Tregim Nga Avdulla Kënaçi/
Kur udhëtoj, asnjëherë nuk harroj të marr me vete një libër. Është shoqëruesi im më besnik që nuk më lë kurrë në baltë, për asnjë çast, nuk më lë të mërzitem apo të kotem gjatë fluturimit. Kështu edhe herën e fundit, nga Rinasi në drejtim të Kanadasë. Pasi kishim udhëtuar ca, duhet të isha diku nga faqja shtatëdhjetë e romanit, kur dikush nga ana tjetër e rreshtit tim, më thirri në emër, edhe pse matanë korridorit. Nuk donte t’ia dinte se mos shqetësoheshin udhëtarët e tjerë. Ishte nga ana e dritares. Me sa duket ai i kishte sosur bisedat me gruan që kishte përkrah, apo ajo ishte treguar indiferente ndaj tij dhe ai m’u lëshua mua, pa treguar asnjë lloj takti. Si të thuash ishte nga ata tipa që hyjnë pa trokitur në bisedë, ose nga ata që fluturojnë për herë të parë me aeroplan dhe duan të shquhen midis udhëtarëve të tjerë. Pasi i dhashë shpjegimet e duhura për pyetjet që më bëri, iu ktheva përsëri librit. Me cep të syrit, pa ngritur vështrimin nga faqet e kapitullit të tretë, anash, shikoja një palë duar të bardha, si alabastër, pa asnjë rrudhë, fine dhe delikate, si duar fëmije. Të kujtonin duart e Mona Lisës në pikturën e famshme të Da Vinçit. Gishtrinjtë e saj herë pas here lëviznin me nervozizëm; mpliks-çpliks lidhëzat e pafajshme të çantës së saj të cilën e mbante mbi gjunjë, duke shprehur kështu një lloj pakënaqësie ndaj bashkëudhëtarit në sediljen pranë. Dhe ishte e habitshëme se ajo i lëvizte gishtërinjtë sa herë bashkëbiseduesi që më pyeti mua, nginte zërin si në një klub bilardoje. Duket që atë burrë me fytyrë hiri dhe gruan me duart si në portretin e Mona Lisës, nuk i lidhte asgjë veç rastësisë së atij udhëtimi. U zhyta përsëri në lexim. I rrëmbyer nga subjekti, i harrova të dy.
Ishim nisur me vonesë nga Rinasi dhe ishte vështirë të arrinim linjën e Torontos. Me të mbrritur në Frankfurt, stjuardesat na dhanë një tufë udhëzimesh si mund t’i binim shkurt që të mund të arrinim në kohë në bording pass. Bëheshim nja 7-8 vetë për në Kanada. Fuguam pas dy shoqërueseve të aeroportit. Burri me fytyrë ngjyrë hiri nuk i ndahej për asnjë çast bashkudhëtares së tij. I kishte varur plotësisht shpresat tek ndihma dhe orientimi që duhet t’i jepte ajo. Dhe unë pashë se si ajo kujdesej që ai të mos humbiste midis turmës apo të merrte ndonjë drejtim të gabuar. Ai shikonte me sy të çakërryer njerëzit që mbushnin apo zbraznin terminalet, por gruaja, edhe kur ai nuk e kishte mëndjen, e kapte nga cepi i xhaketës dhe e tërhiqte pas vetes. Gjatë kontrollit kufitar u shpërndamë në pika të ndryshme për të mbaruar sa më shpejt. Gruaja me duart si të Mona Lisës qëlloi përpara meje. E shikova me kujdes. Ishte veshur fare thjesht, me një palë xhinse blu, tip streçe dhe një xhup të kuq, të shkurtër. Nuk kishte bërë asnjë lloj grimi mbi fytyrë. Flokët ngjyrë bakri, me rrënjët çokollatë, i vezullonin nën dritat e forta të aeroportit të Frankfurtit. Nga mënyra si ecte, si fliste me punonjësit e shërbimit dhe përdorimi i anglishtes, dukej që kishte udhëtuar shumë. Ajo ngadalësoi hapat dhe me sy kërkonte burrin me flokët e qethur shkurt si marinarët amerikanë dhe fytyrën ngjyrë hiri. Ai po vonohej. Sigurisht, pa ditur asnjë gjuhë të huaj, është njësoj sikur të pengohesh me këmbët e tua. E nxita të bënte përpara dhe më shumë për edukatë, nuk desha ta parakaloj. Gruaja eci edhe pesë-gjashtë hapa më tutje dhe nuk lëvizi më. Ishim fiks katër hapa tek porta hyrëse e fluturimit për në Kanada.
– Ec se e humbëm avionin, – i thashë i nervozuar.
– I kam dhënë fjalën, do ta pres, çudi, nuk po duket ai shoku, – u përgjigj me një zë të butë si të zënë në faj duke hetuar me sy rreth e rrotull.
– E ke tëndin, e ke të njohur?
– Jo, nuk e kam asgjë, në Rinas e njoha. I kam dhënë fjalën, ju mund të shkoni, – më tha me mirësjellje. Realisht më erdhi marre nga vetja që desha të shkëputesha nga grupi. Vendosa të qëndroj edhe unë. Më në fund, në horizont u duk burri me fytyrë ngjyrë hiri…Ndërkohë nga bording pass, një punonjëse me uniformë, bëri tre hapa përpara dhe kryqëzoi duart sipër kokës për të njoftuar se porta e aeroplanit të linjës së Torontos u mbyll.
– Për fajin e atij Burrit mbetëm edhe ne, – i thashë i indinjuar. Ajo më vështroi me ca sy lutës.
– Unë për vete po humbas një ditë konferencë ndërkombëtare në Otava.
– Kush jeni ju? – e pyeta me një zë më miqësor, plot kërshëri.
– Jam pedagoge në Fakultetin e Historisë, por drejtoj edhe një shoqatë të arkeologëve të rinj, – tha me një zë të qetë e të sigurtë. E zbuta shikimin dhe e vura re me kujdes nga flokët gjer tek atletet blu, të errëta. Në vështrimin tim ndjehej një lloj respekti.
Ndërkohë u mblodhëm të gjithë, ne, shqiptarët që humbëm fluturimin. Të dëshpëruar sa më s’ka. Ishim gjashtë vetë, vetëm një çift kishte kaluar. Realisht unë e Profesoresha mund të kishim kapërcyer portën sepse ishim mbrapa tyre, por mbetëm peng i fjalës së dhënë prej saj. Ajo, se po të kishte qenë për mua….Dyshova se Profesoresha duhet të ishte me origjinë nga Veriu, pikërisht prej sakrificës që bëri. Si mund të humbiste ashtu me vetëdije një ditë fluturim, një Konferencë Ndërkombëtare? E përse? Për një fjalë të dhënë ndaj një njeriu të njohur disa orë më parë. Dhe nuk dihej se kur mund të niseshim. Nuk kisha gabuar. Ajo ishte me prindër nga Mirdita por lindur e rritur në Tiranë. Nuk kishte qejf t’i thërrisje Pofesoreshë edhe pse kishte botuar disa libra për arkeologjinë, kishte mbrojtur një pas një të tri shkallët e titujve shkencorë dhe ishte e njohur nga media, por jo nga unë që banoj prej kohësh në Kanada.
– Po tani?, – pyetëm të gjithë gati në një zë.
– Duhet të paraqitemi në recepsionet e shërbimit, nuk ishte për gabimin tonë, – tha Profesoresha me një ton të sigurtë. Desha t’i them se unë dhe ajo vetë e arritëm bording pass, por nuk kishte më kuptim ta zgjatja.
Ishim të gjithë të çakorduar, me të njëjtin fat. Mësova se burri me fytyrë ngjyrë hiri paskish qenë polic, ndërsa një çift nga fshatrat shqiptare të Prespës, banonin afër meje në Kanada, por nuk kisha pasur rast t’i njihja më parë, ndërsa një durrësak me një fytyrë si brumë i ardhur, banonte në periferi të Torontos. Na bashkoi i njëjti hall dhe dalngadalë po e mblidhnim veten, po njiheshim më shumë me njeri-tjetrin dhe jepnim e merrnim se si do të dilnim nga ajo situatë. Profesoresha quhej Brikena, por për arësyet që do të tregoj këtu më poshtë, unë do t’i thërres Kena, ashtu si motrat e prindërit e saj. Ishim në një mëndje që ajo të na udhëhiqte në labirinthet e aeroportit të madh të Frankfurtit. Secilit, ajo i mblodhi pasaportat dhe biletat, gjarpëroi përgjatë platformës dhe sa hap e mbyll sytë pronotoi hotelet, gjuajti fluturimin e parë për të solli njëfarë paqeje midis nesh. Vetvetiu u vu në krye të grupit. Dhe gjithçka e bënte me një përkushtim dhe vendosmëri sikur të ishte punonjëse e aeroportit. Kur përpara na dolën policët me ato portat e ngushta pranë tyre, e kuptuam se po dilnim jashtë, në qytet. Ata na vulosën pasaportat dhe ne u gjendëm në një stacion të zhurmshëm autobusësh. Duhet të prisnim edhe dy orë të mira gjersa të riniste punë linja që mund të na çonte në hotelet përkatëse. Kishim edhe dy orë kohë dhe unë u shkëputa nga grupi. Kisha nevojë të kthjellohesha e të mendoja ndaj kësaj kthese të papritur gjatë këtij udhëtimi me telashe. Kisha qenë në Tiranë vetëm për një javë. Unë drejtoj një grup valltarësh amatorë në Toronto dhe më duhej të porositja kostume popullore shqiptare të cilat nuk gjenden në treg, jo vetëm kaq, por duhen qepur sipas masës së çdo valltari…
I vetëm, zura vend në një stol tek stacioni i autobusave. Sidoqoftë, të gjithë do të mblidheshim aty. Ishte akoma ditë, por retë ngjyrë plumbi ishin ulur fare poshtë duke uzurpuar cep më cep qiellin e Frankfurtit. Aeroporti herë pas here, si një grykë vullkani, zbrazte pasagjerë të të gjitha moshave dhe racave. Shumica duke tërhequr valixhe, rrotat e vogla të cilave kërkëllinin me një zhurmë acaruese në trotuar. Shoferë që u serviloseshin pasagjerëve për ndonjë bakshish, mbërrinin dhe zhdukeshin njeri pas tjetrit. Fytyra të lodhura e të drobitura nga udhetimet e gjata parakalonin para syve të mi. Pastaj mendova përsëri për bashkatdhetarët. Ku ishin zhdukur ata? Mjergulla po shtohej së bashku me afrimin e mbrëmjes. Fenerët e ndezur të makinave shquheshin që larg. Dritat e qytetit vezullonin ngado, nga të katër anët e horizontit. Fytyra e Kenës, edhe pse nuk ishte aty, më shfaqej pas çdo drite. Kishte në sytë e saj një qetësi olimpike dhe një saktësi të çuditshme. Të jepte përshtypjen se e kishe njohur prej kohësh. Si humbi ashtu fluturimin për një fjalë të dhënë? Çudia më e madhe ishte se ajo sapo e kishte njohur besmarrësin. Mos kishte këtu diçka tjetër që unë nuk e dija? Kurrsesi, u pa se si ajo, më vonë, i ndihmoi të gjithë pa asnjë dallim, pa më të voglin interes, madje edhe çiftin nga Liqeni i Prespës së Maqedonisë. Atë që më vonë unë do ta quaja me shaka Haxhi Halit nga që mbante rrasur në krye një kapuç të bardhë të thurur me grep. Si ka mundësi që Shqipëria të ketë njerëz humanë, kaq të mirë, kaq të sakrificës? Unë kisha menduar se “kjo është një specie në zhdukje”. Por Kena dëshmonte tjetër gjë.
Nata ra plotësisht mbi rrugë e qytet dhe unë u ktheva brenda aeroportit. Edhe pak e po shkonte ora tetë e mbasdites. I gjeta gjithë bashkatdhetarët njësh duke diskutuar plot gjallëri. Kena nuk kishte qëndruar “rehat”, kishte gjetur një police të aeroportit dhe i tha se kishin dy orë që prisnin për autobuza. Në fillim policja nuk e kishte besuar, por kur e verifikoi, mobilizoi dy taksi që të na përcillinin për në hotel i cili ishte nja njëzet minuta larg. Pikërisht në ato momente u gjenda edhe unë aty. Haxhi Haliti nuk di përse i bërtiste të shoqes, pa marrë parasysh se ndodhej në një mjedis publik.
– Ku ishe, nga nuk të kërkova… – më tha Kena e pezamtuar kur po shpërndaheshim nëpër taksi. Mua më takoi të udhëtoja në sediljen e pasme vetëm me atë. Nuk fola asnjë fjalë, shoferi, një pensionist, i mbante të fikura dritat brenda makinës për ta parë më shquar rrugën. Megjithatë profili i Kenës dukej qartë nga ndriçimi i fenerëve. Mbi të binte një dritë e ngrohët, e butë, ngjyrë portokalli. Plot admirim, nuk ia ndaja sytë. Sa e mirë, sa njerëzore që ishte. Jeta dhe profesioni im më ka bërë që të dalloj karakteret. Ajo ishte pa dyshim një njeri pozitiv, modeste dhe humane. Nuk kërkonte asnjë shpërblim për mundin që bënte. E matur, plot dinjitet dhe edukatë. Më hipi një dëshirë e marrë për ta përqafuar. Nuk di si m’u duk ashtu, aq e afërt, aq e ëmbël, aq njerëzore. Por nuk guxoja. Ngrita dorën disa herë, pastaj e tërhoqa i penduar. Nuk mbaj mend çfarë i thashë dhe ajo ktheu kokën ndaj meje. M’u duk aq e bukur, si një zanë. Lehtë, me katër gishtërinjtë e preka në faqe. I mbulova gjithë mollëzën e djathtë. Kishte një lëkurë të butë si sfungjer. Tek ajo perkëdhelje e pafajshme unë desha t’i them se ti je një njeri i mrekullueshëm. Desha ta falënderoj në emër të të gjithë bashkudhëtarëve shqiptarë. A kanë fuqi ta përcjellin katër gishtërinj këtë mesazh? Besoj se po.
***
Zbritëm nga taksia dhe u drejtuam për nga hoteli. Duhet të ishim të parët. Unë dhe ajo ecnim përkrah njeri tjetrit, si dy miq të vjetër. M’u krijua një ndjesi e rreme sikur kishim mbaruar shkollën së bashku, ishim rritur në një lagje dhe zotëronim shumë sekrete të përbashkëta. Një bashkëkombase në një vend të huaj, për ata që e kanë provuar, do të thotë shumë. Por për mua që kisha shumë kohë i larguar nga Atdheu, një pedagoge nga Tirana, fliste edhe më shumë. Po mendoja se ajo ka ecur në të njëjtat shkallë të universitetit që kam ecur edhe unë, ajo e ka pritur pranverën në Parkun e Liqenit siç e kam pritur edhe unë. Ndoshta sytë tanë janë kryqëzuar tek Pesëmbëdhjetëkatëshi, Blloku apo tek Piramida, ndoshta kemi qenë tek marshimi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, apo jemi ulur së bashku në shkallët e Korpusit të Universitetit. Ku ta dish?… Gati po i prekja krahun duke u ngjitur në ashensor. Dhe doja që ajo makineri e hekurt të ngjitej e të ngjitej pa mbarim, gjer në qiell. Asnjeri prej nesh nuk thoshte asnjë fjalë. E kisha përballë, tani po i dalloja sytë e mëdhenj ngjyrë gështenjë dhe po vija re se si prej thellomave të tyre dy vija të holla varashin nëpër faqe gjer në cep të buzëve. Dy sy të ndezur si prush…
Qëlloi që dhomat i kishim përballë. Secili shkoi në të vetën. Edhe kur u futa në dush, më dukej sikur sytë e saj më ndiqnin me një lloj pezmi, me një lloj kurioziteti. U kujtova, kur në një moment gjatë pritjes, në se na premtonte koha, ajo kishte propozuar të merrnim një taksi për të vizituar qendrën e Frankfurtit. Oh, e zbulova arësyen si ta takoja përsëri, mendova. Thava flokët dhe shpejtova për ta njoftuar. U vesha dhe sa hap e mbyll sytë u gjenda tek dera e dhomës së saj. Trokita lehtë dhe për çudi e gjeta duke punuar në laptopin që kurrë nuk e ndante nga supi. Laptopi ishte i hapur përmbi tavolinë. As atletet nuk i kishte hequr nga këmba. Në ajër ndjehej një puhizë e lehtë parfumi. Rrotullova vështrimin përreth dhe vura re krevatin që nuk ishte prekur fare. Abazhuri bënte roje mbi tastierën e laptopit. Ishte gjysëm errësirë. Përpara kisha një krijesë nazike e delikate. Ajo rrinte si një vajzë gjimnaziste, e ndrojtur. Goditjet e zemrës po më shtoheshin, ndjeja të rrahurat e çekiçit në kraharor. Dridhesha si ndër ethe, nuk isha në gjendje t’i përgjigjesha me asnjë fjalë. Kush na kishte hipnotizuar kështu? Çfarë ishte ajo pelerinë rozë që na kishte mbështjellë dhe nuk na lejonte të bënim një hap, vetëm një hap përpara? Harrova përse kisha ardhur. U hutova si një fëmijë i lumtur. Diçka kishte ndodhur midis nesh. As ajo nuk fliste. Nuk do ta harroj kurrë magjinë e atij çasti. Me një zë keqardhës, heshtjen e prishi ajo e para:
– Më duhet të punoj, më duhet të plotësoj raportin, – kaq tha dhe uli sytë përtokë si e zënë në faj. Nuk i thashë fare përse kisha ardhur, as ajo nuk më pyeti. Duhet të largohesha. E preka lehtë mbi sup dhe ajo më shoqëroi deri tek dera. Akoma nuk e kuptoj se si i rrëmbeva dorën e bukur si të Mona Lisës, u rrotullova dhe me intuitë i kërkova buzët. Pak, fare pak, ishte një puthje e lehtë, ashtu si një flutur ulet mbi një lule. “Oiii…”, thirri ajo me një zë të mekur, duke u lëkundur. Gati sa nuk i ra të fikët. Dola. Pas krahëve të mi u mbyll dera dhe unë përfundova në dhomën time. Veshët po më buçisnin dhe më ngjante sikur kryet m’i shtërngonte një rreth i hekurt. Qëndrova ashtu për disa çaste, pastaj u ngrita përsëri, afrova veshin tek dera. Ajo ishte katër hapa larg meje, por na ndanin dy mure dhe një korridor. Çfarë mendonte vallë? Çfarë nuk do jepja në ato momente sikur ta shihja përsëri, edhe sikur të bërtiste, vetëm ta shihja. Eca si i çmendur nëpër dhomë, hapa e mbylla sirtarët, çvendosa kolltukun, por nuk mund të qetësohesha. Çfarë më ndodhi kështu? Ishte një ditë e ndarë në njëmijë dromca. Një grua më kishte ngitur në ajër dhe unë akoma nuk kisha prekur tokën. Ishte një pedagoge nga vendi im. Ishte një zë i butë e i ëmbël që më mungonte prej kohësh në Kanada. Me sa duket kisha rënë në dashuri. Po, po, kisha rënë kryengulthi. Me çfarë më bëri ashtu për vete, cila ishte ajo fuqi manjetike që më tërhiqte aq fort, aq fuqishëm?
Ndërmend më erdhën të njohurat e mia në Toronto. Kujtova Odrin me të cilën isha miqësuar nga leximet në bibliotekë. Ishte një beqareshë e satazhionuar me të cilën shpesh bënim biseda intime, por ajo asnjëherë nuk më kishte bërë të ndjehesha si atë natë në Frankfurt. As edhe kur ajo më tha se më pëlqente, nuk më lëvizi qerpiku. Atëherë mendova se unë isha një dru që po i mbaronte lëngu i jetës, prandaj nuk e përfilla propozimin e Odrit. Po kjo natë e Frankfurtit? Cili ishte misteri i kësaj nate? Dafni, një tjetër kanadeze, ishte edhe më e re se Odri, ajo punonte në bankë dhe pëlqente eskursionet në mal. Kaq herë më ishte lutur të bashkohesha me grupin e saj, do flinim në një çadër, do ecnim nëpër pyll e do ndiznim zjarre… Por ato shëtitje mua më dukeshin si punë adoleshentësh dhe disa herë e kisha refuzuar. Dafni ishte shumë e bukur, me sy të kaltër dhe kurm të hollë. Kasten, për të më tërhequr vëmendjen më tregonte një tufë propozimesh nga meshkujt, madje kishte vetinë t’i imitonte mtuesit një nga një dhe duke e dëgjuar shkriheshe së qeshuri. Kjo vajzë nga vendi im, me çfarë më rrëmbeu dhe më bëri për vete? Kjo vajzë që frymonte në dhomën përballë katër hapa më tej, me çfarë më hipnotizoi? Gjumi më ishte arratisur nuk di se ku. Shkova pranë dritares dhe shikova përjashta. Një autobus dhe disa vetura ishin parkuar në oborr të hotelit. Dritat e zbehta të restorantit ndriçonin një radhë pemësh mbi të cilat shkëlqenin bulëza uji. Mjergulla ishte ulur gati përdhe. Vura ballin mbi xhamin e ftohtë të dritares dhe po ndjeja se po qetësohesha. Po sikur të trokisja përsëri në dhomën përballë dhe t’ia tregoja asaj një më një ato që ndjeja? Po sikur unë t’i dukesha si një manjak dhe të mos e hapte fare derën? Më mirë të prisja mëngjesin. Hoqa vetëm këpucët. U shtriva i veshur, përmi batanije. E gjithë dita, deri në hollësi më parakalonte parasysh sikur të ndodhte në atë çast. Dy sy dhe dy duar nuk më shqiteshin nga truri. Ishin sytë dhe duart e Kenës, duar si ato të Mona Lisës.Vazhdimisht shikoja orën, më bëhej se akrepat nuk bënin përpara. Sa ngadalë që lëviznin, më ngadalë se kurrë ndonjëherë. Mezi kaloi mesi i natës. Mora librin nga çanta dhe nisa të lexoj. Nuk mbarova dot asnjë faqe. Të më pyesje çfarë lexove, nuk isha në gjendje të riprodhoja asnjë fjalë. E lashë librin në vetminë e tij përmbi komodinë. Nisa të përfytyroj takimin e nesërm. Si do të sillej ajo me mua, çfarë do më thoshte?….
Brofa përnjëherë më këmbë. Ajo po vraponte përgjatë korridorit të hotelit. Ishte vonë dhe mund të humbisnim edhe fluturimin tjetër. Fërkova sytë. Qënkisha në ëndërr. Ora ishte tre pas mesnate. Ngadalë, ngadalë nisa nga ritet e mëngjesit. U futa në dush, hoqa mjekrën, thava flokët, kontrollova ato pak bagazhe, sistemova dhomën dhe ja ku isha gati. Kishte shkuar ora katër e mëngjesit. Dhe sa duhet të prisja për ta parë? Ora shkoi katër e gjysëm. Le të dalë ku të dalë, nuk duroj më, mendova, do t’i trokas në derë. Më mirë një fund i tmerrshëm se sa një tmerr pa fund.
Dera u hap dhe unë vura re një fytyrë të zbehtë, një bluzë apo këmishë nate, nuk isha në gjëndje ta dalloj, vetëm di se ishte në ngjyrë banane të hapur. Presioni i ajrit që hyri nga korridori pas çeljes së derës, e bëri që të valëzojë mbi dy gjinj të vegjël e të bukur. Desha t’i marr leje për të hyrë, por në çast u pendova. Mund të humbisja gjithëçka.
– Është herët, – tha me një zë të ëmbël, pak qortues.
– Erdha të të zgjoj, – i thashë unë duke belbëzuar.
– Mirë, prit sa të bëhem gati, – dhe u zhduk pas derës. U lumturova që e pashë përsëri.
Nuk prita shumë. Doli. Ecëm përgjatë korridorit dhe aty u kujtova për ëndrrën që kisha parë. Në ashensor qëndroi larg meje, në cep. I kërkova sytë, m’u dukën ngjyrë ulliri dhe jo gështenjë ashtu si mendoja se i kisha parë një ditë të shkuar. Kishte lyer qerpikët dhe ata ia tregonin sytë edhe më të bukur. Po e përpija të tërën me vështrim dhe ajo e ndjente plotësisht këtë. Tmerrësisht isha i pushtuar nga një fuqi e mistershme.Gjatë mëngjesit në bar-bufe u takuam të gjithë shqiptarët së bashku, ashtu si një ditë më parë. Të gjithë flisnin, diskutonin, ndërsa unë asnjë fjalë. E ndiqja me sy kudo që shkonte. Në një moment pyeta se ku janë frutat.
– Shiko tek proshutat, ke pjepër, – më tha Kena. Me sa duket edhe ajo i ndiqte lëvizjet e mia. Dolëm jashtë, në rrethrrotullimin nga do të nisej autobusi drejt aeroportit. Një ajër i lagësht, i ftohtë m’u përplas në fytyrë. Në autobuzin që do të na mbartëte drejt aeroportit, u ulëm pranë njeri tjetrit. Do të ishte një mrekulli në se gjatë fluturimit do të ishim kështu, së bashku. Në se është dikush që na dëgjon, bëje që të jemi pranë e pranë edhe në fluturim, u luta unë pa zë, por me shpirt. Mbrritëm. Secili zuri nga një vend në kolltuqet para portës së fluturimit. Ne ishim të parët. Haxhi Haliti ishte pajtuar me të shoqen dhe bisedonte me të me këmbë e me duar, durrësaku me fytyrë si brumë i ardhur ishte në merak mos i prisheshin ullinjtë në çantën që kishte lëshuar një ditë më parë me bagazhet. Kena, duke qëndruar më këmbë, diçka i shpjegonte burrit me të cilin kishte udhëtuar nga Rinasi, ndërsa unë mezi prisja të hapej porta e të hynim në aeroplanin boing 777 që kishte radhën e fluturimit.
***
Zumë vëndet, siguruam bagazhet e dorës dhe prisnim të ngriheshim nga aeroporti i Frankfurtit drejt qiellit. Shqiptarët, ulur në vënde të ndryshme ishin tretur midis 400 pasagjerëve të tjerë. Asnjeri nuk po dukej në horizont. Sikur e kishin bërë me fjalë të na linin vetëm. Përpara kishim për të “gëlltitur” tetë orë fluturim. Unë isha përkrah Kenës, ashtu siç isha lutur e kisha ëndërruar. Nuk folëm fare për çfarë na kishte ngjarë natën e shkuar. Ajo më pyeti për jetën time dhe unë i shpjegova se si isha gjendur në Kanada. I tregova me një zë të ulët e të shtruar. Disa herë vura re se si i buisën lotët nga sytë lozonjarë. I tregova dramën e jetës sime ashtu si nuk ia kisha treguar askujt në botë. Nuk di, por ajo më ngjallte një besim të jashtëzakonshëm. Në përgjithësi unë jam tip i mbyllur. As vetë nuk e kuptoj se si më kishte hyrë aq shumë në zemër dhe se si i besova aq shumë të fshehta e sekrete nga jeta ime. Heshtëm të dy për një copë herë. Ngrita mbajtësen anësore të kolltukut dhe iu afrova më shumë. Nuk bëri asnjë lloj lëvizje për të kundërshtuar. I mora dorën në pëllëmbën time, atë dorë të bukur e nazike. I vura re ballin e gjerë e fisnik. Pashë si fytyra i mori një ngjyrë të purpurtë. Pastaj me takt e tërhoqi dorën nga pëllëmba ime. Isha mbështetur pas saj dhe ndjeja se zemra i rrihte fort, ashtu si e imja. Në buzë i lexohej një buzëqeshje e lehtë. E ndjeja se ishim bërë njësh dhe gjaku i saj qarkullonte në trupin tim, me të njëjtin ritëm, me të njëjtat goditje. Shpirti im fërgëllinte nga lumturia. Isha i magjepsur i tëri. E kuptova se nuk mund të rroja pa të. Unë dashuroja çdo fije floku të saj, sytë, duart, gojën, kurmin, të gjitha të gjitha….Dhe të gjitha këto ndodhnin në qiell, në dhjetëmijë metra lartësi mbi oqeanin Atlantik, në aeroplanin boing 777.
Pastaj i mbështeta kryet mbi sup. Ndoshta isha në parajsë. Udhëtim më misterioz e më të shkurtër, nuk kam bërë kurrë në jetën time.
Kaq tha miku im, Besim Ndroqi duke psherëtirë thellë nga shpirti, pastaj heshti. Ishte e kotë ta vazhdoja bisedën më tej, apo t’i bëja ndonjë pyetje. Shkova në shtëpi, u ula në kompjuter dhe pikë për pikë shkrova ngjarjen të cilën ua tregova këtu më lart.
Fund
30 dhjetor 2017