- Portret kushtuar mësueses pejane Zymë Berisha-
Shkruan:JULIA GJIKA*-
Dimri i sivjetëm në New England ka shumë reshje bore. Pas punës më pëlqen të sodis dëborën që bie e qetë. E vështroj nga dritarja e madhe e dhomës së ndenjes. Gjithcka zbardh. Të duket se gjithcka hesht. Dëbora bie, ndërsa zhurmat largohen. Kujtimet ulen në sytë e mij. Më mungon oborri i shtëpisë në Korcë, rrugët ku jetova për disa vjet, bashkëmoshatarët, bulevardi dhe bliret në të dy anë e tij. Gjithashtu i kam jetuar shumë vite të rinisë sime në Beratin antik, prandaj këtu në Amerikë më mungojnë Kalaja hijerëndë, lagjet nëpër kodra, lumi Osum, plantacionet me fiq e ullinj etj. Muaji shkurt është rënduar nga dëbora dhe dimri po na duket i gjatë. Dëbora ka zënë dëborën. Marsi është në rrugë, duke ardhur me dy festa të dashura për mua, dy festa të dashura për shqiptarët: 7 dhe 8 Marsi, festa e mësuesve dhe e nënave. Kam vecuar dhe kujtoj me dashuri mësuesen e klasës së parë, Antonetën në Korcë dhe buzëqeshjen e saj kur kënaqej me bukurshkrimet tona. Më pushton malli dhe dua te flas pa reshtur për mësuesen e gjimnazit, kosovaren nga Peja, zonjushën Zyma Berishën.
Këto ditë, një lajm i ngrohtë, një sihariq që kam marë më gëzoi shumë. Pas 25 vjetëve kam folur në telefon me ish mësuesen, Zyma Berisha. Pas nënës sime ajo ishte njeriu me i rëndësishëm për mua. I kam nisur një letër të gjatë, por shërbimi postar në Kosovë duket nuk punon në rregull. Mezi pres që letra ime të jetë në duart e saj. Nuk pres dot që ajo të më shkruajë.
Dikur më ka treguar si kaperceu kufirin, la Pejën ku u lind, nënën e dashur dhe vëllaun e vetëm, erdhi tek NENA Shqipëri, për t’iu larguar sërbit, shkjaut sic thonë kosovarët. Sot dhe gjithmonë në përfytyrimin tim është ajo 19 vjecarja me sy të bukur, me zë melodioz interesante, tërheqëse. Së bashku me shoqen e saj Naimen u thanë nënave se po luanin prapa shtëpive tek luadhi, ku ndahej kufiri me Shqipërinë. Për herë të parë në jetën e tyre kishin vendosur të mos tregonin të vërtetën. Po iknin, po arratiseshin për në Shqipëri, po linin pas Kosovën. Duke vrapuar në gjelbërimin e tokës shqiptare, atje ne veri, pranë postës kufitare, rojet shqiptare i ndalën, i shoqëruan tek komandanti i postës i cili i mori në pyetje si në hetusi. Ato iu përgjigjën të gjitha pyetjeve në një gojë me një përgjigje “ Shqipëria është ëndrra jonë për ne kosovarët”. “Duam të studjojmë dhe punojmë në Shqipëri, në liri, jo nën Sërbi”…
I shpunë në Universitetin e Tiranës, në fakultetin Gjuhë Letërsi Shqipe, ku u dalluan si studente të shkëlqyera. Ne vitin 1965 Zyma dhe Naimja u diplomuan. Zyma u emërua mësuese e gjuhës dhe e letërsisë shqipe në gjimnazin” Ajet Xhindole” në Berat, ndërsa si motra e saj Naimja , e cila që studente, ishte martuar me poetin nga Kosova Agim Gjakova, u emërua në Tiranë si redaktore në një shtëpi botuese. Endrra e Zymës që të bënte dicka për Shqipërinë filloi të merrte krahë edhe pse larg Naimes e Agimit, simotrës e sivëllait të saj.Të gjithë gjeneratat e nxënësve që edukoi mësuese Zyma kujtojnë me respekt se si ajo punonte me pasion e dashuri të vecantë për formimin e tyre. Puna e saj ishte jo punë thjesht për të arsyetuar rrogën, por një luftë e pandërprerë për të zotëruar programin nga njëra anë dhe për një formim sa më të përgjithshëm sa më solid, nga ana tjetër. Shumë nga nxënësit e saj u bënë doktorë, inxhinierë, dentistë, artiste, gazetarë,biznesmenë si Tefik Ajazi,Anastas Xheblati,Kozeta Dishnica, Petraq Jani, Lefter Jani, Gëzim Kame, Shpëtim Leka, Peri Dishnica, Kimi dhe Isku Dërrasa, Aneta Samarxhiu, Mirka Vrusho, Luiza Pano, Vllasova Musta, e shumë e shumë të tjerë të gjeneratave pas meje, të cilëve nuk u a dij me saktësi emrat.
