Nga Dalip Greca/
Udhëtimi im këtë herë në Atdhe, ishte fare”blic”. Vetëm pak ditë. Një ndër ditët ma kishte kërkuar miku im Esat Çoku, i cili ka kohë që e ka lënë Amerikën dhe jeton në vendlindje, në fshatin Muçias të komunës Remas, pranë bukurive të Karavastasë.
Ish deputeti demokrat erdhi vetë në qytet dhe pas një kafeje pranë Qendrës Kulturore”Vaçe Zela”, morëm rrugën drejt Remasit. Rrugët janë të asfaltura, çka i jep mundësi Esatit që krahas timonit,e mbanë të ndezur bisedën, duke më dhënë spjegime për ndryshimet, për rrugët, për ndërtimet përgjatë fushës;flet për hallet e pazgjidhura të fshatarëve, flet për pushimet, për shëndetin, për udhëtimet në jug të Shqipërisë.
Kisha pesë vjet pa shkelur këtyre anëve. Ndryshimet janë të dukshme; ndërtime të reja, rrugë të gjëra dhe të asfaltura, restorante, klube-cafe, dikur nëj fabrikë për përpunimin e qumështit. Kur arrijmë në Gradishtë, Esati e ndali makinën:
– A e di se sa histori mbart ky sektor internimi? Ja, këtu e thirrën bashkëshorten e Lek Mirakës dhe i bënë shantazh për ta bërë bashkëpunëtore të Sigurimit.Ajo ulëriu e lebetitur:-Të vdekur me gjithë fëmijë, tek shinat e trenit, më gjeni! Dhe thirri fort, që ta dëgjonte e kunata që e shoqëronte: Këta duan t’më bëjnë spiune! Dhe i sfidojë operativët…!
…Komuna e Remasit është shpallë park Kombëtar. Rreth orës 10 të mëngjesit jemi në hyrje të fshatit Muçias. Ndërtimet edhe këtu janë të shumta dhe të bukura. Një fshat i tjetërsuar.
Kur i afrohemi varrezave të fshatit, Esati, e ndal makinën.
-Sa herë kaloj këtu i bie bories në shenjë nderime për njerëzit e mi të dashur që prehen përjetësisht këtu. Ai ndal makinën në anë të rrugës dhe çapitet me hap të ngadaltë drejt varreve. Qëndron pranë nënë Esmasë dhe i përkëdhel butë fotografinë mbi mermer, e lëmon lehtazi më pëllëmbë sikur i friket zgjimit të saj.
Ashtu pa vëmendjen e tij, pa u diktuar, unë e shkrep kamerën.
– Nuk e di se si i qëndroi vuajtjeve tona nëna jonë e mirë, flet Esati me sy përdhe, ia nis bisedës me nënën: Fillimisht, kur u burgos babai ynë, Azemi i shpallur “kulak”, ajo na mblodhi si klloçka zogjtë, dhe na e kumtoi dhimbshëm, se që nga ai çast jeta jonë do të ishte e vështirë, do të ishim nën vëzhgim, në përndjekje.Duhej të mateshim para se të flisnim. Duhej të ishim të kujdesshëm, duhej të mësonim shumë në shkollë, duhej të punonim fort…Jetë e vështirë…Esati psherëtinë dhimbshëm.
