*Propozim surprizë i Kryeparlamentarit Ilir Meta: Më 21 korrik të miratojmë reformën me konsensus. Më pas qeveri teknike dhe zgjedhje/
*Ambasadori Lu dhe Ambasadorja Romana Vlahutin pranojne ftesen e Ilir Metes per te Henen/
Sot, në orën 12: 15 Kryetari i Kuvendit Ilir Meta doli në një deklaratë për median duke kërkuar domosdoshmërisht miratimin me konsensus të reformës në drejtësi më 21 korrik. Më pas shpërndarjen e Kuvendit, ngritjen e një qeverie teknike që do të përgatisë zgjedhjet e parakohshme.
Zoti Meta i cili mban dhe postin e kreut të LSI-së tha se vendi rrezikon të kthehet në një burim destabiliteti nëse nuk miratohet me konsensus reforma në drejtësi. “Shqipëria nuk duhet të shndërrohet në Maqedoni”
Meta: Absolutisht miratimi i kësaj reforme është i domosdoshëm dhe duke e parë se mosbesimi është kaq shqetësues i lodhshëm dhe i rrezikshëm për të ardhmen jam i bindur se rruga më e mirë do të jetë ndërtimi i një qeverie ekspertësh e cila pas miratimit të reformës e çon vendin në zgjedhje demokratike dhe të pakontestuara nga askush.
Unë personalisht jam gati që për hir të këtij kompromisi të jap dorëheqjen nga ky moment nga kryetar i parlamentit nëse i shërben kompromisit. Ministrat e forcës politike që unë përfaqësoj të bëjnë të njëjtën gjë në mënyrën që ne të detoksikojmë këtë klimë helmuese të egër e të papranueshme”
Meta: Ky është një parlament që ka probleme
“Dekriminalizimi është një proces që i ka kushtuar shumë imazhit të vendit tonë për shkak të atyre që futën nëpër lista njerëz që nuk kontrollojnë vendin në Kuvendin e Shqipërisë dhe për shkak të një retorike të papërgjegjshme. Të mos harrojmë se disa deputetë kanë humbur mandatet, disa të tjerë kanë procese gjyqësore të tjerë mund të preken në të ardhmen, përfshi dhe Ilir Metës a Petrit Vasilit, dhe ne nuk mund ti lëmë një njollë Shqipërisë që Kushtetuta u bë me 94 apo me 95 vota, u bë me votën e këtij deputeti që ka këtë proces gjyqësor apo atë proces tjetër me drejtësinë. Ky është momenti i së vërtetës. Secili prej nesh të marrë përgjegjësinë. Nuk është më tani, nuk duan ata 2 të mëdhenjtë, nuk është më kjo zgjidhje. Absolutisht. Nuk është momenti për tu përgatitur se po kaloi mirë, po skaloi do të bëjë njëri mocion mosbesimi, tjetri mociobesimi e kështu. Kështu do bëhet Kushtetuta e Shqipërisë? Ky është një turp i madh për të gjithë ne, dhe e vetmja mënyrë për ta shlyer këtë turp, që nga dekriminalizimi që nga çdo tjetër, korrupsioni, ndikimi politik tek drejtësia është kjo: Të mbyllemi të pestë që jemi marrë më shumë këtu në parlamentin e Shqipërisë e të japim një zgjidhje përndryshe secili nga ne të iki nuk ka punë as me politikën as me diplomacinë. Eksperimente me të ardhmen e shqiptarëve nuk pranoj ta bëjë askush”
Meta: Pas miratimit të reformës parlamenti të shpërndahet
“Opozita është e Shqipërisë është garanci për Shqipëri. Ajo që i takon opozitës duhet ta marrë. Ftoj të bëjmë këtë veprim të japim një zgjidhje se lamë nam me dekriminalizimin. Nuk ngeli njeri në botë pa e marrë vesh a thuajse në parlamentin e Shqipërisë ka vetëm kriminelë. Ky do të ishte momenti më i rëndësishëm për këtë parlament që të mbahet mend për mirë, votoi reformën në drejtësi dhe u shpërnda dhe më pas kemi mundësi të gjithë kryetarët të shohim listat dhe të respektojmë kriteret e dekriminalizimit“
Meta: Miratimi i reformes i vetmi moment dinjitoz i parlamentit
“Ky parlament vetëm këtë moment dinjitoz mund të ketë, të miratojë reformën në drejtësi dhe të shkojë në zgjedhje të reja dhe dinjitetin e drejtësisë së ardhshme që duhet të prodhojë garanci dhe siguri jo vetëm për sistemin demokratik por për të gjithë qytetarët shqiptarë. Nuk bëjmë reformë për politikanët, për politikanët kemi prokurori dhe gjykata speciale që do i bëjmë më pas. Është më shumë se kaq. Kemi të bëjmë me të ardhmen e Shqipërisë për 30 vjet.”
Ngujohemi ne Kuvend per zgjidhje: Une- Rama-Basha-Lu dhe Vlahutin
Meta propozon një takim të përbashkët në Kuvend ku të jetë ai, Basha, Rama dhe ambasadori Lu e Vlahutin. “Nëse ne të pestë nuk gjejmë zgjidhje, secili të ikë. Të mos dalim nga Kuvendi e të mbyllemi përgjithmonë këtu”
Ilir Meta: “Propozimi im është ky: Të takohemi të pestë. Unë si krytar parlamenti, dy kryetarët e forca kryesore politike që kanë përgjegjësi para popullit. Dy ambasadorët e nderuar nëse kanë propozime të tjera janë të mirëpritur. Dhe të mos dalim e të mbyllemi përgjithmonë këtu nëse nuk japim zgjidhje dhe nuk votojmë ndryshimet kyushtetuese të enjten në orën 10:00. Seopse të gjithë kemi premtuar këtë gjë dhe të gjithë duhet të sakrifikojnë këtë gjë. Dhe për ti hequr kujtdo çdo lloj meraku”
Reforma ka rrezik te asfiksohet
Meta: ” Nuk më ka pëlqyer aspak mënyra se si ka filluar historia e reformës në drejtësi. Këtë ua kam bërë të ditur të gjithë aktorëve vendas dhe ndërkombëtar. Ja ku jemi, reforma që duhet të kalonte në pranverë ka rrezik të asfiksohet nga stina e vapës. Përpjekjet për të shpikur fajtor për mosgjetjen e konsensusit duhet të marrë fund.
“Edhe mua si Lu mu sos durimi” thotë Meta
“Shoh rrezikun serioz të dështimit të saj dhe maxhoranca aktuale nuk i ka këto vota, por dhe në rastin e miratimit të saj pa konsensusin e opozitës them me bindje të plotë se nëse mosmiratimi është hap prapa, miratimi në mënyrë të diskutueshme mund të hapë një situatë krejt të re për vendin e cila nuk do të jetë apo e forcimit të shtetit ligjor por përkundrazi mund të çelë një kapitull afatgjatë të mungesës së stabilitetit në vend. Shqipëria nuk duhet të shndërrohet në Maqedoni. Miratimi pa konsensus rrezikon të kthehet në një burim destabiliteti.
Meta e quajti situatë kritike dhe kjo është përpjekja e tij e fundit për miratimin e reformës
Meta: Ia kam thënë dhe Ramës dhe Bashës, që ia kam dhënë fjalën ndihmës sekretarit të shtetit se do të bëj çdo gjë për të kaluar reforma me konsensus dhe sipas Venecias dhe ai më ka kërkuar të bëj çdo përpjekje. Kjo është përpjekja ime e fundit.
Jam pak pa gjumë sepse vërtet kam menduar këto ditë se kjo është një situatë kritike sesi vendi për teka ka rrëshqitur për hiçgjë në kaos dhe destabilitet, dhe ne të majtëve na takon të jemi shumë të përgjegjshëm”
Meta: Reforma me konsensus, Shqipëria nuk duhet të ketë viktima pas 21 korrikut
Kam dëgjuar lloj historish, që kjo reformë bëhet për të futur në burg Sali Berishën dhe Ilir Metën, pse si keni dëgjuar ju këto?! Që Ilir Metës nuk i japin viza amerikanët, e shumë të tjera… E bëj unë burgun për të gjithë politikanët shqiptarë absolutisht dhe ku të kenë dëshirë dhe partnerët tanë, në Ëashington, në Alaskë apo Bruksel por nuk është kjo zgjidhja për Shqipërinë. Shqipëria nuk duhet të ketë sherr, viktima pas 21 korrikut. E dini ju që Ilir Metës i bënë gjoja dhe një skandal ta mbanin peng përmes një përgjimi dhe e dini si u orkestrua cdo gjë. Por Ilir Meta është një politikan i përgjegjshëm nuk është nga ata që bën presione as mbi prokurorinë dhe as mbi gjykatat. Sepse më ka kalitur Sali Berisha me drejtësinë që në mars, në verën e vitit 1993 kur isha i pari deputet i opozitës në atë kohë që më hoqi imunitetin dhe donte të më fuste në burg dhe më thërrisnin prokurorët, ik ti se do të të arrestojmë javën tjetër, dhe unë u thosha pse ta vonojmë një javë, çfarë problemi ka, kush ka frikë nga burgu. Po pse burgu politik do të trembë politikanët shqiptarë?! Kjo është për Shqipërinë për ti forcuar institucionet dhe jo personalizuar ata. Cfarë do të bëjmë eksperimente. Këtu votat e LSI-së janë por këtu kemi problemin e konsensusit, legjitimitetit, integritetit dhe të bëhet një proces demokratik.
Duket se Qeveria Rama eshte ne renie te lire…
***
Zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta për të zhvilluar një takim për gjetjen e kompromisit për reformën në drejtësi.
Ambasadorja Romana Vlahutin ka informuar kryeparlamentarin Meta se pranon ftesën për t’u bashkuar në diskutime gjatë ditës së hënë. Vlen për t’u theksuar se në deklaratën e BE-së thuhet se i gjithë pushteti vendimmarrës tek Vetingu duhet të qëndrojë me autoritetet shqiptare.
Ndërkohë, edhe ambasadori Donald Lu tha se pranon ftesën e kryeparlamentarit Meta për të diskutuar, siç thekson si për diskutimin e propozimit hibdrit për reformën në drejtësi.
Reagimi i ambasadës së SHBA: Ambasadori Lu ka informuar Kryetarin e Parlamentit Z. Meta se e pranon ftesën e tij për t’iu bashkuar diskutimeve ditën e hënë, duke nënkuptuar se këto diskutime do bazohen mbi propozimin hibrid. Më 10 korrik, si qeveria ashtu edhe opozita u angazhuan përpara Ambasadores Nuland se negociatat e ardhshme do të bazoheshin vetëm mbi propozimin hibrid, i cili vë në zbatim plotësisht paragrafin 88 të Komisionit të Venecias dhe ka mbështetjen e OPDAT dhe EURALIUS.
Deklarata e plotë e ambasadës së BE-së: Ambasadorja e Bashkimit Evropian e informoi Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta, se BE e pranon ftesën e tij për t’iu bashkuar diskutimeve ditën e hënë, në rast se të gjitha partitë bien dakord, me mirëkuptimin se këto diskutime do të bazohen tek propozimi hibrid.
Ambasadorja është e gatshme të ofrojë pikëpamjet e BE-së rreth propozimit dhe përputhshmërisë së plotë të rolit të parashikuar për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit me Opinionin e Komisionit të Venecias, si edhe me qëndrimin afatgjatë të BE-së dhe SHBA-ve se i gjithë pushteti vendimmarres duhet të qëndrojë me autoritetet shqiptare.
Bashkimi Evropian ka mbështetur dhe lehtësuar si punën e ekspertëve, ashtu edhe negociatat politike për reformën nënë drejtësi që prej fillimit, për arsye se kjo reformë jo vetëm që kërkohet nga qytetarët shqiptarë, por edhe përbën një parakusht thelbësor për hapat e mëtejshëm të Shqipërisë për integrimin në BE.
Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë të japim asistencën tonë me anën e po ketij roli edhe në të ardhmen. Megjithatë, është e qartë që përgjegjësia për këtë reformë është e autoriteteve shqiptare.