• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mjerimi i vetëdijes historike

September 21, 2016 by dgreca

Nga Alfons Grishaj/

Bota e qytetëruar përpiqet që historinë ta sjellë sa më reale, mbështetur në një aparot të mirëfilltë shkencor, pa ngarkesa emocionale e romantizma, pa hiperbolizma e fanatizma, pa subjektivizma krahinorë e pa hamendësime ideologjike.

Historia, është çmimi i kujtesës që ndrit të shkuarën, programon të tashmen dhe  tërheq vëmendjen e shoqërisë drejt së ardhmes. Gjatë viteve të komunizmit jemi lodhur me gënjeshtrat e neveritshme të një armate historianësh të pandërgjegjshëm, të cilët vunë në funksion të diktaturës, gjithë energjitë e tyre, sa sot i gjithë opinioni e pohon nevojën për ta rishkruar historinë nga e para, edhe pse ka ende zëra që thonë se “edhe një retushim do të ishte i mjaftueshëm”, propozime që vjen kryesisht nga ata të cilët, e kanë të vështirë të shohin përmbysjen e tezave të tyre pseudoshkencore.

Shkrimtari dhe mendimtari anglez , George Orwell, shkruan : “Rruga më efektive për të shkatërruar njerëzit është dënimi dhe fshirja e kuptimit të historisë tyre!”.

Fshirja e kuptimit të historisë i pat dhënë dhe vazhdon t’i japë efektet e veta edhe në në periudhën postkomuniste. Konfuzioni dhe çorientimi i klasës politike është vetëm njëra nga dëshmitë e shumta e kësaj pasoje. Dëmi tjetër dëshmohet nga fakti se rëndom pranohet një nivel i ulët kulturor, që është dukshëm i pamjaftueshëm për sfidat historike të shekullit të parë të mijëvjeçarit të tretë. Vetëm një grup i vogël studiuesish konseguentë, si dhe puna tejet e vështirë që menaxhon Instituti i Studimit të Krimeve të Diktaturës, ka dhënë disa fryte vërtet të dobishme lidhur me ndriçimin e periudhës së komunizmit në Shqipëri. Krahas tyre janë për t’u shënuar  edhe botime me kujtime apo ditarë të ish të vuajturve dhe familjareve të tyre, të cilat edhe kur nuk japin të dhëna që i shërbejnë çështjeve madhore historike, prapëseprapë, ato vlejnë sepse dokumentojnë shkallën e lartë të terrorit dhe krimit shtetëror. Historianë  e studiues si Uran Butka, Kolec Topalli, Romeo  Gurakuqi etj, kanë shkruar studime e monografi të rëndësishme për ngjarjet kryesore të historisë së dekadave të pushtetit komunist. Rrugëtimi i tyre ka ndeshur dhe ndesh shpesh në ato vështirësi që lidhen me dokumentacionin që sot gjindet i shkapërdarë në xhunglat arkivore të shtetit, të cilat, sidomos në lidhje me të përndjekurit politik apo klasën e të përmbysurve, siç e quhej dikur, deri në 1991, ruheshin të plota madje me indekse të gatshme për t’u përdorur edhe në raste urgjente. Kuptohet që veprat e këtyre studiuesve, mund të mos jenë të mirëpritura nga grupi i historianëve të tezave të historigrafisë totalitariste, por a janë ato burim referimi, për ata të cilët, të paktën për trashëgimi, duhet t’i kishin lexuar këto vepra qoftë edhe për hir të unitetit kulturor?! Mjerisht, duket se jo.

Lexova së fundi dy shkrime të njëpasnjëshme për “Kryengritjen e Postribës”, si “kryengritja e parë” antikomuniste në Shqipëri. Nderim për të martirët Kryengritjes së Postrribës, të cilët, i dëshmuan botës jo vetëm trimërinë legjendare, por edhe vetdijen e lartë politike, duke kërkuar demokraci, kur e gjithë Europa lindore ishte zhytur nën terrin e komunizmit. Por ajo nuk është kryengritja e parë. Tetëmbëdhjetë muaj më parë, në Malësinë e Madhe, më saktë në aksin Shkrel-Kastrat-Këlmend, në harkun kohor janar – shkurt 1945, është zhvilluar kryengritja antikomuniste e Malësisë, ndërkohë që rezistenca kreshnike e kësaj treve ndaj forcave të ndjekjes, ka zgjatur deri në pranverën e vitit 1946. Unë nuk mund ta kuptoj se si antikomunistët në vitin 2016 të shfaqen përtej një uniteti kulturor me dy apo tri histori që kundërthonë rendin kronologjik të ngjarjeve. Këtë gjë, unë nuk mund ta konsideroj ndryshe veçse shprehje të mjerimit të vetdijes historike.

