Kosovë-Jahjaga: Një prej momenteve më kritike të demokracisë parlamentare, një përplasje e paparë brenda klasës politike/
Nga Fjalimi vjetor i Presidentes Atifete Jahjaga në Kuvendin e Kosovës:/
-Në këtë moment kritik për të ardhmen e Kosovës, a kemi nevojë për një thyerje të tillë? A është e mundur që njerëzit, të cilëve qytetarët e Kosovës ua besuan të bërit shtet, ta sfidojnë mu atë shtet për të cilin dikur sfiduan çdo frikë dhe bënë çdo sakrificë?/
– Shfrytëzoj rastin që të përgëzoj qytetarët e Kosovës që, me durimin dhe mençurinë e tyre, refuzuan të bëhen pjesë e kësaj përplasjeje dhe janë ngritur mbi të, duke bërë presion të vazhdueshëm te ju, te të zgjedhurit e tyre, që t’i lëni anash armiqësitë personale e konceptuale dhe t’i ktheheni dialogut me njëri-tjetrin./
-E fillova vitin duke i lutur qytetarët të mos e braktisin Kosovën dhe po e përmbyll këtë vit duke ju lutur ju, të nderuar deputetë, të rivendosni një dialog me ata që ju kanë zgjedhur. Distanca mes qytetarit të Kosovës dhe institucioneve tona kurrë nuk ka qenë më e madhe./
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 17 Dhjetor 2015/ Adresimi i Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ishte sot pika e vetme e një seance të veçantë, pa opozitën.
“Ky adrsim është i fundit imi para këtij Kuvendi në prag të përmbylljes së mandatit tim si Presidente e Republikës së Kosovës”, tha Jahjaga.
“Në këto pesë vite nuk ka pasur nder më të madh për mua se të jem Presidentja e Kosovës. Ua them me kuptimin e plotë të fjalës se nuk ka pasur privilegj më të madh se të qëndroj në ballë të një shoqërie që, nën represion, spastrim etnik dhe kërcënim të vet ekzistencës, asnjëherë nuk u zmbraps nga ëndrra e të bërit shtet. Që vazhdon të mbështetet fuqishëm në vlerat më të avancuara të njerëzimit. Që me krenari e lartëson partneritetin dhe miqësinë e thellë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që synon pa u dekurajuar integrimin në Bashkimin Evropian. Që edhe sot, përkundër vështirësive dhe debatit të ashpër për ta trasuar rrugën e vet, është e palëkundur në përpjekjen për ta bërë Kosovën vend të denjë për të jetuar”, përmbylli fjalën e saj Jahaja.
Presidentja e Republikës fjalën në Kuvendin e Kosovës e nisi me një përshkrim dramatik të situatës: “Po ju drejtohem në njërin prej momenteve më kritike të demokracisë tonë të re parlamentare, në një kohë kur vendin tonë e ka kapluar një krizë e thellë politike dhe morale, një përplasje e paparë brenda klasës politike, të cilëve qytetarët e Kosovës i kanë besuar konsolidimin dhe forcimin e sovranitetit dhe shtetësisë së vendit të tyre.
Në këtë krizë, e cila ka hyrë në muajin e katërt, u sfidua rëndë konsensusi bazik demokratik të cilin e vendosëm në themelet e shtetësisë së Kosovës dhe mbi të cilin ndërtuam legjitimitetin tonë shtetëror e ndërkombëtar. U sfidua rëndë rendi dhe ligji. U sfiduan sërish.