Erveheja midis dy shekujve…/
Nga Rasim Bebo/ Chikago/
Muhamet Çami zë vendin e merituar në pikënisësit nga klasikja bejtexhinj në poezinë e Rilindjes Kombëtare. Muhamet Kuçuku Çami lindi në Konispol më 9 korrik 1784-1844, kryen studimet në Kajro të Egjyptit për 11 vjet dhe kthehet imam në Konispol. Vepra e tij kryesore janë: Erveheja, Jusufi dhe Zelihaja, Mevludi, historia e Ibrahim Pashës në vitin 1826 e tj. Përfaqësuesit e fillesës më të dëgjuar në të gjithë jugun e Shqipërisë ishin Muhamet Çami, Nesim Përmeti, Sulejman Ramazani nga Berati, apo Hasan Zyko Kamberi. Prej Muhamet Çamit na ka mbetur e mirënjohura “Erveheja”, e përpunuar nga Jani Vreto. Kjo vepër u shtyp në Bukuresht më 1888.
Vargjet kanë një vlerë historike, sepse na japin një botëkuptim të jetës që zhvillohej në Çamëri. Erveheja është një novele dramatike e vjershëruar dhe e qepur me 221 strofa! Përmbajtja e saj është krejtësisht morale, por episodet janë shumë ngjethëse dhe mallëngjyese. Sundon një fantazi çuditërisht e gjallë dhe ky brumë po të binte në penën e një shkrimtari të vërtetë kishte për të dalë një kryevepër romantike e atij shekulli.
Në përpilimin e kësaj vepre, Muhamet Çami ka patur virtytin më të shënjtë të racës iliro-shqiptare: nderin dhe besnikërin e gruas! Burri endet vite me radhë në dhera të huaj për të kërkuar bukën e familjes së vet. Kurbeti, te shpirti i popullit tonë ka hapur plagë të pambyllura. Ne kemi gra besnike që presin me dhjetëra vite të kthehet burri i mërguar. Toskëria e mban në gji këtë plagë të rëndë shoqërore.
Erveheja është protagonistja kryesore e kësaj poezie. Pastaj vjen i shoqi, një burrë besnik; i kunati, një bishë në formë njeriu; Bujari, një fisnik e njeri shpirtmirë; ndërsa shërbëtori i Bujarit ka cilësitë e kunatit-kafshë; Varavana një katil mosmirënjohës; kapedani: shtazë e vërtetë e epsheve të veta dhe mbreti: një burrë i matur dhe i urtë! Përmbi këta, Erveheja, gjatë tërë veprës, qëndron si një shënjtore, është besnike e burrit, vullnet fortë, guximtare, mirëbërëse, zëmërgjërë, fisnike dhe me hirin e bukurisë së pashoqe. Martirizimet më të tmerrshme nuk e përkulën dot që t’u dorëzohet epsheve shtazarake të shpirtligjëve, dhe besnikëria e mbajtur kundrejt burrit të saj del si granit.
Bukuria e Ervehesë është porsi hëna që ndrit në një natë të kthjellët, është shumë e matur dhe shumë fisnike e i është dorëzuar të shoqit me mish e me shpirt. Për nevoja të ndryshme një ditë i shoqi morri rrugën e kurbetit. Para se të largohej shtëpinë dhe gruan ia la amanet të vëllait, i cili u betua se do të kujdesej si të ishte ai vetë. Me të shoqen u ndanë me lot në sy e me pikëllim në zëmër.
I vëllai e “mbajti” fjalën. Sa ktheu shpinën kurbetliu, i pabesi, që u hoq aq besnik, i vajti pranë femrës së bukur dhe trupargjend dhe si i çmëndur i ra ndër këmbë, duke u lutur që t i dorëzohej atij që vuante aq shumë për hiret e saj. Erveheja u trondit rëndë, e kundërshtoi me tërbim kunatin e pandershëm. Po një memistofel iu gjet edhe kësaj bishe, qe ta mësonte se si mund ta shtinte në lak. Ervehenë e bukur, i paudhi e këshillon kunatin që t’i kërcënohet femrës me vrasje. Po që se nuk do i bindej as me këtë mënyrë atëhere duhej ta vriste medoemos, se fjala e turpit do të merrte dhenë me njëherë.
Të nesërmen, bisha u shfrye, e paditi të kunatën si nje të përdalme që ia mori në përkëmbë nderin e të vellait. Dolën dhe dëshmitarë të rremë e të blerë, të cilët pohuan për ato që padiste i koruptuari.
Gjyqi vendosi sipas kanunit të vendit: Ervehenë e çuan në një kodër dhe aty e mbuluan të gjallë me gurë.
I tërë populli e bënte sehir kur po përpëlitej gruaja e “pandershme”.