Fatmirësisht, gjatë lëvizjes demokratike për përmbysjen e komunizmit dhe instalimin e demokracisë në Shqipëri, kam njohur mjaft nga pjestarët e familjeve të Kryengritjes së Postrribës, me të cilët kam pasur nderin të bashkëpunoj për të njëjtat ideale. Duke qenë dhe unë me prejardhje nga e njëjta shtresë, kam ndarë vazhdimisht me miqtë nga Postrriba të njëjtën ndjeshmëri dhe të njëjtin respekt për vlerat e përbashkëta.

Kemi folur për dy lëvizjet e asaj kohe, të “Kryengritjes së Malësisë së Madhe” dhe “Kryengritjes së Postrribës”. U kam shpjeguar për luftën antikomuniste të Malësisë së Madhe të vitit 1945, për rezistencën dhe terrorin, për qindra të pushkatuar, për burgosjet,  për shtëpitë e djegura dhe të plaçkitura, për internimet e panumërta në kampet famëkeqe. Pinjollët e familjeve të patriotëve të Postrribës më patën treguar se si dhe familjet e tyre ishin ngritur në vitin 1946 duke marshuar me armë në dorë kundër komunistëve në Shkodër, mjerisht duke pësuar të njëjtin fat si kryengritësit e Malësisë së Madhe. Bisedonim për kohën e shkuar por dhe për ditët që ne ishim protagonistë, e natyrisht për një të ardhme më të mirë, për një të ardhme ashtu siç e kishin dëshiruar dhe ëndërruar edhe të parët tanë. Nuk  rrihnim gjoksin, se kush ishin të parët e kush të dytët. Ishim pjesë e së njëjtës njësi vlerash, dhe ndjenim edhe përgjegjësinë për ta ruajtur atë unitet.

Në mos gabohem, me 9 Janar të Vitit 1991, në mitingun që organizoi PD në  Bajzë, Dodë Kaçaj,  lartësoi  pas 46 vjetësh, të gjithë  emrat e nacionalistëve të  Malësisë së Madhe, që u pushkatuan, u burgosën dhe interrnuan. Shtypi i PP-së volli vrer ndaj mitingut dhe figurat e nacionalistëve i përdhosi edhe një herë si kuislingë e tradhtarë. Ai ishte mitingu i parë publik që lartësonte martirët e lirisë, ndërsa Enver Hoxha u krahasua me Hitlerin. Doda u kërcënua me vdekje, poashtu edhe Azem Hajdari, i cili në fjalën e tij sulmoi ashpër Ramiz Alinë. Të gjendur në atë atmosferë të vetdijes së lartë politike, besonim dhe shpresonim shumë, ndoshta edhe sepse jehona e ngjarjeve të mëdha historike ishte në kulmin e vitalitetit të vet.

Më vonë,  pinjolli i familjes së madhe patriotike  Butka, Uran Butka, trokiti derë me derë për të ndriçuar këtë histori të varrosur nga diktatura. Ai nuk u lodh kurrë duke pyetur dëshmitarët e mbijetuar të asaj kohe dhe duke gërmuar arkivat e Ministrisë së Brendshme, realizoi një vepër monumentale historike: “Kryengritjet e Para Kundërkomuniste”. Kjo vepër madhore na ka dhënë tablonë e ngjarjeve në dimensionet e tyre historike, shkaqet dhe rrethanat në të cilat linden kryengritjet, pasojat e shtypjeve të tyre, jo vetëm në planin lokal e individual por si humbje mbarëshoqërore. Vepra e Butkës nuk ka në faqet e veta asgjë për t’u kontestuar. Sigurisht, ajo mund të pasurohet me daljen në dritë të dokumenteve të reja, por esencialja, ajo që shërben për ta përcjellur mesazhin historik tek lexuesit është dhënë, dhe për këtë, përveç lëvdatave, autorit i duhet dhënë respekti maksimal duke ia lexuar veprën me mirënjohje, dhe jo duke ia injoruar atë, siç u bë me apo pa dashje në shkrimet e fundit

Me veprën e tij “Kryengritjet e para antikomuniste në Shqipëri”,  Z. Butka bëri që psudohistorianët të turpëroheshin duke u bërë dëshmitarë të përmbysjes së tezave të tyre. Butka na ofroi krahas veprës edhe modelin e historianit modern. I tillë nuk është thjesht ai që mbaron shkollën për histori, por cilido studiues, që duke u mbështetur në metoda rigorizisht shkencore, gjurmon të vërtetat historike dhe i pasqyron me vërtetësi ato. Vetë historiografia botërore na ka dhënë shembuj të shkëlqyer të këtij modeli. Por ne s’kemi pse shkojmë larg. Shqiptarët,  “Historinë e Skënderbeut”,  e mësuan nga një prift shkodran, Marin Barleti, i cili duke iu qasur humanizmit, u bë ndër humanistët më të rëndësishëm të kohës! E pra, me Barletin shënohet edhe lindja e historiografisë shqiptare.

