• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NDIHMO ZOT E PUSHKA E HOTIT

July 5, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1.
Hotjanët skej liqenit të Plavës, në agun e 4 dhjetorit 1879, u ndalën pa mbrri tek Ura e Arzhanicës.[1]
Diku, pak kilometra në afri të saj, përfundi Brezovicës, ende pa hyrë në Pepaj, kryetrimi Murat Osmani i derës së Mahmudëve të Hotit,[2] i njoftun si “thyerësi” i një “armëpushimi” taktik rrejshëm apo pakt errët me malazezët, u vra para disa orësh tue luftue i vetëm në përballje me malazezët pushtues të ushtrisë të Todor Milanit, vojvodë i Vasojeviçit, duke mbetë në historinë ende të pashkruar si e para pushkë e i pari martir në frontin e Luftës të Ultinës së Epërme të Limit.
Në këtë luftë të madhe, mbi 40 forcave vullnetare të vllaznive Haxhaj, Sinanaj, Mehaj, Hysenaj, Mujaj,[3] iu printe Alush Zmajli i Hotit. Ata, të parët, zunë prita në rajonin e tretë të veprimeve luftarake të forcave të krahinës e të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në zonën e Plavës.[4] Atyne iu vuni lufta përballë forcat e ushtrisë të Mark Milanit, antar i Këshillit të Lartë të Shtetit të Malit të Zi, vojvodë i Kuçit.
Ndoshta, ky rajon i përqëndruar e i ndarë në disa sektorë e nënrajone në vijën mbrojtëse Arzhanicë-Pepaj ishte ma i vështiri i Luftës në frontin e Ultinës së Epërme të Limit për mos dhanien e krahinës së Plavë-Gucisë principatës së vogël të Malit të Zi, sipas vendimit të Fuqive të Mëdha në Kongresin e Berlinit (1878). Aty, nënprefekti i kazasë së Gucisë, Ali Beg Gucia, e kishte çue edhe antarin e Shtabit Qëndror të Mbrojtjes së Plavë-Gucisë, sekretarin e tij personal, Mulla Jaha Musaj, me aftësi të sprovuara, me titull kadi (jurist) – i shkolluar në Stamboll, i këlmendas – i vllaznisë Nikç në Plavë.[5]
Në kit’ front luftarak të jashtëzakonshëm, në nënrajonin e Grykës së Limit, në vijën Pepaj-Murinë, një pjese të forcave vullnetare vendase, iu printe Avdyl Pepa, i berishas, i fshatit Pepaj, antar shtabi i zonës së Plavës. Në nënrajonin tjetër, nga Murina në Arzhanicë, i drejtonte forcat Zhujë Selmani i Rugovës, antar i Shtabit Qëndror të Mbrojtjes së Plavë-Gucisë. Një nga prijësit ishte edhe bajraktari i Arzhanicës.
Numri i forcave u shumëfishua edhe me luftëtarë të ardhur nga Malësia e Gjakovës si ato të Gashit me prijës Halil Brahim Bajraktari, të Shipshanit me Din Bajram Bajraktarin me djalin e tij, Bek Bajraktarin, etj.
Kur luftëtarët shqiptar të armatosur po niseshin për në Luftën e Nokshiqit (Ultinës së Epërme të Limit), sipas ritit të moçëm luteshin: “Ndihmo, o Zot !”.

2.
Një plumb flurudhë i “peticës Mskovi”[6] gjuejt prej shkjaut malazez e kapi në rrasë të gjoksit luftëtarin hotjan. Ai plumb i zi e la pa pikë shpirti, mbështet tek trupi i hapët i lisit e me njanën kambë tek guri lidhtë me tokën. Si në pozicion luftarak. Pushkën e mbante shtërnguet fort, drejt përpara, me sy kah thepi i saj. Arma i mbeti e ngrehun, me gishtin në kamëz, thue se po i shenjon dikujt me i qit’ në ardhje drejt tij. Ashtu po rrinte: krejt i ngrirë, pa luejt vendit, pa lëshue fjalë.
-O çka a pushka o Kurti i Hotit, – i thirri bashkvendasi i tij hotjan tue ndejt gati në front, me pushkë për faqe në pritje përballjeje të mësymjes malazeze me prijtar ushtarak Mark Milanin.
Zani nuk iu përgjigj zanit, sipas adetit të tokës, traditës e luftës. Po ai za do i përgjigjej ndryshe kohës, do i fliste historisë, do jehonte në breznitë e tokës e traditës shqiptare.
Një shkja malazez, me mision si zbulues, i mveshun me do degëza të gjelbra për maskim, po ecte paksa i krrusun tue kqyr gjithkahnash. Kur e ka pa hotjanin me pushkë në shenjë ka ra në gjunjë. Ndokush thotë se prej frike mos e vret e kanë lëshue kambët.
-Në besën tande o shqiptar!
Hotjani nuk po flet hiç. E qysh me fol ai martir i luftës. Edhe i hotjani tjetër përkundruall po rri në front e po sheh krejt huti se çka po ngjet, pasi në këso rastesh kur kërkohet besë nuk qëllohet me armë.

-Unë e di çka a Besa e Shqiptarit… – po ligjëron lutjet e tij shkjau malazez i
tronditur nga përballja më t’hotjanin dhe i habitur nga mos reagimi i tij për me i dhanë besë.
Malazezi i lëshon armët për tokë, i çon dy duart lart, ecë tue iu lut fjalë pas fjale për besë shqiptarit hotjan të vramun në luftë. Po shkonte me iu dorëzue në besë. Ai mendonte t’i shpëtonte jetën vetes së tij. Shumkush më ka thanë se ishte edhe një kurth sllav, një pabesi malazeze, për me fitue kohë e me ia marrë jetën shqiptarit hotjan në pozicion, në mënyrë ta atillë që t’iu jepte mundësi avancimi skuadres malazeze të zbulimit.
Kur iu ka afrue krejt afër e ka ditë se shqiptari është i dekun. Ia pa çehren e fytyrës…E diti se ka mbetë ashtu i ngritë. E zgati dorën e djathtë e po don me ia marrë armën. Ia tërhjek me forcë.
Njikështu as nuk e pritke kurrkush e as nuk mendohej prej kurrkujt. Pushka ish kanë me fishekë në gojë. E ka lëshue krismen e vet. E ka marrë malazezin në të majtë, bash tek zemra. Dekun e në tokë. Kryet i ra mbi një gurë të thikë tue përgjak vendin.
Gjithçka e pabesueshme për skuadrën malazeze të zbulimit. Kjo, këtij grupi pararojë iu dukej si në andërr. Përndryshe: ikën me vrap në drejtim tjetër. Sa sytë kambët. U tutën keq se mos vepronin forca të mbinatyrshme. Asnjani prej tyre nuk e besonte se si mundej i vdekuni me e vra të gjallin. Atij krahu nuk i ra asnjë kambë ushtari malazez kur po ngjiteshin lumit të Limit përpjetë.

3.
Të nesërmen e përfundimit të luftës me fitore të shqiptarëve, pikërisht më 5 dhjetor 1879, nisën forcat e mbrojtjes vullnetare shqiptare të krahinës e ato të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me i kqyr frontet e betejave, me i mbledh shqiptarët “shehit” (dëshmor) e me i hipë në kuaj për me i çue në vendvarrime sipas fshatrave e fiseve. Malazezët i linin në vende veç. Armatime e materiale malazeze, shumë prej tyre të markave ruse, i çonin si trofe lufte në Shtabin Qëndror të kazasë së Gucisë.
Kadiu i njoftun, Mulla Jaha Musaj, sekretari personal i nënprefektit të kazasë së Gucisë, i Ali Beg (Pashë) Gucisë, prijtar ushtarak në rajonin e tretë të luftimeve, po vjen në afri të Urës së Arzhanicës. E kishte ndigjue historinë e hotjanit të vrarë që edhe ashtu i dekun e vrau shkjaun malazez pushtues e besëshkelës. Shkuen e panë në vend.
Hotjani i vdekun ende po rrinte në pozicion luftimi. I paluejtun nga istikami. Arma i kishte mbet’ prapë në dorë. Për çudinë e të gjithëve: sikur po donte me gjuejt prapë dikah apo dikend.
Ai martir ishte Kurti i Hotit, i derës së moçme rrënjase të Mahmud Hotit, një trim i rrallë i fisit e i krejt krahinës e Rrafshit të Dukagjinit, ndër 12 fise të Malësisë. Binte kushëri i parë me Murat Osmanin. Të dy u vranë trimrnisht në të njëjtën ditë e luftë. Kurti iku pa lanë askand mbas vedit, përveçse kit’ akt të pazakontë në historinë e botës.

Përballë tij, mbeti malazezi i vramun. Ashtu: i pajetë, i përgjakun.
Gjithkund u përhap fjala se një hotjan i dekun e ka vra një malazez të gjallë.

4.
Aty, në afri të Urës së Arzhanicës, po vijnë hipun në kuaj e të shoqruem me të vetët edhe bajraktari i Arzhanicës sëbashku me një nga prijësit ushtarak vendas të atyshëm, Avdyl Pepën. Takohen me kadiun Mulla Jaha Musaj e disa luftëtarë hotjanë. Ata i kishin ndie dy lajme: për aktin e hotjanit të vrarë, po edhe malazezi i vrarë ishte kryekriminel me damkë nga një vis aty afër.
Kaherë, fisi Berishë në Pepaj e Arzhanicë e kudo tjetër, po edhe Kelmendi i Rrafshit, Hoti i Vendit, etj. prej dy vitesh po e lypnin për gjak pushke për shpagimin e krimeve të kryera. Menjëherë pas vendimit të Kongresit të Berlinit, qyshse në gusht 1878 në Pepaj i vranë tre barinj shqiptarë, dogjën shumë stane verimi etj., ndërsa në Arzhanicë sulmuan një familje, ia vranë njerëzit e shtëpisë, ua rrëmbyen bagëtinë dhe ua dogjën shtëpinë. Ky e shfrytëzoi rastin edhe kur shqiptarët etnikë nga Arzhanicë e Pepaj,[7] kishin shkue në Luftën e Gjakovës (3 shtator 1878) kundër Maxharr Pashës (Mehmet Ali Pasha), që donte me ua dorëzue krahinën e Plavë-Gucisë principatës së Malit të Zi, sipas vendimit të Kongresit të Berlinit. E djegin xhaminë në Pepaj, e vrasin hoxhën e saj, Mulla Osman Çelën, të cilit ia presin kryet e ia vnojnë maje një huni të lartë në një sukë me u pa prej larg. Në Arzhanicë e Pepaj i rrëmbyen pabesisht e fshehtësisht tri çika malësore si zanat e malit dhe ua presin cicat, tue i lanë gjallë e për gazep.[8] Ata nuk donin që çikat shqiptare të bahen nana e për ma tepër të ushqejnë me gjinjtë e tyre fëmijë shqiptarë. Deri në kit’ cak e cen kishte mbrri urrejtja e tyre bio-politike ndaj shqiptarëve etnik.
Kryebanditë e banda të tilla me provokime e akte antishiqptare në kufi e territore të Plavë-Gucisë kishin një krye të parë, vet kushërinin e Krajl Nikollës, komandantin e trupave malazeze, Bllazho Petroviç, i cili ishte komandanti primat edhe i Luftës së Nokshiqit (Ultinës së Epërme të Limit).
Bajraktari i bajrakut të Arzhanicës e kryetrimi i Pepajve, prijësi luftarak Avdyl Pepa, kur e panë kryekriminelin e vrarë nga nga hotjani martir (shehit) iu thanë njëzani të pranishmëve: “Ndihmoj Zoti”, kurse kadiu Mulla Jaha Musaj shtoi: “Dhe Pushka e Hotit” tue i lanë kohës një urti të madhe.
Në betejën e dytë të Luftës së Nokshiqit (8-11 janar 1880) nga prijësit Haxhi Zekë Byberi e Ali Beg Gucia e deri tek luftëtari ma i thjeshtë në frontin ballor të luftës e përdornin shprehjen madhore: “Ndihmo Zot e Pushka e Hotit”. Kjo i tmerronte malazezët, pasi e dinin domethanien e saj: shqiptari edhe i dekun e ka vrarë malazezin e gjallë, malazezët e kanë vrarë vetveten sa herë kanë luftue me shqiptarët, si kurrkush mbi tokë Hoti iu ka dalë hakut malazezëve, etj. Veterani i luftrave e i qëndresave epokale në disa epoka përgjatë dy shekujve të fundit, 90 vjeçari Rexhep Gali Balidemaj nga Martinaj i Plavë-Gucisë, [9] më kumton se thënia tashma panshqiptare “Ndihmo Zot e Pushka e Hotit” e ka “burimin tek fisi i Hotit në Plavë, vjen nga Lufta e Nokshiqit” [10] (4 dhjetor 1879) e iu përcillet si kushtrim, mësim e mesazh kohës e breznive shqiptare.

________________________________________
[1] Nga biseda me Halil Ukshin Sinanaj 86 vjeç nga Hoti i Vendit./ Nju York, më 3 shtator 2012/.
[2] Nga biseda me Ahmet Murati Sinanaj, 75 vjeç . Nju Jork, 5 shtator 2012 / Etj. /.
[3] Shaban Xhemë Mehaj i Hotit, në një bisedë në Amerikë më 4 shtator 2012, më tregon se në Luftën e Nokshiqit (1879-1880) të gjithë shkuan në luftë si hotjanë, pasi të gjithë ishin kushërinj të afërt me dy mbiemra: Haxhaj e Sinanaj, përveç Mahmudëve të Hotit. Mbas kësaj lufte vllaznitë morën për mbiemra të derisotëm një nga paraardhësit e tyre.
[4] Prof. dr. Shevqet Canhasi. Haxhi Zekë Byberi në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Monografi. Prishtinë. 2004.
[5] Mulla Jaha Musaj, ky personalitet shqiptar i shquar si jurist, ushtarak e politikan kombëtar, mori pjesë ballore në Luftën e Nokshiqit (1879-1880) dhe në Kryengritjen kundërosmane në Shqipërinë e Veriut ( 1903) duke luftue kundër Shemsi Pashës e, pas shuarjes së saj, e internojnë në Selanik. Rikthehet në Plavë. Për kit’ dijetar e luftëtar kanë shkrue gazetat e kohës si ato otomane, europiane e shqiptare, studiuesit plavë-gucias si Rexhep Dedushaj, Elmaz B. Plava, Hasan I. Gjonbalaj. Malazezët ia pushkatuan djalin, Mulla Sadon, më 19 tetor 1912 dhë është një nga martirët e Masakrës së Previsë. Pasardhësit nuk mujtën me i qëndrue asimilimit të egër shoven malazez.
[6] Armë e markës ruse me pesë plumba. Kanga e kësaj lufte jehon: Armatos me petica Mskovi / don me i lshue vizitorit /me marr plavën me guci/ me ba dazëm si n’ Çeti (Çetinë)/.
[7] Arzhanica, Pepaj e Plançor i Gjakovës, janë tre vllazën berishas në këto tri vendbanime etnike shqiptare. Tashti në Arzhanicë kanë mbet’ veç dy familje të trungut të bajraktarit të Arzhanicës, ajo e Xhemës dhe e Ismat Bajraktarit, kurse Pepajt kanë mbetë në katër shtëpi që frymojnë shqip. Në këto dy fshatra përskej Limit ka shtëpi shqiptare murnajë pa kërrkend, e në shumë sish kanë hyrë malazezët pa dvet për pronat etnike të shqiptarëve.
[8] Elmaz B. Plava. Plava e Gucia në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare (Kujtime dhe dokumente historike)/ E përshtati e përgatiti për botim: dr. Marenglen Verli / ShB “Marin Barleti”. Tiranë, 1995.
[9] Bisedë me veteranin biblik Rexhep Gali Balidemaj në shtëpinë e luftëtarit të UÇK-së, Sadri Mehaj i Hotit, në Nju Jork (SHBA) më 9 shtator 2012. Ishin të pranishëm në bisedë edhe Esad Gjonbalaj, sekretar i Fondacionit Plavë-Guci, Avdyl Dedushaj, antar i ACABS, Shaban Mehaj, nënkryetar i AFCES, e të tjerë.
[10] Kit’ fakt ma kanë pasë rrëfye miqtë e mirë të babës tem, dy burra të palctë: Sadik Zenuni e Bajram Lushi, lisa të fismë të Hotit në shpatlartësi të Shkëlzenit (Berbat), rrem genetik i Hotit skej liqenit të Plavës. E kam pasë ndie edhe nga “Hoti i Shkodrës” si prof. Mahir Hoti i ILP, si dhe nga plavë-guciasit në Elbasan (tek halla ime), në Tiranë, në Mamuras e Laç, etj. dhe në qindra biseda në Malësinë e Gjakovës.

Filed Under: ESSE Tagged With: E PUSHKA E HOTIT, NDIHMO ZOT, Ramiz Lushaj

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT