Nga Kaltrina HOTI/Sot desha të frymëzohem, t’i buzëqesh natyrës. Nuk e di përse më rrëmbeu një si shqetësim. Po them kot mbase nuk më dëgjon askush! Era luan me gjethet, lisat mbahen për rrënjës, e gjethet flasin të njëjtën gjuhë që se ndërrojnë. E ne?! Ne shqiptarët të ardhur këtej nga Çamëria, Shqipëria londineze, Kosova, Malësia, Ilirida…. që gjuhë flasim, çka bëjmë për veti, fëmijët, të ardhmen. Po pyes veten, iu pyes edhe juve që ende lexoni shqip, kur gjethet kur ndodhen në valle pranë njëra tjetrës flasin të njëjtën gjuhë ne përse s’mundemi? Kur ata lidhen fortë për rrënjës edhe kur bien furtuna të furishme mbahen, ne për çka jemi të lidhur?! Po një gjethe që shkëputet a mund ta ruaj shushurimën ashtu e ndarë nga trungu? Po zogjtë përse nuk pushojnë në një trung të tharë, por lazdrohen e ia thonë këngës aty ku melodi iu bëhet zhurma e gjetheve. Ne si shqiptar që kemi një gjuhë të bukur, gjuhë të kulluar, gjuhë lashtësie e gjuhë perëndie si komunikojmë, si flasim dhe për ku jemi nisur? Por fëmijëve tanë çka iu lejmë si trashëgim? Sot kur ne të mërguarit u bëmë aq shumë sa mund të jemi një forcë që mund të vë në lëvizje progresin e të ardhmes përse turpërohemi më gjuhën, kulturën, traditën, lashtësinë tonë? Po, e di se nuk e dimë se kush jemi?! Flasim shpesh të integrohemi në vendin ku punojmë e jetojmë, është bukur kjo, por jo asimilimi. Cila gjuhë flitet në familjet tona, ajo e nënës apo?! Cila histori mësohet, cila kulturë kultivohet? Përse fjalosemi? Dikush nga tanët ka thënë… bë çdo ditë diçka për Shqipërinë e ajo bëhet vetë. E ne përveç fjalosjeve dhe marrjes nëpër gojë njëri tjetrin çka kemi bërë? A mos kemi hap shkollat ku dëgjohet leximi e kënga shqipe, a mos kemi ndonjë bibliotekë e shtëpi kulture, a mos kemi ndonjë vendtakim me familje?! Këtu në mërgatë ka shumë personalitete të shquara atdhetare, kulturore, shkencore por çka bëjnë që ne të ndihemi se jemi shqiptar dhe se kontribuojmë për Shqipëri. Unë i bëjë një pyetje mërgatës a ka dikush një “Projekt” ku ne mund të ulemi të kuvendojmë shtruar shqip. Andaj po them “Ku jemi”!