Gjeografia e humanizmit të Musa Koshenës nga Dukati e meriton këtë lule mirënjohjeje /
Nga Albert R. HABAZAJ/ studiues/
Kur ikën nga jeta një njeri, na dhemb të gjithëve. Kur ikën një njeri i mirë u dhemb dhe zogjve. Kur rrëzohet një lis i lartë e hijerëndë i dhemb dhe malit. Nga Thilpati i Dukatit ra një lis, po ai qëndron përsëri në këmbë me emrin dhe veprimet e mira që bëri në shtatëdhjetë e shtatë vite, mbi këtë tokë me histori. 77 vjeçari nuk u thye e nuk u shkul dot nga erërat e rrebeshet për gjysëm shekulli, kur vjen e merr për dore, urtë e butë e pa bërë zë, e pakthyeshmja vdekje. Kur ka një jetë me furtunë, por tërësisht të pasur me vlera e virtyte, një plaku të pastër shpirti i shkon në qiej të pastër. Një uratë e tillë njerëzore quhet Musa Koshena, nga Dukati i Labërisë së Vlorës, i cili, ka pesë vjet që shlodhet, më në fund, pranë të tijve.
Ishte djali i madh i nacionalistit Maliq Koshena, i atij burri krahine të nderuar e të respektuar; sepse nderonte e respektonte traditat, doket e zakonet e mira shqiptare; sepse vëllait i thoshte vëlla e mikut mik; sepse e donte dhe çmonte sa jetën LIRINЁ. Atij, ndoshta më saktë se çdokujt tjetër, i shkonte vargu i këngës: “Ne mikut i themi hajde / po zot shtëpie s’e bëjmë”. Ai qe luftëtar për liri, kundër shovinistëve grekë më 1913 – ën, në Llogora, tok me të kunatën Sado Koshenën me emër në histori. Ka qënë në Kuvendin e Barçallasë, trim i epopesë së Njëzetës, mik i Avni Rustemit e Halim Xhelo Tërbaçit, adhuronte Fan Nolin, qe mik me elitën e vendit…Të premten e zezë të 7 prillit, kur retë e murme të fashizmit mbuluan qiellin shqiptar, ai e fali një gjak që kishte në Dukat, bëri pajtimin, për të qënë një trup i vetëm e të shporrej pushtuesi jashtë sinorëve tanë, të hiqej qafe nga kufiri që na lanë të parët si gjën më të shënjtë. Bëhet organizator dhe drejtues i rezistencës së 7 prillit, tok me Sheme Sadikun, Ahmet Mëhillin, Imer Bodon etj. Më shkurt 1943, ka qënë pjesëmarrës në aksionin e Selenicës, drejtuar nga antifashisti i orëve të para Hysni Kapo, që në atë kohë ishte një figurë popullore e respektuar. Maliqi qe organizator i forcave nacionaliste, tok me Hysni Lepenicën, që zotëronte trimëri, zgjuarsi, autoritet dhe atdhetarizëm. Për këtë, ai u ndëshkua keq. Burgu do të bëhej “streha” e tij, po shqiponja s’jetonte dot në kafaz.
