
Shkruan: Prof asoc. Dr. Bedri Muhadri-Instituti i Historisë “Ali Hadri”/ Territori i Kosovës së sotme nuk ka qenë epiqendra e veprimtarive të ndërtimit të kishave serbe në kohën e Nemanjidëve. Kishat më të hershme serbe u ngritën kryesisht në territorin e ngushtë të Rashës si: Studenica (afër Novipazarit), e ndërtuar nga Stefan Nemanja; Manastiri Maleshevo (afër kufirit të Bosnjës), Sopoçani (Novipazar) dhe Manastiri i Zhicës, i rindërtuar më pastaj afër Kralevës, që ishte edhe seli e Autoqefalisë serbe, u ndërtua nga Stefani i Kurorëzuar. Me fjalë të tjera djepi i kishave dhe i manastireve serbe gjatë dy – tre brezave të sundimit të Nemanjidëve gjendej në territoret serbe, e jo brenda Kosovës.
Kjo shtrirje e kishave serbe përkon me territorin serb mesjetar që e jep studiuesi Kostandin Jireçek, sipas të cilit: “Në brendi, në shekujt XI – XII shtrihej, me disa ditë ecje në këmbë, një shkretirë e madhe në rripin e gjerë kufitar bizantin ndërmjet serbëve dhe bizantinëve, ndërmjet qyteteve kufitare bizantine Prizreni, Lipjani dhe Nish, nga njëra anë, dhe vargmalet serbe mbi Lim e Ibër, në anën tjetër. Pas okupimit serb në kohën e Nemanjës (viti 1180 etj), shumë shpejt u populluan këto vise të pasura natyrore e veçanërisht luginat e nxehta të Drinit të Bardhë dhe të Sitnicës”.
Territori i Kosovës pas pushtimeve serbe nga sundimtarët serbë Stefan Deçanski (1321-1331), Stefan Dushani (1331-1355) dhe në kohën e sundimtarit të fundit të kësaj dinastie Uroshit V (1355-1371), u gjet në pjesët qendrore të shtetit të Nemanjidëve. Në kohën e Nemanjidëve, pushteti dhe Kisha ortodokse serbe kanë uzurpuar shumë kisha katolike. Njëherësh u adaptuan e u rindërtuan një sërë objektesh fetare, si kisha e Shën Premtes, kisha e Shën Spasit, kisha e Shën Nikollës, manastiri i Shenjtorëve Mihal e Gabriel, si dhe kishat në Korishë, Hoçë e Madhe, Mushtishtë etj.
Monumentet kryesore të kultit të krishterë në Kosovë, të cilat sot konsiderohen kisha apo manastire ortodokse serbe, si manastiri i Deçanit, i Graçanicës, kisha e Shenjtorëve Mihal e Gabriel dhe kisha e Zojës Prendë në Prizren, Patrikana e Pejës, kisha e Shtjefanit në Mitrovicë, janë të moçme si për arbrit autoktonë ashtu edhe për serbët pushtues në Kosovë, meqë deri më sot, nga studiues seriozë askush nuk e mohon faktin se kishat dhe manastiret ne fjalë janë ndërtuar, rindërtuar apo meremetuar mbi themelet e monumenteve të moçme të periudhës romake e bizantine.
Kishat ortodokse mesjetare, që gjenden sot në Kosovë (Graçanica afër Prishtinës, Levishka, në Prizren, Patrikana e Pejës dhe kisha e Deviqit në Drenicë), nuk janë dëshmi e kulturës serbe, sepse ato janë ndërtuar para ardhjes së tyre në këto treva, kurse kishën e Deçanit e ka projektuar dhe e ka mbikëqyrur zbatimin e projektit prifti katolik shqiptar frati Vita Kuqi nga Kotorri. Kisha e Manastirit të Deçanit është vepër më e madhe që ruan elemente nga ndërtimtaria dalmate- arbërore e ardhur nga bregdeti. Në arkitraun e portalit jugor të narteksit gjendet edhe mbishkrimi i gdhendur i arkitektit arbëror dom Vita Kuqi. i cili së bashku me 18 skulptorë e gurskalitës ndërtoi kishën e manastirit të Deçanit.
