• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË MËSIM NGA BRIGJET E BOSFORIT

June 16, 2013 by dgreca

“ Në sheshet e në rrugët kryhet një provim pjekurie për qeverinë turke që duhet të  vërtetojë se mbron opinionet e të gjithë përbërësve të shoqërisë.”-  EMA BONINO (Ministre e jashtëme e Italisë)/

Shkruan: Eugjen Merlika/ Itali/

Parku Gezi, me 600 drunjtë dhe florën e tij, përbën “mushkërinë e gjelbër” të një qyteti të madh, të lashtë e bashkëkohor, me një histori mijra vjeçare e famën e njërit ndër qytetet më të bukura të Mesdheut, Stambollit.

Dhjetë vitet e fundit, zhvillimi ekonomik i vrullshëm i Turqisë, që renditet sot në rradhët e para të shteteve të zhvilluara, me tregues ekonomikë e financiarë për t’u patur zili, në një kohë kur Evropa dhe Amerika lëkunden mes krizash të pazakonta, e kanë kthyer edhe Stambollin në kantiere të fuqishme ndërtimi. Ky bum ndërtimesh, në të cilin ndërthuren interesa nga më të ndryshmet, dha një vendim ekzekutimi edhe për parkun Gezi, sepse në vendin e tij duhej të ndërtohej një mbitreg i madh dhe një xhami, në një metropol në të cilin në vitin 2007 ishin aktive 2944 të tilla. Por organizatat e ndryshme (rreth tetëdhjetë) mjedisore e të tjera, kur panë se filluan të priten drujtë e të vetmit park të madh të qytetit të tyre, u muarën vesh me njëra tjetrën për të kundërshtuar këtë vendim të shtetit. Më 31 maj qytetarët, kryesisht të rinj, mbushën sheshin Taksim, për t’i bërë të ditur autoriteteve se, për qytetarët e Stambollit, parku Gezi është i paprekshëm, i padhunueshëm, është oazi i çlodhjes dhe freskisë, prodhuesi i oksigjenit aq i domosdoshëm për milionat që jetojnë në atë qytet.

Manifestimi nuk u prit mirë nga Qeveria turke dhe Kryetari i saj, Rexhep Tajip Erdogan. Nuk u kërkua një ballafaqim i qetë argumentash me përfaqësuesit e protestuesve, nuk u mbajt parasysh fakti se ajo protestë ishte nisur nga një nevojë jetike e qytetarëve, nga mbrojtja e mjedisit që sot është kthyer edhe për papërgjegjshmërinë e shumë administratave në botë, në një nga problemet më të mprehta të shoqërisë njerëzore. Qeveria zgjodhi rrugën e përballtjes, të shpërndarjes me forcë të demostruesve e vuri në dispozicion të këtij projekti repartet e policisë, të pajisura me mjetet më të ndryshme, që nga shkopinjtë e gomës,tek pompat e ujit dhe bombat me gaz lotsjellës.

Përfundimet e përleshjeve gjatë disa ditëve qenë mbi 500 të plagosur, katër të vdekur, qindra të arrestuar, një tabllo që e vuri në një dritë të keqe imazhin e Turqisë, kryesisht të drejtuesve të saj aktualë, me në krye dorëfortin Erdogan. Sukseset në qeverisje arrijnë të zbehin arsyen, deliri i madhështisë errëson vizionet deri në absurditet që i kthen vartësit në numura, që duhet të zbatojnë pa asnjë lloj diskutimi urdhërat e Kryetarit, sepse vetëm ai di, “i njeh problemet”, i shërben “interesave të atdheut e të popullit”. Kjo mendësi çoi në “tolerancën zero”, në ultimatumet për të zbrazur parkun apo sheshin Taksim, në evokimin e “komploteve të jashtëme”, për të destabilizuar Turqinë, në etiketimin e demostruesve si “terroristë”, në qindra arrestime njerëzish të paarmatosur. Madje kulmi u arrit me arrestimet e 70 avokatëve të të ndaluarvet, jo në sheshet e demostratave por në hapësirat e gjykatave, ku kryenin detyrën e tyre. Besoj se kjo masë nuk ka asnjë rast të ngjajshëm në të gjithë botën perëndimore, përfshirë këtu dhe sistemet e saj autoritare në kohë të ndryshme.

Vëzhguesi i paanshëm pyet me kërshëri : si ka mundësi që një udhëheqës apo një udhëheqje që, në vitet e fundit, kanë patur merita të padiskutueshme në zhvillimin dhe modernizimin e Vendit të tyre, të rrëshqasin mbi një lëkurë bananeje e të arrijnë në një shkelje kaqë të shëmtuar të të drejtave të qytetarëve të tyre ? Spjegimi, veç motiveve vetiake apo kolektive që burojnë nga qëndrimi i gjatë në pushtet, i cili, për vetë natyrën e tij brejtëse, ka prirjen të ndryshojë personalitetin e pushtetarëve, nuk përjashton edhe mundësinë e ndërthurjes së interesave të mëdha financiare që lidhen me persona t’afërt të Kryeministrit. Në këtë vështrim shtypi i huaj flet për interesa të lidhura me emrin e dhëndërrit të tij.

Këto pohime kanë nevojë të vërtetohen, për t’u marrë si argumenta të mirëqëna, por nuk mund të hidhen poshtë a priori. Ndërthurja e interesave të pushteteve me ekonomitë, në Vende ku sistemet e kontrollit e të kundërpeshave lënë për të dëshëruar, krijojnë një lëmsh që i ngjet një mine lëvizëse, e cila mund të shpërthejë, me pasoja herë herë shkatërrimtare, nga një çast në tjetrin.

Politologu i njohur italian Sergio Romano i ve në të njëjtin plan Kryeministrin turk dhe Presidentin e Rusisë, duke analizuar pikat e kontaktit që bashkojnë përvojat e tyre në drejtimin e shteteve :

“Parabola e Putinit është shumë e ngjajshme me atë të udhëheqësit turk Rexhep Tajip Erdogan. Kanë patur gjithmonë një stil autoritar, por familjariteti i gjatë me pushtetin i ka bërë të dy përbuzës dhe të padurueshëm ndaj çdo pengese që shfaqet në rrugën e tyre. Të dy janë të bindur se identiteti kombëtar është dhe identitet fetar dhe Putin po shlirohet nga kundështia liberal – demokrate në të njëjtën mënyrë, me të cilën Erdogani ka shkrehur ledhin laik të shtetit të themeluar nga Qemal Ataturku.”

Mbas disa ditësh përleshjesh e dhune nga ana e policisë, mbasi Kryeministri lëshoi mbi turmat e demostruesve “rrufetë e Zeusit”, duke marrë mbi vete kërkesat për dorëheqje të Opozitës dhe qortimet, jo shumë miqësore të aleatëve të jashtëm amerikanë, evropianë, apo të organizmave ndërkombëtare, një ndryshim i menjëhershëm solli një sqarim që premton mjaft në brigjet e Bosforit. Qeveria pezulloi prerjen e pemëve në parkun Gezi dhe premtoi se do t’i a kalonte çështjen vendimit të një gjykate dhe më pas një referendumi në ish kryeqytetin e perandorive Bizantine e Otomane.

Shpresojmë që kjo të jetë një zgjidhje e drejtë e një problemi që, për logjikën normale, nuk duhej as të ekzistonte. E them këtë mbasi një vendim si ai për parkun Gezi fyen dhe arsyen më të thjeshtë, sepse në një demokraci të arrirë nuk mund e nuk duhet të merret pa një miratim paraprak të popullsisë, mbasi është i lidhur drejtpërdrejt me jetën e saj, me shëndetin, me mënyrën e jetesës, me të shkuarën dhe t’ardhmen e saj. Në këtë kontekst dhe n’atë të marrëdhënieve të mira me republikën e Turqisë, duam të shohim n’atë Vend përfytyresën e një shoqërie e të një shteti në të cilët të jenë të siguruara e të respektuara të gjitha vlerat e demokracive të përparuara.

Përvoja e këtyre ditëve plot trazira në Anadollin e largët na sjell dy mësime të rëndësishme, që mendoj se duhet t’i mbajmë parasysh për të sotmen dhe t’ardhmen tonë. I pari i përket klasës politike, që duhet të dijë të ruajë jo vetëm barazpeshat e saj e të pushtetit, por dhe respektimin e parimeve themelore të demokracisë, ndër të cilët më kryesori është vullneti i lirë i shoqërisë civile. Në këtë drejtim duhet shmangur pushtetomania me çdo kusht e dehja prej saj, shpërdorimi i pushtetit në dobi të interesave vetiake, të kastave, të tarafeve, të klientelave, të partive, duke mbjellur e kultivuar korrupsionin. Vetëm në këtë mënyrë ajo do të jetë në gjendje të plotësojë imazhin e saj të domosdoshëm për të sendërtuar projektin e saj historik, atë të bashkimit me Evropën.

Mësimi i dytë i drejtohet qytetarëve shqiptarë, që duhet të ndërgjegjësohen t’a shohin pushtetin me sy kritik e jo të hipnotizuar, sepse kur ai bëhet autokrat e merr vendime në kundërshtim me të drejtat e tyre të ligjëshme e të natyrshme, duhet të kenë guximin t’i mbrojnë ato të drejta, duke paguar edhe çmimin e nevojshëm. Qëndrimi kritik ndaj pushtetit, i çfarëdo ngjyre qoftë, mospajtimi me degjenerimin e tij të çfarëdo forme, është kura më e mirë parandaluese e sëmundjes së tij të mundëshme. Ai qëndrim na jep neve atë dinjitet e prestigj që, së bashku me dëshirën dhe mundin tonë për të shkuar në rrugën e zhvillimit, do të ishin kartat tona të kreditit në bashkimin me kontinentin.

Itali, Qershor 2013

Filed Under: Komente Tagged With: e Bosforit, Eugjen Merlika, mesim nga brigjet, Taip Erdogan

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT