• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vila e Enver Hoxhës, “Muze për Krimet e Komunizmit”!

September 7, 2013 by dgreca

NGA GËZIM PESHKËPIA &  AGRON TUFA*/

Shqipëria është vendi i vetëm në Europën Qendrore e Lindore ish-komuniste, që nuk e ka ende një Muze për Krimet e Komunizmit. Ndonëse shkalla e egërsisë së regjimit komunist të Enver Hoxhës ka qenë, siç dihet tashmë, e pakrahasueshme me asnjë prej pushteteve të “demokracive popullore” të vendeve ish-komuniste, ende nuk e kemi një Muze të Diktaturës, madje as në Kryeqytet, edhe pse kanë kaluar 23 vjet nga rënia formale e sistemit totalitar. Diktatori vetë nuk hezitoi fare të ngrinte në vitin 1967, në mes të Pjacës së Shkodrës, Muzeumin monstruoz të Ateizmit. Edhe pse nuk mungojnë objektet dhe gjurmët kriminale të dhunës dhe torturave komuniste, kjo mungesë bëhet më e mprehtë me rritjen e gjeneratave të reja, të cilat nuk arrijnë dot të kenë një përfytyrim të thjeshtë, të prekshëm e didaktik mbi terrorin e ushtruar për gjysmë shekulli mbi qytetarët shqiptarë. Kësisoj, Shqipëria ka vendosur një rekord të ri gines për kultivimin e shpërfilljes së traumës historike dhe amnezisë.
Kemi pasur rastin të ftohemi e të marrim pjesë në konferenca të ndryshme të vendeve ish-komuniste me tema të mprehta mbi muzealizimin e provave dhe dëshmitë të krimeve të komunizmit. Gjithkund në këto vende të Europës Qendrore e Lindore kemi parë disa dhjetëra lloje muzesh mbi krimet e komunizmit, të përqendruara në disa qytete kryesore, me një vizitueshmëri të pandërprerë. I tillë, për shembull, është “Muzeumi i Komunizmit” në mes të Pragës, në sheshin “Vacesllav”, në pallatin elegant “Savarin”. I rrethuar nga të dyja anët prej restorantesh McDonald’s dhe nga ana tjetër prej një kazinoje, të gjitha jo rastësisht, muzeumi krijon kontrast me gjithçka të shoqërisë së re, që ka ardhur pas përmbysjes së komunizmit, për të cilin “Newsweek” shkruan se “brezit të ri nuk i është treguar e plotë nga prindërit” dhe se “të rinjtë kanë nevojë t’u kujtosh se si ka qenë jeta e mëparshme”.
Si rregull, kriteret e përzgjedhjes së godinave për këto muze parapëlqehen ish-godinat e komiteteve të partive, burgjet komuniste, godinat qeveritare ose godinat e shërbimeve sekrete.
Por shembullin e padiskutueshëm të një reflektimi mbi modelet e muzeve të krimeve të komunizmit, e paraqet Gjermania, e cila ka gërshetuar muzetë e dy diktaturave (naziste dhe komuniste), duke ruajtur simbolikat dhe dëshmitë autentike mbi traumat kolektive të dy diktaturave. Edhe Gjermania, në një shkallë akoma më të goditur simbolike, ka përzgjedhur godinat që përcjellin një domethënie të freskët e mbresëlënëse te vizitorët e këtyre muzeve.
Gjatë një trajnimi dyjavor me specialistët e Institutit tonë, me ndërmjetësinë e drejtorit “Konrad Adenauer Stiftung”, Dr. Thomas Schrapel, ne ishim të ftuar në muajin mars të këtij viti nga Instituti homolog gjerman, për të përfituar sa më shumë nga përvoja dhe strategjia gjermane në dëshmitë konkrete të krimeve të dy diktaturave. Edhe në Gjermani muzetë e panumërt të krimeve të komunizmit ishin ndërtesat e ish-Komiteteve të Partisë, godinat qeveritare të ministrive, ish-burgjet dhe Kampet e Përqendrimit, të tejmbushura, kryesisht me nxënës shkollash e gjimnazesh. Ndërsa gjatë vitit 1989 aktivistët e “Lëvizjes qytetare” në të gjitha qytetet e Gjermanisë Lindore, ende pa rënë Muri i Berlinit, me të marrë vesh se STAS-i kishte nisur asgjësimin e dosjeve, i rrethuan të gjitha ndërtesat e Sigurimit komunist gjerman, duke pasur një përkrahje të gjerë popullore. Të gjitha godinat e STAS-it u rrethuan, derisa u morën nën kontroll, duke mos i lëshuar më, gjer në kapitullimin përfundimtar të regjimit komunist të Erich Honeckerit. Tashmë dihet gjerësisht, se këto godina janë shndërruar me kohë të gjitha në muze të krimeve të komunizmit. Rastin më demonstrativ e përbën “Muzeu i STAS-it” në Berlin, godina e të cilit ishte kuartieri kryesor i Sigurimit të Shtetit në RDGJ. Territori i kësaj Qendre në Berlin-Lichtenberg shtrihej me një sipërfaqe prej 22 hektarësh, e cila u kthye në Muzeum me vendim të posaçëm.
Po gjatë marsit të këtij viti, me rastin e inaugurimit të Memorialit “Postbllok” (me autorë F. Lubonja dhe A. Isufi), autorët e këtij shkrimi shoqëruan në një shëtitje në zonën e Bllokut drejtoreshën e “Fondacionit Federal Gjerman për Rishikimin e të Kaluarës Komuniste”, Dr. Anna Kaminsy-n. Ajo u interesua veçanërisht për vilën e diktatorit Enver Hoxha, për destinacionin e saj dhe, pas një kundrimi të hollësishëm të godinës nga të gjitha rakurset, na shprehu mendimin e saj, se “vila ku ka banuar diktatori juaj, do të ishte simbolika më e goditur për kthimin e saj në ‘Muze të Krimeve të Komunizmit’”.
– Përfytyrojeni – tha ajo,- se si nga atje brenda, por edhe nga ballkonet, dritaret dhe shëtitjet e tij në kopshtin e bukur e të qetë të kësaj vile, diktatori juaj projektonte, meditonte dhe shpërndante urdhra për eliminimin e elitave intelektuale deri te bashkëpunëtorët e tij të ngushtë.
Ne na dhembën këto fjalë dhe s’ditëm çfarë t’i përgjigjeshim, ndonëse një ide të tillë, jo vetëm e kishim çuar ndërmend, jo vetëm e kishim diskutuar, por edhe e kishim ndeshur të artikuluar edhe në shtypin tonë. Dhe këtë skepsis të thellë mbi pamundësinë e një gjesti, që duket tepër i bukur për ta besuar, na e ka provuar realiteti ynë politik postkomunist, në të cilin, siç po e shohim, jo vetëm nuk ka pikë ndjeshmërie për krimet e komunizmit, por zor të gjesh ndonjë dozë arsyeje e mirëkuptimi.
Por, kur sheh se çfarë idesh po hidhen këto ditë mbi destinacionin e vilës së diktatorit, ne na dhemb dyfish situata që përshkruam më lart me Dr. Anna Kaminsky-n. Sepse nga qasjet e qeverisë së re, që ende nuk ka nisur ushtrimin e pushtetit, po u jepen udhë ideve banale mbi kthimin e kësaj vile në një “Qendër” ku “inovatorët legjislatorë mund të bënin aty seminare, apo studime” dhe ku “…filozofët e ardhshëm mund të vijnë të bëjnë studime tremujore, të banojnë brenda vilës me idenë e dhënies së propozimeve specifike për ligje të caktuara” (“Standard” 27 gusht, 2013). Në Konferencën e 26 shtatorit mbi zhvillimin urban, Partia Socialiste ftoi edhe disa arkitektë të huaj, të cilët shprehen disa mendime mbi funksionin e disa prej godinave, përfshirë dhe Piramidën, por në asnjë rast, asnjëri prej arkitektëve “të partishëm” nuk u kujtua, se pikërisht këto godina bartin një energji simbolike me të shkuarën tonë diktatoriale. Pikërisht për vlerën potenciale të muzeve që paraqesin këto godina, u hesht me një ton të tillë…
Është e habitshme që disa figura politike të kryesisë së kësaj partie, të cilët prej gati një viti na befasuan me dofarë platformash të tyre mbi ndjeshmërinë ndaj të përndjekurve politikë, jo vetëm që nuk guxuan të hidhnin propozimin e tyre për kthimin e vilës së diktatorit në një “Muze për Krimet e Komunizmit” (meqë dhe pretendojnë se janë bij të përndjekurish politikë), por as nuk u ndjenë fare kur këto ide janë bërë tashmë publike në median tonë.
Pra, qëllimi i metamorfozës është më se i qartë. Shkurt, kjo do të thotë: edhe një fondacion tjetër politik “Qemal Stafa”…!
Mirëpo qytetarët shqiptarë kanë nevojë për kujtesën e plagëve të tyre, për identitetin e tyre kolektiv; ata kanë nevojë për rikuptimësimin, filtrimin dhe përcjelljen e kësaj kujtesë te brezat e ardhshëm, për edukimin me faktet dhe ndjenjën realiste të historisë së tyre. Gjëja që më së paku kanë nevojë qytetarët shqiptarë, janë këto qendra të shpëlarjes së trurit nëpërmjet eksperimenteve me fondacione politike e ideologjike.

* Autorët e shkrimit : Gezim Peshkepia, ish-i burgosur politik, anëtar i Bordit të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit-Agron Tufa, Drejtori Ekzekutiv i këtij Instituti.

Filed Under: Analiza Tagged With: Agron Tufa, Gezim Peshkepia, Muze per krimet e komunizmit, vila e Enver Hoxhes

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT