-Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Evroaziatike, Wess Mitchell: Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë punuar dhe do të vazhdojnë të punojnë përkrah Kosovës në çdo hap/
-Mitchell përmbyllë vizitën në Kosovë, sot mbërrin edhe në Serbi/
-Që prej 22 vitesh, SHBA-të janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 13 Mars 2018/ Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA-ve për Çështje Evropiane dhe Evroaziatike, Wess Mitchell, me një Takim me Udhëheqësit e Rinj përmbylli sot vizitën në Prishtinë. Ai mbërriti dje në mesditë dhe takoi udhëheqësit Kosovarë, përfshirë Presidentin Hashim Thaçi dhe Kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe përfaqësues tjerë politikë dhe të shoqërisë civile, ndërsa theksoi se Kosova duhet të ndërmarë disa hapa tepër të rëndësishëm gjatë këtij viti për të siguruar rrugëtim të vazhdueshëm drejt të ardhmes perëndimore.Pas vizitës në Prishtinë, Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Evroaziatike, Wess Mitchell, mbërrin sot në Beograd, ku, sipas medias serbe, do takojë Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, Kryeministren Ana Brnabiç, shefin e diplomacisë Ivica Daçiç, si dhe liderë opozitarë.Në konferencën për shtyp pas takimit dje me Presidentin Kosovar Thaçi, Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit Mitchell iu bë edhe kjo pyetje:“Mediet në Serbi, e po citohen edhe nga mediet në Kosovë, raportojnë se vizita juaj në vendet e Ballkanit perëndimor, me këtë rast edhe në Serbi, do të prodhojë një takim me presidentin dhe krerët e shtetit serb ku ju do t’ua prezantoni një plan të ri për Kosovën, i cili, sipas raporteve, është plan shtesë nga ajo që është prezantuar nga Presidenti Ahtisaari dhe që ka të bëjë me kompetencat shtesë që ju do të propozoni për asociacionin e komunave me shumicë serbe e në këmbim të kësaj Kosova do të lejohet nga Serbia që të kërkojë anëtarësim në organizatat e ndryshme ndërkombëtare. A është e vërtetë? A ekziston një plan i tillë? A do ta bëni këtë gjatë vizitës në Serbi apo këto janë vetëm raportime të kota?”.Ndërsa, përgjigja e Mitchell ishte kjo: “Ju faleminderit për këtë pyetje. I pashë këto spekulime në rrugë e sipër dhe mendova se kjo ishte gazetari shumë kreative. Mund t’ju them se nuk kam ardhur për të shpalosur asnjë plan specifik. Ajo që kam ardhur është për t’u angazhuar me të dy vendet, Kosovën dhe Serbinë, për çështjen e të ardhmes së tyre të përbashkët, për të folur për dialogun, për të folur për shtegtimin perëndimor për të dy vendet dhe për Ballkanin perëndimor dhe pres me kënaqësi të diskutoj për këto çështje këtu dhe në Serbi”.
Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Evroaziatike, Wess Mitchell në fjalën e tij në konferencën për shtyp në Prishtinë tha se, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë për një Kosovë sovrane, shumetnike dhe demokratike dhe për t’u riangazhuar për mbështetjen e rrugëtimit evroatlantik për Ballkanin Perëndimor.
“Kosova duhet të ndërmarë disa hapa tepër të rëndësishëm gjatë këtij viti për të siguruar rrugëtim të vazhdueshëm drejt të ardhmes perëndimore. Folëm për normalizimin dhe rëndësinë që Kosova të qëndrojë ngusht e angazhuar në dialog me Serbinë. Folëm për çështjen e kufirit me Malin e Zi dhe për rëndësinë e zgjidhjes së kësaj çështjeje si pjesë e shtegtimit drejt liberalizimit të vizave. Folëm për transformimin e sigurisë dhe që të sigurohet mbështetje prej të gjitha palëve dhe komuniteteve për ndryshim kushtetues, si dhe ia nënvizova presidentit dhe do ta them këtë edhe këtu: askush nuk ka veto për sigurinë e Kosovës. Si dhe folëm për sundimin e ligjit dhe rëndësinë e vazhdimit të luftës kundër korrupsionit për të siguruar të ardhme demokratike dhe rritje ekonomike për Kosovën. Në të gjitha këto fusha, Kosova mund ta zgjedhë vetë të ardhmen e vet, por dëshiroj t’ju siguroj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë punuar dhe do të vazhdojnë të punojnë përkrah Kosovës në çdo hap”, theksoi Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Evroaziatike, Wess Mitchell.Në njoftimin paralajmërues të vizitës dërguar nga ambasada e SHBA në Prishtinë theksohej se Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit “do të riafirmojë lidhjet e ngushta mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara dhe do të inkurajojë qeverinë e Kosovës që të bëjë përparim në dialogun me Serbinë, në forcimin e sundimit të ligjit, në ngritjen e rritjes ekonomike, dhe që të tejkalojë sfidat rajonale në dobi të stabilitetit dhe integrimit perëndimor”.
Që prej 22 vitesh, SHBA-të janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë. Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, në 6 qershor 1996, ishte festë për kosovarët dhe u përjetua si një moment shumë i rëndësishëm dhe historik për të ardhmen.Pavarësinë e Kosovës të shpallur në 17 Shkurtin historik 2008 Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë njohur që në ditën e parë pas shpalljes. Më pak se dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë në 8 prill 2008.