Disiplina dhe kërkesa e lartë në mësimdhënie u bë shëmbull jo vetëm për nxënësit dhe kolegët e saj, por për të gjithë ata që e njohën. Pa shumë fjalë, por me punë konkrete përgatiste me pasion dhe dashuri të ardhmen, për të ngritur shkollën shqiptare në nivelet më të larta sic e kërkonte koha. Shoqja e saj e afërt, kolegia z. Qamuran Dishnica ( Pasmaciu) e cila jeton sot në Everet MA, kur e pyeta në telefon në është lidhur me të pas luftës në Kosovë më tha: “ E di që Zyma banon në Prishtinë, ishte shoqja ime më e mire, ishte kolegia me kërkesa të larta ndaj vehtes dhe nxënësve, luftonte që mësimi të asimilohej që në klasë, për këtë punonte shumë, asnjë mësues nuk punonte si ajo. I pëlqente poezia dhe komentet letrare. Kërkonte me këmbëngulje që nxënësit të mësonin përmëndësh vargjet e Rilindasve tanë të mëdhenj. Akoma nuk jam lidhur me të…”
Zyma drejtonte Rrethin Letrar të shkollës, organizonte nxjerrjen e Fletës Letrare në murrin e koridorit të katit të parë të shkollës. Ajo seleksiononte me profesionalizëm e gusto krijimet tona të para dhe duke i shpalosur në stendë, na jepte kënaqësinë që më vonë do të na i jepnin gazetat dhe revistat e ndryshme.
Unë duke qënë një nga “talentet e reja” bëja pjesë në rrethin letrar të shkollës.
Si tani më kujtohet mësuesja “ jonë” na konsideronte ne anëtareve të këtij rrethi si motra e vëllezër, sikur të ishim më të pjekur dhe më të afërt me të. Një ditë ajo më dha dorëshkrimin e përkthyer në shqip, Gitanjali, të poetit Indian Rabindronath Tagora. Për herë të parë lexova vargjet Bengali të poetit Indian dhe i hodha shkrimet në një fletore të cilën e ruaj edhe sot.
Për të na inkurajuar dhe njohur me shkrimtarët tanë ajo një ditë ftoi Ismail Kadarenë për të ardhur e për të na folur. Shkrimtari ynë i madh ato vite ishte qarkulluar në Berat dhe atë ditë nuk e morëm vesh c’punë i kishte dalë dhe pse mungoi në atë takim të shumëpritur.
Mosardhja e Kadaresë i shkaktoi mësueses sonë një dhimbje dhe mërzi të madhe..
Si bijë e bjeshkëve që ishte, mësuese Zyma nuk ia përsëriti më ftesën Kadaresë, por e la në dëshirën e tij. Për arësye që unë nuk i di, poeti ynë i adhuruar nuk erdhi në takim me anëtarët e rethit tonë letrar, ndonëse më vonë shumë prej krijimeve të anëtarëve të këtij rrethi do t’i pëlqente dhe përgëzonte autorët e tyre personalisht.
Në kohën e diktaturës në Shqipëri, kosovarët e emigruar në atdheun nënë nuk shikoheshin me sy të mirë, madje ishin përhapur mendime se shumica e tyre ishin “ agjentë të Sërbisë” dhe njerëzit porositeshin të kishin kujdes kur i shoqëronin.Këtë gjë ne nxënësit e morëm vesh më vonë kur mbaruam gjimnazin dhe shkuam për te vijuar shkollimin tonë në Tiranë ose filluam punën në qytete të tjera.Kur shkonim për pushime në Berat dhe e takonim mësuesen tonë me dashurinë e dikurshme, disa qytetarë na hidhnin një vështrim sikur na qortonin për ndonjë gabim.
Në një tension të tillë punoi Zyma Berisha për 17 vjet me radhë midis beratasve. Regjimi komunist në Shqipëri e lodhi, e ndoqi hap pas hapi, duke i bërë presione të ndryshme, duke e parë me dyshim, si të huaj në shtëpinë e vet. Ish kolegia e saj, Qamuran Pasmaciu, më tregoi një ditë në telefon:
“ Pasi jetoi disa kohë në konviktin e shkollës Pedagogjike, Zymën e nxorën nga ai konvikt, unë e mora në shtëpinë time, ku banoi për disa muaj deri sa u gjet një dhomë në një apartament tek pallatet e “ Lulishtes 1 Maji” ku ajo jetoi për gati 15 vjet bashkë me një familje tjetër me banjë e kuzhinë të përbashkët”.
Nën presionin e vështrimeve “vigjilente” te sigurimsave dhe të provokimeve të tyre të vazhdueshme, mësuese Zyma filloi të ndjejë një lodhje shpirtërore dhe të përjetojë një depresion nervor. Ajo kërkoi të riatdhesohej në Kosovë pranë vëllait të saj, farefisit dhe shoqërisë së fëmijërisë e rinisë.
Ishte viti 1979, kur Mësuesja më popullore e qytetit të Beratit, u largua për në Kosovë duke marë me vehte streset dhe ankthet e dyshimeve që nuk i meritonte. U largua e zhgënjyer me zemër të thyer, sepse erdhi t’i kushtonte jetën Nënës Shqipëri, por regjimi diktatorial ia ktheu nënën në një njerkë të keqe dhe jetën në një persekutim terorizues.
Ajo është brenda meje sic është në zemrat e shumë qytetarëve beratas për të cilët, në një letër që mora prej saj disa ditë më parë, ajo shprehet me shumë dhimbje:”Sado e vështirë që ka qënë jeta në Shqipëri ajo ka patur një frymë shumë njerëzore. Kjo njerëzi duket ka qënë rezistenca më e madhe ndaj diktaturës. Pavarësisht nga plot moskuptime dhe keqkuptime unë krijova një rreth të tillë miqsh për të cilët e ndjej vehten krenare, kur mendoj pastaj dhe anën tjetër që për t’u shoqëruar me mua e kanë mundur frikën e dyshimin, kjo më prek thellë e më bën ta cmoj atë miqësi më shumë.”
Në një telefonatë që pata me të ajo më tha se në Amerikë jeton edhe Mirka Qazimi, një tjetër kolege e saj beratase. Pasi gjeta telefonin e z.-njës Mirka, i telefonova dhe i tregova se isha lidhur me Zymën. Mirka duke psherëtirë më tha:“ Ah, Zyma, një krijesë aq e pastër që vuajti kaq shumë! Në Berat nuk e lanë rehat, e quanin “agjente të Sërbisë. Kur shkoi në Kosovë autoritetet sërbe e thërrisnin pothuaj cdo ditë në pyetje, për ta ishte “agjente e Shqipërisë”, pastaj lufta. Lufta në Kosovë e shkatërroi ekonomikisht edhe njëherë.Vëllait të saj ja dogjën shtëpinë, ai u largua me gruan dhe fëmijët tek fisi i gruas në Ulqin për t’i shpëtuar masakrave. Zyma e mbyllur atje në apartamentin e saj në Prishtinë i lutej Zotit që t’ja shpëtonte vëllaun e vetëm e gjithë familjen e tij. Për 17 orë ajo ka ndenjur pa ngrënë e pa pirë, në pritje të një lajmi, kur vëllai i telefonoi se kishte mbrritur shëndoshë dhe ishte jashtë cdo rreziku asaj i kishte rënë të fikët. Kur ishte përmëndur kishte parë vehten mes disa komshinjëve të cilët kishin të njëjtin hall si ajo.
Në ditët e luftës mes plumbave shkonte për të ndihmuar pleqtë dhe njerëzit e vetmuar nepër shtëpitë e shkatëruara duke i ngushëlluar me fjalë të ëmbla duke ju shpënë ushqime, caj dhe supë të ngrohtë.”
I telefonova dhe një ish nxënëseje të saj që tani punon dhe jeton në Greqi, Kozeta Luarasit, ( motra ime ) të më tregonte c’farë kujtonte ajo për mësuesen e saj kujdestare:“ Mamaja jonë ishte shtatëzanë me motrën e vogel . Unë isha me hepatit viral. Mamaja po më shpinte në spital për të më shtruar. Rrugës takuam Zymën e cila ndaloi na përshëndeti dhe na pyeti se ku po shkonim. Pasi dëgjoi sqarimet tona tha:” Ma ler mua Kozetën, ti ktheu në shtëpi se je e rënduar, unë do të kujdesem për Kozetën njëlloj si ti”. Mamaja u besonte duarve dhe zemrës së saj, më la mua me Zymën dhe u largua. Atë ditë mësuesja ime humbi disa orë për të më rregulluar në dhomën e spitalit. Më pas ajo do të vinte pothuaj cdo pasdite me nxënësit për të më gëzuar. Aty jashtë dritares përballë dhomës time ajo luante lojën me kaluc me nxënësit që vinin për të më parë mua. Dhe vërtet unë isha shumë e gëzuar, nuk e harroj gjithë jetën. Mësuesja ime kujdestare tregonte me vepra që jo vetëm na donte dhe na mësonte, por kujdesej të kishim shëndet. Zyma Berisha ishte nderi i shkollës, nderi i qytetit tonë”.
Gjithë këto kujtime, mbresa dhe vlerësime të ish nxënësve të saj tregojnë se mësuese Zyma ka qënë dhe është “ nderi i qytetit të Beratit, por këtij vlerësimi i mungon njohja zyrtare. Prandaj i kam shkruar kryetarit të Bashkisë së Beratit për ta shpallur këtë bijë të Kosovës që i kushtoi rininë e saj edukimit të shumë brezave të nxënësve beratas “ QYTETARE NDERI”.E si mund të lihet në heshtje në kohën e demokracisë mësuesja Zyma Berisha?
Heshtja dhe mosvlerësimi i të tillëve njerëzve të përkushtuar tregon se shoqëria jonë nuk është e emancipuar dhe demokratike sa duhet.
Sa shumë njerëz ka në Berat, në mbarë Shqipërinë, kudo në diasporë, të cilët dëshmojnë për dashurinë, përkushtimin dhe profesionalizmin e lartë të saj ndaj nxënësve dhe mësimdhënies.
Të gjitha këto i vecova në këto ditë me dëborë duke menduar 7 Marsin, festën e dashur të mësuesve, të këtyre njerëzve që lënë gjurmë të pashlyeshme në zemrat tona dhe janë figura numur një mbas asaj të nënave.
*(Ribotohet in memoriam me rastin e largimit nga jeta)