U ngrys! Kodra mbeti e shkretë nën klithmat dhe të lebetiturat e gruas besnike! Ku ishte gati në të vdekur qëlloi që aty pari kaloi një Bujar. Kuptoi që ishte dikush nën gurët. E nxorri nga gurët dhe e çoi në shtëpi të vet, i shëroi plagët. Por bukuria e magjishme e mikes goditi dhe Bujarin! Propozon martesen që të shkonin të lumtur. Por, as këtë herë femra besnike nuk u bind. Bujari iu lut që të mos nxirrte fjalën dhe i thotë me adhurim të madh.
Falmu e lutu për djalë / Ti që paske kaq besë / Perëndia të më falë.
Po, Ervehesë ia prishi qetësinë nje demon tjetër i vërtetë me fytyr njeriu dhe, ky ishte shërbëtori i Bujarit që e dashuron marrëzisht Ervehenë. I binte në gjunjë dhe i bënte të gjitha theroritë, vetëm që ajo, të shkonte një herë e t’i buzëqeshte pakëz.
“Erveheja kur e dëgjoi / I tha: shporru, hiqu mejet! / Se tënzotit nuk ia dëftoj. / Pa të dalë buka gojet.
Edhe shërbëtori shkumëzoi! Vendosi ta zhdukte gruan, qoftë edhe me të pabesë, të bukurën e pa përkulur n’epshet e tij. Një masakër ç’njerëzore mendoi të cilën e vuri në veprim.
Ngrihet në mesnatë dhe, me thikë ther të birin e Bujarit. Thikën e përgjakur, pa e parë kush, e fshehu nën shtratin e Ervehesë.
Të nesërmen, prindërit fatkeqe, gjëjnë djalin e therur në djep! Vaje e klithma, pikëllimi dhe zia mbështolli familjen e lumtur. Mblidhen të gjithë rreth fëmijës së vdekur! Të gjithë pyesin njeri-tjetrin se, kush e kishte bërë atë krim!?
“Shërbëtori me të shpejtë / thirri, klithi: Të kërkojmë. / Të ligën ta zbulojmë.”
Me të uluritur si nga dhimbja e vërtetë, u hodh sa andej këndej, kërkoi nëpër çdo vrimë të shtëpisë dhe, pastaj nën shtratin e Ervehesë zbuloi thikën me gjak.
“Vrap u kthye me një herë / Me rrëmbim drejt Ervehesë / U bë gati për ta prerë / Dhe tha: Mori bushtër e pabesë”.
Bujari, ia ndaloi dorën shërbëtorit dhe iu shfry Ervehesë, që pati zëmër aq të ligë sa t’i nxirrte shpirtin atij që e shpëtoi nga vdekja e tmerrshme.
Gruaja e shumë vuajtur me lotë në sy i tha se, kurrë nuk kishte menduar t’i bënte keq shpëtimtarit të saj. Vetëm Zoti i vërtetë do të jetë ai që do ta zbulojë këtë krim çnjerëzor.
Bujari dhe e shoqia e besuan, por nuk donin më ta mbanin pranë tyre. I falën 400 flori dhe e nxorrën në rrugë të madhe.
U end anës së detit pa ditur se për ku drejtohej.
Sa pa hyrë në një qytet, sheh njerëzit të mbledhur në një vend. U afrohet! Në litar do të varnin një njeri sepse kishte vjedhur 400 florinj nga arka e qytetit.
Gruaja shpirt mirë nuk u mendua shumë; ua pagoi katërqind florinjtë, shpëtoi të pa njohurin nga litari dhe iku sikur s’kishte bërë gjë. I shpëtuari e ndoqi pas.
Ajo. “Ndë një vapë, ndë një diellë. / Kryet mbështetur mbi dorë. / Psherëtiu e vështron qiellë. / Sa fatkeqe dhe e gjorë”.
Njeriu i pa njohur i vajti pranë dhe e falenderoi për shpëtimin që i bëri por i propozon martesën.
“Ik’ ashtu dashtë Perëndia. / tha , ç’qe kjo fjalë e pështirë. / Kam burrë, nuk si tinë. / Por të urtë dhe të mirë.”
I shpëtuari bëhet bishë! Përbuzja e Ervehesë e vrau keq! Shkon nga limani dhe thëriti marinarët për t’u shitur një skllave të bukur dhe të mrekullueshme. Kapedani, po sa e pa u magjepës nga sytë e saja dhe i numuroi njëmijë flori kafshës me fytyrë njeriu dhe e mori me vete fatkeqen.
I tha tregtari skllaves: “ Qenke femërë. / Që sado të kesh dhënë. / Kaq më hyri në zëmërë. / Të gjitha t’i keshë dhënë.”
Erveheja u gjend ngushte, por nuk e zgjati: hidhet brenda në detë për ta gëlltitur valët e shkumbëzuara! Kapidani i ra pas me not dhe e shpëtoi! Me të pa hir, e mori në anije dhe morrën detin e thellë.
Pranë një limani tjetër u krekos kapidani për ta gëzuar skllaven e bukur dhe për të përmbushur epshet e tij shtazarake! Edhe marinarët e tjerë po i vinin rrotul të leksitur!
Erveheja e pa përkulur, të gjithëve u kundërshtoi me të gjithë forcën e saj, pastaj edhe furtuna e detit i erdhi në ndihmë. Stuhija përplasi vaporin në një shkëmb dhe i mbyti të gjithë marinarët me kapidanin e tyre. Femra zëmër fortë shpëtoi për mrekulli! Dallgët e nxorrën pranë një qyteti të bukur, ku pallatet e mbretit hijeshonin me madheshti mbi kodrinat.
E veshur si burrë shkon fill e te mbreti! Ai e priti me fisnikëri të madhe dhe i dhuroi një tokë ku të kalonte jetën e lumtur. Aty jetoi vite me radhë!
Femra e shtyrë si burrë u suall aq bukur sa që fitoi dashurinë dhe simpathinë e familjes mbretërore dhe të mbarë qytetit. Zoti i fali edhe një dhuratë! Erveheja burrë, u bë një njeri me nam për shërimin e të verbërve. Ishin me mijëra ata që fituan dritën e syve me ilaçet e saja!
Vite më vonë mbreti u mplak u sëmur rëndë, ndonjë trashëgimtarë për fronin e tij nuk kishte! Ftoi të gjithë parinë dhe të zgjidhnin për mbret një tjetër, atë që e donin ata vetë! Zgjodhën për mbret burrin e panjohur që kishte bërë kaq e kaq të mira! Ishte Erveheja e aratisur që për t’u fshehur ishte maskuar si burrë! Me mbretërimin e saj tërë të mirat i erdhën mbretërisë; me ligje dhe pasuri të reja.
Për habin e saj të madhe një ditë sheh të vinin në pallatin mbretëror i shoqi me të kunatin, Bujari me shërbëtorin dhe Varana i shpëtuar nga litari! Të tre kriminelët hiqeshin zvarë sylidhur, se ishin verbuar. Në sallën e madhe mbretërore u priten të huajt dhe u ftuan të vinin edhe paria e qytetit. Ervehesë – burrë i vinte t’i hidhej në qafë të shoqit, t’i hapte zëmrën e plagosur dhe ta gëzonte. Por u përmbajt. Të verbërve u tha se magjia e saj nuk zinte, nëqoftëse, secili nuk bënte rrëfimet e mëkateve të tij!
“Unë jam i martuarë, / dhe pata të tillë grua, / t’urtë , të bukur, të qëruarë. / sa gjithë bota, për mua! / Ervehe ja thoshin’ emrin, / shpirti im ndë shpirt t’asaj / tash që e humba atë mjerane, / gjall’ e pa shpirt me quaj!”
Ai ende nuk u besonte fjalëve të botës, që e kishin paditur të shoqen kaq ç’njerёzisht.
Mandej filloi rrëfimin i kunati, i kallzoi të gjitha të këqiat që ia punoi Ervehesë; pastaj me radhë të gjithë treguan krimet e tyre, që i kishin bërë një gruaje të bukur, fisnike dhe zëmërgjërë.
Meqënëse thanë të vërtetën, Erveheja ua shëroi sytë të tre të verbuarve. Pastaj vështroi të shoqin dhe lotët rrëke i vanë, u hodh në krahët e tij dhe e përqafoi: “Erveheja jam unë!” – i tha. Të gjithëve u dha dhurata të çmuara, të shoqin e vuri në krye të vendit dhe vetë u vesh grua ashtu siç ishte njëherë e lumtur.
Në vetvete vepërza është një kallzim i thjeshtë, po kuptimin e ka të madh, e ndonëse mund të jetë një frymëzim oriental, në zhvillimin e ngjarjeve, për ne do të qëndrojë kurdoherë si vlerë historike letrare, si monumenti i parë letraro – laikë, ndaj dhe do të ruajë kurdoherë, me të, edhe thelbin e virtytit kombëtar, nderin dhe besnikërinë e gruas shqiptare.
Ky material është grumbulluar: nga shënimet e avokat Hajri Zejno nga Konispoli, nga libri i Albert Kotinit, “Tre gurët e zez në Prevezë”, bot. 2000, f. 591-597 dhe nga interneti Muhamet Çami – Kuçuku. 15 janar 2013.
Addison Çikago, shkurt 2013.