Ministri Demiraj, mesazh para dorëheqjes/
Ministri i Brendshëm teknik Dritan Demiraj, ndërkohë që dorëhiqet nga detyra ka thyer heshtjen. Me anë të një mesazhi në faqen e tij të ‘Facebook’-ut, ai ka falënderuar publikisht Lulzim Bashën, për besimin që i dha duke i besuar dikasterin më të vështirë, duke nënkuptuar kështu se nuk do të jetë më pjesë e kësaj qeverie. Mes të tjerash ai i bëri thirrje prokurorisë që të arrestojë personat e inkriminuar.
Të nderuar Miq!
Këto 12 javë në detyrë si Ministër i Punëve të Brendshme, kanë qenë një nder i jashtëzakonshem në shërbim të vendit, qytetarëve dhe gjithë shtetasve që jetojnë e punojnë në Shqipëri. Dëshiroj që ti shpreh mirënjohjen më të thellë kryetarit të Partisë Demokratike, Z. Lulzim Basha për besimin që më dha për të kryesuar këtë dikaster në një moment të vështirë për vendin, si dhe për mbështetjen e Tij të vazhdueshme shtetare në realizimin e detyrave tona kushtetuese.
Bashkëpunimi me kolegët në qeveri, znj Mandia, Vukaj, Karabina, Kërtusha, z Bardhi dhe Beqiri, kolegët e shkëlqyer të MPB, Policisë së shtetit, SHISH, Prokurorisë së Përgjithshme, Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Avokatin e Popullit dhe gjithë agjensive ligjzbatuese të vendit, kane qenë në frymën institucionale; me ketë rast shpreh një falenderim të madh për përballimin e një serë sfidash të mëdha sic ishin, mbarëvajtja pa incidente e procesit zgjedhor, lufta pa kompromis ndaj kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, trafikimit të qënieve njerezore, lufta kundër terrorizmit, emergjencave civile dhe sigurimi i një sezoni turistik të qetë. Prioriteti im për tolerance zero ndaj drogës në bashkëpunim me policinë e shtetit prodhoi disa rezultate të dukshme: 37 tonë kanabis i sekuestruar, 40 mijë rrënjë kanabis të shkaterruara, 13 skafe të konfiskuara dhe mbi 75 vetë të arrestuar për kultivim dhe trafikim të lëndëve narkotike. Masat për të goditur fenomenin e kanabisit kanë qenë maksimale, duke drejtuar operacionet bashkë me arrestimet , personalisht direkt ne terren dhe jo masa prapagandistike.
Bashkëpunimi me Prokurorinë e Përgjithshme, Shërbimin Informativ dhe të gjitha institucionet e përfshira në planin e masave, ka qene shumë i lartë, intensiv dhe smart. Kontrolli absolut i territorit, ka qenë dhe do të jetë detyrë që çdo individ me uniformë policore duhet të angazhohet maksimalisht.
Një falenderim të plote për cdo efektiv të ndershëm të Policise së Shtetit. Institucioni i Policisë së Shtetit ka punonjës të përkushtuar, që janë në front të parë në luftën kundër drogës në përgjithësi dhe trafiqeve të paligjshme në vecanti, Sigurisht që ka dhe individë të korruptuar, të implikuar në lejimin e fenomenit të kanabizimit të vendit dhe kjo është sfidë në vazhdim e prokurorisë, që ti dërgojë prapa hekurave këta individë të korruptuar.
Kam dhe një falenderim të sinqertë për gazetarët dhe median e lirë, të cilat në të shumtën e rasteve kanë ndihmuar në përcjelljen e mesazheve të mia publike, por në disa raste dhe ka spekulluar për të ardhmen time. Për lidershipin dhe punën time këto tre muaj janë thënë shumë të vërteta, por fatkeqësisht janë shkruar dhe disa të pavërteta për të ardhmen time që nuk ka asnjë lidhje me këtë qeveri. Kam qenë dhe do vazhdoj të jem i vendosur për të kontribuar në drejtimin e agjensive ligjzbatuese që merren me ceshtje të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare.
Pune të mëdha e presin përpara Shqipërinë!
Ju faleminderit. DD.
Përgatiti për “Dielli-n”, Shefqet Kërcelli