-“Kur e shoh këtë pjesë të Evropës, përkatësisht Ballkanin, e në veçanti Kosovën, më lejoni të theksoj se unë e shoh të ardhmen e Evropës dhe të Unionit Evropian”, ka thënë sot në Prishtinë Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, duke shtuar se Unioni ka të bëjë me paqen dhe stabilitetin dhe se është duke punuar së bashku për pajtimin dhe paqen e vërtetë që duhet të arrihet në Ballkan/
-Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian Mogherini tha se është e lumtur që sot ndan festën me qytetarët e Kosovës për rekomandimin nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave/
Nga korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI, Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 5 Maj 2016/ Kosova është Evropë dhe ajo çka jemi duke punuar ne është integrimi në Bashkimin Evropian, hap pas hapi.
Kështu tha sot në Prishtinë Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, pas takimit së bashku me Komisionerin për Migracion, Punë të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopulos, me kryeministrin Isa Mustafa, gjatë të cilit u diskutua për proceset eurointegruese të Kosovës, një ditë pasi Komisioni Evropian propozoi heqjen e vizave për qytetarët kosovarë
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian Mogherini tha se është e lumtur që sot ndan festën me qytetarët e Kosovës për rekomandimin nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave.
MUSTAFA: INTEGRIMI NË BE VLERË DREJTUESE PËR SHOQËRINË KOSOVARE
Pas një dreke pune, kryeministri Isa Mustafa dhe dy mysafirët kanë mbajtur një konferencë shtypi. Kryeministri Mustafa tha se gjatë takimit është biseduar për propozimin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave, për proceset tjera integruese të Kosovës, për përkushtimin në luftë kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe ekstremizmit të dhunshëm terrorizmit, për dialogun si dhe për fuqizimin e mëtejshëm të Kosovës.
“Konstatuam se e ardhmja Kosovës është në gjirin e familjes së madhe evropiane, se populli i Kosovës është i përkushtuar për vlerat perëndimore evropiane, se kosovarët e shohin Evropën si shtëpinë e tyre të përbashkët me të gjithë evropianët e tjerë”, tha kryeministri.
Sa i takon liberalizimit të vizave, kryeministri Mustafa tha se vendimi i Komisionit Evropian është një e arritur e madhe e bazuar në përmbushjen e kritereve nga ana e Kosovës dhe gatishmërinë e BE-së për ta vlerësuar këtë përmbushje.
“Ky vendim historik për neve përfundimisht e nxjerrë Kosovën nga izolimi, i hap perspektivë të fuqishme politike dhe ekonomike dhe së bashku me Marrëveshjen për Stabilizim Asociim krijon një ambient shumë më pozitiv për progres në alternativën tonë të vetme që është alternativa evropiane. Po ashtu, theksuam se liberalizimi i vizave kërkon që çdo qytetar i Kosovës të respektojë me përpikëri maksimale modalitetet e lëvizjes në Zonën Schengen”, tha kryeministri.
Mustafa, po ashtu, ka shprehur përkushtimin e Kosovës për t’i forcuar marrëdhëniet me shtetet fqinje, si faktor paqeje dhe stabiliteti duke përfshirë edhe vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Por, kryeministri Mustafa ka kërkuar që Serbia të heq dorë nga pengesat që po i bën Kosovës, në kundërshtim me dialogun e Brukselit, duke u përpjekur që ta bllokoj anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Integrimi në Bashkimin Evropian është vlerë drejtuese për shoqërinë kosovare. Kosova ka nevojë për Evropën por edhe Evropa do të jetë më e plotë me Kosovën”, ka thënë kryeministri Mustafa.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Politikave të Sigurisë, Federica Mogherini, tha se rekomandimi për heqjen e vizave është rezultat i një pune shumë të madhe dhe të përbashkët.
“Kemi bërë një hap shumë të rëndësishëm përpara. E di që ka qenë i shumëpritur nga kosovarët dhe do të ketë impakte pozitive në jetën e përditshme dhe në sferën politike. Kjo do të thotë se Kosova është Evropë dhe në atë çka jemi duke punuar ne është integrimi evropian i Kosovës në BE, hap pas hapi”, tha Mogherini.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së ka theksuar se Kosova ka perspektivë evropiane duke uruar edhe për suksesin në UEFA dhe të arriturat tjera.
Mogherini, po ashtu, ka thënë se liberalizimi i vizave i ka përmbushur aspirata dhe ëndrrat e qytetarëve të Kosovës për të lëvizur lirshëm në Evropë.
Sa i takon dialogut në Bruksel, Mogherini theksoi rëndësinë e implementimit të marrëveshjeve të cilat janë nënshkruar, të cilat, siç u shpreh ajo, janë shumë të rëndësishme për Kosovën, për Bashkimin Evropian dhe për rajonin.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, ka përgëzuar qytetarët e Kosovës duke theksuar se duhet të punohet edhe më shumë së bashku në rezultatet që do vijnë.
“Idealet dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar BE-ja janë ende gjallë, të rëndësishme për shumë evropianë brenda dhe jashtë Bashkimit Evropian, posaçërisht për gjeneratat e reja dhe kemi obligime ndaj tyre”, tha Mogherini.
Komisioneri për Migracion, Punë të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos, vlerësoi lartë dy sukseset e fundit të Kosovës, pranimin në UEFA-në dhe rekomandimin për liberalizimin e vizave.
“Jemi këtu të ndajmë këtë gëzim me ju si evropianë, pjesë e të cilës do të jeni edhe ju. Kosova është pjesë e familjes evropiane”, tha Avramopoulos, duke theksuar se në të ardhmen do të ketë rezultate tjera pozitive në fushën e përafrimit të Kosovës me BE-në.
Komisioneri Dimitris Avramopoulos tha po ashtu se Kosova ka bërë progres të theksuar dhe se propozimi i Komisionit Evropian është rezultat direkt i punës së madhe dhe përpjekjeve të suksesshme të autoriteteve të Kosovës për të arritur progres në fushat të cilat janë përcaktuar.
“Kosova i ka përmbushur të gjitha parakushtet për liberalizimin e vizave dhe e kuptojmë gjithsesi se deri në ditën e aprovimit të këtij propozimi nga Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian, Kosova do të ratifikojë Marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi dhe do të vazhdojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha Avramopoulos, duke folur edhe për impaktin që do të ketë liberalizimi i vizave për kosovarët.
Komisioneri Avramopoulos, po ashtu, u shpreh se lëvizja e lirë duhet të shoqërohet edhe me disa obligime dhe se tani do të fillohet me kampanjën për të mos lejuar abuzimin me lëvizjen pa viza.
Mogherini e Avramopulos zhvilluan edhe takimin me Presidentin Hashim Thaçi dhe u nisën drejt takimit me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, pas të cilit u pritën dhe u përshëndetën edhe me duartrokitje në seancën solemne.
THAÇI: KOHA TË FESTOJMË, POR EDHE TË MENDOJMË PËR PËRGJEGJËSITË TONA
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pasi falënderoi përfaqësuesen e BE-së për këtë vizitë të menjëhershme pas rekomandimit për liberalizimin e vizave, tha se sot jemi së bashku për të dhënë mesazhe të qarta të përgjegjësive tashmë evropiane të Kosovës.
“Është një momentum i ri për Kosovën në këtë kohë kur kemi tejkaluar situata të pakëndshme politike. Tanimë kemi një stabilitet, një funksionim normal të institucioneve dhe natyrisht se, pas fuqizimit të MSA-së, do t’i marrim përgjegjësitë edhe sa i përket rekomandimit për liberalizimin e vizave. Është kënaqësi për ne që të jemi në fund pjesë edhe zyrtarisht e gjeografisë politike evropiane”, tha presidenti Thaçi.
Ai theksoi se progresi i Kosovës është jashtëzakonisht i madh dhe kritere të rëndësishme edhe për rekomandimin për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian, kanë qenë përpjekjet dhe puna e suksesshme në luftë kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, nga institucionet e vendit së bashku me EULEX-in.
“Tani mund të festojmë, por edhe duhet të mendojmë për përgjegjësitë tona. Jemi të vetëdijshëm se duhet të bëjmë edhe më tepër dhe do të bëjmë”, ka shtuar presidenti Thaçi.
Ndërsa, përfaqësuesja e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, tha se kjo është më të vërtetë një javë e lumtur, por tani nuk është koha vetëm për të festuar, por edhe për të shikuar përpara.