Këtë e sqaron mirë edhe studiuesi serb, Pero Slijepçeviqi, i cili e, ku thotë se këto kisha nuk janë vepër e atyre sundimtarëve serbë, emrin e të cilëve e kanë ato, sepse në atë kohë “Serbët nuk kanë pasur kurrfarë tradite të veten në ndërtimtari, as në pikturim. Nemanjiqët kanë ndërtuar (financuar) edhe larg kufijve të shtetit serb, me qëllim të afirmimit të dinastisë së tyre…Manastire të tilla kanë financuar edhe në Jerusalem, në Stamboll, në Greqi” etj”. Në një shënim të arkivave të Vatikanit shënohet se mbreti serb Stefan Dushani skizmatik, kur filloj rindërtimin (jo ndërtimin), e kishës se Deçanit dhe u detyrua të mbante, të siguronte një njësi të fortë ushtarake që ti ruante mjeshtërit, sepse vendasit (arbrit katolikë) nuk lejonin mjeshtrit të punonin në kishën e tyre.
Për t’i siguruar kishat u formua një institucion që quhen “vojvodë i kishës”-roje e kishës. Vojvodët ishin të caktuara nga familjet e caktuara nga popullsia e vendit për ta ruajtur kishën me ndihmën e katundit. Vojvoda merrte nga manastiri edhe një farë shpërblimi material në të holla, sepse një mashkull nga shtëpi e tij ruante ditë e natë në manastir. Në Deçan, vojvodë ka qenë shtëpia e Sali Rrustës. Për Patrikanën e Pejës vojvodë ka qenë familja e Zhujë Veselit nga fshati Shtupeq i Madh të Rugovës. Kurse familja e Brahim Vojvodës nga Llausha e Drenicës e ka ruajtur kishën e Deviçit. Nuk eksitojnë të dhënë të sakta se kur janë emëruar vojvodët, mirëpo sipas disa shënimeve dhe supozimeve vojvodët u emëruan para më se tre-katërqind vjetësh. Me fanatizëm të madh është ruajtur kisha e Deçanit nga ana e vojvodës Sali Rrusta,. Në vitin 1878 me rastin e shpërnguljes së mijëra familjeve shqiptare nga Toplica nga ushtria e pushteti serb. Me këtë rast shumë shqiptarë janë vrarë dhe shumë shtëpi janë djegur e pasurinë ua kanë plaçkitur. Përveç kësaj të gjitha xhamitë janë bërë shkatërruar e bërë rrafsh me tokë. Në shenjë të hakmarrjes, organet e pushteti turk i kanë organizuar malësorët që ta rrënojnë kishën e Deçanit. Është mbledhur një numër i madh njerëzish për ta kryer këtë detyrë. Mirëpo vojvoda i atëhershëm Rrustë Alija (babi i Salih Rrustës ) thirri fisin Gash e shumë fshatra përreth, pa dallim fisi, që ta mbrojnë kishën. Ata u mblodhën shpejt të armatosu në oborrin e kishës dhe u çuan fjalë sulmuesve se pa luftë s’do të hyjë brenda dyerve të kishës asnjë prej tyre. Duke parë rezistencën e mbrojtësve sulmuesit u tërhoqën dhe kisha shpëtoi nga shkatërrimi i sigurt që i kërcënohej. Në vitet e rrezikut gjithmonë përforcohej roja e manastirit. Tradita e ruajtjes së kishave nga popullsia përreth tyre është mjaftë e lashtë. Kështu, nga një krisobulë e car Dushanit lëshuar manastirit të Shën Arhangjejve, afër Prizrenit, shihet se disa fshatra kanë qënë të obliguar ta ruajnë këtë kishë dhe ta përcjellin Igumanin (kryemurgun) kur ai të shkojë në rrugë.
Tradita e mbrojtjes së kishave nga arbrit-shqiptarët nuk ishte e rastësishme , ata në këtë akt shihnin mbrojtjen edhe të vlerave të objekteve të veta te përvetësuara nga të tjerët në rrethana të caktuara historike. Kështu, manastiri i Graçanicë, sipas njoftimeve burimore historike dhe gjetjeve arkeologjike gjatë viteve 1957, 1963 dhe 1964, është një bazilikë e ndërtuar midis shek. VI-XI. Kjo bazilikë ishte qendër e Ipeshkvisë së Ulpianës dardane. Pas rrënimit të saj, mbi themelet e anjatës së mesme u rindërtua një kishë kushtuar Zojës së Bekuar të Graçanicës. Ka të ngjarë se po kjo kishë të përmendet në letrën e Papës Benedikti XI, në vitin 1303, si kishë famullitare katolike. Mbi këtë kishë të moçme që nga viti 930, mbreti Nemanjid Millutin rindërtoi manastirin e Graçanicës rreth vitit 1316.
Gjithashtu edhe manastiri i Shenjtorëve Mihal dhe Gabriel është ndërtuar mbi një kishë të moçme dardane të periudhës së antikitetit të vonë. Rindërtimi është bërë rreth vitit 1348. Në kompleksin e manastirit gjenden Kështjella e epërme, kisha e Shën Kollit, kisha e Shenjtorëve. S’do mend këtë kompleks të kultit e shfrytëzuan banorët e ritit ortodoks, si arbrit (shqiptarët) ashtu edhe serbët. Kontribut të madh në rindërtimin e tij kanë dhënë tregtarët katolikë raguzan që jetonin dhe vepronin në Prizren. Arkeologët në rrënojat e këtij manastiri kanë zbuluar fragmente interesante të artit bizantin, romak dhe gotik. Ajo që tërheq më tepër vëmendjen është mozaiku që nuk ka ndonjë paralele me ndonjë mozaik të punuar në Serbi, veçse më shumë i ngjan mozaikut në pagëzoren e katedrales Santa Maria në Firencë. Në kishën e këtij manastiri ruhet edhe varri i krye zotëriut arbëror Strazimir Balsha nga viti 1372 atëbotë zotëruesi i qytetit të Prizrenit.
Po ashtu është e njohur se mbreti Millutin në vitin 1307 përvetësoi edhe kishën katedrale Shënë Premtës (serbët i thonë Bogorodica Levishka) në Prizren e cila ishte selia e ipeshkvisë së Prizrenit. Kisha e Shën Premtes, është ngritur mbi tempullin e periudhës romake e të bazilikave të shekujve V-VI. Ajo ishte selia e Ipeshkvit të Prizrenit e cila daton që në vitin 1019. Kisha e Shën Premtes në Prizren është një ndër monumentet e rëndësishme të thesarit të trashëgimisë kulturore të Kosovës. Është e vendosur mbi bazën e kishës së mëhershme trianiatëshe të shekujve XI e XII dhe të atyre paraprakë. Trajtën e sotme kisha e fitoi përmes rindërtimit të mbretit serb, Milutinit (1307), i cili ia ndryshoi emrin, duke ia përkushtuar të ngriturit të Zonjës në qiell. Në shekullin XVIII, u shndërrua në xhami dhe u rikthye sërish në kishë, në vitin 1912. Për kishën e Shën Premtes janë dhënë mendime të ndryshme para hulumtimeve arkeologjike të viteve 1950-1952. Kështu, F. Mesenel shkroi se kisha i përket një kishe të vjetër të periudhës bizantine.
Arkitekti Dj. Boshkoviç, duke pohuar praninë e kishës së vjetër trianitatëshe në kohën e mbreti Milutin, ofroi dy versione për gjendjen e dikurshme të kishës në relacion me veprimet ndërtimore në shekullin XIV. E para, mbreti Milutin e gjeti kishën bizantine tërësisht të rrënuar dhe e rindërtoi, dhe se mbreti Milutin e rindërtoi kishën bizantine nga bazamenti i vjetër, ndërsa pjesët e tjera u shtuan gjatë gjysmës së shekullit XIV. Kjo kishë mban disa emra të ndryshëm që u përdorën në kohë dhe gjuhë të ndryshme gjatë gjithë jetës së kishës e që janë: shqip: Shën Prenda, Shën Prena/Shëneprena, Shën Premtja, kisha greke; serbisht: Sveta Petka, Svet Bogorodica, Levishka; turqisht: Xhuma xhamia. Emrat e ndryshëm të kishës së Shën Premtes janë njëkohësisht shprehje e lashtësisë së saj dhe e shtresimeve kulturore të objektit skaral, gjithnjë duke ruajtur emrin bazë të kishës, Shën Prenda-Shën Premtja. Ekzistimin e kishës së mëparme e dëshmon dhe mbishkrimi i vendosur në pjesën lindore të kishës, në të cilën shkruan “…e ripërtëriu nga themelet kral Stefan Uroshi, dhëndëri i mbretit grek, kir Andronik Paleologu”.
Për rindërtimin e Kishës së Shën Premtes mbi themelet e një tempulli pagan duhet cekur se kryepeshkopi Danilo e quan mbretin Millutin “ndërtimtar dhe ripërtëritës të tempujve të rrëzuar e të rrënuar”. Fakt mbi ekzistimin e kishës së më parme është edhe mbishkrimi i vendosur në të cilin shkruan. “…e ripërtëriu që nga themelet mbreti Stefan Uroshi…”.
Sipas hulumtimeve arkeologjike e historike, nga studiuesja vërtetohet se zhvillimi i kishës së Shën Premtes në Prizren kishte nëntë faza të zhvillimit, duke konstatuar se ky tempulli ka ekzistuar edhe para periudhës romaken e dri më sot. Në kohën e sundimit otoman, në vitin 1756, kisha u shndërrua në xhami. Nga kjo kohë, godina sakrale e Shën Premtes u quajt xhamia e fatih Sulltan Mehmedit. Në popull u ruajt me emrin Xhuma xhamia (Xhamia e së Premtes). Në vitin 1912, pas hyrjes së ushtrisë serbe në Prizren, në vitin 1912, xhamia u shndërrua sërish në manastir.
Shën Premtja, prezente në besimin ortodoks, gëzoi respekt të veçantë tek e gjithë popullata shqiptare, pra edhe ajo katolike dhe myslimane. Në fund të shekulli XVI dhe në nismë të shekullit XVII, F. Cordignano evidentoi në territorin e Shqipërisë së sotme 38 kisha të përkushtuara Shën Premtes, në mesin e 275 kishave të tjera katolike. Nga kjo e dhënë shihet se Shën Premtja ishte njëra ndër hyjneshat më të preferuara edhe ndër shqiptarë e besimit katolik. Shën Premtes në Kosovë i janë përkushtuar kisha katolike në Prishtinë, Romajë dhe Shëgjeç të Hasit, në Raç të Gjakovës (Kisha e Ferizëve), Mushnikovë, Dresnik të Klinës, Kijevë, Carajë të Leposaviqit dhe Dunav të Gjilanit. Një kishë ortodokse gjendej dhe pranë lokalitetit Gradina të Pejës. Në Romajë/Ramajë të Hasit, në anën e majtëtë lumit Dështicë, gjendej kisha e Shën Premtes, në oborrin e së cilës deri vonë janë varrosur besimtarët katolikë të fshatit Dedaj. Me gurët e kishës, me urdhër të Reshit Pashës së Gjakovës, është ndërtuar ura, e cila sot quhet Ura e Sh’na Prenës. Truporja e Shën Premtes e Ramajës, pas konvertimit të banorëve në islamizëm, është bartur më lart, në hapësirën më të mbrojtur të Shëgjeçit (Bytyçit).
Të dhënat e parashtruara pamundësojnë njëmendësinë anakronike se Kisha e Shën Premtes i takon vetëm një etniteti, atij serb. Me këtë rast, është me vend huazimi i thënies së Konstantin Jireçekut, studiuesit të historisë serbe, i cili ofron qasjen e qartë vijuese: “Është i gabuar mendimi, i cili ndeshet shpesh në kohën tonë, se elementi arbanas ka depërtuar tek në kohën turke në lindje, si p.sh. në hapësirën e Prizrenit”. Me këtë, Jireçeku pohon prezencën e etnitetit arbanas në Prizren e rajon është zhvilluar jeta shumë herët dhe shumë kohë para dyndjes sllave në Ballkan.
Kisha e Shën Premtes është njëra nga dëshmitë. Nga historia e Kishës së Shën Premtes pasqyrohet realiteti historik nëpër të cilën kaloi popullata ku u krijua dhe mbijetoi. Ishte tempull pagan, që më pas u shndërrua në kishë. Përjetoi katrahurë me ndarjen e krishterimit, në atë ortodoks e katolik, dhe një kohë mbeti ortodokse. Me pushtimin nga Nemanjidët, me dhunë u përzu kleri i saj, duke u instaluar kleri serb. Kisha e Shën Premtes veproi edhe në kohën e dominimit osman, duke i mbijetuar kohës deri në vitet kur u shndërrua në xhami.
Në përfundim, mund të themi se kultura materiale e arbërve që prej kohësh ishte pre e të huajve, në veçanti e serbëve. Në trevën e Kosovës gjatë mesjetës kanë bashkëjetuar shumë monumente të kultit të krishterë katolik, ortodoks dhe sllave që shërbyen për arbrit dhe për popullatën tjetër të këtushme. Gjatë kohës së Nemanjiqëve kisha ortodokse-serbe përvetësoi kisha të moçme iliro-arbërore, ndërtoi apo rindërtoi mbi to që nga shekulli XIII. Që nga koha e Mbretërisë Jugosllave deri në ditët e sotme kishat ortodokse serbe në forma të ndryshme shkatërruan, plaçkitën, përvetësuan dhe e instrumentalizuan kulturën për të arsyetuar se Kosova është “djepi i serbizimit”. Për t’u arsyetuar kjo, shpikën tezën ekstra shkencore që ndërlidhen me detyrën dhe të drejtën e identitetit kombëtar, si bie fjala, “treva që ruan identitetin kombëtar është një e drejtë e pakontestueshme, e cila nuk mund të shkëputet as nga populli as nga shteti”. Ajo që tërheq më tepër vëmendjen është se, sipas regjistrimit të monumenteve të gjithëmbarshme të Kosovës, gjatë viteve 1956, 1968 dhe 1993, të realizuar nga instrumentet shtetërore serbe, del se, nga fondi i gjithëmbarshëm i monumenteve të kultit, afro 2/3 evidencohen në kuadër të monumenteve të kultit ortodoks serb, përkatësisht janë regjistruar 22 manastire dhe 110 kisha të rit ortodoks serb, 25 xhamia, dhe vetëm tri kisha të krishtera katolike në rrënoja. Monumentet e kultit të ritit bizantin (29 sosh) janë evidencuara vetëm si rrënoja.
Këtej fryma spekulative e kësaj kishe për gjoja “tokën e shenjtë” dalë nga doktrina pansllaviste e mitropolisë ortodokse ruse e shek. XVIII që përpiqet ta paraqesë Kosovën si “çështje të Jerusalemit serb” u sanksionua në formë shoviniste nga Kisha Ortodokse Serbe në librin “Momorandum o Kosovu i Metohiji” Svetog Arhirejskog Sabora Srpske Pravoslavne Crkve. Redaktori i këtij memorandumi, peshkopi i Zahumës dhe Hercegovinës Anastasije Jevtiq në rezymenë e veprës thotë: “Ashtu siç është Jerusalemi për popullin hebre, është edhe Kosova për populli serb”. Po ai me tutje shton se: “Na duhet besim dhe durim, kurse Kosova do të jetojë ashtu siç ka jetuar edhe Jerusalemi, jeton dhe do të jetojë”, që paraqet në vazhdimësi aspekte të synimeve grabitqare ndaj territorit dhe kulturës së Kosovës të njohura më parë në pamfletin “Libri i Bardhë për Kosovën” i ASHAS i vitit 1986.
T’i kthehemi çështjes Kosova “Jerusalem” i serbëve. Në asnjë formë të krishterimit, përfshirë këtu krishterimin ortodoks lindor, “vendi i shenjtë” nuk ka luajtur ndonjë rol fetarë që do të mund të barazohej me rolin e Jerusalemit në teologjinë e judaizmit. Jerusalemi i vërtetë është një vend i shenjtë për të gjithë të krishterët, por kjo nuk i jep të drejtë asnjë shteti katolik, protestant apo ortodoks që të kërkojë aneksimin e tij dhe aq më pak të kërkojë dëbimin e banorëve të tij, izraelitët dhe palestinezët. Siç kemi vënë re, Kosova e sotme nuk ka qenë epiqendra e veprimtarive të ndërtimit të kishave e të gjithë sundimtarëve serbë të mesjetës. Selia e Kishës Ortodokse Serbe Manastiri i Zhicës është themeluar në Rashë e jo në Kosovën e sotme. Ajo vetëm është zhvendosur në Pejë . Kjo ishte, para së gjithash, pasojë e një sulmi të rastit në manastirin e Zhiçës më 1290 nga forcat tatare dhe kumanase. Sikur këta të kishin marrë një rrugë tjetër, ndoshta Kosova kurrë nuk do të ishte qendra e Patrikanës serbe, përfundon me të drejte N. Malcolmi.