Çka ndodhi me shkrimet për Kryengritjen e Postrribës e natyrisht edhe me fjalimet e mbajtura me rastin përkujtimor, i shkon për shtat më së miri atyre që shohin në këtë diskordancë kulturore mungesën kohezionit dhe të vitalitetit të vetdijes historike, e po ashtu fragmentarizmin, krahinorizmin dhe egoizmin në rradhët e shtresës së ish të përndjekurve politikë. Mjerisht këto gabime janë bërë edhe nga përfaqësuesit e subjekteve politike të qendrës së djathtë!

E vërteta është se, “Kryengritja e Postrribës” nisi një vit e tetë muaj pas “Kryengritjes Malësisë Madhe”. Malet e Malësisë së Madhe me në krye Kelmendin luftuan me javë (!) kundër Briagadave  I, XXIII, XXIV *. Vlen për t’u theksuar se Brigadat e komunistëve në shtypjen e kësaj kryengritjeje u mbështetën  dhe nga ushtria Jugosllave! Pra, Internacionalizmi Proletar, kundër Nacionalizmit Shqiptar! Ky ishte definicioni i asaj lufte. Ka pasur përpjekje për ta ndryshuar këtë definicion, duke e quajtur si luftë vëllavrasëse. Nuk është bërë pa qëllim. Të fshihen fajtorët. Komunizmi dhe  Nacionalizimi nuk kanë asgjë të përbashkët vëllazërore.

Nacionalizmi dhe Komunizmi janë dy teori  të ndryshme si në filozofi dhe praktikë.  Komunizmi nuk ka atdhe! Beson në internacionalizëm proletar, nuk njeh  besimin në Zot dhe pronën private …, Nacionalizmi ka atdhe, beson dhe mbron vlerat e veta, të popullit të vet, ruan  pronën dhe besimin si vlera të çmuara të civilizimit dhe identitetit kombëtar.

Dhe pse  kanë kaluar disa vite dhe të vërtetat janë shtjelluar si në bazë të arkivave të diktaturës, apo dhe dëshmive të të mbijetuarve, bëhen të njëjtat gabime. Injorimi i fakteve dhe të vërtetave historike, me termin më të butë mund të quhet diletantizëm. Dhe këtu lind përsëri një problem identiteti.  Diletantizmi nuk është tipar i forcave të djathta. Mos ndoshta e djathta shqiptare ka nevojë për një skanim multidimensional të vetvetes, aq për më tepër kur dëshmon tashmë hapur se nuk e njeh as historinë e vet?!  Si lejohet që diletantizmi të shndërrohet në modus vivendi tek e djathta pse përvoja historike na mëson se me diletantizëm nuk mund shkohet përpara. Shkenca e historisë nuk është laropitë*.

Amerikanët kanë një frazë  të bukur : “Enough is enough!”  që shqipërohet, “Nuk do të tolerohet më”!

Nuk do t’u bëj analizë shkrimeve të fundit e as fjalimeve të mbajtura në Përkujtimoren e Lëvizjes së Postrribës. Nëse do ta bëja veç do të përsërisja ato që ka shkruar për mrekulli Z. Butka. Unë e kam lexuar veprën e tij dhe u them të gjithëve që duan vërtet të respektojnë gjakun e martirëve: lexojini të vërtetat ashtu siç e kërkon detyrimi ndaj veprës dhe gjakut të martirëve. Ruani unitetin kulturor të shtresës së cilës i përkisni. Bëjeni këtë edhe duke respektuar veprat e historianëve seriozë, lexojini ata që të kuptoni edhe madhështinë e veprës së martirëve të demokracisë. Ata nuk luftuan për të parë as për të dytë, ata luftuan për një kauzë, të cilën ne  akoma sot e kësaj dite nuk jemi në gjendje ta vlerësojmë si sakrificë sublime, por lurtojmë artificialisht sedra private e lokale në mënyrë të dëmshme. Një lexim i keq i historisë e akoma më keq mosleximi i saj s’ është tjetër veçse shenjë e mjerimit të vetëdijes historike. Datat janë data, faktet janë fakte, dhe ato në histori nuk lexohen së prapthi!

  • Butka, “Kryengritjet e Para Kundërkomuniste” F,116.
  • Laropitë = Lloj lakrori që bëhet me miell misri dhe me barishte të ndryshme të përziera me djathë.

 

Filed Under: Histori Tagged With: alfons Grishaj, Mjerim, vetedije historike

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT