Francës, t’Italisë dhe të Japonisë.
REZOLLUTA:
“Delegatët e Federatës Pan-Shqipëtare të Amerikës VATRA, të mbledhur në Kuvënt të Pazakontë në Winthrop Hall, Boston, vëndosnë me 4 Jenar (1919) t’u bëjnë një thirrje Guvernave t’Amerikës dhe të Fuqive Aliate për rivëndosjen e independencës mbretërore të Shqipërisë;
Për ndreqjen e kufive me një mënyrë që të hyjnë brënda krahinat fjesht e kryesht shqipëtare të cilat u çkëputnë padrejtësisht prej Konferencës së Londrës me 1913; fjala vjen: Malësit’e Hotit, Grudës, Plavës, Jakovës, Prizrenit, Mitrovicës, Prishtinës, Shkupit, Tetovës, Dibrës, Strugës, Ohrisë, Manastirit, Kosturit, dhe Krahinën e Çamërisë me qytetet e Prevezës dhe Janinës;
Për një Plebesitë në viset e përmëndura më sipër, i cili të bëhët pas zaptimit të këtyre vëndeve prej ushtrisë Amerikane që kështu të shigurohet çfaqja e lirë e dëshirave të ndenjësve; dhe
Për qasjen e delegatëve Shqipëtarë në Kongres të Paqës për të shtruar dëshirat dhe kërkimet e kombit Shqipëtar para se të vëndoset fati i Shqipërisë.”
Delegatet e atij kuvëndi me rëndesi, duke nisur nga Dega Nr. 1, Boston, Mass., dhe gjër të Dega Nr. 70, Barberton, Ohio, qenë këta:
Vasil Naso, Loni Kristo, Lazar Selenica, Kosta Issak, Ilo Pano, Pandi Vodica, Stathi Suli, Foqion Postoli, Paskal Aleksi, Arif Hiqmeti, Guri Filip, Muke Permeti, Vasil Bradvica, Mihal Kosmo, Kostaq Lepcishti, George Luarasi, Evan Elia, George Konda, Luka Trebicka, Xhevad Harxhi, Shaban Halil, Kosta Progri, Dhimitri Sido, Shefqet Frashëri, Thimi Hondro, Ligor Panajoti, Koço Grameno, Sulejman Hysen, Sotir Treska, Kost Hotova, Reis Asllan, Dr. Kondi, George Qafzezi, Ibrahim Bitincka, Kosta Pano, Qani Shehu, Luka Lasko, Hysen Leskoviku, Xhafer Starja, Isuf Maleshova, Anastas Pandeli, Nasi Aristidhi, Abas Kamenica, Sinan Lekdushi, Dennis J. Kambury dhe Isuf Vincani.
Çairmani u dha leje delegatëve të çfaqjin mendimet e tyre më parë se të mbyllte kuvendin. Me atë rast, shumë delegatë mbajtnë fjalë patriotike për independencen e plottë të Shqipërisë e cila ish e gjakosur, e djegur nga luftrat, e shtypur nga fqinjët, dhe me kufire të krasitura. Delegatet gjith’ashtu folën me emfaze për bashkimin e gjithë Shqipëtarëve t’Amerikës rreth Federatës VATRA, q’ashtu t’i bëhej ballë rezikut të Shqipërisë nga fqinjet e saj të cilet po i mprehjin thiket e tyre për t’i prerë kokën, se këmbet dhe krahet ja prenë duke i marë Kosovën dhe Çamërinë. Për fatin e zi të Shqipërisë, përçarja e Shqipëtarëve vazhdonte, dhe shpresa për bashkimin e tyre ish fare e pakët, sido që Shqipëria po jipte shpirt.
Për shëmbell, passi mori funt lufta e madhe n’Evropë dhe ish nevoja për punë kombëtare, Shqipëtarët e Shteteve Ohio, Michigan dhe Pennsylvania deshnë të bëjin një mbledhje dhe paradë të madhe n’Akron, Ohio. Po Kryekatundari (“the Mayor”) nuk u dha leje të paradojin në ruget e qytetit. Shkaku? Ay tha: “Juve e kini flamurin të kuq, dhe populli do t’a marë për flamur të Bolshevikëve dhe ashtu do të ndizet shamata në rugët e qytetit”! Po s’qe ay shkaku, e vërteta është se vanë Grekët që i thanë kryeplakut të qytetit t’a ndalonte mbledhjen e Shqipëtarëve, dhe ay i dëgjoj për interesin e votave se ata ishin me shumicë n’atë qytet.
Pas asaj ngjarjeje, Shqipëtarët vanë në Pittsburgh, Pa., që e bënë mbledhjen edhe paradën e madhe. Atje gjetnë përkrahje nga disa zyrtarë të qytetit, dhe nga policia. Komisioni që pregatiti atë mbledhje ftoj Vatrën dhe “Partinë Politike” që të dërgojin përfaqesonjësit e tyre. Vatra dërgoj Kostë Çekrezin, dhe “Partia Politike” dërgoj Kristo Dakon.
Pas paradës, u-bë mbledhja në një sallë të madhë të një binaje të lartë të qytetit. Ishin në mbledhjen jo më pak se 1,000 Shqipëtare t’ardhur nga kollonira të ndryshme të shteteve që shënuam më sipër. Mbledhja vëndosi bërjen e një Rezollute që t’u dërgohej Fuqive të Mbëdha për të drejtat kombëtare të popullit shqipëtar. Rezolluta u-bë dhe u-pëlqye nga mbledhja, po duhej nënëshkruar edhe nga përfaqësonjësit e Vatrës dhe të “Partisë Politike.”
Kristo Dakua refuzoj t’a nënëshkruante Rezollutën, ay thosh se “Vatra donte protektoratën e Italisë në Shqipëri”, dhe s’desh të bashkëpunonte me përfaqësonjësin e saj Kostë Çekrezin. Dakua e bazonte akuzimin e tij në vajtjen e kryetarit të Vatrës Kol Tromarës nj’a dy herë në Washington që bashkoj ambassadorin e Italisë, po akuzimi i tij nuk u-vërtetua.
Populli u-mërzit nga ajo sjellje, dhe kërkonte nënëshkrimin e Rezollutës nga përfaqësonjësit e të dy organizatave. Ahere u-ngrit një Vatran i qojtur Ali Kuçi nga Tomorica e Beratit, një burrë i math gjashtë këmbë e ca i gjatë, qe u-vajti pranë tyrë dhe u-tha: “Jemi mbledhur sot këtu për një qellim të shëntë, për të kërkuar të drejtat dhe lirinë kombëtare të Shqipërisë. Tani, nënëshkruajeni atë Rezollutë se për këtë Flamur ju hodha të dyve jashtë nga penxherja”! Dhe e zuri Flamurin më dorë qe e puthi. Më në funt, passi shikuan penxheren që ish katër patoma lart nga ruga, u-bintnë të dy “kundërshtarët” dhe e nënëshkruan Rezollutën.
Kuvëndi i Vatrës u-hap të Dielen me 29 Shën-Ëndre 1918, dhe Kongresi i Durresit u-mbloth me 25 te muajit, katër ditë më parë. Nje nga organizatorët kryesorë t’atij Kongresi që delegati i Vatrës Mehmed Konitza, i cili bashkë me Myfit Be Libohovën vanë nga Roma në Durrës, të dërguar për atë qellim nga ministri italian i punëve të jashtme Baroni Sonino.
Mehmed Konitza lajmëroj Vatrën me kabllogram për formuarjën e guvernës provizore të Durrësit nëne kryesin’ e Turhan Pashës. Me 25 Jenar 1919, Komisioni i Vatrës pati mbledhje. Mbledhja vazhdoj dy ditë, të parën u-kënduan disa telegrame të dërguar nga miq të huaj Filoshqipëtarë, dhe raportet e delegatëve të Vatrës n’Evropë dhe n’Amerikë. Gjith’ashtu u-këndua një kabllogram nga Turhan Pasha, kryetar’ i qeverisë provizore të Durrësit. Në përgjigjjën që i ktheu Vatra, i zotohej se do t’i jipte përkrahjen e plottë qeverisë së tij.
Nga ana tjatër, Vatra falënderoj Guvernën Italiane për përkrahjen që i dha Kongresit të Durresit, dhe i lutesh qe t’i jipte përkrahjën qeverisë shqipëtare në Konferencën e Paqës për të fituar independencën e plottë të Shqipërisë.
Është fakt që vërtet guverna italiane e përkrahu bërjen e Kongrësit të Durrësit, po me dy zemera nga frika se munt të gjënte kundërshtime nga fqinjët e Shqipërisë. Po gjith’ashtu fakti është se guverna italiane një mot më von u-përpoq t’a ndalonte Kongresin e Lushnjes, po nuke mundi dot. Do të flasim shkurtazi mi këtë pike kur të vemi atje.
Në mbledhjen e dytë, të nesërmen me 26 të muajit, Komisioni vëndosi t’i dërgoheshin 5,000 dollarë delegatit të Vatrës Mehmed Konitzës në Romë. Gjith’ashtu n’atë mbledhje u-emërua Kostë Hotova si konferencier i Vatrës që dolli nëpër kollonitë shqipëtare t’Amerikës, për t’u dhënë dritë Vatranëve mi veperimet e Vatrës për çështjen shqipëtare.
* Historia e Federatës VATRA prej Rafat Gurrazezit