Është mbyllur me rezultatin 0-1 sfida e parë e kombëtares sonë përballë Zvicrës në kampionatin Europian Francë 2016.
Goli i vetë i takimit u shënua nga Zvicra që në minutën e 5 nga futbollisti Schar.
Në minutën e 14’ pati një ndërhyrje të gabuar ndaj Lenjanit. Shqipëria fitoi një goditje dënimi afër zonës zvicerane ndërsa Schar u ndëshkua me karton të verdhë.
Në minutën e 15’, portieri i skuadrës sonë Berisha priti një goditje nga Seferovic. Kapiteni Cana ndëshkohet me karton të verdhë për ndërhyrje të parregullt ndaj Xhemailit në mesin e fushës.
Armando Sadiku tentoi të shënojë gol në skuadrën kundërshtare, por nuk ia arrin.
Rodriguez i shpëton kartonit të verdhë, megjithëse kreu një ndërhyrje mjaft të rëndë ndaj Agollit. Fatmirësisht lojtari ynë ngrihet pa probleme.
Në minutë e 36’ kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë. Largohet me të kuqe. Preku topin me dorë pasi kishte rrëshqitur në hyrje të zonës. Goditje dënimi për Zvicrën.
Pjesa e dytë ka nisur me 10 lojtarë për kuqezinjtë pas daljes me karton të kuq të kapitenit Lorik Cana, megjithatë loja e tyre ka pasur ritëm.
Në minutën ‘51 mundësi e mirë për Sadikun, por sërish nuk arrin sulmuesi ynë ta dërgojë topin në rrjetë. Hysaj dhuroi një pasim perfekt për Sadikun, por ishte portieri Sommer që arriti më parë te topi.
Në minutën 61 Ergys Kaçe hidhet në fushën e lojës, duke zëvendësuar Taulant Xhakën.
Në minutën e 63 Ergys Kaçe ndëshkohet me të verdhë, ndali Behramin që po i drejtohej zonës sonë në një kundërsulm.
Seferoviç rrezikon seriozisht portën kuqezi në minutën e ‘65 me një goditje në fuqishme i vetëm me portierin Berisha, që ka grushtuar duke nxjerrë nga kuadrati topin.
Në minutën e ‘70 një tjetër goditje nga këndi për Shqipërinë. Sërish largojnë mbrojtësit e Zvicrës.
Në minutën e ’78 një ndërhyrje në zonë e rreptësisë ndaj Lenjanit i cili ka kërkuar penallti, gjë që nuk është pranuar nga arbitri i ndeshjes.
Minuta 82’ Armando Sadiku largohet nga fusha dhe vendin e tij e zë Gashi. Edhe 8 minuta lojë.
Në minutën e ‘87 Gashi humb një rast spektakolar vetëm për vetëm me portierin Zomet. Topi pritet nga portieri dhe përfundon në goditje nga këndi.
Shqiperia humbet nje rast ideal ne fund me Gashin…
De Biasi: Paguam emocionet e minutës së parë
Në përfundim të sfidës mes Shqipërisë dhe Zvicrës, Trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, tha se lojtarët e tij vuajtën në fillim emocionet e minutave të para, ndërkohë që vlerësoi reagimin e skuadrës kur u ndodh në disavantazh numerik. Duke folur për mediat pas humbjes 0-1 ndaj Zvicrës, italiani shprehu bindjen se kuqezinjtë mund të kishin luajtur shumë më mirë nëse do të nxirrnin në pah të gjitha cilësitë.
“Paguam shumë emocionet e minutës së parë, e herës së parë. Luajmë më mirë kur nuk kemi asgjë për të humbur. Gjëja më pozitive sot është që me 10 vetë kishim dy mundësi të arta për të shënuar gol, – tha tekniku. – Ishte një ndeshje që nuk e interpretuam mirë në fillim, por në pjesën e dytë u rritëm shumë dhe nuk duhet harruar që luajtëm me një lojtar më pak për një orë. Skuadra dha maksimumin, tentoi deri në fund dhe patëm një rast të bujshëm në minutat e fundit, por nuk patëm fat”, – deklaroi De Biasi, që ka vlerësuar gjithashtu edhe atmosferën e krijuar nga tifozët shqiptarë në stadiumin e Lensit.
“Atmosferë fantastike, më vjen keq për këta tifozë, që e kthyen në festë sot. Më vjen keq, sepse luajtëm një pjesë të dytë shumë të mirë dhe patëm edhe 3 raste të shkëlqyer gjatë ndeshjes. Humbëm raundin e parë, na mbeten edhe dy, edhe pse kemi rivalë shumë të vështirë përpara, por do të bëjmë gjithçka deri në minutën e fundit. Jemi këtu për të luajtur Europianin tonë. Është hera e parë për të gjithë dhe jam i bindur që sot mund ta kishim luajtur shumë më mirë nëse do të nxirrnim në pah të gjitha cilësitë tona”, – theksoi tekniku i përfaqësueses shqiptare, De Biasi.