Në një shkrim kushtuar kësaj familjeje qëndrestare përballë diktaturës, kam sjelle nje fragment nga libri i dy vellezerve-letrar te lidhur ne nje prange, Bedriu dhe Caushi.Ende e kam ne kujtese jehonen tragjike: Nënë Esmaja nuk e la të shoqin të vdiste i vetmuar në qeli, së paku nuk e la të uritur, me torbën në shpinë i çonte ushqime.Fatkeqja, guximshëm përpiqej që të rriste djemtë, që t’i bëheshin të mbarë, pa shtyllën e shtëpisë. Ajo nuk ishte thyer; as atëhëhere kur familjen e deklasuar Çoku e internuan nga qyteti i Fierit në Tokën e Vdekur të Myzeqesë, as kur i arrestuan djalin e vogël, Caushin, as kur i prangosën të dytin, Bedriun,(të dy ushtarë pa pushkë, në xhenjo) as kur e lanë të vetmuar, kur i morën Esatin, sikur ia shkulën zemrën nga gjoksi.Do të mbetej vetëm me Zyhranë, bashkshorten e Esatit, e cila iu kthye si vajzë, si shoqe dhe motër në ditët e vështira të vetmisë së përvujtur. Bashkë e merrnin rrugën për t’u takuar me të tre djemtë që njëkohësisht vuanin burgjeve të Spaçit, Burrelit, Qafë-Barit….Udhëtonin dy-tre ditë për të shkuar tek djemtë-armiq të pushtetit… Rrugë pa rrugë, qëllonte që të flinin edhe jashtë, kur nuk ua hapnin dyert nga frika se ishte nëna e djemëve të dënuar politikë, ndërsa e reja, nusja e armikut. …Ja kështu me atë torbën në krah e mira nënë baritej maleve të Shqipërisë, duke fjetur dhe jashtë netëve të ftohta, për të mbajtur gjallë shpirtrat e djemëve që vuanin absurdin.Ajo vërtetë nuk ishte e burogosur, por shpirti i saj qe njëqind herë më i prangosur se sa duart e të shoqit dhe bijëve të saj të ënjtura nga prangat.Ata u planifikuan nga ai sistem si kundërshtarë të vijës së parë dhe qenë ndër të fundit që lanë qelitë e ferrit në vitin 1990…
Nënë Esmaja ndërroi jetë në gusht të vitit 2001, pasi i pa të lirë djemtë e saj…
Esati psherëtinë tek lëmon lehtazi dhe tek fshinë me pëllëmbë fotografinë e vëllait, Rrapit, që u nda nga jeta në maj 2013. Bisedon zëshëm me vëllanë e vdekur:
– Edhe ti nuk e pate të lehtë vëlla. Kishe tre vëllezër në burg. Ti ishe i burgosur jashtë burgut… Tek kalojmë përmes varreve ndalet tek njëri prej vdekurëve:- Ishte një nga dëshmitarët kundër nesh…Po, Zoti e faltë…!
Hipim në makinë dhe ecim përmes fshatit. Rruga kryesore mbanë emrin e Azem Çokut, ndërsa Këshilli i komunës Remas i ka dhënë familjes së Azem Çokut titullin “Nderi i Komunës” për kontributin e çmuar që ka dhënë në luftën kundër diktaturës komuniste, për vlera të larta morale e shoqërore në komunitet.”
Kur u zhvillua ceremonia e nderimit të familjes, u bë festë në fshat. Familja Çoku i kishte ftuar të gjithë, të majtë dhe të djathtë. Madje kishte edhe nga ata që patën dalë deshmitarë…
Familja Çoku është ndër më të goditurat nga diktatura komuniste në të gjithë Myzeqenë dhe e meriton, jo vetëm nder i komunës. Kush vuajti më shumë se kjo familje?
Azem Çoku-babai- 11 vjet burg
– Caush Çoku-djali i vogël- 22 Vjet burg
– Bedri Çoku – djali i dytë, 23 vjet burg
– Esat Çoku, djali i madh, 8 vjet burg dhe internim…
– Esma Çoku-E internuar me dekada… bashkëshortja e Azemit, nëna e djemve të burgosur; më shumë se gjashtë dekada e gjysëm- dyerve të burgjeve, duke ndjekur fatin e të shoqit dhe bijëve…
Vëllai tjetër, nipër e mbesa- të internuar…
Po të bashkosh vitet e e burgut dhe ato të internimit për familjen Çoku, të del më shumë se një shekull dënime.. Poeti,publicisti dhe shkrimtari Visar Zhiti,për të cilin poezia qe prostituta që e futi në burg dhe njëkohësisht Shën Mëria, që ia ruajti shpirtin në vuajtjet e ferrit komunist;tek ka paraqitur dy vëllezërit Çoku në parathënien e librit të tyre”Caush Çoku& Bedri Çoku; dy vëllezër në një prangë” shkruan kështu në përcjelljen parathënse:”Si personazhet e një drame duken dhe ashtu janë,të një drame tepër të rëndë, të gjallë, që s’u luajt dot në skena, po në jetë; aktet e së cilës u zhvilluan në Purgatorin e mërzitshëm të socializmit dhe brenda në ferrin e diktaturës së tij.”
…Duket se në pak rreshta janë thënë shumë gjëra….
Vëllezërit Çoku kanë ndërtuar shtëpitë e tyre në Muçias. Janë shtëpi të bukura-vila, të rrethuara nga gjelbërimi.Në shtëpinë e Esatit na pret Francesku, i biri, që ka ardhë për pushime nga Nju Jorku.
– Është mrekulli këtu. Desha të shtyjë biletën e kthimit për në Nju Jork, por babi më thotë se duhet të kthehem. Bashkë me babin brodhëm në të gjithë jugun e Shqipërisë, në Gjirokastër e Sarandë. Pushuam në Ksamil. Po më pëlqen shumë Shqipëria.
Nga shtëpia e Esatit duke e gjithë fusha, sa të ha syri. Këneta përballë të afron një pamje të magjishme. Pas shtëpisë gjelbëron një vreshtë i begatë i krijuar nga Esati, që e ka pasion vrashtarinë. Tutje, buzë kënetës shfaqet”Feniksi”, pronë e nipërve të Esatit.
Pas provojmë rakinë-pikë e parë, e prodhuar nga vreshti i Esatit, shkojmë tek Feniksi. Kisha parë në TV Kultura shqiptare në Nju Jork pamjet e mrekullueshme të këtij restoranti modern, por tani kanë ndodhë shumë ndryshime. Restoranti është mobiluar në të dy katet, sallat e dasmave të ngjajnë me ato të restoranteve enkas për dasma këtu në SHBA apo në vendet Europiane. Miri, pronari i restorantit, vjen dhe na uron mirëseardhjen. Nuk ka nevojë të na informojë-gjithçka flet vetë. Nipi tjetër i Esatit, Arbeni, që dikur provoi emigrimin edhe në Amerikë, tash i punësuar tek Feniksi, thotë se i gëzohet punës dhe kompleksit, që kanë ndërtuar me aq mund. Beni është prototipi i të rinjëve shqiptarë që morën rrugët e Europës për një jetë më të mirë. Ai e kujton si sot atë ditë marsi të vitit 1991, kur me anijen panameze së bashku me xhaxhanë u endën nëpër det deri sa dolën matanë. Provoi punë të ndryshme për t’i ardhjë në ndihmë familjes.Atje mësoi zanatin e kuzhinierit dhe të pizzamenit. Në vitin ’97 kaloi oqeanin dhe u vendos në Nju jork, ku e përsosi më tej mjeshtrinë e gatimit, por emigrimi po ia gërrynte shpirtin. U kthye në Shqipëri dhe së bashku me vëllanë punuan fort derisa ia hynë ndërtimit të këtij kompleksi të madhe,Restorant, Pizza e Bar-Cafe, e ndërtuar me formën e anijes. Pse në formën e një anijeje? Ndoshta për të kujtuar ikjet masive me anije? Beni tregon se forma dëshmon edhe traditat e të parëve që e siguronin jetën me varkat e tyre si punëtorë të kënetës…Ania-ndërtesë është vendosur horizontalisht, me bash drejt kodrave, ndërsa kici drejt Bedatit, vend-internimit më të ri të kohës së shkuar.
Mjedisi jashtë restorantit është në rregullim e sipër. Është zgjeruar shumë sheshi i parkimit, diku është edhe një kafaz me tre arushë të vegjël që tërheq vëmendjen e vizitorëve, një pasarelë lidh restorantin me kënetën e Karavastasë, ndërkohë që aty pranë zihet edhe peshku e ngjala e freskët që përdoren për restorantin.
Miri na fton që ta vizitojmë katin e sipërm të restorantit. Habia, është fjala më e zbutur për të treguar mrekullinë e investimit perëndimor.
Zbresim në katin e poshtëm ku serviret dreka. Mysafirët që e kanë frekuentuar Feniksin atë ditë, ishin nga qyteti, zona për rreth, por edhe nga Tirana. Një sup peshku, si fillim, të hap oreksin, ndërsa levreku dhe ngjala, të gatuara me shije nga kuzhinjieri, që e ka përsosur mjeshtrinë e gatimit në Gjermani, janë fare të veçanta.
Në dalje, sytë më mbeten emërtesa “Restorant “Feniks”! Përse ky emër?
A ka të bëjë ky emërtim me Feniksin e mitologjisë, me zogun e cuditshëm jetëgjatë, të rilindur përmes riciklimit? Të atij zogu të çuditshëm lindur me diellin dhe që digjet e merr jetë të re nga hiri i paardhësit të tij? A nuk ngjajnë dhe këta, të mbijetuarit e ferrit të vuajtjeve dhe që e ndërtuan këtë Feniks si të rilindur nga paraardhësit e tyre, të stërmunduar e të sakrifikuar?…Po vetë Esati me vëllezërit, Bedri dhe Caush Coku, a nuk janë feniksë, të rilindur nga vetsakrifikimi?! Në mendje më shkoi një esse e Reshat Kripës botuar në Dielli një vit më parë, ku pat bërë një përqasje të tillë dhe thashë: Ai ka të drejtë! Këta janë feniksit e rilindur!