“Ishte shumë e rëndësishme për mua ta zhvilloja këtë takim me presidentin, sepse ky është momenti kur Kosova duhet të bashkohet rreth agjendës evropiane. Kur vendi arrin të bashkohet në përgjegjësitë institucionale, atëherë arrihen rezultate për qytetarët e tij”, tha Mogherini, duke shtuar se beson që gjatë mandatit të saj “do të shohim hapa të rëndësishëm pozitivë të shteteve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, ku në mesin e tyre është edhe Kosova”.
Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, theksoi se për BE-në është shumë i rëndësishëm edhe zbatimi i të gjitha marrëveshjeve me Serbinë.
Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, presidenti Thaçi tha se na pret edhe shumë punë, por si parakusht gjithsesi që është implementimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani, por edhe i përgjegjësive që dalin nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili obligon institucionet e Kosovës të themelojnë edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
VESELI: INTEGRIMI EVROPIAN ËSHTË PRIORITET KOMBËTAR I KOSOVËS
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, me Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, diskutuan zhvillimet e fundit në raportet mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Mogherini theksoi se Bashkimi Evropian mbetet tërësisht i përkushtuar për të ndihmuar rrugën evropiane të Kosovës, në të gjitha proceset dhe hapat e saj. Duke vlerësuar punën e bërë nga institucionet e Kosovës Mogherini u shpreh se dhurata më e mirë që i është bërë sot në Kosovë ka qenë kur e ka parë të bashkuar të gjithë spektrin politik kosovar.
Kryetari Veseli duke falënderuar Mogherini për përkushtimin pozitiv të BE-së ndaj Kosovës, përkushtim që rezultoi me rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, theksoi se “integrimi evropian është prioritet kombëtar i Kosovës”.
“Ne do të mobilizojmë të gjitha kapacitetet dhe energjitë tona institucionale e njerëzore që Kosova të marrë vendin e saj të natyrshëm në Bashkimin Evropian”, shtoi Veseli.
MOGHERINI NË SEANCËN SOLEMNE TË KUVENDIT TË KOSOVËS: SOT E FESTOJMË FUQINË E UNITETIT
Adresimi i Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë /Zëvendës Presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ishte e vetmja pikë në axhendën e seancës solemne të Kuvendit, ku mori pjesë edhe opozita bashkë me maxhorancën.
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Politikave të Sigurisë, Federica Mogherini, duke falënderuar deputetët që këtu sot janë të bashkuar, ashtu siç jenë duke i treguar BE-së se kemi fuqi të bashkohemi.
“Secili prej nesh, me të gjitha dallimet tona qëndrojmë të bashkuar rreth axhendës evropiane dhe na mban në bashku. Sot e festojmë fuqinë e unitetit”, ka thënë ajo, duke pohuar se kjo mund të ofrojë ndryshim, që populli i Kosovës e dëshiron, duke shprehur besimin e saj se të gjithë kosovarët janë të vetëdijshëm për këtë.“Kjo është një ditë shumë e rëndësishme për Kosovën dhe popullin e saj. Nuk do t’i marr meritat për pranimin në UEFA, por dje megjithatë në Bruksel ia kemi arritur dhe kemi bërë një hap shumë të rëndësishëm dhe e tëra është bërë duke iu falënderuar punës së secilit prej jush që e ka bërë në bashkëpunim me neve”, ka theksuar Mogherini, duke shtuar se sot nuk është një ditë vetëm për festime, është një ditë kur duhet të shikojmë të ardhmen tonë të përbashkët.
“Fillojmë të planifikojmë punën që na pret. Para një muaji e njoftuam nënshkrimin e MSA-së mes Kosovës dhe BE-së, kurse dje BE-ja propozoi që të hapet zona e Shengenit për udhëtim pa viza për kosovarët. Këto hapa janë kuptimplotë për popullin tuaj, por, më lejoni të them shumë sinqerisht se këto janë kuptimplota edhe për bashkimin tonë”, ka thënë ajo, duke shtuar se këto arritje jemi duke i festuar, jo vetëm këtu, por edhe në BE.
Duke përkujtuar se të hënën do të festohet datëlindja e BE-së, Dita e Evropës, Mogherini ka pohuar se ka shumë që besojnë se nuk kemi arsye për të festuar në këto kohëra, sepse për herë të parë Unioni Evropian rrezikon që të ec prapa, në vend se të ecë përpara – drejt zgjerimit.
“Kur e shoh këtë pjesë të Evropës, përkatësisht Ballkanin, e në veçanti Kosovën, më lejoni të theksoj se unë e shoh të ardhmen e Evropës dhe të Unionit Evropian”, ka thënë përfaqësuesja e BE-së, duke shtuar se Unioni ka të bëjë me paqen dhe stabilitetin dhe se është duke punuar së bashku për pajtimin dhe paqen e vërtetë që duhet të arrihet në Ballkan.
“BE-ja, ka të bëjë me mirëqenien e njerëzve dhe kjo është shumë e qartë kur shohim punën që jemi duke bërë, por duhet të bëjmë edhe shumë për të promovuar rritjen ekonomike, për të luftuar korrupsionin dhe për t’i ofruar popullit mundësi më të mira për të arritur aspiratat e tyre , e sidomos të rinjve” , ka theksuar ajo duke u shprehur optimiste se me punën tonë të përbashkët, e shohim Evropën me potencialin e plotë që ka.
“Është e qartë se ne duhet të bëjmë shumë më tepër që të zhvillojmë ekonominë, ta luftojmë korrupsionin dhe njerëzve t’u afrojmë perspektivë më të mirë”, theksoi ajo.
“Mos e shpërfillni dhuratën që po ua jep Bashkimi Evropian. Më lejoni të premtoj se do të vazhdojmë që ta bëjmë Kosovën më të mirë”, ka theksuar Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, duke u zotuar se ky është përkushtim i saj e duke pohuar se propozimi për lëvizje të lirë në zonën e Shengenit është një dëshmi për punën e madhe të institucioneve të Kosovës.
Mogherini ka shtuar se dialogu Prishtinë-Beograd, nën lehtësimin e saj, ka arritur që ta bëjë jetën më të mirë të qytetarëve të Kosovës, prandaj nga ky dialog nuk duhet të ketë frikë askush. Ndërsa, duke folur lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i ka siguruar deputetët se në Kosovë nuk do të krijohet një qeveri paralele.
“Asociacioni i komunave do të fuqizojë dhe pasurojë Kosovën duke e lejuar komunitetin serb të integrohet në institucionet e Kosovës”, ka thënë Mogherini duke e theksuar prerë: “Kosova nuk duhet të bëhet Evropë. Kosova është Evropë!”.
Ajo ka thënë se në Kosovë sheh një rini evropiane, e sheh një inspirim te ata, si pas rënies së murit të Berlinit, kur gjenerata e saj gjithashtu ishin të rinj e duke i garantuar se Bashkimi Evropian ka nevojë për këtë rini.
Kryeparlamentari Veseli, duke i uruar deputetët dhe qytetarët e Kosovës për rekomandimin për liberalizimin e vizave dhe pranimin e Kosovës në UEFA,e ka përfunduar seancën e sotme solemne të Kuvendit të Kosovës me shprehjen e minatorëve:“Me fat!”.
Dy zyrtarët e lartë të BE-së mbërritën rreth mesditës në Prishtinë. Mogherini dhe Avramopulos janë pritur në Aeroportin e Prishtinës nga Përfaqësuesi i BE në Kosovë, Samuel Zhbogar dhe ministrja e Dialogut, Edita Tahiri, me përfaqësues të tjerë të qeverisë së Kosovës.
“Krenare me propozimin për liberalizimin e vizave për Kosovën”, ka shkruar Mogherini në tëitter dje duke paralajmëruar vizitën në Prishtinë “për të festuar dhe punuar për rrugën përpara”.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Mogherini është ndërmjetësuese e udhëheqëse e dialogut të nivelit të lartë kryeministror drejt normalizimit të marrëdhënieve Prishtinë-Beograd në Bruksel, ku janë zhvilluar 30 raunde. Ajo pason Baroneshën Catherine Ashton.
Takimi i parë kryeministror Kosovë-Serbi në Bruksel është zhvilluar në 19 tetor 2012, ndërsa raundi i fundit në 27 janar 2016.
This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy
Privacy Overview
This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.