NË KONFERENCËN SHKENCORE “100-VJET ARSHI PIPA”, FIER, 10 Shtator 2020–
MSc. Albert HABAZAJ-*Arshi Pipa ka shkruar shumë dhe për të shumë kanë shkruar, studiues shqiptarë apo të huaj. Duke ngjeshur fjalët e mendimit, gjatë përgatitjes së kësaj kumtese nderimtare për autorin Arshi Pipa, në këtë tryezë të çmueshme për mua në qytetin bujar të Fierit, vetvetiu më erdhi ndërmend një përcaktim që bën historiani i qytetërimeve, francezi Fernand Braudel për Mesdheun: “Një mijë gjëra njëherësh. Jo një peizazh i vetëm, por një pafundësi peizazhesh. Jo një det i vetëm, por një vazhdimësi detesh. Jo një qytetërim i vetëm, por qyetërime të ngjeshura pas njëri-tjetrit”. Nëse e jetësojmë dhe heqim një paralele ngushtësisht kuptimore nga kjo hapësirë e gjerë tek një njeri i vetëm, në një trajtë tjetër dhe Arshi Pipa është “njëmijë gjëra njëherësh”, është njeriu që i ka të gjitha ngjyrat: të forta, të ëmbla, të ndezura, të mbyllëta, të qarta, të paqarta, të bardha, të zeza, që i ka marrë të gjitha ngjyresat e mundshme. Njeriu është njeri dhe si qënia e gjallë më e lartë, nuk mund të jetë mur guri, prandaj njeriu shikohet në dinamikën e jetës, aq më tepër një njeri i klasit sipëror për shoqërinë shqiptare të kohës si Arshi Pipa, diplomuar për Filozofi në Firence, i plotësuar me kulturë perëndimore dhe me rreth 40 vjet jetë dhe veprimtari të dendur kërkimore-shkencore, letrare dhe politike në SHBA. Kujtojmë se, këtu, edhe pse i burgosur, Arshi Pipa jetoi si njeri me dinjitet e krenar, jo si zhele mishi, siç klith vargu i tij tek poema “Kanali”.
Shkodrani gjirokastrit Arshi Pipa (27/28 korrik 1920 – 20 korrik 1997) është një figurë enciklopedike shqiptare, që ka dhënë ndihmesën e tij si studiues dhe shkrimtar, njeri i katedrave dhe auditoreve akademike, që ka lënë gjurmë në fushën e pedagogjisë dhe edukimit dituror, ku dukshëm emri i tij dallon në shkencat albanologjike, në gjuhësi e letërsi, me poezitë e tij, publicistikën letrare-kulturore, me përkthimet dhe sidomos me kritikën letrare.
Duke falënderuar poeten dhe shkrimtaren e njohur Majlinda Nana Rama për ftesën në këtë konferencë shkencore, kushtuar dijetarit Arshi Pipa, pas çeljen e Panairit të Librit Fier, 2020, ndihem i nderuar që jam me personalitete të tillë si studiuesit të çmuar si prof. Klara Kodra, akad. Ali Aliu, Abdullah Zeneli, Çun Lajçi, Behar Gjoka, Agron J. Xoxa, Ilirjan Gjika e miqve të tjerë të dijes dhe librit, për respekt të të cilëve po flas në këmbë. Do të përpiqem që në këtë kumtim të shkurtër të nderoj sadopak letërsinë e maratonomakut sizifian, artin poetik të korrikjanin Arshi Mustafa Nuri Pipa.
Arshi Pipa nuk ishte si kjo farë gjithologësh megalomane, që ka mbirë keq e na bezdis mushkonjërisht, ai ishte dijetar dritëror, në kuptimin më të plotë të fjalës, sikurse poetët e antikitetit, që ishin edhe filozofë, edhe pedagogë, edhe shkencëtarë të dijeve të ndryshme.
Me figurën e tij janë marrë shumë figura të kritikës, shqiptarë dhe të huaj, sepse personaliteti i tij ka qenë në funksion të ndërkombëtarizimit të letërsisë shqiptare. Ai ishte një ndër polemistët e njohur të Gjuhës letrare shqipe, Shqipes Standarde me burim dy dialektet e popullit shqiptar. Gjykoj se ndër dritanët e Shqipërisë, pjesëmarrja kuvendore e tij i jepte hijeshi debatit, sepse, në s’e ke në krahë, jo më pak vlera ka një kundërshtar i fortë e i plotësuar, trim dhe i ditur si Arshi Pipa. Interesat e para krijuese të tij ishin kritika, estetika dhe poezia, që i kanë çelur sythet në harkun kohor 1936-1940. Edhe pse ka jo pak shkëndija epike, emri i tij në poezinë shqipe është klasifikuar në poezinë lirike dhe në një lloj tjetër të poezisë së angazhuar, siç është poezia politike, ku notat atdhetare ngyhen në fatalitet, por vjershërimi i tij nuk është nga ai i sojit të rripit të transmensionit.
Studiuesi Stefan Çapaliku, duke i bërë portretizimin letrar Arshi Pipës, i vë në dukje tiparet e krijimtarisë së tij, të cilat autori i ruajti në të gjitha vëllimet që botoi, madje edhe tek “Libri i burgut”: “Idhtar i një poezie që e kërkonte bukurinë vetëm tek subjektiviteti më i thellë i faktit, që ai e quante “spiritualizëm”, A. Pipa erdhi në lirikën shqipe të fillimviteve ’40 si poeti i motiveve eterike të dhimbjes, mallit, përsiatjes, dashurisë, të derdhura përmes formash të selitura klasike, detaje të holla dhe të një fjalori shumë të pasur”. Tek “Libri i burgut”, që ka brendi kryesisht politike, me peritekstin (shënimet) e vet të gjerë të konceptuar si një lloj ditari poetik të viteve të burgimit, autori shprehu bindjen se sistemi shoqëror i diktaturës së proletariatit, me totalitarizmin e tij të ashpër, ishte i destinuar të shembej.
Ndër studiuesit e huaj, që janë marrë me profilin e Arshi Pipës, Robert Elsie e studion Pipën të klasifikuar në Letërsinë shqiptare të shekullin XX në Itali e diasporë, si Gjaku ynë i shprishur, që radhitet ndër shkrimtarët shqiptarë të diasporës, sikurse Martin Camaj, shkrimtar emigrant me peshë shumë të madhe, apo Viktor Eftimiu, Xhevat Kalljaxhi, Abdylatif Arnauti, Thoma Kacorri, Preng Gruda, Nermin Vlora Falschi dhe shkrimtarë të tjerë më të zbehtë para punës plot kurajë e shpesh herë të talentuar në shërbim të zgjerimit të horizonteve të kulturës shqiptare. Elsie shkruan se Pipa vjershat e para, të shkruara në fund të viteve tridhjetë në Shkodër, u mblodhën në vëllimin “Lundërtarë”, Tiranë, 1944. Nuk na takon ne që të flasim për veprimtarinë politike, sepse është edhe jashtë synimeve të kësaj tryeze nderimtare ngushtësisht shkencore, në jehonë të 100-vjetorit të lindjes së Arshi Pipës, por nuk mund të harrojmë, se qe pikërisht Pipa botues e redaktori i të parit periodik në shqip kushtuar tërësisht çështjeve të krijimtarisë letrare, revistës “Kritika” e përmuajshme, 1944 në Tiranë, as që u arrestua pas çlirimit [1946], për idetë e tij politike liberale, thjesht se nuk pranoi konformimin vertikal dhe bëri 10 vjet burg, por zogu i lirë nuk i duron dot kafazet, i thyen ato e merr hapësirat deri në Amerikën e demokracisë së ëndërruar e dëshiruar. Nuk mund t’i shpëtonte valës së gjuetisë së shtrigave të pas Luftës së Dytë Botërore një shkrimtar dhe intelektual i kalibrit të Arshi Pipës. Nga historia e letërsisë shqiptare dimë se kur Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë nisi botimin e organit “Bota e Re”, Pipa me Kutelin ishin të vetmit shkrimtarë jokomunistë në këshillin drejtues, ndërsa Pipa ishte edhe drejtues i kësaj reviste, organ i Lidhjes. Mori pjesë në Kongresin e Parë të Lidhjes në tetor të 1945, drejtuar nga vigani i pathyeshëm Skënder Luarasi dhe pastaj … ëndrrat e tij nisin të lëndohen, vite e vite dhembën keq, u shqyen, por nuk u thanë, sespe ai i shkruante poezitë në letrën e cigares në burgjet e kampet e punës së detyruar. Atyre hënave nga jam unë, përdoret shprehja: “Dhe vdekjen e mori në sy, por shpëtoi me këmbët e tij”.
Albanologu gjermano-kanadez R. Elsie shkruan: “Pipa i hodhi përjetimet e dhjetë vjetëve të tmerrit në burgje e kampe pune në Durrës, Vloçisht, Gjirokastër e Burrel në përmbledhjen 246-faqesh me poezi “Libri i burgut”, Romë, 1959, ka botuar dy vëllime të tjera me poezi në dialektin gegë “Rusha”, Munih, 1968 dhe “Meridiana”, Munih, 1969, ky i dyti një përmbledhje në frymën romantike e nostalgjike të Xhakomo Leopardit”. Ndoshta Pipa është një shembëlltyrë e Leopardit të madh të skek. XIX, por me identitetin e shqiptarit të moralit qytetar. Mund të themi se njohja e mirë deri në rrënjë e pemës së bukur të gjuhës italiane, jo vetëm nga fakti se, deri sa doli në pension qe profesor i italishtes në universitetet amerikane, u bë dashuri e dytë për autorin, ndjenjë e shpirt për të, saqë ndikoi dhe në stilin, strukturën poetike dhe tipologjinë shkrimore të poetit të fatalitetit romantik Arshi Pipa. Bota jonë letrare i vlerëson sidomos botimet studimore të tij, sepse ato kanë pasur efekt më të madh, sidomos kritika letrare, ngaqë dallojnë që janë një ndihmesë e vyer në fushën e hulumtimeve letrare. Veç një vargu artikujsh, ai ka botuar studimet: “Montale and Dante” (Montalja dhe Dante), monografi, Mineapolis, 1968; “Contemporary Albanian Literarure” (“Letërsia bashkëkohore shqiptare”), 1991. E një rëndësie të veçantë për kërkimet në fushë të historiografgisë letrare mbetet trilogjia albanologjike në tre vëllime “Trilogia albanica” – “Albanian Folk Verse. Structure and genre” (“Poezia folkorike shqiptare. Struktura dhe gjinitë”), Mynih, 1978, “Jieronymus De Rada”, 1978 dhe “Albanian Literarure: Social perspectivs” (Letërsia shqiptare: perspektivat shoqërore”).
Ai ka botuar edhe një studim sociolinguistik, që ka ngjallur polemikë dhe kundërshtime, mbi formimin e gjuhës letrare shqipe, si gjuhë zyrtare e Shqipërisë, me titull “The politics of language in Socialist Albania” (“Politika gjuhësore në Shqipërinë socialiste) ”, Nju Jork, 1989. Pipa njihet për kundrështimin e zgjidhjes së çështjes gjuhësore nga Konsulta Gjuhësore e Prishtinës (Prishtinë, 27-28 prill 1968 dhe Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës shqipe (Tiranë, 20-25 nëntor 1972). Njihen dhe qëndrimet e tij eklektike, jo racionale dhe të pabazuara, siç duhet, për vepërn letare të shkrimtarit tonë të shquar I. Kadare.
Pipa është marrë dhe me politologji, nga ku përmendim: “Albanian Stalinism” (“Stalinizmi shqiptar”), 1990, një përmbledhje me 15 artikuj mbi tema politike, etj. Edhe pse sipërfaqshëm, nuk mund të lëmë pa përmendur se Pipa ka themeluar e drejtuar revistën “Albanica” (1990-1992). Ka qenë ndër redaktorët e bashkëpëtorët e rregullt të revistës së mendimit kritik “Telos”, revistë prestigjioze ndërkombëtare. Ai ka kontribut të veçantë me shkrimete e tij prestigjioze në gazetën “Dielli” për shoqërinë emërmadhe “Vatra” në SHBA, duke e cilësuar qartësisht bukur “Vatra asht nji monument historik i vetëdijes dhe kulturës kombëtare”
Sipas Elsies, me përjashtim të Camajt, që lozi rol të madh në letërsinë shqipe të diasporës, ndihmesa e të tjerëve nuk pati peshë specifike. Gjithsesi, Pipa është një emër enciklopedik i përveçëm, sepse me artin e fjalës e mbajti gjallë flakën e qiritit të kulturës shqiptare ndër viset e globit ku jetoi, që nga Sarajeva, ish-Jugosllavia deri në SHBA. Paradigma e tij ngelet: “Me përqafimin e njerëzimit, veprim moral e ka kryer misionin e vet. Por moraliteti nuk e shteron dinjitetin njerëzor. Dhe kur njeriu pushon së vepruari, zbulon natyrën”.
Studiuesi Roland Zisi, i shqyrton poetët e ndaluar në sistemin komunist, duke i nisur ligjëratat universitare me më të shquarin Camaj (1925-1992), ndërsa vijon sipas kriterit kronologjik: Sejfulla Malëshova (1901-1971), Mitrush Kuteli (1907-1967), Arshi Pipa (1920-1997), Zef Zorba (1920-1993), Bila Xhaferi (1935-1986), Frederik Reshpja (1940-2006). Arshi Pipa del më i shfaqshëm në konsolidimin tipologjik të poezisë meditative e filozofike, ndoshta se te personaliteti i tij vërehet mospërputhja e vizioneve dhe interesave, natyra fataliste e njeriut dhe poetit. Sipas studiuesit Zisi, tek trajton vjershat tipike të Pipës “Lundërtarë” dhe “Borë”: “Dashuria dhe Bukuria, me të drejtë shpallen si qëllim final i Jetës, por rruga për të shkuar tek ato kalon/ vendoset përmes Fa (talite) tit. Këtë filozofi autori e artikulon qartë në katër vargjet e fundit: “Timonieri i ynë asht Fati/ Velat tonë janë Dashunija/ Për me vujt jemi ba gati:/ Jemi nis kah Bukuria!”. Sipas Pipës “Gjeniu artistik është shpirti që vepron si natyrë”
“Arshi Pipa përmendet vazhdimisht si poet i fatit dhe i Vuajtjeve metafizike që vijnë si pasojë e mospërputhjes së vizioneve të tij humane dhe intelektuale me realitetin politik, shoqëror dhe kulturor të Shqipërisë socialiste”. Sado shumë të flasësh e të shkruash për Arshi Pipën, ai nuk mund të thuhet kurrë i tëri, ndoshta një konferencë shkencore albanologjike e përmasave ndërkombëtare mund ta paraqiste me të gjitha përmasat, por ndoshta asnjëherë shteruese. Dhe, para mbylljes së kësaj fjale të vogël për këtë njeri të madh, kam dy motive vetiake, vërtet rastësore e në dukje formale se përse unë nuk mund ta harroj Arshi Pipën. Motivi i parë është epik. Ai ka lindur në vitin 1920. Më vitin 1920 është zhvilluar Lufta Kombëtare e Vlorës, njëra nga dy ngjarjet emblematike për Vlorën dhe Shqipërinë, të cilës unë i kam kushtuar mbi 10 vjet studimtari, vëzhgim me pjesëmarrje në terren, si dhe dy monografi shkencore mbi raportin histori-epikë historike në këtë ngjarje të rëndësishme historinë e popullit shqiptar.
Motivi i dytë është lirik. Ai ka datëvdekjeje 20 korrikun. Unë kam datëmartese 20 korrikun.
Pra, a mund ta harroj unë poetin dhe filozofin tonë?! I dritëroftë emri dhe vepra e tij e çmuar për ne, që njerëzit e kulturës dhe librit në Fierin e Jakov Xoxes dinë ta bëjnë me dritë nderimi!
Mirënjohje bujarëve fierakë!
Faleminderit Majlinda Nana Rama!
Fier, 10.09.2020
MSc. Albert HABAZAJ-**Përgjegjës i Biblioteksë Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë