(Në vend të një letre të hapur për kryeministrin e Shqiperisë, Edi Rama -Per Diejni Ministrit te Diaspores z. Pandeli MAJKO)
NGA TAJAR DOMI/
Organizimet në diasporë, qofshin këto shoqata, klube apo grupime me te vogla se këto, të orientuara sigurisht me një platformë ( statut ) të miratuar ligjërisht nga shteti ku këto e ushtrojnë aktivitetin, kanë në themel kontributin atdhetar që duhet të jap komuniteti dhe përfaqesuesit e tij, në këtë teritor ose më gjerë. Sigurisht janë njerëzit konkret, të ditur e të aftë, me dëshirë të madhe për ti dhënë kombit e vendit ndihmën që mundet të japin, ata që marrin përsipër krijimet e këtyre strukturave që gjithashtu në themel duhet të kenë punën që duhet bërë për të mbajtur bashkë shqiptarët. Rëndësia e këtyre qendrave aktive, del në dukje më shumë në momentet e vështira, dhe kjo ka ndodhur gjatë gjithë historisë tonë kombëtare, por më së fundmi u pa në luftën e Kosovës dhe krijimin e shtetit të saj, ku diaspora kudo në botë por veçanërisht ajo në SHBA, ishte faktor i fuqishëm i fitores së kësaj lufte.
Përvoja e këtyre organizimeve këtu në SHBA, fillon me “VATREN”, 105 vite më parë, veprimtarinë e së cilës nëpërmjet figurave të saj udhëheqëse si Fan Noli, Faik Konica e të tjerë, tashmë thuajse çdo bashkatdhetar e njeh. Por në këtë cerek shekulli, kur më shumë se gjysma e popullsisë shqiptare është shpërndarë në shumë shtete e kontinente, dhe ata jane orientuar e përfshirë në jetën e këtyre vendeve, me kalimin e viteve veçanërisht në brezat e rinj, rreziku i shkëputjes nga vendlindja, është i madh. Në këto kushte të reja, qëllimi i këtyre grupimeve në diasporë, mendojmë se duhet të përqëndrohet në ruajtjen e trashëgiminë e gjuhës shqipe, historisë e kulturës tonë kombëtare, funksion te cilin më së miri e kryejnë shkollat shqipe të hapura në qytete të ndryshme.
Një prej këtyre shkollave, ndoshta më e madhja dhe më e organizuara në SHBA, është shkolla shqipe “Gjuha Jonë” në qytetin e Filadelfias, veprimtaria e së cilës drejtohet nga shoqata “Bijtë e Shqipes” në këtë qytet. Themi kështu sepse ajo ka disa tregues që e shprehin këtë. E kjo nuk do të thotë se roli e kontributi i shkollave të tjera në SHBA është më i pakët, pavarësisht nga madhësia, numri i nxënësve apo jetëgjatësia e tyre. Shkolla shqipe “Gjuha Jonë” hapi dyert e saj me 7 mars 2004, pra ky është i 14-ti vit shkollor i saj, dhe që nga ajo kohë jo vetëm nuk është ndërprerë asnjëherë veprimtaria e saj, por vit pas viti ajo është shtuar në numrin e nxënësve që e frekuentojnë e në cilësinë e saj. Kjo shkollë ka 5 nivele, pra ndiqet nga nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën. Këtu punojnë çdo vit 5 mësuese, një për cdo klasë dhe nxënësit marrin njohuri jo vetëm të gjuhës shqipe, por edhe të historisë e kulturës tonë kombëtare. Një orë për çdo ditë mësimi, nxënësit ndjekin pasionin e tyre për muzikën, nëpërmjet mësuesit të muzikës së kësaj shkolle. Deri më tani, kane ndjekur mësimin në të, 620 fëmijë të bashkatdhetarëve tanë, shumica e të cilëve kanë përfunduar deri në klasën e pestë. Sigurisht nuk është një punë e lehtë për organizatorët, pasi është një punë vullnetare e bërë ndër vite nga drejtuesit e shoqatës, në bashkëpunim me prindërit e mësuesit . Megjithatë, është dicka e marrë përsipër, prandaj po e bejmë atë me deshirë të madhe, duke punuar në grup, ku dora e secilit mbështet e forcon ecurinë e shkollës.
Por qëllimi i këtij shkrimi, ka të bëjë me të tjerë njerëz, jashtë antarësisë së komunitetit tonë të Filadelfias dhe jashtë shoqatës “Bijtë e Shqipes”, të cilët me angazhimin e kontributin e tyre, mund te themi me plot gojën se kanë sfiduar shtetin, duke realizuar një detyrim të tij për shkollat shqipe në diasporë, furnizimin e tyre me librat e nevojshëm shqip. Ne kemi pas edhe më përpara raste kur bashkatdhetar të nderuar janë munduar dhe kanë ndihmuar në këtë drejtim. Por rasti më i fundit lidhet me atë të mësuesit Shpetim Brahaj, me origjinë nga qyteti i Kuksit, të cilin e njohëm para dy muajsh në Qendren tonë Social-Kulturore, se bashku me dajën e tij me banim në Nju Jork, Miftar Avdili. Ata u emocionuan nga ambjenti që gjetën aty dhe që prezanton diçka nga puna e madhe që bëhet, veçanërisht me shkollën shqipe dhe me bashkatdhetarët që u ndodhën, me të cilët u shkrinë së bashku megjithëse të panjohur me parë. E kujtojmë vazhdimisht atë çfarë Miftari tha : “…unë do ta shkrija një pjesë të pasurisë për këto ambjente që bashkojnë shqiptarët…, nuk mblidhemi diku në Nju Jork kështu.” Ndërsa Shpëtimi, mësuesi mjaft aktiv që ne njohëm, e që do të na zgjidhte shqetësimin tonë të vazhdueshëm për librat e shkollës tonë shqipe, e mori me vete angazhimin për këtë, në heshtje, pa shumë fjalë e premtime. Dhe nuk e harroi kurrë. Me kthimin në Shqiperi, ai filloi të trokas në shumë shtëpi botuese të librit shkollor, dhe me datën 23 shtator më bie telefoni ku dëgjoj zërin plot emocion të Shpetimit :” z. Tajar, kam siguruar 40 abetare dhe po aq fletore pune per klasën e parë. Këto janë dhuruar nga shtëpia botuese “SHKRONJE PAS SHKRONJE ” e z. Roland Cano…, po ndjek edhe për klasat e tjera “. Ndjeva një gëzim përbrenda, jo vetëm se ishte zgjidh një pjesë e atij shqetësimi që ne kishim, por edhe për faktin se paska edhe në Shqipëri njerëz që e duan me shpirt shkollën, gjuhën e dëshirojnë ta ruajnë atë edhe jashtë saj, megjithëse shpesh i bëhet propagandë të kundërtës. E falenderova Shpëtimin, por përgjigja e tij ishte :”…jo, unë nuk bëra asgjë, në krahasim me atë që bëni ju atje në Filadelfia dhe që unë u mahnita kur e pashë”. Dhe telefoni bie përsëri nga Shpëtimi, pas dy ditësh :”…Shtëpia botuese “PEGI” e Perparim Rustemit, ka dhuruar 40 tekste të gjuhës e leximit për klasën e dytë e të tretë, ndërsa shtëpia tjetër botuese “ALBAS” me menaxher Sevimin, dhuroi 30 copë për klasën e katërt e të pestë “. Për ne ishte një gur i madh që këto shtëpi botuese po vendosnin në historikun e shkollës shqipe “Gjuha Jone”. Po, si e arrite këtë? – e pyetëm Shpëtimin, kur ne kemi vite që merremi me strukturat përgjegjëse në ministritë përkatëse të shtetit, dhe nuk kemi gjetur zgjidhje. “Unë mendoj- thote ai, se çdo gjë është e mundur mjafton që personat që paguhen për këtë të jenë të motivuar për punën dhe të njohin realisht sakrificën e punën e madhe që bëjnë bashkombasit tanë në diasporë, për trashëgiminë e gjuhës, historisë e kulturës tonë kombëtare, siç pashë tek ju”. Pas kësaj përgjigje, ne çonim ndërmend takimet e shumta, bisedat telefonike e i-mailet e shkëmbyera vetëm për këtë pune me qeveritë shqiptare, pa arritur thuajse asgjë. Për hir të së vërtetës, vitet e fundit ka pas perpjekje me të mëdha nga ana e ambasadës tonë në Ëashington DC, veçmas nga znj. Floreta Faber, por këto përpjekje dhe dëshira të saj me sa duket nuk janë bashkuar me të të tjerëve, e për pasojë kontributi ka qenë minimal. Nuk mund të jetë normale për shtetin, në qoftë se konsulli ynë në Nju Jork shqetësimit tonë për librat e shkollës shqipe i përgjigjet që i kemi 400 copë në Shqipëri por nuk kemi buxhet për ti sjellë, e kjo nuk lidhet me përgjegjësinë e saj, por me hallka e sektor të ndryshëm që nuk funksionojnë siç duhet, si një e tërë.
Z. Kryeminister !
U bë një vit nga koha kur u organizua Samiti i pare i Diasporës në Tiranë, për domosdoshmërinë e të cilit ne ishim të bindur dhe mendonim se konkluzionet apo platforma që do të miratohej për në vazhdim ( të cilat sipas nesh, nuk qenë të detajuara si duhet) , do të çonin përpara mbështetjen reciproke e të përbashkët Qeveri – Diasporë. Me krijimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve, Ju bëtë një hap përpara por të cunguar, duke vendosur një ministër shteti per diasporën ( nje emer i mire menduar), e jo duke krijuar një ministri të vecantë për të, megjithëse e kishit eksperiencën pozitive të qeverisë së Kosovës e cila ka një ministri të tillë, dhe prej saj kemi perfituar edhe ne shërbimin e munguar nga qeveria shqiptare. Dhe, siç thote populli, me sa duken bathët, këtë nuk do ta kemi edhe për disa vite.
Por, shohim me kënaqësi që paska edhe një zgjidhje: Gjeni njerëz të përkushtuar, të aftë profesionalisht e menaxher të zot, si mësuesi Shpëtim Brahaj, vendosni në drejtim të punëve, dhe ndoshta gjërat jo vetëm që do të lëvizin por do të shkohet me siguri drejt suksesit . Dhe meqenëse jemi mësuar që vlerësimet, por edhe udhëzimet , ne shqiptarët kur i marrim nga të huajt i quajmë më të vlefshme, po citoj një mendje të tillë e cila shprehet : “…gjuha shqipe është një gjuhë e fuqishme dhe e bukur që duhet të jetë krenaria e folësve të saj dhe një mjet i shënjtë për zhvillimin kulturor dhe intelektual të kombit të vjeter shqiptar”.
E pra , është detyrim i çdo shqiptari, por edhe i qeverive në radhë të parë (qofshin këto të majta apo te djathta), që gjuhën shqipe të mos e lënë të asimilohet në vendet e tjera ku ata jetojnë. Dhe kjo kërkon punë, ndërgjegjësim e masa konkrete të përbashkëta, për ti shëndrruar këto qendra social-kulturore në diasporë, jo vetëm në qendra patriotike e atdhetare nëpërmjet përkujtimit të figurave e ngjarjeve të mëdha historike, por në qendra të mësimit të gjuhës shqipe në radhe të parë, nëpërmjet shkollave shqipe që e kryejnë me së miri këtë mission.
I nderuar kryeminister !
Ndoshta do të ishte mirë që përfaqesuesit e qeverisë, por edhe ju personalisht, ti prekni, ti vizitoni këto shkolla shqipe pasi shpresojmë që në këtë mënyrë ju do të bindeni më shumë për punën e tyre, duke bërë që kontributi juaj për to në këtë rast, ashtu si edhe i mësues Shpetimit, do të ishte i madh. Merreni këtë si ftesë publike për te vizituar “Shtepinë e Shqiptarit” në Filadelfia SHBA, në kohën më të përshtatshme për ju.
Ndoshta do të ishte mirë që përfaqesuesit e qeverisë, por edhe ju personalisht, ti prekni, ti vizitoni këto shkolla shqipe pasi shpresojmë që në këtë mënyrë ju do të bindeni më shumë për punën e tyre, duke bërë që kontributi juaj për to në këtë rast, ashtu si edhe i mësues Shpetimit, do të ishte i madh. Merreni këtë si ftesë publike për te vizituar “Shtepinë e Shqiptarit” në Filadelfia SHBA, në kohën më të përshtatshme për ju.
Shoqata “Bijte e Shqipes” ka vendosur ti vlerësojë me Certificatë Mirënjohje të tre shtepitë botuese që u përmendën më sipër, “ Shkronjë pas shkronjë ”, “Peggi “ , dhe “Albas” , si dhe mesuesin Shpëtim Brahaj , për kontributin e tyre fisnik e atdhetar duke furnizuar me librat e nevojshëm shkollën shqipe “Gjuha Jone” në Filadelfia, duke shpresuar se në të ardhmen jo të largët ,shteti do të marrë përsipër nevojat e këtyre shkollave kudo në diasporë.
Tajar Domi
Kryetar i Shoqatës “Bijtë e Shqipes”
Filadelfia
14 Tetor 2017