• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mons. dr. Zef Oroshi, një mozaik i historisë shqiptare me një taban të lartë fetar, kombëtar e kulturor

March 15, 2021 by dgreca

  • Sot më 15 mars të vitit 2021, shfletojmë dhe kujtojmë Prelatin e Kishës Katolike shqiptare, mons. dr. Zef Oroshi, në 32 përvjetorin e kalimit në amshim të tij-
    Shkruan: Lekë Mrijaj/
  • Në historinë e një vendi, jo të gjithë personazhet, shtetërorë, apo klerik të kishës katolike që janë pjesë e saj, lënë gjurmë dhe realizojnë kthesa shumdimensionale historike, fetare, kombëtare e kulturore.  Në këtë mozaik të historisë së Shqipërisë, hyjnë edhe një nga personalitetet komplekse që la një protokol e arkiv historik, kulturor, patriotik, diplomatik në historinë tonë është mons. Zef Oroshi.  Emri dhe vepra e tij, nuk është lidhur ngushtë vetëm me besimin fetar të Kishës Katolike Shqiptare, por edhe me kulturën dhe historinë e re dhe të lavdishme të kombit shqiptar. Gjeneologjia e familjes dom Zef Oroshit, daton ndër fiset e hershme dhe fisnike të fisit Orosh të Mirditës, të përmendur shumë herë për besë e trimëri. 

Veprimtaria e tij është shumë dimensionale duke prekur disa segmente, letërsi, teologji, liturgji, politikë, diplomaci, shkenca filologjike etj. Disa prej segmenteve të veprimtarisë së tij janë studiuar nga studiues të ndryshëm e fillimisht nga studiuesi e publicisti, z. Tomë Mrijaj e shumë poet të tjerë të inspiruar edhe disa këngëtar duke reflektuar përmes kumtesave (edhe në Sesione shkëncore), këngëve rapsodike (me anë të telave të çifltelisë).

Mons. dr. Zef Oroshi, ishte një klerik, katekist e teolog i kishës apostolike, erudit karizmatik, njeri i dijes, misionar, orator, poliglot, publicist, atdhetar i shquar i kulturës shqiptare si dhe një nxënës shumë i dashur i dishepullit të tij – mësuesit të tij, dom Ndre Mjedës, ashtu siç thuhet edhe në dëshmitë e të tjerëve vet dom Zefi, gëzonte, autoritet e përkrahje, si në qarqe të larta nderkombëtare në Amerikë, po ashtu edhe në ato kishtare ortodokse e katolike e kulturore.

Njëkohësisht ishte ai i pari i cili nga gjuha greke e përktheu veprën “Katër Ungjijt dhe Punët e Apostujve”, të cilën vepër menjëherë pas shqipërimit në vitin 1979, ia dhuroi me autograf Selisë së Shenjtë në Vatikan, gjatë një audiencë private Papa Palit VI-të, ndaj edhe më vonë nga Papa Pali VI-të mori titullin : MONSINJOR. 

Mons. dr. Zefi, ishte themeluesi i parë i kishës katolike shqiptare “Zoja e Kshillit t’Mirë”, sot “Zoja e Shkodrës”, 361 West Hartsdale Avenue, Hartsdale, New York, 10530, gjë që në atë kohë edhe vetë gazeta prestigjioze “New York Times”, mons. dr. Zef Oroshin e konsideronin si një ndër pionierët e bashkimit të shqiptarëve pa dallim feje. Ai, në vitin 1973 ka pritur në Nju Jork, Shën Nënë Terezën, me të cilën së pari e kishte takuar në Itali qysh në fillim të viteve ’60-ta.

Është studiuesi i mirënjohur shqiptar e Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes së Tretë Shqiptare të Prizrenit në SHBA, publicisti, Tomë Mrijaj një biograf, kumbarë i cili ia ka dedikuar personalitetit të shquar të Kishës Katolike e diasporës sonë, themeluesit kyç të Kishës së Parë Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë”, në SHBA mons. dr. Zef Oroshit.

