Nga Zeno Jahaj /
Më 28 Nëntor 2012, Kombi, për herë të parë i lirë dhe natyrshëm i bashkuar, përkujtoi madhërisht 100 vjetorin e pavarësimit të Shqipërisë. Kjo ishte Shqipëria e parë, Shqipëria etnike. Këtë vendosën të njohin etërit e Kombit.Pas 8 muajsh, më 29 Korrik 2013, do të jetë Europa së cilës, ndoshta mund t’i bjerë ndër mend se, 100 vjet më parë, etërit e Kontinentit plak vendosën të njohin një Shqipëri tjetër, Shqipërinë e dytë, atë shtetërore.
Shqipëria e parë, ajo etnike u krye me ndjenja dhe konsensus kombëtar, me vizionin e interesave kombëtare. Etërit e Kombit që e themeluan atë, e dinin fare mirë se askush nuk mund të ndalohet pse ka apo shpreh interesa. Prandaj ata e shpallën Shqipërinë ashtu siç kish pas qenë fati i natyrshëm i saj.
Përkundër, Shqipëria e dytë, ajo shtetërore u bë me konsensus ndërkombëtar dhe do të kishte në themel interesat ndërkombëtare – përndryshe, të shteteve të tjera. Askush nga ndërkombëtarët e kohës nuk do t’a përjetonte më dhimbshëm këtë akt, sesa Konti Leopold von Berchtold, burrë shteti i përmasave Europiane, Ministër i Jashtëm i Perandorisë Dualiste Austro-Hungarze, dashamirës dhe mbështetës i madh i Shqipërisë, i cili, plot 100 vjet më parë do të shkruante: “Austro-Hungaria respekton dëshirën e Serbisë për t’a mbrojtur mëvetësinë e vet nga çdo pikëpamje dhe për të siguruar për këtë një rrugë të sigurtë për në det. Por kjo gjë nuk do të thotë se Serbia duhet të shtrihet medoemos deri në Adriatik, se atëherë do të bëhej i pamundur krijimi i një Shqipërie autonome që do të jetë e zonja të rrojë. Serbia mund t’ia arrijë qëllimit për lidhjen e vet me detin edhe në mënyra të tjera. Nëse beson se ka interesa vitale (nënvizimi im, Z.J.) për të pasur një liman të vetin, atëherë mund të marrë një port në Detin e Egjeut.”
Natyrisht, Konti realist Austriak, kishte edhe ai ndjenjat e veta, por edhe gjeopolitika kishte ligjet e veta. Të gjitha kombet dhe shtetet e tjerë pohonin, përpiqeshin dhe luftonin për t’i kënaqur interesat kombëtare me programe, me platforma ideologjike apo force, me strategji të hapëta apo të fshehta, me mënyra të ndershme apo të pandershme. “Çobani” Rus i grigjës ortodokse nuk mund t’a pranonte sugjerimin e Berchtold që Serbisë t’i ofrohej një port në Detin e Egjeut. Dalja e Serbisë në Selanik do të shkaktonte përplasje e grindje brenda llojit dhe do t’i ndërlikonte zhvillimet në hapësirën Ballkanike e të Mesdheut Lindor, për pushtimin e së cilës Cari Pjetër i Madh i Rusisë kishte lënë një testament të posaçëm. Prandaj të gjithë i përmbaheshin formulës “raison’d’etat” – përndryshe “arësye shtetërore”, të cilën çuditërisht e pati shpikur Richelieu – shërbëtor i Zotit për nga zanati, Kardinal i Kishës Katolike, burrë shteti i përmasave Europiane, Kryeministër i parë i Francës.
Prandaj, për shumë e shumë arësye, ne kemi sot vetëm një Shqipëri, atë shtetërore që njeh bota.
Natyrisht çdo komb do mund të dëshironte t’i bashkonte trojet që i konsideron apo i percepton si të veta. Madje, etërit e kombeve, prandaj janë quajtur të tillë, sepse kanë bashkuar familjen e madhe që quhet komb. Por merita më e madhe e tyre është se, në këtë mision, ata kanë vepruar në përshtatje me prirjet e proceseve historike dhe jo jashtë tyre. Si Bismarku, ashtu edhe Hitleri, për shembull, ideuan, udhëhoqën e luftuan për bashkimin dhe lavdinë e Gjermanisë. Por, ndërsa i pari arriti mjeshtërisht synimin (për të cilin kishin dështuar tre breza gjermanësh!), pikërisht sepse veproi brenda procesit historik, përkundër, i dyti, duke vepruar jashtë tij, i shkaktoi Gjermanisë plagën e rëndë, për shërimin e së cilës u desh një gjysmëshekulli. Pak më afër nesh, si Konti Kavour, ashtu edhe Musolini luftuan për bashkimin dhe lavdinë e Italisë. Por i pari veproi dhe pati sukses brenda procesit historik, ndërsa i dyti doli jashtë tij, duke i shkaktuar Italisë humbje të turpëshme dhe dëme afatgjata.
Të ecësh kundër procesit është humbje dhe humbja iu kushton shumë, veçanërisht kombeve të vegjël. Shqiptarët nuk u përshtatën në kohën e duhur me procesin e nacionalizmit shtebërës ku u përfshi e gjithë Europa e shekullit të 19-të. Dy fqinjët tokësorë të Shqiptarëve qenë nga të parët e atij fillimshekulli që e kurorëzuan me sukses këtë proces. Shqiptarët u vonuan plot një shekull për të “kapur fillin”. Ndërkohë, Europianët, midis tyre edhe fqinjët tanë që i kishin “blinduar” tanimë shtetin, organizimin, forcën dhe ushtritë, iu vunë proceseve të tjera për të vënë në jetë objektivat e tyre nacionaliste, përkatësisht konsolidimin dhe zgjerimin kombëtar.
Proceset nacionale që e mbyllën një cikël në gjysmën e parë të shekullit të 20-të, ia lanë vendin një procesi tjetër në gjysmën e dytë të tij: garës midis rrugës demokratike dhe rrugës komuniste të zhvillimit. Shtetet e hapësirës Euro-Atlantike që e kuptuan “krahun” e këtij procesi dhe u rreshtuan në kohën e rrjedhën e duhur të tij, sot gjenden një epokë të tërë përpara në zhvillim, mirëqënie dhe siguri në krahasim me shtetet e tjera të botës. Ata sot drejtojnë e do të drejtojnë fatet e botës në një të ardhme ndoshta afatgjatë, edhe pse janë pakicë në krahasim me pjesën tjetër dërmuese. Në të kundërt, të tjerët që nuk u orientuan dot, apo që përzgjodhën të rreshtoheshin kundër prirjes së procesit, duke thirrur për ndihmë armën e nacionalizmit të sëmurë (Gjermania naziste dhe Italia fashiste) apo duke aplikuar ideologji politike shterpë sikurse ishte komunizmi (Rusia, Europa Lindore përgjithësisht), iu shkaktuan popujve të tyre humbje dhe dëme të mëdha, ndër të cilat, humbja e hapit të kohës, dalja nga procesi, ishin më të rëndat.
Shqipëria, në paraluftën e Dytë Botërore e gjeti veten të lidhur ekonomikisht e ushtarakisht pothuajse vetëm me Italinë. Fatura tanimë dihet: aventura ushtarake Italiane për pushtimin e Greqisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, rezultoi në një disfatë dhe tërheqje të turpëshme strategjike, që faktorizoi në Shqipëri pan-sllavizmin, ortodoksinë politike dhe komunizmin. Politika Shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore, përgjithësisht e orientoi popullin Shqiptar për nga qëndresa antifashiste, gjë që shkonte në pajtim me rrjedhën e procesit mbarëbotëror. Por kjo arritje u degjenerua menjëherë pas Luftës, kur Shqipëria u rreshtua në ideologjinë dhe praktikën politike të komunizmit, gjë që i kushtoi Shqipërisë dy breza njerëzorë kohë të humbur.
Paslufta e Ftohtë e futi botën në një proces tjetër: shpërbërjen e krijesave artificiale, sikurse ishin Bashkimi Sovjetik, Çekosllovakia apo Jugosllavia, etj. Në vend të tyre, me ose pa dhunë, u ringritën entitete që e kishin gëzuar në kohëra statusin shtetëror apo autonom. Si e tillë, ringritja e Kosovës, shënon përfundimin e këtij procesi historik, për t’i lënë vendin një procesi të ri që përshtatet natyrshëm me prirjen globale: Integrimi mbarë-Europian dhe Euro-Atlantik.
Pikërisht këtu është edhe udhëkryqi: Do të ecim në përshtatje me këtë prirje të lidhjes, harmonizimit dhe integrimit në njeri tjetrin të të gjithë faktorëve Shqiptarë dhe integrimit kombëtar në idenë e madhe dhe praktikën e bashkimit në dhe përmes strukturave Europiane e Euro-Atlantike, apo do të mënjanohemi nga kjo prirje e procesve rajonale e globale për t’u marrë veçmas me procese të bashkimit kombëtar?
Tehu ku ndahen të dy proceset është: A do të mbijetojnë në kufijtë e sotëm entitetet që e kanë gëzuar dikur dhe iu është njohur edhe sot statusi shtetformues, përkatësisht Maqedonia, Bosnjë-Herzegovina dhe Kosova? Nëse këto entitete do të mbijetojnë, atëhrë problemi përfundon këtu. Nëse këto entitete nuk do të mbijetojnë, domethënë nëqoftëse këto nuk do ecin në përshtatje me prirjen e procesit – përkatësisht me integrimin brendapërbrenda dhe integrimin në Europë, por, përkundrazi, do të shkojnë për nga shpërbërja, atëherë, në këtë rast, do të kemi një reaksion tjetër zinxhir ku secili shtet-komb do të kërkojë bashkim me komunitetet kombëtare që ka apo percepton se ka jashtë kufijve të sotëm. Atëherë, do të krijohen drejtëpeshime të reja dhe, sikurse ka ndodhur rëndom, veçanërisht në Ballkan, prishja e drejtëpeshimeve, zakonisht është shoqëruar me dhunë e luftë. Kësisoj, Ballkani do të futet përsëri në rrethin vicioz të konfliktit.
Shqipëria dhe Shqipëtarët sot, për herë të parë në historinë e tyre, janë përcaktuar e renditur në rrjedhën e proceseve mbarërajonale e më gjerë. Nuk duhet t’a humbim këtë çast gjeopolitik. Komuniteti demokratik ndërkombëtar lejoi apo, më saktë nxiti, një proces shpërbërjeje të një krijese artificiale sikurse ishte Jugosllavia. Prandaj u lejua Maqdonia, prandaj u lejua edhe Bosnja. Më vonë, komuniteti demokratik ndërkombëtar nxiti edhe shpërbërjen e Serbisë, sepse edhe ajo ishte një krijesë artificiale. Por u përcaktua një kufizim i qartë: ky proces do përfshinte vetëm shpërbërjen e krijesave artificiale të formuara nga dy e më shumë entitete, të cilat, veç e veç, e kishin gëzuar në kohëra statusin si entitete shtetërore apo autonome, sikurse ishte Serbia dhe Kosova. Ky ishte kufiri i fundit. Në fund të fundit, procesi i shpërbërjes merr vlerë, si për kombet, ashtu edhe për paqen e sigurinë kombëtare e ndërkombëtare, kur ndikon krijesat artificiale dhe kur rikrijon, në vend të tyre, entitete me qëndrueshmëri natyrale. Procesi i shpërbërjes nuk parakupton një reaksion zinxhir shpërbërjesh të tjera, të cilat, të paktën në kushtet e sistemit të sotëm të sigurisë, por edhe të prirjeve rajonale e globale, normalisht, nuk shkon krahas rrjedhës së proceseve.
Sigurisht, askush nuk i fut të gjitha vezët në një shportë. Mundësia e shpërbërjes së mëtejshme të entiteteve të rajonit ka gjasat e veta. Por askush nuk mund të parashikojë me saktësi se nga do të anojë në këtë rast drejtëpeshimi kosto-fitim. Prandaj çështja shtrohet: do të vijojmë të rrojmë vetëm me ndjenjat për Shqipërinë etnike, apo, krahas, do të shprehim e sigurojmë interesa të arritëshme kombëtare të Shqipërisë shtetërore?
Të kënaqësh interesat kombëtare do të thotë të premtosh transformim kombëtar. Ky është pra, “Rubikoni” ynë: transformim i ndjenjave kombëtare në interesa të arritëshme kombëtare. Prandaj ne, së pari, duhet t’i shprehim qartë, pastër e lidhëshëm këto interesa. Pastaj, të kemi guximin për t’i paraqitur këto interesa sipas shkallës së rrezikut për mbijetesën, mirëqënien, lirinë apo sigurinë e Kombit Shqiptar. Në vijim, që të mos dështojmë siç kemi dështuar, ne duhet të përcaktojmë bartësit kombëtarë që do të duhet të zhvillojnë këto interesa apo t’i shpëtojnë nëqoftëse rrezikohen. Më në fund, a kemi llogari kombëtare për t’i mbështetur këto interesa?
Në këtë këndvështrim, do mendoja që përmbajtja e interesave kombëtare të Shqiptarëve, mund të formulohej më e plotë si më poshtë:
Për Kosovën. Kosova – një nga kryeqendrat e etnisë Shqiptare dhe, njëherësh një nga entitetet e federatës së kundërnatyrshme Jugosllave, plotësonte të gjitha atributet juridike dhe i kishte të gjitha fuqitë e aftësitë për të jetuar si shtet më vete. Por trashëgimia historike Serbe e mbijetesës përmes pushtimeve dhe nacionalizmi genocidist nuk i emancipoi dot politikanët Serbë për t’a pranuar këtë realitet, prandaj botës së qytetëruar dhe vetë Shqiptarëve të Kosovës iu deshën t’ia detyrojnë atë me forcë.
Kosova është tanimë një shtet i shpallur kombëtarisht dhe në proces për njohjen e plotë ndërkombëtare. Këtu e tutje lojën duhet t’a luajnë vetë Shqiptarët e Kosovës, me qëllim që realitetet potenciale, fuqitë e aftësitë t’i kthejnë në realitete institucionale, ekonomike, arsimimi, sigurie, etj. Zgjidhja më e mirë e provuar nga e gjithë historia për t’iu dhënë frymëmarrje këtyre realiteteve është qarkullimi i lirë dhe intensiv i vlerave, ideve, mallrave dhe njerzve me shtetet fqinjë e më gjerë. Në këtë kuadër, Shqipëria bashkëkombëse është shteti natyral për t’u integruar jo vetëm në ekonomi, arësim, siguri, etj, por edhe midis institucioneve homologe. Prandaj, plotësimi i kudrit politik për njohjen dhe sigurinë e shtetit të Kosovës, forcimi i identitetit kombëtar Shqiptar, hapësira e lirë tregëtare, sociale, arsimore e kulturore me trojet e tjera Shqiptare dhe integrimi i plotë Shqipëri – Kosovë, janë interesa kombëtare jetësore të Shqipërisë. Nëse Shqipëria do të arrijë integrimin e plotë me Kosovën, atëherë me siguri do të garantojnë edhe bashkimin. Por, nëse flasin për bashkimin pa bërë integrimin e plotë, atëherë do të kompromentohen të dyja proceset, si bashkimi, edhe integrimi.
Për Maqedoninë. Maqedonia – një nga entitetet e federatës së kundërnatyrshme Jugosllave, plotësonte drejtëpërdrejtë atributet juridike dhe i kishte të gjitha fuqitë e aftësitë për të jetuar si shtet më vete. Gjithsesi, mbijetesa e Maqedonisë së pavarur kushtëzohej nga katër shtete: Bullgaria që e pretendonte jo thjeshtë minoritetin Bullgar; Greqia që fsheh shumë më shumë sesa “çështja” e emrit “Maqedoni”; Serbia që kërkon t’a mbajë lidhur Maqedoninë për “shkak” të vijimësisë së trashëgimisë politike, ekonomike e fetare si qendra e pushtetit të Ish Jugosllavisë; Shqipëria që ka legjitimitetin e interesit jetësor kombëtar për shkak të faktit se trojet Shqiptare në Maqedoni përbëjnë një nga kryeqendrat e etnisë Shqiptare dhe se popullsia Shqiptare atje përbën një entitet shtetformues e jo thjeshtë një pakicë kombëtare.
Por frymëzimet nacionaliste i verbuan politikanët Maqedonas për të kuptuar e pranuar këtë realitet Shqiptar. Prandaj botës së qytetëruar dhe vetë Shqiptarëve të Maqedonisë iu deshën t’ia imponojë Maqedonisë këtë realitet. Nëqoftëse politikanët Maqedonas do të zgjidhnin vetizolimin për t’i shpëtuar këtij realiteti, atëherë fatura do t’iu shkonte të gjitha grupimeve të popullsive të ndryshme etnike që e mbajnë në këmbë këtë shtet. Por vetëizolimi e ka provuar veten se ku të çon. Në këto kushte, zgjidhja më e mirë dhe e provuar nga e gjithë historia edhe për Maqedoninë ishte dhe është pranimi dhe nxitja e qarkullimit të lirë dhe intensiv të vlerave, ideve, mallrave dhe njerzve me shtetet fqinjë e më gjerë. Në këtë kuadër, Shqipëria, që e lidh me Maqedoninë jo vetëm kufri shtetëror, por edhe një popullsi bashkëkombëse në nivel konstitucional, ka interes jetësor për këtë qarkullim midis dy vendeve. Prandaj, siguria e njësuar e të drejtave politike e vetadministrative të bashkëatdhetarëve në trojet Shqiptare në Maqedoni, ruajtja dhe forcimi i identitetit kombëtar Shqiptar dhe hapësira e lirë tregëtare, sociale, arsimore e kulturore me trojet e tjera Shqiptare, janë interesa kombëtare jetësore të Shqipërisë. Nëse i ndërtojmë dhe i fuqizojmë si duhet e sa duhet këto interesa, atëherë jemi në gjëndje të mbajmë gjallë idenë e bashkimit në kohën e duhur.
Për Malin e Zi. Mali i Zi – një nga entitetet e federatës së kundërnatyrshme Jugosllave, plotësonte drejtëpërdrejtë atributet juridike dhe i kishte të gjitha fuqitë e aftësitë për të jetuar si shtet më vehte. Bashkatdhetarët Shqiptarë në Malin e Zi përbëjnë një faktor të rëndësishëm ekonomik, administrativ e, madje, edhe politik. Duket se politikanët Malazesë e kanë kuptuar dhe e kanë vlerësuar këtë faktor. Nëqoftëse do të përcaktonin tjetër zgjidhje, atëherë fatura do të ishte e rëndë, jo vetëm për Shqiptarët. Në këto kushte, rruga më e mirë dhe e provuar nga e gjithë historia, edhe ajo e Malit të Zi, ishte dhe është qarkullimi i lirë dhe intensiv i vlerave, ideve, mallrave dhe njerzve me shtetet fqinjë e më gjerë. Në këtë kuadër, Shqipëria, që e lidh me Malin e Zi jo vetëm kufri shtetëror, por edhe një popullsi bashkëkombëse në nivel faktori të rëndësishëm ekonomik, administrativ e politik, ka interes jetësor për këtë qarkullim midis dy vendeve. Prandaj, siguria e të drejtave politike e vetadministrative të bashkëatdhetarëve në trojet Shqiptare në Mal të Zi, ruajtja dhe forcimi i identitetit kombëtar Shqiptar dhe hapësira e lirë tregëtare, sociale, arsimore e kulturore me trojet e tjera Shqiptare, janë interesa jashtëzakonisht të rëndëishme kombëtare të Shqipërisë. Nëse i ndërtojmë dhe i fuqizojmë si duhet e sa duhet këto interesa, atëherë jemi në gjëndje të mbajmë gjallë lidhjet e duhura.
Për Luginën e Preshevës. Lugina e Preshevës – përndryshe, krahinë e pastër etnike Shqiptare, e shkëputur nga Shqipëria Veri-Lindore për të kënaqur kalkulimet e interesave Ballkanike e Europiane, në vlerësim të rëndësisë së jashtëzakonshme gjeostrategjike në qendër të korridorit përgjatë Lumit Moravë dhe Vardar, mbeti nën Serbinë. Gjithsesi, popullsia Shqiptare e kësaj Lugine plotëson të gjitha atributet, si dhe i ka të gjitha fuqitë e aftësitë për t’u vetëadministruar. Por trashëgimia historike Serbe e mbijetesës përmes pushtimeve dhe nacionalizmi genocidist iu rëndojnë dhe do t’iu rëndojnë akoma politikanëve Serbë për t’a pranuar plotësisht këtë realitet.
Prandaj, duhet të zhvillohen të gjitha inisiativat për sigurimin e të drejtave politike, administrative e njerzore të popullsisë së Luginës, duke mbajtur hapur të gjitha urat lidhëse me bashkëkombasit në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri për lirshmëri lëvizjeje vlerash, idesh, mallrash dhe njerzish. Shqiptarëve në Luginën e Preshevës iu duhet të mbajnë gjallë përpjekjet për të fituar plotësisht statusin e vetëadministrimit, me qëllim që fuqitë t’i kthejnë në aftësi të pjellshme administrative. Kosova do të jetë shteti fqinjë i drejtëprdrejtë që do të duhet të ndikojë mbi Serbinë për të respektuar të drejtat politike, administrative e njerzore të popullsisë së Luginës. Në këtë kuadër, Shqipëria, në bashkërendim me Kosovën, duhet të sensibilizojnë institucionet e të drejtës ndërkombëtare, si dhe të vënë në lëvizje institucionet kombëtare për të arritur që të sigurohen këto të drejta për bashkatdhetarët e Luginës dhe për të nxitur qarkullimin e lëvizjes, vlerave, ideve, mallrave dhe njerzve me bashkatdhetarët në trojet e tjera Shqiptare. Prandaj, siguria e të drejtave politike e vetadministrative të bashkëatdhetarëve në trojet Shqiptare në Luginën e Preshevës, ruajtja dhe forcimi i identitetit kombëtar dhe hapësira e lirë tregëtare, sociale, arsimore e kulturore e tyre me trojet e tjera Shqiptare, janë interesa jashtëzakonisht të rëndësishme kombëtare të Shqipërisë. Nëse i ndërtojmë dhe i fuqizojmë si duhet e sa duhet këto interesa, atëherë do jemi në gjëndje të mbajmë gjallë idenë e bashkimit në kohën e duhur.
Për emigracionin dhe diasporën Shqiptare. Një mendje fatale i shtyn Shqiptarët t’a kërkojnë lumturinë jashtë vendit të vet. Kombi Shqiptar, edhe sikur të kishte bërë një dyzinë luftrash pushtuese, nuk do të kishte humbur aq shumë resurse njerëzore sa ka humbur nga emigrimi. Më shumë sesa një e treta e popullsisë Shqiptare nuk jeton më në troje Shqiptare, por është (ose po bëhet) pjesë e kombeve të tjera – përndryshe, një humbje e dyfishtë: humbasim Shqiptarë dhe fuqizojmë kombe të tjera. Kombet e tjerë, sado të qytetëruar e shumë të qytetëruar, nuk janë kaq bujarë për të dhënë kaq shumë gjak falas. Përkundrazi, kombet e tjerë janë aq zgjuar, sa për të fituar dyfish luftëra të pakryera. Kombi nuk mund t’a ketë ndërgjegjen të qetë kur një të tretën e vet, madje pjesën më rinore të tij, ua “dhuron” kombeve të tjerë. Kjo vetëm bujari nuk është. Më e pakta, është paaftësi kombëtare, ndërsa mungesa e mbështetjes dhe interesimit për të ardhmen e emigracionit dhe diasporës Shqiptare, mund të jetë krim kombëtar.
Gjithsesi, kjo aortë ende e hapur gjaku Shqiptar është një fakt i pakthyeshëm, ose vështirë i kthyeshëm. Ajo që i mbetet Shqipërisë është të përpiqet që të mos humbasë identiteti kombëtar i këtij emigracioni dhe i kësaj diaspore. Vetëm kështu emigracioni dhe diaspora do mund t’i mbajnë sytë nga Shqipëria. Prandaj, ruajtja e identitetit kombëtar të emigracionit dhe diasporës Shqiptare është interes jashtëzakonisht i rëndësishëm kombëtar i Shqipërisë.
Shqipëria dhe te Shqiptarët përgjithësisht identifikojnë te Shtetet e Bashkuara të Amerikës interesa komplementare të partneritetit strategjik, veçanërisht në fushën e sigurisë në dhe për rajonet e Ballkanit e Mesdheut. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës – përçues dhe mbrojtës të vlerave të lirisë, prosperitetit, demokracisë dhe qytetërimit, qenë mbështetësit e pazëvendësueshëm për t’i integruar Shqipërinë dhe Shqiptarët në këto vlera. Në sajë të kësaj mbështetjeje, Shqipëria dhe Shqiptarët në fundshekullin e 20-të dhe fillimshekullin e 21-të kanë bërë transformimin e madh, duke kaluar nga statusi i kombit të nëpërkëmbur, në statusin e kombit të barabartë dhe të pyetur në rajon e më gjerë. Nga ana e tyre, kombi Shqiptar dhe institucionet e tij, i janë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke i siguruar njëherësh asaj mbështetjen proporcionalisht të barabartë në misionet me interes të përbashkët, të sigurisë e paqes në botë. Prandaj, aleanca strategjike me SHBA është interes kombëtar jetësor i Shqipërisë.
Identiteti dhe interesat kombëtare të Shqipërisë dhe Shqipëtarëve nuk janë përqasur kurrë në historinë e vet me asnjë familje tjetër kombesh të imponuara nga koha apo rrethanat, përveçse me familjen Europiane, e mishëruar sot me NATO dhe BE. Prandaj, aleanca strategjike me NATO-n dhe antarësimi në BE, përbëjnë interesa kombëtare jetësore të Shqipërisë.
Italia ka qenë mbështetësja e përhershme e mbijetesës kombëtare të Shqiptarëve në trojet e tyre. Rrugëkalimi më i rëndësishëm strategjik drejt Lindjes i Perandorisë paraardhëse Romake të Italisë, kalonte pikërisht mespërmes trojeve Shqiptare. Por edhe sot e në të ardhmen, përmes trojeve Shqiptare, Italia ka e do të ketë mundësitë më të mëdha për një rigjallërim të bujshëm të ekonomisë kombëtare të saj. Ekonomia Italiane, në krahasim me vendet e tjera, ka patur në të gjitha kohërat përparësinë në ekonominë Shqiptare. Por zhvillimet e pritëshme që lidhen me korridoret e naftës e të gazit, si dhe dinamikat e tjera të zhvillimit që bart Europa Jugëlindore, do të bëjnë që Shqipëria të përjetojë një shkëmbim të pashoq strategjik me Italinë në fushën ekonomike. Rivitalizimi në trajta moderne i Rrugës Egnatia apo i çdo korridori që lidh Europën Jugëlindore me Italinë përmes Shqipërisë, do të jetë një transformim rrënjësor për ekonominë Shqiptare dhe përgjithësisht për mirëqënien e sigurinë e Shqiptarëve në të gjitha trojet e tyre. Infrastrukturat që lidhen me këto dinamika do të faktorizojnë Durrësin e Shkupin në rajon, duke ndikuar kësisoj edhe në rritjen e përmasës së thellësinë horizontale të hartës politike të trojeve Shqiptare, e lënë enkas e ngushtë nga kalkulimet e vitit 1912, me qëllim që Shqipëria në çdo kohë të këputej lehtëisht në mes. Prandaj, aleanca strategjike me Italinë është interes kombëtar jetësor i Shqipërisë.
Çdo fuqi tjetër Lindore, përveç Turqisë, ka synuar dhe është përpjekur t’a tretë kombin Shqiptar. Në këtë kuptim, prirja Shqiptare për nga Perandoria Otomane, ka pjesën e vet në shpëtimin e identitetit kombëtar të Shqiptarëve. Kundërqëndresa Shqiptare ndaj Perandorisë Otomane shërbeu për njohjen e forcës së identitetit Shqiptar, të cilin Perandoria gjithsesi e respektoi. Shqiptarët i dhanë jo pak Perandorisë. Historikisht midis dy kombeve është krijuar një lidhje e natyrshme. Sot, rrethanat gjeopolitike e kanë prurë që Turqia të riciklohet në thellësinë e dikurshme strategjike, natyrisht në përmasa, forma e mjete moderne. Përveç rrugëkalimit klasik të Ngushticave, Turqia do të kontrollojë korridoret kryesore të gazit e të naftës që adresohen për në Europë. Regjimi politik moderator që gëzon Turqia, e bën atë të afërt si me Perëndimin, edhe me Lindjen. Në këto kushte, Turqia i ka të gjitha mundësitë gjeostrategjike që, në një të ardhme afatmesme, të shndërrohet në një fuqi të madhe me ndikim të gjerë politik, sigurie, ushtarak dhe ekonomik në zemër të dy kontinenteve. Shqipëria dhe Shqiptarët janë të privilegjuar të kenë përfshirjen miqësore brenda kësaj thellësie strategjike të Turqisë. Prandaj, aleanca strategjike me Turqinë përbën interes kombëtar jetësor të Shqipërisë. Krijimi i një korridori të gjerë tregëtar që kalon nëpër Shqipëri dhe që lidh Turqinë me Italinë, ashtu sikurse e pati këshilluar edhe Ismail Bej Vlora – themelues i Shtetit Shqiptar, do të kryejë një transformim rrënjësor për ekonominë Shqiptare dhe përgjithësisht për mirëqënien dhe sigurinë e Shqiptarëve në të gjitha trojet e tyre.
Shqipërinë e deshi Austro-Hungaria – Fuqi nga më të mëdhatë e kohës që mbështeti kombin më të vjetër të Ballkanit për të ruajtur identitetin Europian në Gadishull. Me shpërbërjen e Austro-Hungarisë – natyrshëm zona nevralgjike e interesit të saj, përkatësisht Europa Jugëlindore, u shndërrua në zonë interesi të Gjermanisë. Është fat që Shqipëria dhe Shqiptarët përfshihen në këtë zonë interesi të Gjermanisë, madje që janë një komb i respektuar prej gjermanëve. Gjermania, ashtu sikurse është gjeografikisht në zemër të Europës, ashtu do të jetë edhe në zemër të zhvillimeve të ardhëshme Europiane përmes fuqisë së saj ekonomike, mendjes dhe shpirtit karakteristik Gjerman. Për këto e të tjera arësye, aleanca strategjike me Gjermaninë është interes kombëtar jetësor i Shqipërisë.
Shqipëria zotëron një nga katër kalimet kyçe detare për në Detin Mesdhe, ku historikisht dhe aktualisht Mbretëria e Madhe ka patur dhe ka interesa strategjike, të cilat kanë qenë të përputhëshme me interesat e kombit Shqiptar. Mbretëria e Madhe, përkrah SHBA, zhvilloi një kontribut të padiskutueshëm që Shqipëria dhe Shqiptarët në fundshekullin e 20-të dhe fillimshekullin e 21-të të bënin transformimin e madh, duke kaluar nga statusi i kombit të nëpërkëmbur, në statusin e kombit të barabartë dhe të pyetur në rajon e më gjerë. Me Mbretërinë e Madhe bashkëplotësojmë interesa dhe aleanca. Prandaj, aleanca strategjike me Mbretërinë e Madhe përbën interes kombëtar jetësor të Shqipërisë.
Franca, me impulset që iu ka dhënë kombeve Europiane, mdis tyre edhe kombit Shqiptar, për afirmimin e identitetit kombëtar, si dhe me kulturën që i ka dhënë njerëzimit, përbën një pikë referimi vlerash universale. Franca ka qenë veçanërisht e interesuar për të krijuar një zinxhir partneriteti me kombet e vegjël, ndër ta edhe me kombin Shqiptar. Prandaj partneriteti strategjik me Francën përbën interes jashtëzakonisht të rëndësishëm kombëtar të Shqipërisë.
Bullgaria. Nisur nga zhvillimet e pritëshme në fushën e sigurisë ekonomike të Europës përgjithësisht dhe të Ballkanit e trojeve Shqipëtare veçanërisht, nga nevoja për dinamizimin e infrastrukturave horizontale në Ballkan, si dhe nga interesi i përbashkët për qëndrueshmërinë e Maqedonisë, mund të nxjerrim përfundimin se me Bullgarinë kemi mjaft interesa bashkëplotësuese të nivelit strategjik. Një korridor i zhvilluar infrastrukturor Itali-Bullgari do mund të sillte për Europën Jugëlindore ato rrjedhime që pati sjellë hapja e Kanalit të Suezit për Mesdheun. Me korridorin Itali-Bullgari, balanca klasike e porteve detare kalon në anën e porteve Shqiptare e Bullgare. Prandaj, një partneritet perspektiv strategjik me Bullgarinë përbën interes të rëndësishëm kombëtar të Shqipërisë.
Greqia. Me Greqinë na ka lidhur një fat i përbashkët historik, por jo gjithnjë kahje të përbashkëta sjelljeje. Shqipëria ka zbatuar me korrrektesë, madje me lëshime të pashoqe, të drejtat e minoritetit Grek në Shqipëri. Greqia, normalisht ka interes të ligjshëm kombëtar për minoritetin e vet që jeton në Shqipëri, por ky interesim nuk mund të justifikojë Planin e Bashkërenduar të Zbatimit të Idesë së Greqisë së Madhe, që është në proces e në perspektivë prej mbi një shekull dhe që përfshin greqizimin e Shqipërisë Jugore. Prandaj, për aq sa nuk ndryshon kjo sjellje, interesi kombëtar i Shqipërisë mund të jetë vetëm partneriteti i kufizuar dhe i kushtëzuar me Greqinë. Shqipëria, ashtu si çdo shtet tjetër serioz, ka një sovranitet shtetëror, ekonomik, kulturor, fetar e arsimor dhe nuk mund të lejojë që ai të shkelet.
Prestigji kombëtar. Shumë qarqe në Ballkan e më gjerë kanë qenë e vijojnë të jenë të interesuar t’i paraqesin Shqipërinë e Shqipëtarët me ngjyrat më të errëta, duke përgjithësuar dukuritë negative kalimtare që, normalisht, i ka përjetuar çdo komb e çdo popull. Synimi i këtyre qarqeve është të mbahen gjallë rrënjët e terrorit të kahershëm psikologjik për të mos lënë hapësirë për Shqiptarët “e egër” të integrohen me njeri tjetrin, sepse bëhen “të rrezikshëm”.
Por Shqipërinë e turpërojnë jo rrallë vetë Shqiptarët, me çka flasim apo nuk flasin, me çka bëjnë apo nuk bëjnë, si shtetarë apo si qytetarë. Ne na duhet me çdo kusht të krijojmë një sjellje apo një pakt kombëtar, të paktën për çështje kombëtare. Prestigji kombëtar lidhet me disa ligje – do thoja, të shenjta. A nuk është i shenjtë, për shembull, ligji i reciprocitetit? Si është e mundur të lejojmë që shtete të tjera të thonë ç’të duan për Shqiptarët e Shqipërinë, të bëjnë ç’të duan në tokën apo ujrat tona apo të sillen si të duan me qytetarët tanë dhe ne të tregohemi kaq të “sjellshëm” sa për të mos mbajtur qëndrime a për të kryer kundërveprime? Moszbatimi i ligjit të reciprocitetit mund të jetë krimi më i rëndë ndaj interesave kombëtare. Prandaj, prestigji kombëtar i Shqipërisë dhe i Shqiptarëve, është interes jashtëzakonisht i rëndësishëm kombëtar. Ne nuk mund të ndryshojmë paragjykimet apo keqdashjen ndaj Shqiptarëve, por kemi shumë në dorë të ndryshojmë prestigjin tonë kombëtar.
Status kombëtar për institucionet fetare. Ne Shqiptarët nuk kemi fe të përbashkët kombëtare dhe, për këtë arësye, kemi një identitet më pak sesa kombe të tjerë. Kombe dhe shtete të tjerë identifikohen me fenë. Madje, ndonjë nga fetë e mëdha ka lindur si nevojë për të mbështetur strukturat politike. Për këtë arësye, institucionet e tyre fetare, kudo ku shtrihen, kryejnë misione të politikave shtetërore në vend të funksioneve apostolike. Në jo pak raste, ato kanë qenë partnere në genocidin shpirtëror e fizik të ushtruar ndaj Shqiptarëve. Prandaj statusi kombëtar i institucioneve fetare në Shqipëri, brenda kuadrit teologjik, është shpëtimtar për ruajtjen dhe forcimin e identitetit kombëtar dhe, për këtë arësye, është interes jetësor kombëtar.
Në kushtet kur nuk kemi fe kombëtare, kemi, besoj, një instrument tjetër për t’a zëvendësuar atë: shenjtërimin e historisë kombëtare dhe të trojeve Shqiptare. Të gjithë popujt e kombet i adresohen këtij instrumenti. Njeri prej tyre, shkruan mbi mauzoleun e vet kombëtar: “O të mëdhenj. Kombi Ju është mirënjohës.” Etërit e kombit nuk mund të parcelizohen sipas bindjeve politike, apo për besueshmëri politike, por sipas kontributeve për kombet e tyre. Kombin e sjell më afër një monument lavdie kombëtare, sesa qindra kisha apo xhami. Monumenti i Pavarësisë në Vlorë është një i tillë që, thuajse me fuqi hyjnore, “urdhëroi” një komb të tërë të bëhej bashkë më 28 Nëntor 2012. A nuk duhet të të monumentalizojmë – për interesa kombëtare e humane, me të drejtën e Zotit, të rënët apo të vrarët e kombit Shqiptar në masakrat dhe genocidin masiv që kanë ushtruar fqinjët tanë tokësorë në të gjitha trojet Shqiptare dhe në të gjitha kohërat? Ne duhet të japim mesazhin e një kombi të qytetëruar për të shpallur Vend të Shenjtë të Kombit Shqiptar Shtëpinë ku u mblodh Kongresi i Manastirit për Gjuhën Shqipe, nga ku u shpëtua identiteti Europian i Shqipëtarëve. A nuk mund të zëvendësohen me emra shqip emra të huaj vendesh, siç nuk kanë patur turp t’a bëjnë e s’kanë qenë pak të qytetëruar kombe të tjerë që e kanë bërë një gjë të tillë? Ndoshta edhe vetë bullgarët, për shembull, çuditen që emrat e fushimeve të tyre ushtarake ruhen akoma edhe sot pas dhjetë shekujsh në emra vendesh, fshatrash, fushash e malesh Shqiptare. Prandaj, shenjtërimi i historisë kombëtare dhe i trojeve Shqiptare është interes jetësor kombëtar.
Gjuha Shqipe është burimi i parë i identitetit kombëtar të Shqiptarëve. Ne duhet t’a zhvillojmë Gjuhën Shqipe me të gjithë larminë e natyrshme që ka çdo gjuhë. Gjuha Shqipe, për fatin tonë, e ka së brendëshmi forcën dhe qëndrueshmërinë e saj natyrale dhe nuk ka nevojë për t’a ringritur. Po të mos ishte e tillë, nuk do t’a kishte ruajtur identitetin përballë dy gjuhëve nga më kultivuarat e njerëzimit. Ka patur madje edhe fuqinë për t’i ushqyer ato. Gjuha Shqipe i ka vetë energjitë e brendëshme për t’u formësuar edhe më mirë. Ajo e di vetë këtë detyrë. Shqiptarëve iu duhet vetëm t’a ndihmojmë, t’a zhvillojmë, t’a pasurojmë e jo t’a diskutojmë apo, më keq, t’a dyshojmë. Prandaj, zhvillimi e pasurimi i Gjuhës Shqipe është interes jetësor kombëtar.
Mirëqënia kombëtare. Mirëqënia kombëtare besohet se është interesi më madhor kombëtar i Shqipërisë. Shqiptarët kanë humbur më shumë resurse njerëzore nga emigrimi jashtë trojeve Shqiptare, sesa nga genocidet e ushtruara kundër tyre apo pushtimet e huaja ushtarake. Jemi kombi që zemë vendin e parë për përqindjen e popullsisë së emigruar, madje të pjesës më aktive e më të arsimuar të kësaj popullsie, e cila përzgjedh të jetojë jashtë Shqipërisë, edhe duke mos ushtruar profesionin e vet, edhe në kushte skllavërie apo persekutimi psikologjik. Një lloj vetëvrasjeje e një populli të tërë.
Shqipëria i ka të gjitha: vendvendosje të rëndësishme gjeostrategjike; hapësira të privilegjuara për të gëzuar Mesdheun – detin e bekuar të botës; tokën e nëntokën e begatë; gjeografinë veçanërisht të larmishme. Studimet serioze thonë se trojet Shqiptare i kanë të gjitha mundësitë të mbajnë në standarde të përparuara jetese edhe dyfishin e popullsisë së sotme Shqiptare. Atëherë, përse nuk i mban Shqipëria Shqiptarët? Si spjegohet që Shqiptarët gëzojnë e trashëgohen aq shumë në vende e popuj të tjerë? Si spjegohet që Shqiptarë të mëdhenj bënë shtete të tjera, por nuk bënë Shqipërinë? Çfarë nuk ofron Shqipëria? Pse i largon Shqipëria për njerzit e vet?
Duket se ka një shkak themelor: Pasiguria për mirëqënie kombëtare, e cila, nga ana e saj, çon në humbjen e shpresës kombëtare. Të gjitha interesat kombëtare kompromentohen e rrezikohen pa ofertën e mirëqënies, e cila, nga ana e vet, kushtëzohet nga kultura politike e drejtimit të shtetit dhe niveli i qytetërimit. Prandaj rritja e mirëqënies kombëtare është interesi më i madh kombëtar i Shqipërisë dhe i Shqiptarëve. Çdo interes tjetër mbahet gjallë e përparon në atë shkallë sa mbahet gjallë e përparon mirëqënia kombëtare. Jo aq për fatkeqësinë tonë, sesa për fajin tonë, Shqipëria e Shqiptarët, historikisht janë goditur pikërisht në këtë interes themelor. Varfërimi në mirëqënie ka sjellë varfërim në institucione, në sjellje, në qytetërim, në kulturë, në arësim, shkurt, në ndjeshmëritë kombëtare.
Atëherë, cila do të mund të ishte strategjia kombëtare për realizimin e interesave kombëtare?
Hapi i parë, do të ishte forcimi i lidhjeve të gjithanëshme midis të gjitha entiteteve Shqiptare, pavarësisht nga shtetet ku janë përfshirë brenda kufijsh. Thelbi i kësaj strategjie është vendosja e lidhjeve të detyrueshme e me frymëmarrje të gjerë midis të gjitha metropoleve Shqiptare, zhvillimi i mundësive të gjithfarëllojta të qarkullimit përmes investimeve në infrastrukturë, arsimim kombëtar, etj. Neve historikisht na kanë lënë pas mungesa e rrugëve dhe urave të komunikimit. Lidhjet varen nga ne. Por nuk dëmtojmë as tjetrin. Prej autostradave të mëdha do të vijnë edhe efeketet e lidhjeve të tjera sociale, ekonomike, kulturore e sportive brendakombëtare, të cilat do të nxisin më shumë prirjet për integrim të ndërsjelltë midis Shqiptarëve, familjeve dhe institucioneve të tyre në të gjitha trojet . Rruga e Kombit, për shembull, është një arritje me spektër kombëtar, sepse lidh metropolet Shqiptare në boshtin Jug-Veri. Por përparësia duhet të shkojë në investimet infrastrukturore që lidhin metrolpolet e mëdha Shqiptare në boshtin Perëndim-Lindje, përkatësisht Durrësin e Tiranën me Shkupin, me qëllim që të vitalizohen korridoret që lidhin Italinë me Turqinë – aktorë me peshë të ndjeshme në gjeopolitikën e ardhëshme botërore. Investimi i fuqishëm në këtë bosht ndikon po aq fuqishëm thuajse të gjithë interesat kombëtare të Shqipërisë dhe të Shqiptarëve përgjithësisht.
Hapi i dytë, do të ishte zhvillimi, qysh sot atje ku është e mundur, i integrimit social, ekonomik, kulturor e institucional me vendet ku Shqiptarët janë faktorë politikë e administrativë.
Nëse do të hedhim siç duhet, kur dhe sa duhet, dy hapat e parë, atëherë do mund të krijojmë të gjitha potencialet edhe për të ardhmen e Bashkimit Kombëtar, varësisht nga prirjet e proceseve rajonale e globale, situatave gjeopolitike dhe interesave kombëtare.
Shprehja qartë, pastër e lidhshëm e interesave kombëtare është, natyrisht, hapi i parë i domosdoshëm, por jo kryesori. Ajo çka është më e rëndësishme, interesat kombëtare duhen siguruar. Përndryshe mbetemi vetëm në ndjenja. Por vetëm ndjenjat nuk mund t’i sigurojnë interesat kombëtare. Prandaj çdo interes kombëtar duhet mbështetur me programe e projekte kombëtare. Për shembull, nëqoftëse pranojmë se ruajtja e identitetit kombëtar të emigracionit dhe diasporës Shqiptare, është interes kombëtar i Shqipërisë, atëherë Shtëti Shqiptar duhet të hartojë e të sigurojë një status për emigracionin dhe diasporën Shqiptare.
Për më tej, me qëllim që programet dhe projektet kombëtare të mos kthehen në fjalime moralizuese, duhet të caktohen edhe bartësit kombëtarë. Ne nuk mund të ecim përpara pa krijuar instrumente të përbashkëta për të mirën kombëtare. Për shembull, nëse pranojmë se ruajtja e identitetit kombëtar të emigracionit dhe diasporës Shqiptare është interes kombëtar dhe përcaktojmë edhe një status për këtë qëllim, atëherë, normalisht, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës do mund të emërtohej: “Ministria e Arësimit Kombëtar dhe e Shkencës”.
Por interesat kombëtare pa institucione kombëtare, nëmos kompromentohen krejtësisht, në rastin më të mirë, mbeten vetëm në nivelin e ndjenjave kombëtare. Në fund të fundit, kombin e lidh shteti, institucionet kombëtare. Aftësia dhe fuqia për të siguruar e mbrojtur interesat kombëtare përcaktojnë vetë shtetin. Në këtë kënd, duhet të ketë, për shembull, institucion kombëtar që lidh ekonominë kombëtare, institucion kombëtar që lidh kulturën kombëtare, etj, etj. Për më tej: Cili është institucioni që lidh sigurinë kombëtare nëqoftëse këtë term e përdorim aq rëndom? Si mund të transformohet Shqipëria Shtetërore për t’u lidhur me Shqipërinë kombëtare?
Kemi ardhur kështu te thelbi i çështjes: Një komb serioz nuk mund t’i arrijë këto synime e t’i kënaqë këto interesa pa një planifikim kombëtar afatgjatë. Në fund të fundit, planifikimi kombëtar afatgjatë është treguesi themelor që e dallon një komb të qytetëruar nga një komb i paqytetëruar. Ne nuk mund të zhvillojmë interesat kombëtare pa krijuar aftësi e kapacitete kombëtare për të parashikuar dhe drejtuar ngjarjet në mënyrë sistematike, pa vizion përtej të nesërmes. Kombi Shqiptar është mjaftueshmërisht në proces për të mos mbetur në vend, për t’u transformuar, domethënë për t’u renditur ndër kombet e qytetëruar.
Interesat kombëtare nuk mund të zhvillohen pa projekte e programe kombëtare e aq më pak vetëm me ndjenja kombëtare. Një komb serioz çmohet për të gjithë procesin e realpolitikës dhe jo vetëm për procesin e moralpolitikës. Asnjë komb serioz nuk braktis interesat kombëtare – prej këtej sigurinë kombëtare, për hatër të virtuteve dhe moralit universal. Vetëm kombet me identitete dhe interesa të respektuara kombëtare kanë ç’ti ofrojnë jo vetëm vetes, por edhe njerëzimit.