M. Koshena kishte lindur për liri, jetoi për liri, luftoi për liri e nuk do ta duronte haurin e errët e të blinduar. Maliqi luftoi kundër pushtuesit për liri, por e nëpërkëmbën kanibalisht hienat e shkretëtirës. As varri s’iu gjet. Sa qe gjallë, Musai u bë vazhduesi më i mirë i vlerave të babait. Një jetë të tërë kaloi mbushur me furtunë politico – sociale shpirti i tij, që qe vëlla me hajmali me prillin e pranverës. Po të kërkosh të vizatosh karakterin e tij, del një personazh që mishëron veçori thelbësore morale e psikike të larta, ku spikat vullneti i fortë, qëndresa e burrëria, këmbëngulja e madhe dhe vendosmëria, mirësia njerëzore dhe respekti për jetën e lirë. Musa Koshena qe njeri i thjeshtë, i mirë, pa vese, me kulturë, me një dituri të pabujshme, të padukshme, por, menjëherë të evidentueshme në komunikim me të. Ai qe një copë shkëmb, vërvitur në shkulmet e dallgëve të tërbuara të Detit të Egër. Unë, para tetë vjetësh, pas një pune kërkimore, krahasuese, studimore, verifikuese e ballafaquese botova monografinë “Një shkëlqim i trishtuar”, kushtuar figurës interesante dhe dinjitoze të Maliq Koshenës. Njerëz të ndryshëm për të të kanë mendime të ndryshme, por për karakterin, burrërinë, gjykimin dhe për respektin popullor që gëzonte, askush nuk mund të flas keq, sado i indoktrinuar errësisht e vogëlsisht me politikën në thonjëza komuniste. Disa gjallesa, apo më saktë 2- 3 frymorë, që në fakt përmbajnë peshë specifike në komunitet sa 0.75 e një personi, më kanë akuzuar dhe mua që kam shkruar për një ballist dhe paskesha qenë shitur te “Ballistët” e Dukatit dhe të Lepenicës për nja 30 a 300 aspra, a’smë kujtohet, se sa, ata, si duket, e ditkan më mirë, se unë s’di gjë. Jaderi ku e ulin veten me fëlliqësirat e pavërteta në këtë botë e në atë botë. Dhe për mendimin tim, ka njerëz të keq ose njerëz të mirë. Nuk ka popull të keq. Popujt janë vetëm të mirë. E pra, në Dukat, unë kam dëgjuar këngën, që këndohet dhe sot e kësaj dite: “Ku këndon pushka dhe pena?!/ Komandant Maliq Koshena!” Populli e këndon, jo unë. Ec, e merruni popullin e Dukatit, po ua mbajti, u them atyre dy kulufëve paemër, që përdorin emrin e një homogjeni të qyqarit në individualitet, se Dukati s’pyet për perandori e qeveri, për sulltanër e shejtanër, po e shkele në kallo; s’ka nge të merret me liliputër Dukati, “gjysm’ e Misirit”, i shpërfill indiferendshëm asnjëgjërat, se vetë koha i harron natyrshëm. Unë shkruaj, interpretoj, mbush fletë të bardha me reflekse drite e burrërie, që burojnë nga gurra e traditës së mirë, e cilësive burrërore të “veqilit të shtëpisë së tij, të mëhallës së tij dhe të fshatit të tij, nga zotësia, besnikëria dhe bujaria e patriotit Maliq Koshena. Fati më ndihmoi t’i njihja shumë mirë djalin e madh, të paharruarin Musa Koshena.
Për atë burrë nga Dukati, kisha dëgjuar fjalë me respekt. Më dukej si një lis tragjik. Rasti e pruri të punoja në Dukat. Njoha njerëz, vende, ngjarje, fakte. Më turbulloheshin fletëzat e historisë e përsëri ravijëzoheshin qartas. Tetor 1997 qe kur trokita në shtëpinë e vjetër por të pastër të bujarit Musa Koshena…Një burrë i gjatë si bredh Paliske, i hollë si shufër dyfeku, hap lehtë si kaproll mali, seroz, i vëmëndshëm, me mend e tolerant, me një shkop në dorë, që e mbante më tepër për hir të zakonit, jo s’e i hynte në punë…Dukej si një copë shkëmb nga masivi prerë. Me dashamirësi më çeli portën dhe në sofrën e mikpritjes së tij më shtroi kafe, raki, siç e ka tradita labe dhe zemrën e madhe siç e ka fisniku.
Miku im i vyer dhe po aq i respektuar, mësuesi i dukat, i paharruari Azis Gjoni, që më shoqëronte në misionin tim historiografik ma lehtësonte dhe ma bënte kollaj realizimin e misionit të thjeshtë atdhetar. E pastë me sheqer dheun ku prehet i qetë, se mjalt e dituri nxorri nga goja sa qe gjallë Aziz Gjoni! Po kështu, miku im, me zemër në dorë e aq i mirësjellshëm, Qani Shakaj, që më fali aq shumë besim. U jam mirënjohës atyre. U them gjithmonë faleminderit edhe Qani Mëhillit, Lirim Nezhës, Sherif Tavës, Zaho Peçulit, Rrahman Gjipalit, Çezar Koshenës, Xhemil Seferit, mendimtarit Gëzim Llojdia, mandelës së Vlorës Petrit Velaj, kushëririt tim Elmas Rodaku, patjetër dhe punëmadhit e zemërgjerit të pabujshëm, Ferjat Mëhilli. Të gjithëve u jam mirënjohës!…
I ritheksova vetes detyrën të grumbulloja materialet, gjithshka, kudo, nga çdokush, të shkruaja të vërtetën, ashtu si qe, aq sa qe, pa të tepërta, pa të mangëta, me përgjegjësi.
Shtatëmbëdhjetë vjet më parë, kisha botuar të parën monografi timen “Hysni Lepenica”, e cila u mirëprit pothuaj kudo, nga të majtë e të djathtë, sepse deviza ime ka qënë, është dhe do të jetë: Partia ime – kombi. Politika ime – Shqipëria. E kisha dhe fatmirësisht e kam këtë siguri. Sigurisht dhe në të ardhmen.
Dukati më shtroi si meze rakie zemrën me sinqeritet, kështu që u mbusha me frymë të kthjellët atdhetarie dhe nisa të dritëroj me devocion një fletëz tjetër historie. Musa Koshena është patrioti që shkriu jetën,familjen e pasurinë për lirinë. Në Dukat m’i çelën portat e kaltra të shpirtit e të kujtesës sa e sa burra me thinja të mençura, miq të heroit të librit tim, intelektualë, veprimtarë me një barrë mend e dy hejbe dashamirësi. Sa qe gjallë, me xha Musain pata shumë letërkëmbime, shumë takime respektore dhe miqësinë me të e ruaj, sidomos tani, që ai më mungon, si diçka të shenjtë. Kur po punoja për “Shkëlqimin e trishtuar”, xha Musai më thoshte: “Nuk e di kur është vrarë babai? Ku i ka eshtrat? Hirin? Pse e vranë? Pse? Ç’bëri kundër Dukatit? Ç’bëri kundër Atdheut? Pse?”
Në një letër, nisur nga Dukati, më 10. 04. 2002, xha Musai më shkruan, midis të tjerash:
… “Për kujtesë do ta përsërisja: Mos u mundo t’i thurësh areole që nuk meriton, do të ishte shërbim i më i keq që do t’i bëje emrit të tij, dhe mua s’do më vinte mirë.
Për ta konkretizuar këtë të fundit, dhe me pak banalitet, ngaqë njihet sot dhe në shkrime, miqësisht të shprehem: Kur e qanin një të vdekur dy gra labe, u krijua natyrshëm kjo situatë: E para i thurte shumë lëvdata si: “bilbil, jastrit, luan, etj. E dyta, mbasi mbaroi e para, filloi me këto fjalë: “Motra ime, moj Xhane,/ mos e qaj lart e përdhe,/ po qaje ashtu siç qe, shtëpi m…e prag hale…”.O njerëz të mirë! Ky është mesazhi njerëzor, që vjen nga një njeri pa komplekse, i vërtetë, i respektuar e i nderuar në Dukat. Ai u bë model i njeriut që do mirëkuptim e vëllazërim. Asnjëherë s’duhet të grindemi, thoshte ai, jemi pak, duhet të duhemi shumë me njëri – tjetrin. Çfarë do të ndajmë? Çfarë do të marrim me vete? Po s’deshëm ne njëri – tjetrin, s’mund të na dojë kurrë bota. S’i hapet barku shumë jo, na kthen kurrizin e shikon punën e saj, ecën përpara. Gjeografia e humanizmit të atij njeriu të veçantë, tokësor e të çuditshëm, u mësua më së miri sidomos ditën e përcjelljes së tij. Mbushur Thilpati e Dukati me njerëz kokëulur nga dhembja, që iku një njeri i mirë nga jeta. Në 17 vjetët e demokracisë, që xha Musai jetoi, nuk u pa urrejtje në sytë, në fjalën e shpirtin e atij burri.
Vetëm buzëqeshje e dashamirësi i lexohej në tërë qenien e tij. Kënaqej, kur shikonte harmoni midis njerëzve. Këto janë vlera, virtyte, cilësi të larta që rrallëkush i gëzon. Foli në atë homazh ing. Mustafa Dedenika, kryetar i Shoqatës Atdhetare – Kulturore “Dukati, për të paharruarin fjalëmbël, që dinte dhe gjuhë të huaja dhe shkruante vjersha; foli dhe Bujar Deromemaj, për atë lis, që s’u thye e s’u shkul nga erërat, për atë njeri që vendlindjen e tij e donte më shumë se çdo gjë tjetër në këtë botë, për Musa Koshenën, që shpirti i këngëzonte në Dukat: “Diva janë burrat, zana janë gratë”.
Ka ngelur si thënie për t’u dhënë kurajo njerëzve, tek përballen me vështirësitë, që vërshojnë me turbullirë të murme e të egër në çdo kohë: “O njeri, shtërngo dhëmbët, mblidh mendjen e të mos ia bësh o, kur të të vijë dita, vdis si Musa Koshena!”
Në Dukat, emri Musa Koshena lexohet dhe kuptohet ndryshe: Mirëkuptim e Vëllazërim.
Në këtë kohë të trazuar, (për dreq e për mend të kokës, njëkohësisht), kërkohet ta duam shumë çiltër e vëllazërisht njëri – tjetrin, të jemi të qetë, punëtorë, të pazhurmshëm e veprues të vlerësuar nga ata, që janë shumë më mirë se ne, t’i hapim krahun njëri – tjetrit, kur duhet, e bashkarisht të ecim përpara drejt qytetërimit dinjitoz. Jemi kokërriza rëre në këtë kozmos e duhet të jemi lastarë të globalizmit, të ndihemi në shoqërinë e informacionit e teknologjive të reja, për ta përmirësuar jetën e jo për ta alabakizuar atë. Gjërat e liga, që kanë ndodhur, mos të na përsëriten më. Boll, se padrejtësisht u qëlluam me pëllëmbë me njëri – tjetrin, – më thoshte i ndjeri xha Musa, sa herë.
Ai sot prehet pranë së shoqes, Sofisë, që i iku 39 vjeçe, pranë vëllait Isuf, pranë dy nipërve e djalit kërthi, se bomba këputi dy djemtë e Isufit dhe 10 vjeçarin e Musait. Atje ka Minon me halle e burrëneshë, ka Hyson, ka Pelivanin e Ardianin, si dy filiza që ranë aq brishtë. Ka Marinelën, ka Valterin, ka Fitoren, që iku si një frymëmarrje e freskët dhe aq.
Kaloi halle të rënda e probleme të mëdha. Edhe të vëllezërit.- Kështu flisnin njerëzit, në përcjelljen e tij me zë të vogël. – Po ata i kaluan hallet me gra. Ai u u helmua nga hidhërimet, po goja, fjala dhe shpirti i tij nxorri vetëm mjalt. Prapë ai ka plot, ka tre djem e një vajzë.
Ka plot. S’numërohen dot njerëzit e tij sa shumë janë. – Jetë të vështirë, dhe me Zotin, dhe me Robin, – psherëtinin plakat e rënda të Dukatit atë ditë me diell të plotë tek i jepej lamtumira fisnikut të Thilpatit. – Zoti i mori gruan dhe një djalë. Robi – burgjeve, pa të drejtën më të vogël.
Si lule fati xha Musait po i lë kujtim respektor këtë epitaf:
S’jemi personazhe nga “Iliada” e Homerit,
S’kemi bërë bëma gjeniale, këngë a heroizma.
Vdekja jote më tonditi sa rrathët e Ferrit’
M’u errën sytë të tmerruar, sikur erdhi kataklizma.
U pikëllova, o i bardhi xha Musa, ndoshta më shumë
Se pikëllimi i Akilit nga vdekja e Patroklit,
Lotët që më ranë shikimin ma zunë
Edhe pse këtë njeri të mirë, s’e njohën gjithë të mirët e globit…
Gjeografia e humanizmit të Musa Koshenës e meriton këtë lule mirënjohjeje.
*Kryetar i shoqatës Atdhetare – Kulturore “Tërbaçi” dhe sekretar i Shoqatës “Labëria” për Vlorën
Vlorë, më 13. 07. 2013