Ministri fodull, M. Krasniqi, adoleshenti i vonuar, mblodhi rreth vetës një lukuni dështakësh të tjerë si veten, që i mori nga rruga, kafenetë e provinca për t’ua dhënë timonin e institucioneve të kulturës./
Nga Gani MEHMETAJ/
Mirela Kumbaro, një ish- përkthyese, luan me fatin e dinjitetin e artistëve shqiptarë, raportojnë mediet. Meqë artistët s’patën mundësi të komunikojnë më zyrtaren e lartë, nuk u mbeti armë tjetër përveç të kërkojnë mbrojtje nga presidenti. Ende nuk dihet si do të përfundojë lufta në mes ministres së kulturës dhe artistëve, por në shtetet e kapërcimeve të mëdha, ku pushteti ka frymë totalitare, pushtetarët gjithnjë fitojnë mbi artin.
Kolegu i saj në Prishtinë, ministri Memli Krasniqi, një ish-këngëtar rrugësh i pagdhendur, apo adoleshent i vonuar, sikurse e quajnë në qarqet intelektuale, që katër vjet tallet me artistët në mënyrën më të vrazhdë, sepse ashtu sikurse të gjithë dështakët vuan nga kompleksi i hiçit. Artistët tonë të paorganizuar s’patën kujt t’i shkruajnë, as nuk organizuan protesta e peticione, pos ndonjë reagimi individual.
Ministri fodull mblodhi rreth vetës një lukuni dështakësh të tjerë si veten, që i mori nga rruga, kafenetë e provinca për t’ua dhënë timonin e institucioneve të kulturës.
Kështu, njeriu i dytë i ministrisë së kulturës në Kosovë është njëfarë V. Firzi, i cili në krye të institucionit më të lartë erdhi nga kafexhiu i lagjes së kafehaneve të kryeqytetit. Më parë se menaxher në kulturë ai të jep përshtypjen e xhandarit të Serbisë, arrogant e primitiv me vartësit, servil më eprorët dhe, i paarsimuar për të udhëhequr çfarëdo posti. Ndërkaq, qeverisë më të gjitha institucionet më të rëndësishme të kulturës në vend! Në një shtet normal, ai do të mbetej kafexhi, që të mos e harroj zanatin.
Zyrtari tjetër i kësaj ministrie, drejtori i Departamentit të Kulturës, Kamuran Goranci, i ardhur nga provinca, jo me kot e portretizojnë me një barcaletë pikante: në vend të fuste rrobat në lavatriçe, ai futi kokën dhe, kur e nxori, uji ia kishte shpërlarë trurin. Mungesën e trurit e kompensoi me aftësi përshtatje që ia kalon çdo lloj kameleoni. S’ka qeveri që nuk e angazhoi për ndërmjetësime që kundërmojnë, ndërsa qeveria e tashmë ia besoi dy poste njëkohësisht: drejtor të Departamentit dhe drejtor të Teatrit Kombëtar të Kosovës, thua se kishin vdekur të gjithë artistët e vendit dhe ekspertët e kulturës.
Natyrisht nga kjo përbërje e Ministrisë së Kulturës, nuk mund të presësh asgjë, pos djerrinë në kulturë, mjerim e shkretëtirë në art dhe dështim në projekte ende pa filluar. Çdo vizitë të kësaj treshe apo të parit të tyre jashtë shtetit, e proklamonin sukses të jashtëzakonshëm të kulturës, ndërsa në fakt ai ose ata bënin vizita turistike në Berlin, Kanë apo gjetiu, duke shpenzuar mijëra euro dhe, duke mos bërë asnjë gjë, pos që dyshohej se ndonjëri prej tyre si puna e sekretarit, i ngjitej ansambleve të artisteve për motive të ulëta deri në Amerikën latine.
Asnjëherë kultura në Kosovë nuk ka qenë në nivel më të ulët e në gjendje më të mjerë. Asnjëherë kultura e arti nuk janë poshtëruar më keq se sa në katër vjetet e fundit. Asnjëherë artistët nuk e kanë ndjerë vetën më në siklet se sa tash, madje e kanë thënë publikisht disa herë, nuk ishin më në siklet e më të poshtëruar as në kohën e tmerrshme të Milosheviqit. Kjo është gjendja e kulturës, kjo është gjendja e institucioneve tona veç e veç. Paratë e taksapaguesve janë shpenzuar lum, por rezultate nuk ka. Paratë kanë qarkulluar në treshen-ministër-sekretar- drejtor me të përkëdhelurit e tyre, të cilëve u jepnin projekte, por nuk mbeteshin pa gjë për favoret e bëra, pra paratë kanë përfunduar nëpër xhepa. Një komision i pavarur duhet t’i hulumtoj shpenzimet e katër vjetëve të fundit, duke filluara nga kinse rinovimet e institucioneve që ishin rinovuar një vjet më parë e deri të udhëtimet kinse zyrtare që bëheshin vetëm për përfitime personale.
Qeverisja e kësaj lukunie talibanësh qoftë e shkuar, paudhësitë mos u harrofshin, por në asnjë mënyrë dhe për asnjë çmim s’bën të përsëritën.
Ndërkaq, Ministria e Kulturës edhe në të kaluarën është qeverisur nga ministra të paarsimuar e primitiv, dështak e gdhe, që s’ta kap mendja. Se ku i gjenin, askush nuk e sqaron dot, se çfarë shërbimesh u bënin atyre që i caktonin, kurrë nuk u mor vesh. Përzgjedhja e stafit, po ashtu në jo pak raste bëhej me ndërhyrje nga lartë, me lidhje familjare e hatër, kishte edhe arrogancë despotike.
Ministri i kulturës prandaj duhet të caktohet nga kolonia e artistëve, sepse askush më mirë se sa krijuesit nuk e kuptojnë artin e kulturën, ata dinë ta vlerësojnë artistin dhe projektin e artit, mund ti japin shpirt kulturës dhe ta ngjallin shpirtin krijuese që ka rënë në agoni në katër vjetet e fundit. Ata që bënë vepra të mira artistike dinë të udhëheqin edhe Ministrinë e Kulturës e të bëjnë përzgjedhjen e vlerave, të emërojnë njerëzit e duhur në vendet e duhura, pra edhe drejtorët e institucioneve. Ata që bënë emër në art, mund të bëjnë emër edhe në krye të Ministrisë së Kulturës, por kurrë s’mund ta bëjnë një gjë të këtillë ata që vlerat kulturore i kanë shikuar vetën kur i caktuan përgjegjës të kulturës, megjithëse gdhe mbetën edhe më vonë. Dështakët e pa profesion e të ashtuquajturit menaxher, të cilët nuk mbahen në mend për asgjë, pos që e zhvatën kulturën e u ranë në qafë artistëve, nuk mund të caktohen as ministra, as drejtorë të departamenteve, por as sekretar të përhershëm. Ai ose ajo kompensimet për shërbimet shefave duhet ti kërkojnë gjetiu e jo më poste ministrore, sidomos jo me postin e ministrit a ministres së kulturës.
Për fund: e nisa me ministren shqiptare Mirela Kumbaro, duke mos e kuptuar as sot, cili ishte shërbimi që i bëri ajo kryeministrit për postin më të lartë, ndërsa i pari i qeverisë shpërfilli qindra krijues (socialistë) shqiptarë më emër kumbues, të cilët do ta udhëhiqnin njëqind herë më mirë Ministrinë e Kulturës. Nuk e di as sot çfarë shërbimi i kreu ministri i kulturës në Kosovë shefit të vet për postin. Është e parëndësishme se çfarë shërbimesh do t’i kryejnë ministri apo ministrja e ardhshme e kulturës kryeministrit të ardhshëm, por nëse nuk caktohet ministri a ministrja me meritat artistike, po me shërbimet që s’kanë të bëjnë me kulturën, do të ishte vazhdim i nepotizmit të deritashëm, pra edhe vazhdim i agonisë në kulturë.
Dy shtetet shqiptare nuk bënë të vazhdojnë deri në pambarim me ministre a ministër që s’kanë ide ç’është arti, ndërsa e zhvatin dhe e shkretojnë kulturën mizorisht.
MINISTRAT SHKOJNË E VIJNË, NGA TIRANA NË ATHINË…
Shënime të një mërgimtari/
Nga Abdurahim Ashiku/
Ministrat e jashtëm të dy vendeve ballkanike, dy vendeve fqinj, si në atë lojën “Noni m’i çoni”, në një hapësirë kohore shkurt ‘14, fluturuan nga Tirana në Athinë dhe nga Athina në Tiranë. Kaq afër në kohë nuk është parë asnjëherë midis dy vendeve një lëvizje e tillë.
Kjo ngjarje seç ma hodhi kujtesën larg e larg në kohë e hapësirë ngjizur në një këngë…
Telegramet shkojnë e vijnë,
Nga Londoni në Athinë…
Për të ardhë në ditët tona…
Ministrat shkojnë e vijnë,
Nga Tirana në Athinë,
Për…toponiminë…
Nuk e di pse gjithë këto fluturime, pse gjithë kjo agjendë takimesh kryeministrash, kryekuvendarësh, kryepolitikanësh, kryeshtetarësh…kaq shpenzimesh në kohë ngërçi e krize të dy vendeve.
Dy rreshta të një refreni kaq të kënduar nga kori shtetror i dy vendeve janë bërë tash prej vitesh kaq të lëçitur në medien elektronike dhe të shkruar sa edhe fëmijët e presin me gojë hapur e trup të drithëruar.
Për rreshtin e parë, për detin, historia e së cilës shkoi deri në Gjykatën Kushtetuese… nuk po zmerrem, thjesht sepse historia e tij është zgjatur e bërë tërkuzë leshdhie. Për të edhe këtë rradhë u tha si gjithnjë…do të zgjidhet sipas rregullave ndërkombëtare !
Pë rreshtin e dytë, toponimet, nuk do të desha të them më shumë se kam thënë në një letër drejtuar Avokatit të Popullit dhe në një dyzinë shkrimesh në faqe gazetash të shkruara e gazetash iterneti.
“Do punojmë shumë shpejt e në mënyrë produktive, deklaroi Venizelosi, Ministër i Punëve të Jashtme dhe zevendëskryeministër i Republikës së Greqisë, që t’iu japim zgjidhje problemeve që kanë lidhje me njerëzit dhe me lëvizjen e tyre të lirë. Me kënaqësi vura re deklaratën e z.Bushati, se në cështje të tilla si ajo e Toponimeve, nuk ka dimension politik dhe asnjë paragjykim, por ka një respekt të plotë, sa i përket sovranitetit territorial dhe marrëdhënieve dypalëshe. Pra kemi një bazë të shëndoshë politike, mbi të cilën mund të zgjidhim këtë problem teknik, sipas praktikave ndërkombëtare”,
Ndërsa Bushati, Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë tha: “Kemi gjetur rrugën e përbashkët në parim për të konsoliduar çështjen e toponimeve si një çështje të karakterit të qartë teknik dhe si një çështje që sa na takon, do të adresohet në përputhje me standardet ndërkombëtare të aplikueshme në këtë fushë.”
Në zgjidhjen e problemit të toponimeve që ka dënuar me qëndrime në dëborë dhe akull në Kakavi e Kapshticë, fëmijë e prindër, të dy politikanët pranojnë se …“Nuk ka dimension politik dhe asnjë paragjykim…dhe se… kemi një bazë të shëndoshë politike, mbi të cilën mund të zgjidhim këtë problem teknik, sipas praktikave ndërkombëtare” (Venizelos)
“Kemi gjetur rrugën e përbashkët në parim për të konsoliduar çështjen e toponimeve si një çështje të karakterit të qartë teknik dhe si një çështje që sa na takon, do të adresohet në përputhje me standardet ndërkombëtare të aplikueshme në këtë fushë” (Bushati)
E thënë në shqipen e thjeshtë të një fëmije e gjithë drama e vogëlueshve tanë në kalimet kufitare na qenka “problem teknik”.
Pak kohë më parë Avokati i Popullit Shqiptar Totozani, në një debat televiziv i ka rekomanduar Ministrisë së Jashtme të ndërhryjë nëpërmjet një marrëveshje për të konsideruar të vlefshme pasaportat, deri sa atyre t’u mbarojë afati i perdorimit ose në të kundërt nëse do të duhet të bëhen pasaporta të reja shteti shqiptar të paguajë koston.
“Çfarë janë pasaporta të bëra deri më sot me këto probleme dhe defekte, ne i kemi propozuar shtetit shqiptar, thekson z. Totozani, që të gjendet gjuha e përbashkët me republikën greke, që të vazhdojnë të jenë të vlefshme deri në ditën e mbarimit të afatit të tyre. Në rast të kundërt kostot për pasaportat e reja duhet t’i mbajë shteti shqiptar”
Avokati i Popullit në debatin televiziv thekson se pasaporta shqiptare përmban edhe gabime të tjera përveç toponimeve, pasi nuk janë të plotësuara në anglisht të gjitha rubrikat e saj, ndërkohë që mungojnë germat ë dhe ç.
Lidhur me pretendimin e Qeverise greke, Totozani shpjegon se në qershor 2011 i është dërguar një notë verbale Ministrisë së Jashtme shqiptare nga pala greke, me propozimin për emërtimet gjeografike, për të cilën nuk i është kthyer përgjigje.
Më tej Avokati i Popullit vazhdon: “Ekziston një strukturë në Kombet e Bashkuara që quhet Grupi i Ekspertëve Ndërkombëtarë për Toponimet, tek të cilët çdo shtet dërgon toponimet e tij në gjuhën ndërkombëtare. Eshtë një e drejtë që parashikohet në aktet ndërkombëtare. Ata kanë dorëzuar në qershor 2011 një notë verbale, që kanë vendosur propozimet e tyre për të gjitha emërtesat gjeografike greke, ndaj të cilës duhet të ishte mbajtur një qëndrim nga Ministria e Jashtme. Nga sa kam informacion ato ishin emërtesa në gjuhë ndërkombëtare, në anglisht”
Ajo që ministrat Venizelos dhe Bushati zbuluan javën e shkuar në deklaratat e tyre publike “si një çështje të karakterit të qartë teknik” është e lidhur me përgjegjësinë e qeverisjes Berisha dje dhe të qeverisjes Rama sot, me analfabetizmin e administratës shqiptare që nuk din të shkruaj shqip:
1. Pasaportat shqiptare sipas kërkesave të saj në dy gjuhë, në shqip dhe anglisht, vendlindja/place of birth Athinë/Athens…
2. Pasaporta shqiptre me të 36 germat e Kongresit të Manastirit edhe me Ë dhe Ç. Në pasaportë shkruhet KOCOVE në vend të KUÇOVË. KORCE në vend të KORÇË…
3. Janë me mijëra raste që shqiptarët mërgimtarë u janë drejtuar gjendjeve civile të vendit, me para në dorë, për të ndryshuar germa të emrit dhe mbiemrit të tyre që në përbërje kanë germat e gjuhës shqipe me Ç dhe Ë…
4. Ministri ynë Bushati duhet të deklaronte (dhe të deklarojë pa vonesë) që të tërhiqen pasaportat e fëmijëve që kanë lindur në Greqi dhe të ribëhen “në përputhje me standardet ndërkombëtare të aplikueshme në këtë fushë” dhe “kostot për pasaportat e reja… t’i mbajë shteti shqiptar”
Kjo është rruga e nderit e një shteti dhe vendi që nderon e respekton vetveten.
Abdurahim Ashiku
Athinë, 25 shkurt 2014