Nga Dr. Enver Bytyçi/
Kryeministri i Shqipërisë, Dr. Berisha, ka lëshuar para katër ditësh një deklaratë të pazakontë. Në Konferencën e Sigurisë në Mynih ai është shprehur ashpër kundër frymës antishqiptare që ende ekziston në popujt e rajonit të Europës Juglindore. Prej kohësh këtë atmosferë nacionaliste antishqiptare ai e ka emërtuar si “Albanofobi”. Në Mynih, aty ku burrat e shteteve më të fuqishme të botës moderne mblidhen prej dekadash për të shfaqur konceptin e sigurisë planetare e për të formuluar politikat e së nesërnes, Berisha mbajti një fjalë rasti , të cilën shumë analistë e kanë cilësuar si “spektakolare”. Ai pohoi një realitet të dhimbshëm në Ballkan, i cili mbarset çdo ditë me urrejtje dhe armiqësi kundër shqiptarëve. “Unë kam bindjen se albanofobia, në të gjitha qëndrimet kundrejt shqiptarëve, është e gjallë e në veprim dhe ajo kërcënon seriozisht stabilitetin në rajon, u shpreh ai.
- 1. Eksperimenti antishqiptar i “klonimit” të identitetit.
Më tej thkesoi disa ide: Së pari ai kundërshtoi me forcë përpjekjet për “klonimin” e pesë kombeve shqiptare. “Nëse ju shihni hartën e Europës, nuk gjeni vend tjetër të rrethuar nga bashkkombas dhe deti, siç janë sot shqiptarët të ndarë në 5 shtete. Unë besoj se nëpërmjet procesit të Bashkimit Europian, kufijtë bëhen të pa rëndësishëm, por e rrezikshme është idea sipas të cilës meqenëse shqiptarët janë të copëtuar në 5 shtete duhet të shndërrohen në 5 kombe të ndryshme nga njeri- tjetri. Kjo është tërësisht e papranueshme. Kjo do të prodhonte dhe provokonte reagimin e kundërt”, theksoi Berisha në Konferencën e Mynihut. Kjo frazë ishte thjesht pohimi i një realiteti të dhimbshëm, të cilin shqiptarët e kanë përjetuar si një dramë me pasojë zhdukjen fizike të tyre gjatë shekullit të kaluar. Mirëpo pohimi i këtij realiteti të hidhur mbetet njëra anë. Konteksti në të cilin është përmendur ndarja e territoreve shqiptare në pesë shtete është ana tjetër e medaljes, e cila merr vlerë të shtuar në kohën të cilën e jetojmë. Kryeministri shqiptar e quan këtë proces si “klonim” të një identiteti tjetër, të ndryshëm nga identiteti shqiptar. Dhe dihet tashmë se klonimet janë ngjizje artificiale dhe prodhojnë zgjidhje gjithashtu artificiale. Në këtë kuptim emërtimi i përdorur nga zoti Berisha ishte me vend dhe shumë i guximshëm. Madje mund të përkthehet në një akuzë për vetë komunitetin ndërkombëtar, i cili jo vetëm e toleron, por dhe e nxit në masë të madhe procesin e një “klonimi” të tillë të identitetit të shqiptarëve.
Kundërshtimi i hapur në tavolinën e diskutimeve për perspektivën e paqes e sigurisë botërore i përpjkjeve për ndryshimin e identitetit të shqiptarëve është dhe do të mbetet si një akt dhe vepër e papërsëritshme në historinë e marrëdhënieve të Shqipërisë me partnerët e saj. Aq më tepër se ky reagim bëhet në qendrën më të rëndësishme të diskutimeve për sigurinë globale, në një konferencë, e cila shpreh në themel politikat e sigurisë, të cilat i adapton NATO, Bashkimi Europian dhe SHBA-të. Thelbin e diskutimit të kryeministrit Shqiptar e përbën pikërisht mospajtimi me situatën e albanofobisë rajonale e kontinentale si dhe me planet për ndryshimin e identitetit të shqiptarëve.
- 2. Pajtimi në modelin gjermano – francez
Së dyti: Berisha nuk është se vetëm pohon. Në të vërtetë në fjalën e tij në Mynih ai ka paralajmëruar rreziqet që paraqet albanofobia dhe “klonimi” i identiteve të ndryshme në shtetet ku jetojnë shqiptarët. Duke iu përmbajtur zgjidhjes që kishte rekomanduar më 1992 po në Mynih, sa i përket konfliktit në ish-Jugosllavi e në Kosovë, ai sërish kërkon që shqiptarët të mos paragjykohen dhe të trajtohen me realizëm e pa diskriminim. Në këtë rast kritika shkon në mënyrë diplomatike te institucionet e Bashkimit Europian. Deputeti gjerman e ka pyetur pikërisht që të qartësohej mesazhi i qëndrimit kritik të kryeministrit shqiptar. Dhe si përgjigje ai ka marrë rekomandimin, sipas të cilit shqiptarët duhet të integrohen në BE, njësoj e njëkohshëm me vendet e tjera të rajonit. Kjo është dhe mbetet zgjidhja më e mirë, thekson zoti Berisha. Dhe më tej ai kërkon pajtimin e kombeve ballkanike në modelin e pajtimit gjermano-francez, i cili kishte hapur rrugën e krijimit të Europës së Bashkuar. Ky model pajtimi është i domozdoshëm në rajonin ballkanik. Por, sipas Berishës, kjo kërkon doemos zbatimin e marrëveshjeve rajonale. Ndër to ai shquan Marrëveshjen e Ohrit, por edhe marrëveshjet e tjera si ajo pas konfliktit në Preshevë. Natyrisht që Plani i Ahtisaarit për Kosovën shihet prej tij si një marrëveshje ndërkombëtare, të cilën në rastin e pajtimit duhet ta pranojë Serbia. Nëse i hyjmë analizave për procesin e realizimit të këtyre marrëveshjeve, atëherë çdo kush do të dallonte faktin se ato janë sabotuar në masën më të madhe dhe rrezikojnë të lihen në harresë.
Kryeministri i Shqipërisë kujton se marrëveshjet për zgjidhjen e konflikteve në Kosovë ishin të imponuara. E megjithatë shqiptarët edhe si të tilla i kanë pranuar ato. Ndërkaq detyrimet e Serbisë, Maqedonisë për zbatimin e këtyre marrëveshjeve nuk janë zbatuar. Nuk është zbatuar gjithashtu rezoluta 1244, e cila parashihte administrimin ndërkombëtar të Kosovës, por që veriun e saj ndërkombëtarët e lanë qëllimisht nën administrimin e Serbisë. Nuk është zbatuar Plani i presidentit Ahtisaari, i cili udhëhiqte panelin e konferencës në momentin kur Berisha fliste, sepse serbëve nuk iu imponua ky plan, siç ndodhi me shqiptarët. Nuk u zbatua Marrëveshja e Ohrit, edhe pse atë e nënshkruan të gjitha subjektet politike maqedone e shqiptare në Maqedoni. Nuk u zbatua nga ana e Beogradit as marrëveshja për zgjidhjen e konfliktit në Luginën e Preshevës e për rrjedhojë Serbia vijon të sillet me shqiptarët njësoj si në kohën e Miloesheviçit.
Ndërkohë që Berisha paralajmëron se pajtimi është rruga më e mirë e bashkëjetesës së kombeve në Europën Juglindore, ai i qorton me tone të rrepta sjelljet e udhëheqësve serbë e maqedonas ndaj shqiptarëve, kur thotë se “Në rast se nga njëra anë tjetri flet për perspektiven e marrëdhënieve bilaterale dhe nga ana tjetër feston datat e fillimit të fushatave të shfarosjes së kombit shqiptar, imagjinoni vetë se çfarë mesazhi fqinjësie është kjo”. Një mesazh të tillë, të qartë e të sinqertë, kryeministri shqiptar e transmeton te partnerët e tij ndërkombëtarë. Një realitet të tillë, kur shqiptarët fyhen dhe Beogradi e Shkupi zyrtar festojnë krimet që ata kanë bërë kundër shqiptarëve, ndjehet çdo ditë, çdo orë dhe çdo minutë. Mesa duket në këtë realitet duhet kërkuar deklarimi i zotit Berisha i 25 nëntorit të vitit të kaluar në festrimet e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë në Shkup, kur kërkoi që shqiptarët “të punojnë çdo minutë, çdo orë, çdo muaj, çdo vit për bashkimin e tyre”.
- 3. Mesazhet e kryeministrit
Nga të gjitha deklarimet e derisotme, të cilat kulmuan të shtunën e kaluar në Mynih, është e udhës të qëmtojmë disa mesazhe të kthellta të kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha:
Së pari, mesazhi kryesor u drejtohet institucioneve vendimmarrëse të Bashkimit Europian. Këta e kanë për detyrë dhe obligim të kushtëzojnë integrimin e vendeve të Ballkanit Perendimor në mënyrë të drejtë dhe pa diskriminimin e një pale e favorizimin e një pale tjetër. Komisioneri Europian për zgjerimin, Stefan Fyle, duke folur në fillim të dhjetorit të kaluar në Komisionin e Senatit Francez të çeshtjeve të jashtme dhe europiane, ka lënë të kuptohet se politika europiane në rajonin tonë është e diferencuar, çfarë përkthehet automatikisht si politike diskriminuese. Sipas tij temat kryesore që bëjnë të mundur integrimin kanë të bëjnë me forcimin e shtetit të së drejtës, reformat gjyqësore, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimin e mendimit të lirë, konsolidimin e ekonomisë e stabilitetin financiar, rritjen e mirëqenies, bashkëpunimin rajonal e lidhjet bilaterale midis vendeve fqinjë. Por nëse të gjitha këto kushte janë të domozdoshme për cdo vend aspirant për integrim në BE, praktikisht Stefan Fyle pranon se për disa ka privilegje e për disa vende të tjera, si Shqipëria, sakrilegje në rrugën drejt Brukselit. Në atë komision francez Fyle, kur flet për Serbinë thotë se “Në Serbi udhëheqja është e angazhuar që të ndjekë rrugën e integrimit europian”, duke shprehur një kënaqësi të dukshme për këtë orientim të Beogradit. Nga kjo dhe praktika e përdorur duket qartë se për Serbinë nuk vlejnë kriteret themelore, të përcaktuara në traktatet europiane e të përmendura më lart nga ana e zotit Fyle, sa i përket integrimit. Ndërsa Shqipërisë dhe Kosovës u kërkohen standarde shumë të larta të aplikimit të demokracisë, Serbisë i mjafton të deklarohet pro integrimit europian dhe të vlerësohet për këtë. Ndërsa në Shqipëri nuk bën punë as fakti që mbi 80 përqind e qytetarëve janë pro integrimit, për Serbinë është e mjaftueshme që kryeministri ose presidenti i vendit të jetë “proeuropian”. Të gjitha argumentet e tjera, të cilat i plason opozita jonë në tregun e brendshëm e atë europian, janë thjesht përceptime e jo realitete. Madje në disa fusha imediate, si ekonomia, stabiliteti financiar, bashkëpunimi rajonal dhe në marrëdhëniet fqinjësore, në kontributet për paqe e stabilitet në kontinenet, Shqipëria përmendet si model i sjelljes ndërkombëtare. Por ajo nuk shpërblehet për këto sjellje, përkundrazi shpërblimet i korr Serbia e ndonjë vend tjetër problematik i Europës dhe i rajonit.
Analizuar nga kjo pikëpamje deklarata e Berishës në Mynih synon ndryshimin e përceptimit europian për rolin e zhvillimet në Shqipëri dhe nxit aktorët europianë për të unifikuar standardet e pranimit në BE. Diferenca në kërkesat për standardet e integrimit është pasojë e diplomacisë aktive të vendeve të rajonit, sidomos Serbisë dhe Greqisë, me qëllim zvarritjen e integrimit të Shqipërisë në komunitetin e bashkësisë europiane. Ndërsa diplomacia aktive e këtyre vendeve është e motivuar me albanofobinë e trashëguar nga kohët e konflikteve të dhunshme midis shqiptarëve dhe serbëve.
- 4. Alternativa e integrimit apo e bashkimit?!
Kryeministri Berisha në djalën e tij në Mynih tërhoqi vëmendjen se Bashkësia Europiane nuk mund të vazhdojë të lëvdojë politikat konstruktive të shtetit Shqiptar sa i përket marrëdhënieve rajonale e fqinjësore e nga ana tjetër të shpërblejë ata që punojnë për destabilizimin e Europës Juglindore, përkatësisht Serbinë e ndonjë vend tjetër të ngjajshëm. Aq më pak mund të joshen shqiptrët me lëvdata ndërkombëtarësh për të shkuar drejt krijimit të një identiteti sipas interesave të Serbisë. Nëse do të vijohet kjo politikë europiane në rajon, atëherë shqiptarët kanë të drejtën të zhgënjehen dhe të ndërpresin taktikën e moderacionit të dëshmuar deri më sot. Në fund të fundit shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Serbinë Jugore apo në Mal të Zi e në Greqi nuk janë të vetmit përgjegjës dhe të vetmit aktorë e faktorë që mund ta ruajnë paqen e stabilitetin rajonal. Nëse Serbia, Greqia, Maqedonia nuk i përgjigjen pozitivisht angazhimit të politikave shqiptare në këtë drejtim, atëherë kjo do të ngjante me iluzionin e një martese solo, pa partner. Aq më keq, nëse Brukseli përkrah dhe shpërblen politikat destruktive të Serbisë dhe ndonjë vendi tjetër në rajonin tonë dhe ironizon konstruktivitetin e shqiptarëve në rajon. Në këtë rast BE-ja në vend të paqes do të përballej me vazhdimin e konfliktit dhe vazhdimi i konfliktit do të kishte si zgjidhje të vetme krijimin e një shteti unik të shqiptarëve, shtet i cili herë quhet “Shqpëri etnike”, herë tjetër “Shqipëri e Madhe”, nga dikush si “Shqipëri natyrale”, por që në konceptin tim do të ishte vetëm një Shqipëri në përmasat territoriale reale në hapësirën ku jetojnë në vijmësi e pashkëputje shqiptarët.
Zoti Berisha ka theksuar se janë dy rrugë për bashkimin e shqiptarëve. Njëra rrugë, dhe më e mira, është e do të mbetet “bashkimi në Bruksel”. Por sa kohë që Brukseli e refuzon këtë strategji, herë për hatër të pesë vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, herë për hatër të Serbisë e Greqisë e herë për hatër Edi Ramës këtu në Tiranë, atëherë shqiptarëve u lind e drejta që para se të shkojnë në BE të rifitojnë kufijtë realë të një shteti të përbashkët.
Alternativën e bashkimit të shqiptarëve shumë analistë dhe ekspertë e quajnë si aventurë. Madje Edi Rama duke sulmuar qëndrimet e Berishës ka vënë në dukje se kreu i mazhorancës “I dëmton interesat e shqiptarëve dhe marrëdhëniet me partnerët tanë amerikanë” kur shfaqet me platformën e bashkimit kombbëtar. Ndërsa një nga përkrahësit më ta zjarrtë të kreut të opozitës, profesori i historisë, Pëllumb Xhufi, në një koment të tijin në gazetën “Koha Ditore” të Kosovës, javën e shkuar i konsideron qëndrimet e Berishës si “nacionalizëm elektoral”. Një vlerësim të tillë e hasim edhe tek studiuesi austriak i çeshtjeve shqiptare, Oliver Jens Schmitt e te disa autorë të tjerë. Dhe në parantezë më duhet të them se pohimet e Berishës në Mynih, para një audience elitë të botës së sotme të qytetëruar, mund të jetë gjithçka tjetër, por aspak një lloj “nacionalizmi elektoral”. Do të ishte e tepërt të plasohej në atë kuvend ndërkombëtar të sigurisë globale një pohim i tillë për arësye elektorale, sepse të gjithë ata që e dëgjuan zotin Berisha do t’i kundërviheshin interesave elektorale të tij.
- 5. Ballafaqim me idetë e kundërshtarëve të Berishës
Por le të kthehemi te qëndrimet e politizuara të zotit Xhufi e më tej të komentatorit nga Prishtina, Halil Matoshi. Pëllumb Xhufi shkruan se “Ridalja e Sali Berishës në rolin e nacionalistit duhet të jetë një kambanë alarmi: Kryeministri po kërkon t’i japë një tjetër goditje pas shpine Shqipërisë”. I mësuar dhe edukuar nga diktatori Hoxha, në oborrin e të cilit ka qëndruar si dhëndër, zoti Xhufi spekullon në modelin doktrinar të diktaturës, kur qëndrimet atdhetare të dikujt, në rastin konkret të kreut të ekzekutivit shqiptar, i shpjegon me pohime të tilla si “goditje pas shpine Shqipërisë”. Nuk ia vlen të citosh më tej ato çfarë zoti Xhufi tjerr në logjikën e një ideologjie destruktive kundër kreut të PD-së dhe të mazhorancës, pasi në to nuk dallon gjë tjetër, përveçse mëllef, hakmarrje, dhunë psikologjike, në stilin e kryetarit të PS-së, zotit Rama.
Por bën përshtypje një përpjekje e analistit të njohur e të zgjuar, Halil Matoshi, i cili intervenimin dhe projektin e bashkimit të shqiptarëve në një shtet të vetëm e konsideron si aggresion të Shqipërisë për të shtënë në dorë provincën me emrin “Kosovë”. Krahasimi i tij me politikën e Serbisë, dikur të Italisë fashiste e modele të tjera, të cilat i ka kaluar Kosova në periudha të caktuara të shekullit të kaluar ,është tronditës. Ai shkruan se deklarimet e Berishës janë “tendencë e hapur për aneksim të Kosovës nga Tirana zyrtare”. Nuk është nevoja të shkohet më tej në gjykimet e zotit Matoshi, për të dalluar se ai është kategorisht e madje dhunshëm kundër bashkimit të Shqipërisë dhe Kosovës. Prej kohësh ai provokon me idenë e “kombit kosovar”, me qëllim që të mbjellë dasinë midis shqiptarëve. Madje i referohet edhe konstitucionit të trashëgimisë historike të ndryshme, duke veçuar zhvillimet historike, veçmas në kohën e diktaturës komuniste. Me këtë rast lexuesi nuk e ka të vështirë të vlerësojë se dëmi i politikave izolacioniste të komunizmit është aq i madh sa ka deformuar palcën e bashkimit kombëtar, së paku në mendjen e disa analistëve, që duan ta interpretojnë këtë kohë historike si kufirin e ndarjes së përjetshme midis shqiptarëve.
Megjithatë pohimet e kryeministrit shqiptar në harkun kohor prej 25 nëntorit të Shkupit e deri në 2 shkurtin e Mynihut dëshmojnë për të kundërtën e konstatimit të palogjikë të zotit Matoshi, të zotit Xhufa e të tjerëve kundërshtarë të opsioneve të zotit Berisha. Duket sikur kjo pjesë e shoqërisë shqiptare me dashje kërkon që të vijojë në pafundësi urrjetja raciste e serbëve, grekëve e maqedonasve ndaj shqiptarëve. Duket sikur këta nuk ndajnë të njëjtin mendim sa i përket ralitetit ballkanik. Duket sikur ata janë dakort me opsionin e krijimit të pesë identiteve ndër shqiptarët e madje rekomandojnë, së paku për Kosovën një identitet të ri jashtë kontekstit dhe konstitucionit Shqiptar. Duket gjithashtu sikur kundërshtarët e Berishës jo vetëm janë kundër bashkimit kombëtar, por e konsiderojnë “tradhëti kombëtare” thirrjen për të respektuar interesat dhe të drejtat e shqiptarëve në rajonin ballkaniko-perendimor. Çdo interpretim tjetër lidhur me debatet dhe dilemat e shfaqura, e të cilat perifrazohen si tone nacionaliste, do të ishte i gabuar. Askush nuk mund ta anashkalojë faktin se Bersiha ka të drejtë absolute kur flet për albanofobi në Ballkan, ose kur ai kundërshton ndryshimin e identitetit të shqiptarëve sipas përkatësisë shtetërore, çka nuk ka ndodhur tek asnjë komb tjetër në botë.
Ndaj dhe Oliver Jens Scmitt ka të drejtë kur vlerëson se nacionalizmi aktual i Berishës “është një nacionalizëm pozitiv”, pra një patriotizëm në mbrojtje e jo ofensiv. Kjo do të thotë se opsionet e kryeministrit shqiptar nuk rrezikojnë askënd, asnjë vend ballkanik, nuk drejtohen kundër Serbisë, Greqisë apo Maqedonisë, edhe pse në Beograd, në Athinë e në Shkup ka patur reagime të ashpra deri anulim vizitash në Tiranë. Ato thjesht i drejtohen opinionit shqiptar, opinionit të vendeve të rajonit e për më tepër opinionit euro-atlantik me paralajmërimin se shqiptarët nuk do të pranojnë ndërrimin e identitetit dhe se çdo përpjekje e tillë do të çojë në destabilizim ose bashkimin e tyre në një shtet kombëtar të vetin. Nëse ky konstatim interpretohet si përpjekje e Shqipërisë për destabilizim ose ndryshim të kufijve me dhunë, atëherë nuk është më faji i Berishës. Me këtë lloj intepretimi shantazhoi Edi Rama kur paralajmëroi kryeministrin të “heqë dorë nga parullat nacionaliste”, duke interferuar në “prishjen e marrëdhënieve me amerikanët”. Por edhe në këtë rast realiteti ka shumë mundësi të veprojë kundër Edi Ramës. Në princip amerikanët dhe shtetet e së drejtës nuk janë kundër bashkimit. Ato kanë dëshmuar edhe këto vitet e fundit se dënojnë ndarjet, qofshin këto dhe ndarje politike të llojit çfarë kreu i opozitës shqiptare i ka provokuar dhe promovuar në Shqipëri. Ndërkaq në këtë analizë nuk e shoh të nevojshme të komentoj disa njoftime të shtypit të huaj, sipas të cilit amerikanët në këtë ose atë kohë parashikojnë krijimin e një shteti shqiptar të bashkuar.