TIRANË, 2 Prill/ ATSH-Z.Tosku/- Një ëndërr e të rinjve nëpër botë, për të ndërtuar një botë të madhe me respekt e paqe, erdhi të shtunën përmes artit, si një thirrje e madhe dhe e sinqertë kundrejt njerëzimit.
Shqipëria për të tretin vit radhazi mirëpriti Festivalin Ndërkombëtar të Gjuhës dhe Kulturës, ku morën pjesë të rinj nga 14 vende të botës për të shpalosur ngjyrat e kulturave të tyre në një program të madh festiv.
Aty ku bota ndoshta duket sikur po çalon, për të rinjtë e apasionuar pas një bote plot ëndrra e suksese, dashuria e respekti për njeri-tjetrin, i bën bashkë për të ndërtuar një jetë më të mirë.
Me dhjetëra autobuzë qëndrojnë jashtë Pallatit të Koncerteve në Tiranë. Të gjithë me mbishkrimin dhe logon “Kolegji Turgut Ozal”, të vendosur në rresht njëri me tjetrin, një pjesë në anë të pallatit të koncerteve dhe një pjesë përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, të vendosur në vijë të drejtë.
Shkallët e Pallatit të Koncerteve janë të mbushura plot me njerëz, ndërsa në ambientet e brendshme të Pallatit të Koncerteve ndodhen të vendosura me shkronja të mëdha, emrat e vendeve të ndryshme që marrin pjesë në këtë aktivitet si USA, apo Rusia, apo Kosova e me radhë.
Njërëz që qëndrojnë pranë emrave përkatëse, si përfaqësues të vendeve të tyre. Në të djathtë, ndodhet edhe një panair ushqimesh karakteristike të vendeve të ndryshme.
Fillon Festivali Ndërkombëtar
Flamuj të 14 vendeve të ndryshme valëviten ndërkohë që këngët e kërcimet përformohen në skenë, ndërsa dritat shumëngjyrëshe që fiken e ndizen krijuan një atmosferë emcionuese, ku shumë të rinj e të reja, me ëndrra e respekt për njëri-tjetrin, kërkojnë një botë më të mirë. Nëpërmjet kostumeve popullore, veshjeve tradicionale, valleve e kërcimeve, këngëve, të rinjtë nga 14 vende të botës shpalosën sot ngjyrat e kulturave të tyre, në një program të madh festiv duke i ndërthurur ato me kulturën shqiptare.
Me një program të larmishëm, kërcimet e koordinuara në mënyrë koherente, këngë të kohës moderne por edhe tradicionale, morën efektet e një tabloje që i harmonizon të gjitha ngjyrat për bukuri, për të marrë prej saj, mesazhe të forta dashurie e respekti të aq shumë kërkuara këto kohë.
I konceptuar si një festival i nivelit të lartë, ky event kishte edhe disa surpriza apo risi për të gjithë. Një nga momentet më emocionues për të gjithë pjesëmarrësit ishte grupi i të rinjve nga Senegali, që përmes këngëve popullore shqiptare të krahinave të ndryshme, kërcyen valle popullore e karakteristike të kulturës shqiptarë.
Të mirëpërgatitur, këta të rinj, ndonëse nga Senegali, performuan shumë mirë vallet tradicionale shqiptare, aq sa ishte e vështirë të dallohej ndryshimi mes kërcimit të tyre dhe valltarëve shqiptarë.
Të rinjtë nga Senegali kërcyen valle të Shqipërisë së Mesme, vallen e Tropojës, vallen e Kukësit etj. Po kështu, të rinjtë shqiptarë të Kolegjit “Mehmet Akif”përformuan kërcime spanjolle, turke dhe indiane.
Ndërkohë që të rinj e nxënës nga SHBA, Gjermania, Italia, Banglandeshi, Rusia, Filipinet, Egjipti, Senegali, Kazakistani, Kosova, Maqedonia, Azerbajxhani, Moldavia, Sllovenia dhe Shqipëria sillnin në skenë, këngët e kërcimet e përgatitura, një moment i veçantë iu dedikua edhe kombëtares shqiptare të futbollit.
Si një falenderim ndaj punës së futbollistëve shqiptarë, që për herë të parë do të përfaqësojnë Shqipërinë në kampionatin Europian të Futbollit, një insert ishte përgatitur për të gjithë pjesëmarrësit, me momentet më të bukura, ku shqiptarët u kualifikuan për në kampionat. Kështu, kupa e festivalit, simboli i bashkimit të mijëra kulturave në një, iu dhurua Presidentit të Federatës Kombëtare të Futbollit, Armando Duka nga Rektori i Universitetit Epoka, Prof. Dr. Güngör Turan.
Kjo dhuratë për kombëtaren shqiptare u shoqërua me brohoritje dhe duartroktikte të shumta nga të pranishmit. Por, nga ana e tij, Rektori i Universitetit “Epoka”, Prof. Dr. Güngör Turan mori në mënyrë simbolike dhuratë fanellën e kombëtares me nr 1, të shoqëruar nga mbishkrimi “Turgut Ozal” mbi fanellë.
Ky festival erdhi si organizim i të gjitha institucioneve Arsimore Turgut Ozal dhe Gulistan, Universitetit “Epoka\’ si dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Tiranës.
Kur të rinjtë e botës flasin me gjuhën e respektit
Të rinj, nxënës nga të katër anët e globit dhanë mesazhet e tyre, përmes artit, kërcimit, këngëve, se janë ndryshimet ato që bëjnë bashkë të rinjtë për t’u edukuar me ndjenjën e respektin e dashurisë për njëri-tjetrin.
Por, cilat janë përshtypjet pas përfundimit të festivalit dhe mesazhet e disa prej tyre ?
Rica Mae Gabionza, nga Filipinet e vlerësoi festivalin ndërkombëtar në Tiranë, të realizuar më së mirë. Me një trup të vogël e flokë të zeza të kapura me disa karfica që xixëllonin në kokën e saj, e veshur me një fustan në ngjyrë rozë e të gjatë, por me një rreth të madh që e mbante gati të fryrë, ajo tregon se qëndrimi në Shqipëri ishte po aq i bukur sa edhe festivali.
“Qëndrimi në Shqipëri më pëlqeu shumë sepse Shqipëria është një vend i bukur dhe njerëzit janë shumë të dashur. Shqiptarët janë më të mirët. Ne kemi ardhur këtu prej 4 ditësh dhe kjo ishte hera e parë që unë vij në Shqipëri. Ky Festival Ndërkombëtar është realizuar më së miri këtë vit në Shqipëri”, tha ajo.
Për djalin nga Tanzania, i cili këndoi në shqip këngën “Xhamadani i kuq si gjaku”, Jabir Abdulkerim, mesazhi i tij përmes këtij festivali vjen si thirrje për të gjithë të rinjtë, të cilët duan të ndërtojnë një botë me paqe e respekt.
“Të gjithë njerëzit, pavarësisht ngjyrës, kombësive apo ideve të ndryshme janë të barabartë dhe përmes këtij festivali ne të gjithë jemi bërë bashkë në kulturë, duke respektuar traditat dhe vendet tona për të ndërtuar një botë me të mirë, nga ne të rinjtë”, tha ai.
I pyetur për përshtypjet e tij për mënyrën sesi ishte të këndoje në shqip, ai me një buzëqeshje të lehtë menjeherë shpjegoi se nuk ka asgjë të vështirë nëse punën, apo atë çka mësojmë e rrethojmë me dashuri.
“Nuk ishte aspak e vështirë, por mjaftoi që duhet të memorizoja fjalët e këngës në shqip. Por ishte diçka e bukur të mësoje dhe këndoje një këngë në shqip. Unë tashmë kam bërë mjaft miq shqiptarë, por jo vetëm, dhe me siguri që do të kthehem sërish në Shqipëri sepse me pëlqeu ky vend”, tha ai.
Ndërsa për të riun nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Tahir Temple, përmes këtij festivali ai arriti të përçonte mesazhe nga performanca e tij, por edhe të njihte më shumë cilësitë e shqiptarëve.
“Është me të vërtetë shumë bukur dhe një gjë që do të doja të theksoja është që shqiptarët janë shumë të dashur, miqësorë. Shumë prej miqve të mi shqiptarë që unë munda të njihja më kanë treguar shumë për kulturën shqiptare. Përmes këtij festivali ne sollëm kulturën e vendeve tona. Të gjithë të bashkuar në ndryshimet tona, por vetëm të gjithë së bashku do të arrijmë të krijojmë një botë më të mirë”, shtoi ai.
E ndërsa flet për përshtypjet e tij për Shqipërinë, ai tregon edhe një fakt interesant, të cilin e zbuloi pasi erdhi në Shqipëri.
‘Shqiptarët janë shumë të zgjuar. Përpara se të vija në Shqipëri, unë nuk e dija që të rinjtë flisnin kaq shumë gjuhë të huaja, e janë të gatshëm të ndihmojnë e mund të krijosh miqësi me ta shumë shpejt. Dhe kur kuptova këtë thashë me vete: Kjo është e pabesueshme. Por bota është kaq e madhe dhe në të njëjtën kohë e vogël sa edhe ne”. Kjo është hera e parë që ai vjen në Shqipëri.
Ndërsa vajza gjermane, Denise Doreen Stegmayer, tha se “Shqipëria dhe festivali përçojnë bashkë mesazhe paqeje. Një vajzë e gjatë, e veshur me një kostum tradicional që gati-gati duket pak si shqiptare, flokët e saj të drejta e bionde, të shkurtra deri në supe na japim përshtypjen e tipareve karakteristike të gjermaneve.
“Festivali është një mënyrë e mirë për të ndarë me njëri-tjetrin, kulturën e vendeve tona dhe ne mund të bëjmë miq të mirë, por edhe duke u kënaqur me njëri-tjetrin. Kjo është hera e parë që unë vij në Shqipëri dhe mendoj se këtu mund të bësh shumë gjëra. Natyra, klima dhe njerëzit janë shumë të këndshëm. Festivali dhe Shqipëria përçojnë në botë mesazhe shumë të bukura paqeje sesi mund të ndërtojmë një botë më të bukur”, tha ajo.
Në festival mori pjesë edhe Mishela Rapo, nxënëse e vitit të parë në Kolegjin ‘Mehmet Akif”, një vajzë e talentuar në art dhe shkencë, njëkohësisht fituese e shumë çmimeve nëpër organizime kulturore. Mishela ndan me ne momente nga jeta e saj, dhe nga ky festival.
“Në shkollën 8-vjecare kam marrë pjesë në festivalin mbarëkombëtar të Shkodrës për fëmijë, ku jam vlerësuar me çmimin deputuesja më e mirë. Po ashtu kam marrë shumë çmime të tjera”, tha ajo.
“Ky festival është një nga më madhështorët, ku të gjitha ngjyrat e botës mblidhen së bashku për të përcjellë traditat dhe kulturën e tyre. Ky është një nga festivalet që unë kam më përzemër. Ky festival sjell mesazhin që muzika na bashkon e na bën të kemi harmoni midis njëri-tjetrit për të sjellë sa më shumë dashuri”, tha ajo