-Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 96-të, të 28-tën në vitin 2016/
-Gjatë mbledhjes së sotme, qeveria miratoi në parim nismën për lidhjen e Marrëveshjes financiare për IPA 2017 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian/
PRISHTINË, 22 Qershor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Duhet mundësuar që institucionet e drejtësisë në mënyrë të pavarur ta kryejnë punën e tyre, tha sot kryeministri Isa Mustafa duke folur për lirimin nga detyra të ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, në mbledhjen e qeverisë së Kosovës, e cila miratoi një projektligj dhe dokumente tjera në kuadër të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
“Dëshiroj t’ju njoftoj se z. Agani, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka kërkuar të lirohet nga pozita e ministrit. Në harmoni me qëndrimet që ne i kemi pasur gjatë themelimit të koalicionit qeverisës dhe të përcaktimit tonë të zbatimit të ligjit, unë e vlerësoj gjestin e ministrit Agani dhe vlerësoj se ne duhet të zbatojmë të gjitha procedurat, të zbatojmë ligjin dhe të mundësojmë që në mënyrë të pavarur institucionet e drejtësisë ta kryejnë punën e tyre”, u shpreh kryeministri Mustafa.Në fillimin e kësaj jave, kryeministri e ka liruar nga detyra ministrin Agani, me kërkesën e tij “deri në momentin e shpalljes së pafajësisë së plotë” pasi prokuroria ka ngritur aktakuzë për korrupsion ndaj 64 personave, ku përfshihet edhe ai.
Derisa në mbledhjen e qeverisë kosovare sot nuk pati ndonjë deklarim në pritje të emërimit të ministrit të ri të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, shtypi i sotëm kosovar paralajmëron se ai pritet të jetë Jeton Svirca, nënkryetar i Partisë së Drejtësisë, e cila drejtohet nga Agani dhe është pjesë e koalicionit qeverisës. Gjatë mbledhjes së sotme, qeveria miratoi në parim nismën për lidhjen e Marrëveshjes financiare për IPA 2017 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal është dokumenti i parë i aprovuar në mbledhjen e sotme të qeverisë së Kosovës. Ky projektligj ka për qëllim sigurimin e nivelit minimal të shërbimeve komunale në komunat e caktuara, që kanë popullsi më pak se 22 mijë banorë.
Është aprovuar Koncept dokumenti për hartimin e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Rrugët, i cili rekomandon hartimin e ligjit dhe akteve nënligjore në bazë të të cilave krijohet mundësia e adoptimit të legjislacionit evropian për rregullimin e kësaj fushe në Republikën e Kosovës. Edhe Koncept dokumenti për Rregullimin e Profesioneve të Arkitektëve dhe Inxhinierëve në Fushën e Ndërtimit, është aprovuar nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme.U mor vendim edhe për emërimin e Zyrtarit Përgjegjës për Programin Shtetëror të Sigurisë së Aviacionit Civil dhe është themeluar Komiteti për Programin Shtetëror të Sigurisë së Aviacionit Civil në Republikën e Kosovës.Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për Manifestimin e Ditës së Komunitetit Goran në Republikën e Kosovës.
Qeveria e Kosovës zhvilloi sot mbledhjen e 96-të, të 28-tën në vitin 2016, pas tre takime të njëpasnjëshme javën e kaluar për dy ligje për vazhdimin edhe për dy vjet të mandatit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit – EULEX, të cilat edhe u miratuan në Kuvend me procedurë të përshpejtuar.Qeveria e Kosovës, me kryeministër Isa Mustafën, e koalicionit të dy partive më të madha PDK e LDK, ku përfshihen edhe parti të vogëla dhe minoritetet, vazhdon punën në vitin e saj të dytë që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014, në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.