Ndaj veç tjerash po e veçoj librin “Një jetë e shkrirë për fe dhe atdhe” i cili z. Mrijaj, veç biografisë jetësore e shugurimit, në mënyrë koncize dhe të konkretizuar ka pasqyruar prova e fakte për mons. Zef Oroshin, gjë qe në mënyrë koncize ka përshkruar veprimtarinë e kauzën e tij tipike të “TRINOMIT- FE, ATDHE, KULTURË”, pikërisht ndjekjen dhe përcjelljen e tij nga maskarenjtë e ideologjisë së kuqe famkeqe mesjetare “Enver-Hoxhiane” (të mbështetura nga kriminelet e filozofisë marksiste, leniniste komuniste e staliniste siç ishin Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Ramiz Alija e shumë të tjerë të cilët i njeh edhe historia jonë shqiptare) e cila ideologji famkeqe persekutonte intelektualët më elitarë të sojit të korifejve rilindas siç ishte edhe dom Zef Oroshi, cili në tre ditët e Pashkëve të vitit 1951, do t’i kalonte pyllin e Molungut në mes maleve të Mirditës, që për të ishte bërë një mburojë e Zotit dhe Kishë e mrekullueshme, ku, çonte meshë në gjirin e natyrës. 

Me nismën e dom. Zef Oroshit, në bashkëpunim me parashutistat dhe luftëtarët e qëndresës, u mbajt një kuvend sekret në katundin Ungrej, Mirditë, nën pjesmarrjen e delegatëve nga Shkodra, Dukagjini, Puka, Luma, Mirdita, Lezha dhe Kurbini, kuptohet nën asistimin e parashutistëve: Gjon Gjinaj e Ndue Mëlyshi, të cilët diskutuan rrethanat e kohës ndaj me 9 Mars 1951 u zgjodhën antarë të Komiteti Kombtar të Maleve siç ishin: Haki Bushati, Jak Perjaku, Dom Zef Oroshi, Karlo Çoba, Ndrek Kakarriqi, Sul Hafizi, Preng Kol Gjomarkaj, Shaban Reqi dhe Ded Kol Ndreca.

Dom Zef Oroshi për tetë muaj kaloi mes grupeve të rezistencës antikomuniste nëpër male, duke mbajtur lart moralin e luftës kundër komunizmit dhe ideologjisë së saj ateiste, i cili gjatë një mbrëmje të idhët me plotë mundime dhe i plagosur edhe në fyt nga komunistët (siç dëshmohet edhe nga të dy dokumentarët – dosja e dëshmitarëve të familjes së dom Zefit, të realizuar javë më parë, familja e tij e mbetur në atdhe e qe përjetuan një katrahurë e ferr të vërtetë. Pikërisht veç nënës Dila e motrës Lukja arrestohet edhe vëllau i tij Ndou, arrestohet, torturohet e vdes nën tortura e izolimet e hetuesisë në Shkodër, ndërsa familjarët e tjerë përjetojnë një kalvar të gjatë e të mundimshëm internimesh e persekutimi shënimi im L.M.). 

Dom Zefi kufirin e ish Jugosllavisë, në vitin 1952, e kaloi nën mbështetjen e Llesh Tarazhit duke u zhvendosur së pari në Kosovë për të kërkuar statusin e azilit politik të cilin e vëndosën të plagosur në Mitrovicë ( në fund të nëntorit të vitit 1952, ishte vizituar nga pader Tom Xhaja, famullitar i Kishës “Shën Gjon Pagëzuesi” në Zllakuqan e bashkfamiljari ynë, Nikollë P. Mrijaj, Ofiqar i Zyrës së Vëndit në ish/ Komunën e Zllakuqanit, me të cilin bashkfamiljari ynë Nikolla për dy herë radhasi me vonē e kishte ri/ takuar gjatë viteve ’80-ta në New York) i cili me vonë ka kaluar në Itali për nëntë vite dhe nga viti 1962 Amerikë deri me 15 mars 1989 ikjën e tij në amshim të të cilit eshtrat i prehën në New York të Amerikës.

Dom Anton Kçira deshmon se mons. Zefi, gjatë arratisjes së tij nga Shqipëria  dhe ardhjes së tij në Kosovë nga ana e ipeshkvit Shkup-Prizren, imz. Çekada, i kishte ofruar mons. Zefit të shërbej si meshtar në famullinë e Zllakuqanit të Klinës , por për shkak të rrethanave që ishin, përndjekjes dhe pasigurisë së tij, ai nuk e kishte pranuar propozimin e imz. Çekadës, sepse mendjen e kishte të migroj dhe të veproj lirshëm në rrafshin fetar, kombëtar, njerëzor e kulturor në botën e lirë perëndimore, i cili përmes Kosovës migroj në Itali dhe tutje në SHBA., duke zhvilluar një veprimtari të pastërt gjithëpërfshirëse kombëtare).

Në vazhdim të librit:”Monsinjor Dr. Zef Oroshi – Një jetë e shkrirë për fe dhe atdhe” autori Tomë Mrijaj thotë se: ” Mons. Zef Oroshi ishte një mik i ngushtë prof. Ernest Koliqit të cilët bashkëpunonin s’bashku me ide e punime shkrimore me revistën autoritative kulturore-shkencore “Shejzat”, që asokohe dilte në Itali. 

Ndaj me kalimin në amshim të prof. Ernest Koliqit, ishte atdhetari, meshtari i përvujtur, përkthyesi, shkrimtari, studiuesi, teologu dhe filozofi i mprehtë Mons. Oroshi i cili në faqet e revistës prestigjioze “Shejzat”, në numrin special të vitit 1975, ia ka dedikuar prof. Ernest Koliqit, qe do të thotë se shkruan plotë 12 faqe me deshmi, artikull i cili titullohet: “Fiket Ernest Koliqi, një pishtar i letërsisë e i kulturës shqiptare”, duke e analizuar personalitetin e shquar të kombit në shumë rrafshe shumëdimensionale.

Mons.dr. Oroshi, kishte miqësi të ngushtë me intelektualë e veteran të arsimit shqiptar dhe studiues e albanolog si prof. Karl Gurakuqin, poliedrikun dhe burrin e madh të shtetit Imzot Fan Stilian Nolin, gjë qe z. Mrijaj i përshkruan përjetimet e dom Zefit e Fan S. Nolit, duke e përshkruar tamam në frymën (e Koncilit të Dytë të Vatikanit) dashamirëse ekumenike të tij si një Ipeshkëv i besimtarëve të vet, por edhe si një atdhetar i madh, intelektual erudit të sojit të Dom Gjon Buzukit, imz. Pjeter Budit, imz. Nikollë Kazazit, imz. Pjeter Bogdanit etj., e qe mbetët një I LUMË për njohësit e tij.

Filed Under: Politike Tagged With: Lek Mrijaj, Mons. Zef Oroshi

NE 100 VJETORIN E LINDJES TE MONS. ZEF OROSHIT

November 2, 2012 by dgreca

Lutja në 49-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë: “Paqe në botë dhe liri për popujt e robnueme”/

Nga Tomë Mrijaj/

Historia e klerikut të shquar Mons. Dr. Zef Oroshi, është e lidhur me vendlindjen e tij në Kaftall të Oroshit, aty ku zënë fill ngjarjet e mëdha të Derës së Kapidanëve të Mirditës, që për pesë shekuj me radhë luftuan pareshtuar kundër mizorive të Perandorisë Otomane, duke ruajtur gjithnjë identitetitn kombëtar, gjuhën, fenë, traditat dhe kulturën tipike iliro-arbërore-shqiptare.

Më 23 Nëntor të vitit 1912, pikërisht pesë ditë para Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorën historike, në ato ditë, kur vendit i vinte era e tymit të barutit të nxehtë, lindi fëmija, që u pagëzua me emërin Zef Çoku, në Kaftall të Mirditës.

Mësimet fillesatare Zef Oroshi i mbaroi në vendlindje, ndërsa studimet e mesme i nisi në vitin 1927, në Seminarin Saverian (1859) të Urdhërit Jezuit në Shkodër. Ai shquhej si femijë i zgjuar e i zellshëm mes shumë nxënësve të tjerë të shkollës.

Pader Ejëll Serreqi S.J. spikat tek nxënësi mirditor zgjuarësinë dhe vokacionin e mundshëm për klerik, duke e drejtuar Zefin në Seminarin Pontifikal në Shkodër, qytet i njohur për kulturë, fe dhe traditë.

Ish nxënësi i Mjedës dhe Fishtës, studenti Oroshi, më 1936-1940, niset në Romë, për të vijuar studimet e larta filozofiko-teologjike, pranë Universitetit të Urbinos, në “Propaganda Fide”, ku, më vonë shugurohet meshtar në Itali.

Ai ishte shumë i gëzuar, se po thoshte meshën e parë, por edhe i prekur, sepse atë vit më 1940 kaloi në amshim “Poeti Kombëtar” At Gjergj Fishta O.F.M. (1871-1940), të cilin ai e kishte takuar disa herë kur ishte nxënës në Shkodër dhe student në Itali.

Pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste (7 Prill 1939), i riu energjik e priti me një shqetsim të madh, duke mbajtur në dhomën e gjumit flamurin e Skënderbeut. Ndjenja e lartë e lirisë, ishte shumë e zhvilluar në shpirtin e tij. Kjo vinte me sa duket nga edukata e shëndoshë atdhetare, që kishte marrë në familje dhe më vonë në kuvendet katolike në Shkodër, që ishin dhe mbetën vatra, nga ku shpërndaheshin rreze të ngrohta të atdhedashurisë pakufi për trojet, historinë, kulturën dhe qytetërimin autokton shqiptar.

Mbas studimeve rikthehet në vendlindje. Ipeshkëvi Imzot Frano Gjini e emëron famullitar në Kishën e Shën Marisë Magdalenë në Ungrej të Mirditës dhe sërisht më vonë e cakton Oroshin si ndihmës të tij në dioqezën e Mirditës.

Ishte kohë e kobshme, kur komunizmi kishte nxjerrë tentakulat e veta kancerogjene dhe po shkatërronte me themel çdo vatër të kulturës dhe qytetërimit perëndimor europian dhe shqiptar.

Studiuesi dhe albanologu gjerman bashkëkohor Dom Dr. Markus W. E. Peters, në librin e tij: “Përballjet e historisë së Kishës Katolike në Shqipëri 1919-1996” (Tiranë, 2010), ndër të tjera shkruan:“… dihej se D. Zef Oroshi në mars të vitit 1951 donte të organizonte një kryengritje në Mirditën katolike. Në atë periudhë, pati përpjekje sporadike nga Italia, për të infiltruar agjentë, me qëllim përmbysjen e sistemit në Shqipëri. D. Zef Oroshi me Jak Përjakun, u përpoqën ti organizonin këta njësi sëbashku me familjet mirditore. Si rezultat zona katolike e Mirditës u sulmua më shumë se të gjitha zonat e tjera të Shqipërisë. Bilanci ishte: mbi 200 të vrarë ose të denuar me vdekje, mbi 270 të burgosur dhe mbi 500 të internuar… Siç shihet D. Zef Oroshi ishte një ndër personat më të kërkuar në Shqipërinë e atëhershme.” (f.197).

Ndërsa studiuesi tjetër Dr. Pjetër Pepa, në librin e tij: “Tragjedia dhe lavdia e Klerit Katolik në Shqipëri” (Tiranë, 2007, Volumi II), duke nxjerrë në dritë qëndrimin burrëror antikomunist të meshtarit mirditor, vlerëson: “Mons. Dr. Zef Oroshi, për lidhjet që ka realizuar me Vatikanin, përmes “diversantëve”, lidhur me mënyrën se si u zhvilluan ngjarjet në Shqipëri, për miratimin e Statutit, kërkohet më çdo kusht arrestimi i tij nga komunistët, ndaj ikën dhe bashkohet me luftëtarët antikomunistë, maleve të Shqipërisë. Mbi bazën e dokumenteve arkivore të Ministrisë së Brendshme, rezulton se ikja e tij, në kufirin shqiptar të asaj periudhe, ka qenë e një rëndësise të veçantë. Mehmet Shehu, vetë tregoi interesim të veçantë për te dhe, për të evituar ikjen përtej kufijve e për ta kapur me çdo kusht, perveç forcave të ndjekjes, aktivizoi edhe disa klerikë, që i dërgoi në Mirditën e atyre ditëve, për ta kërkuar e gjetur me çdo mënyrë, nëse ishte ende brenda kufijve të Shqipërisë, këtej maleve të Mirditës.” (f.260)

Mirditori i shquar, u bë kleriku më me peshë në botën shqiptare të Amerikës. Intelektuali erudit Mons. Dr. Zef Oroshi, qysh në vitin e parë, kur shugurohet meshtarë e kthen në traditë festimin e 28 Nëntorit 1912, ngjarjen më të madhe të historisë së lavdishme të trojeve shqiptare, sikurse ishte Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, duke e përkujtuar me një meshë speciale të përvitshme, me anën e së cilës ai lutej me gjithë shpirt sëbashku me besimtarët për të gjithë deshmorët e kombit shqiptarë, të rënë gjatë shekujve, për interesat e larta të Atdheut.

Meshtari Dom Rrok Mirdita (sot Shkëlqësia e Tij Arqipeshkvi i Arqipeshkvis Metropolitane Tiranë-Durrës), që zëvendësoi Mons. Oroshi, mbas kalimit të tij në amshim e vijoi edhe me tej traditën e përkujtimit, me anë të një meshe special, për shpirtin e të gjithë dëshmorëve të rënë në kohëra të ndryshme, për idealin e shenjtë kombëtar.

Kleriku i përkushtuar, atdhetari i palodhur i Përndershmi Dom Pjetër Popaj, si vijues i binomit Fe e Atdhe, përveçmeshës së përshpirtshme përkujtimore, për të gjithë dëshmorët e trojeve etnike, tashmë të kthyer në traditë, ai me krenari nën tingujt e Hymnit Kombëtar ngre Flamurin Shqiptar, në datën e shënuar të 28 Nëntorit, mbi kumbanorën e Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës”, në Hartsdale New York.

Kur dëgjonim në heshtje, kumbimin e zërit melodios të fjalëve të zjarrta, plot frymëzim atdhetarie, të predikuesit shembullor Mons. Dr. Zef Oroshi (Themeluesit të Kishës së Parë Katolike Shqiptare në SHBA), tek qindra shqiptarë të pranishëm prej çdo krahine, pa dallim feje dhe ideje, rritej tek ne emigrantët e Amerikës edhe më shumë atdhedashuria për trojet tona amtare.

Ai në qelën e tij qendronte deri në orët e vona të natës, duke punuar me shumë përkushtim dhe kujdes për hartimin e mesazhit apo lutjeve shpirtërore për popullin shqiptar dhe në veçanti atë fatkeq, që jetonin nën thundrën e hekurt brenda burgut të madh të rregjimit komunist në Shqipëri.

Mons Oroshi, shpesh në biseda të lira, mes bashkëatdhetarëve të vet në Kosovë, Itali dhe sëfundi në SHBA, shprehej me shumë zemërim për përsekutimin e pashembullt ateist, që rregjimi komunist i bënte popullit shqiptar dhe klerit katolik në veçanti.

Me shqetësim të madh, ai tregonte për përdhosjen e simbolit kombëtar të Gjergj Gjon Kastriotit, flamurin e larë ndër shekuj me gjak trimash.

Kujtoj, me shumë respekt, disa raste mbresëlënëse të meshtarit tonë me ndjenja të larta dhe të thella patriotike.

Kështu, mbaj ende të freskët në kujtesë një detaj shumë domethënese, kur Mons. Oroshi, nuk lejoj turmen e dasmorëve të hynte në Kishën “Zoja e Kshillit t’Mir” (sot “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale, New York) me flamur me yllin e verdhë bolshevik rus, mbi shkaben dykrenare, të cilën e quante një dhunim dhe krim të madh, që komunistët gjithnjë në vendlindje dhe diasporë i bënin Simbolit Kombëtar të heroit tonë Gjergj Gjon Kastriotit, Flamur,i cili, ishte ngritur pas shumë vitësh robërie nga fatosi i lirisë Dedë Gjon Luli me malësorët e tij (më 6 Prill 1911 në majën e Deçiqit) dhe përfundimisht u shpall Pavarësia e shumëpritur, një vit më vonë nga plaku i urtë mjekërbardhë Ismail Bej Qemali sëbashku me shumë patriotë të tjerë, më 28 Nëntor 1912.

Gjatë hulumtimeve të mia dhe kontakteve të përditshme, që kam pasur me miqtë e Mons. Oroshit, kam mundur të siguroi një dokument, që titullohet: “Lutja e Dom Zef Oroshit”.

Ajo që bie në sy, është fryma me përmbatje të thellë atdhetare, që e përshkon këtë Mesazh-Lutjeje, e cila është e njëjtë me shumë lutje të tjera, që ai ka predikuar çdo vit në përvjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Për herë të parë mbas 51 vjetëve, para lexuesve shqiptarë, po sjell këtë dokument (Në kremtimin e 28 Nëntorit të Pavarësisë së Shqipërisë, New York, 1961), që titullohet LUTJE për mbarë shqiptarët nëpër botë dhe në veçanti për komunitetin e vogël në SHBA.

“O Zot i gjithpushtetshëm e i amshuem, krijuesi i qiellit dhe i dheut, zotnues i popujve, kombeve e i qeveritarëve të tyne, ke Ti ma së parit po e çojmë mendjen dhe naltësojmë zemrat, në këte ditë përkujtimore të 49-vjetorit të Pamvarësisë s’onë kombëtare, bashkë me miq e dashamirë të Kombit t’onë, të cilët në nji front me ne përpiqen e luftojnë për të njajtën kauz të shënjtë: Paqe në botë dhe liri për popujt e robnueme.

Emni Yt ishte i nderuem dhe i lavduem nga Populli shqiptar i tri besimeve, kur gëzonte atë liri që Ti vetë në sheshtimet e Tua të pamatëshme ke ndikue me ndergjegjen e secilit njeri e, rrjedhmënisht, të së cilit komb e krejt gjinisë njerëzore.

Por sot, n’atë vend të lamë me gjakun e të parëve t’anë për ta rifitue e mbrojtë atë liri, Emni i Yt asht sha e përbuzë, faltoret ndërtue për nderimin t‘And janë shkretue, rrëzue ose sjellë në përdorime të pa deja, nga nji tok bijsh të verbuem t’atij populli.

Por na po të lutemi, përfaqsuesit e tri besimeve këtu tok sikur jemi, të lidhun e të vllazënuem me gjak, ideal e besimin ngulmënisht në Ty, jo për meritat t’ona, por n’emen t’atyne vllazënve t’onë që kanë mbështet uzdajën në Ty ndër vuejtje e salvime, për mundimet e sa e sa të pafajve të ngujue rreptësisht në burgjet ose ndër kampet e vdekjes të punimeve të detyrueshme, n’emën të gjakut të flijuem nga vllaznit ma të mirë për t’i ndejë ngulmënisht besimit në Ty, o Zot, e moralit dhe traditës së Kombit të tyne, sjelli sytë e Tu të mëshirshëm mbi Kombin t’onë, Shqipninë. Shikoji me përdëllim vuejtjet e atij populli.

Ndriçoji sot të gabuemit e të verbuemit; ndaji e shpërndaji, shkatërroji e shfarosi fuqitë e mbrapshta që veprojnë me hollësi satanike për zhdukjen e shrranjosjen e Emnit t’And deri nga zemrat e foshnjeve e të popullit t’And shqiptar.

Bekoje, o Zot emigracionin t’onë! Jepi fuqi e organizim për të nderue Emnin t’And e t’Atdheut nder kombe mikpritëse ku gjendet. Shtojau e persosjau idealin e shenjtë që kërkon momenti historik i Kombit, bashkimin e vllaznimin. E sikundër nepër duert e pafuqishme të Juditës, asgjasove madhështinë e Holofernit e nepër duert akoma të njoma të bariut David plandose per dhe blasfemuesin e Emnit t’And, viganin Goljath, ashtu forcoje Emigracionin t’onë për t’i ba ballë me nder, bashkarisht e vllaznisht me të gjitha kombet e botës së lirë, luftës së gjithanëshme të komunizmit atheist e agresiv, mohues dhe luftues i çdo lirije dhe besimi.

Jepu, o Zot, dritë, paqe e lumni të përjetëshme gjith patriotëve bashkëvllazën që, o ndër malet e thepisuna o ndër burgjet e kampet e vdekjes, flijuen jetën e tyne ne altarin e Atdheut për t’i ndjejë besnik Ligjes s’Ate dhe lirisë së Kombit shqiptar e për jetë i pashlyeshëm qoftë kujtimi e shembulli i tyne ndër zemrat e mendjet t’ona e të breznive t’ardhëshëm në tokën t’onë shqiptare.

Bekoje, o Zot, e jepi mirëvajtje këtij Kombi ku gjindemi e gjith popullit liridashës së tij, që me nji bujari, vetmohim dhe humanitarizëm shembullor, ka ndihmue e ndihmon Emigracionin tonë dhe çashtjen e shejtë tonën për liri.”

Filed Under: Histori Tagged With: Mons. Zef Oroshi, Tom mrijaja

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT