Nga Mërgim Korça*/
Mund ta pohoj pa as më të voglën lëkundje se si fillimisht njohjen, e pastaj në vazhdim edhe miqësimin me Hirësin’e Tij Baba Rexhebin,tamam që i konsideroj një fat të madh timin në jetë ! Jam shprehur dëndur rreth filozofísë Tij, doemos për aq sa kisha unë mundësi t’a ndiqja e gjithashtu edhe t’i kuptoja pikëpamjet e Tija. Ndërsa sot, duke e kujtuar me një gjëndje shpirtërore tejet të mallëngjyer, e lidhur kjo pse jo edhe me gjëndjen atmosferike sikur t’ishim përgjatë një dite vjeshte të shtyrë e me shiun që i godet me furí dritaret e shtëpisë, jam i prirur t’ia përshkruaj lexuesit q’e kanjohur dhe ka qenë edhe i afërt i Baba Rexheb-it, duke ia kujtuar thënjet madhore të Tijat, (të cilat vet’i kishin dëgjuar dëndur të dala nga goja e Tij). Ndërsa pjesës tjetër të lexuesve, atyre që nuk e kanë njohur por vetëm kanë dëgjuar rreth Tij, doemos që e ndjej detyrë timen parësore edhe t’ua përshkruaj filozofínë e cila përcillej nga Baba Rexhebi në vijim t’atyre thënjeve madhore të Tija !
Parimisht Bektashizma vé në dukje se si egoizma është vënja në dukje e vetvetes ! Kurse Baba Rexhebi theksonte se si ky ves i keq, (egoizma), ngrihet si një mal i lartë përpara syve të njerëzimit duke mos u lejuar të shikojnë Zotin e Madh e të udhëhiqen nga mësimet e Tij ! E këtë çfaqje Ai e krahasonte me … hallkánë vendosur në hundën e ariut, e cila e tërheq atë, (ariun), sipas dëshirës së epsheve ! E me këtë rast dua t’ua kujtoj ish miqve të Baba Rexheb-itse si Ai ua sillte me këtë rast kujtimin se si kur Shejh Saadeddin Hameviu i hipur në kalin e tij nuk e kapërxente dot një përrua të vogël me ujë se kali u ngul dhe nuk bënte përpara nga që … shikonte në ujë të reflektuar pamjen e tij, (të kalit), e cila e tërhiqte shumë. E me këtë rast, I Madhi Baba Rexheb, shtonte “ … Ndjekësi i rrugës shpirtërore duhet të zhvishet fare nga fjalët E IMJA, E JOTJA, etj. dhe të jet’i pastruar nga çdo gjë, sepse vetëm atëhere pasurohet me dashurinë e Zotit dhe ia mbërrin së vërtetës, që ësht’edhe pikësynimi i tij. Përgjatë këtij konteksti Baba Rexhebi shtonte se si, kur e kishin pyetur një herë Haxhi Bektash Velinë se ç’ishte misticizma, Ai kishte thënë : “ Misticizma si edhe mirëgjëndja nuk mund të mblidhen bashkë pse baza e misticizmës është shkatërrim i çdo gjëje, veç Zotit. Pse ajo e hedh poshtë çdo gjë veç Atij.”
Dhe krejtë natyrshëm më vjen ndërmënd e doemos dua t’ua vé në dukje lexuesve të këtyre radhëve, duke kujtuar mësimet e baba Rexheb-it rreth atij vési që quhet egoizma e njeriut, se sa aktual edhe fuqíshëm tingëllon ky mësim tek ndjekim zhvillimet e vëndit tonë mbas shkërmoqjes së diktaturës ! E me këtë rast të gjith’atyre që jo vetëm e kanë pasë fatin të njiheshin me Baba Rexheb-in por edhe të ishin të afërmit e Tij, patjetër që u kujtohet se si Baba Rexhebi theksonte se : “ Ajo q’e ndan Zotin nga njeriu nuk është as qielli dhe as botët. Ajo q’e ndan me të vërtetë është UNË-ja si edhe TI-ja ! ”
Vazhdojmë tashti me disa nga thënjet e Baba Rexheb-it që Ai i kishte më për zemër e që dëndur i sillte në qëndër të vëmëndjes me bashkëbiseduesit. Njera nga këto e cila të bën të mendohesh thellë edhe sa i takon filozofísë që mbart me vete, është pohimi : “ Të mbahesh gji-thënjë me shpresë për të mirat që ke bërë dhe për dhuratat që ke dhënë, është tregëtí. E Baba Rexhebi shtonte se … Me Zotin veç tregëtí nuk bëhet ! “
Rrij e mendohem dhe më duket sikur jam përbrinjë Baba Rexheb-it edhe Ai ashtu qetë-qetë më flet lidhur me mësimet e Hynqar Haxhi Bektashit rreth këndvështrimit me të cilin duhet shikuar Mistika Bektashjane, nga njera anë, si edhe rregullat e Fesë Islame, nga ana tjetër ku, mësimi i nxjerrë nga Baba Rexhebi si ndjekës i rrugës së Mistikës Bektashjane është t’ua përcjellë besimtarëve mësimin themelor se si për të dyja palët në themel qëndrojnë rregullat e Fesë Islame e pastaj mistiku, mbasi t’i ndjek’e t’i zbatojë të gjitha detyrimet Islame, t’u shtojë këtyre të veçantat e kërkesave që ka Bektashizma ! Përmbledhtas, Baba Rexhebi mbasi e zbatonte agjërimin gjatë muajit të Ramazanit si çdo besimtar musliman, por ama si bektashi Ai mbante edhe Matemin, i cili mbahet dhjetë ditët e para të muajit hënor Muharrem në kujtim të të masakruarve me në krye Imam Hysejnin dhe familjen e Tij në Qerbelánë Irakéne. Ose se si p.sh. Baba Rexhebi u thoshte besimtarëve të Tij se si duhej të zbatonin faljen e të pesë vakteve, ky detyrim si besimtarë muslimanë fillimisht e pastaj edhe si bektashinj. Ose fakti që Baba Rexhebi, në Teqén’e themeluar prej Tij në Detroit, nuk lejonte të futeshin pije alkoolike !
Përgjatë kësaj hullíje, p.sh. Baba Rexhebi ngulte këmbë dhe theksonte “ Atë që s’e shikon dhe nuk e zbaton në veten tënde mos ia urdhëro tjetrit ! “ Vërtetë kjo porosí nuk përbën asnjë radhë të plotë, vetëm pesëmbëdhjetë caqe gjuhësorë e përbëjnë, por ç’mësim u trashëgonte bashkëkohësve atëbotë e sa i vyer është po ai mësim edhe sot e kësaj dite për bashkëkohësit !
Baba Rexhebi përgjatë hullísë filozofísë së Tij Mistike Bektashjane, ngulte këmbë edhe theksonte një moment tejet delikat nga pikëpamja ngushtë fetare, por ama skajshëm bindës i shikuar nga këndvështrimi filozofik, gjë që figurën e Tij na bën ta shikojmë tamam si të një Mendimtari të Madh, në themelin e mësimeve të të cilit zinte vënd pohimi i Tij madhor se si :“… Të gjithë monotheistët që besojnë një Zot të Vetëm edhe Atij dhe i luten, nuk ka asnjë kuptim të jenë të ndarë në besime të ndryshëme fetare! Ata duhet të jenë të integruar në një besim fetar të vetëm !“Dhe këtu pastaj i ndjeri Baba Rexheb-i sillte si shëmbull Henrikun e VIII-të të Anglisë i cili donte t’ishte jo vetëm mbret i Anglisë por edhe udhëheqës i gjithë të Krishterëve dhe egoizmi i tij e shtyu t’i ndante të Krishterët Anglezë nga Vatikani dhe sot e kësaj dite, falë atij egoizmi, britanikët janë të besimit Anglikan !
Pa hyrë fare në diskutime pa lé në krahasime mendësíshë fetare karakteri filozofik,nuk mundemi mos të vemë në dukje se sa gjithëpërfshirës është mendimi si edhe këndvështrimi filozofiko – fetar i të ndjerit Baba Rexheb-it ! E kjo, duke krahasuar dy personalitete të shquara fetare lidhur me gjerësín’e këndvështrimeve të tyre të ndërsjellë : njeri sa i takon vetëm një besimi fetar të të gjithë monoteistëve an’e mbanë botës,kurse tjetri,(pozicionimi i Imzot Frendo-s ndaj emërimit potencial të shkrimtarit tonë të madh Visar Zhitit si ambasador pranë Selisë së Shënjtë në Vatikan), si përzgjedhje jo të përshtatëshme.E kësisoji secili lexues objektiv e bën dallimin themelor ndërmjet të Madhit Baba Rexheb i cili kishte një këndvështrim tejet ekumenik, i krahasuar ky me këndvështrimin skajshëm të fetarit tjetër të reduktuar në të gjykuarët e vetëm një personi.
E doemosdo me këtë rast, para se t’i mbyll këto radhë, nuk kam se si mos t’i vendos përballë njeritjetrit edhe pozicionimet e Hirësísë Tij Baba Rexheb-it, një udhërrëfyes fetár tejet ekumenik, me t’ashtuquajturit luftëtarë të Islamit q’e kanë shpallur veten e tyre si luftëtarë të Shtetit Islamik të Irak-ut si edhe të Sirisë e që po e terrorizojnë Lindjen e Mesme me krime nga më të shëmtuarit pikërisht nën kushtrimin e Fésë Islame !
Prandaj edhe i jap fund këtij fluturimi krejtësisht sipërfaqësor rreth mendimeve filozofike që ishin edhe themelet e besimit të Baba Rexheb-it me të cilin Ai mbështeste Haxhi Bektash Veliun edhe pohonte se për të qenë njeri i madh në kuptimin mistik të fjalës :
“ I madh është ai që sjelljet e dukëshme i ka si të gjithë të tjerët dhe të padukëshmet i ka si të njerëzve të shquar të Zotit ! … E jashtmja e tyre është plot moral dhe të padukëshmen e kanë shëmbëlltyrë të moralitetit ! “ (*Minerva)