Shkruan: Baki Ymeri, Bukuresht/
Çdo dhuratë e vërtetë nuk është tjetër veçse një flakë e gjallë e dashurisë. Të jesh shqiptar don të thotë të jesh një shpirt i hatashëm, thekson Marian Danieli në një kronikë të tij. Shqiptari i Naços (1888-1903) të cilin e rinxorri në dritë Xhelku Maksuti (që nga viti 1993), e të cilin e botojmë kohëve të fundit falë përkrahjes së Ministrisë së Diasporës, i ofron lexuesit një platformë të larmishme subjektesh dhe një hapsirë dialogu mes gjeneratave e profesioneve të ndryshme. Në faqet e kësaj tribune ka vend për çdo kend që vjen me subjekte përmes të cilavet e shpreh talentin për të krijuar ura miqësie mes dy popujve, dy vendeve e dy gjuhëve, para një opinioni të vetëdijshëm se kemi respekt dhe admirim ndaj njëri-tjetrit, që nga periudha parasllave e simbiozës rumuno-shqiptare. Revista respekton programin e Shqiptarit të Naços që delte në dy gjuhë, si dhe atë të rilindësve tanë lidhur me veprimin kombëtar të shqiptarëve të Rumanisë.
Në rubrikën e Historisë, Shqiptari i qershorit (2013) prezanton në gjuhën rumune studimin “Ilirët kundër sllavëve” të Andrei Crăciun (“Kosova – Ilirii contra slavi”), me argumente historike, etnike dhe kulturore që ndërlidhen me Kosovën e dymilionë shqiptarëve që i kanë bërë ballë gjatë shekujve uraganit sllav. Dardania e lashtë, Instalimi i serbëve në Kosovë, Dy betejat në Fushën e Mjellmave, Konferenca e Londrës – gjeneratore e krizës kosovare, Kosova e Konstancës (1932), Tito, autonomina dhe pastrimet etnike të Millosheviqit, Rruga e gjatë drejt pavarësisë, janë disa nga mestitujt e këtij studimi historik. Pason një intervistë e Dr. Ibrahim Makollit me titullin “Serbia mos t’iu krijojë probleme mërgimtarëve”, ku bëhet fjalë mbi problemet e mërgimtarëve tanë që lindin qysh në hyrjen e tyre në kufirin e Serbisë dhe deri me rastin e hyrjes në territorin e Kosovës: “Në shumë raste mërgimtarëve iu është kërkuar të paguajnë para me qëllim që të kalojnë më lehtë apo më shpejt kufirin”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, duke shtuar se “shpreson që këto probleme do të zgjidhen në kuadër të marrëveshjeve që Kosova ka arritur me Serbinë. (Bota Sot, 18.05.2013).
Në vazhdim jepet një informatë lidhur me Rumaninë që theu rekordin botëror duke hyrë në librin Guinness me flamurin më të madh në botë. Flamuri, me përmasa 349 dhe 227 metra dhe me peshë prej 5 tonësh, është shtrirë në shtatë hektarë tokë, në jug të Bukureshtit (27 maj 2013). Ngjarja është transmetuar drejtpërdrejt në televizionin kombëtar. Kryeministri rumun, Victor Ponta, dhe anëtarë të tjerë të qeverisë kanë ndjekur nga afër ngjarjen e së hënës. Puna për flamurin gjigand thuhet të ketë nisur para dy muajve. Jack Brockbank, nga Libri Guinness, ka konfirmuar se ky është flamuri më i madh në botë. Rekordin e mëparshëm për këtë e ka mbajtur Libani. Në kuadrin e rubrikës “Shqipëria turistike” Shqiptari i Bukureshtit jep në gjuhën gjermane një intervistë të Nina May që ia ka marrë ambasadorit të Shqipërsië në Bukuresht, Sami Shiba. Zoti Shiba ka botuar edhe disa intervista e artikuj tjerë të rëndësishëm për Shqipërinë në gjuhën rumune dhe atë angleze. Të gjitha shkrimet e huazuara nga shtypi i huaj apo ai shqiptar, shoqërohen me burime respektive.
Nikolla Naço dhe Kosova në Samitin Ekonomik të Bukureshtit
Nga Kosova vijnë kohëve të fundit në Bukuresht ekspertë fushash të ndryshme. Ndër ta edhe Liman Asllani që mori pjesë me një delegacion në Samitin Ndërkombëtar Ekonomik të Rumanisë (9 prill 2013), organizuar nga Elita e Industrialistëve të Rumanisë, Qendra e Biznesit të „Carpathia“ dhe e mbështetur nga donatorë dhe institucione rumune. Në këtë samit ishin të pranishëm rreth 400 biznesmenë, zyrtarë të lartë e senatorë shtetërorë dhe deputetë, jo vetëm nga Rumania, por edhe nga vende të ndryshme të botës. Delegacioni i AKB-së, ishte i pari nga Kosova që morri pjesë në një aktivitet me konotacione ekonomike, edhepse ky shtet akoma nuk e ka njohur Kosovën. Portat e njohjes janë të hapura në sajë të Qeverisë së re, por për këtë duhet të ketë interesim konkret edhe pala politike e diplomatike kosovare, për ndërlidhhje konkrete me Kryeministrin, Ministrinë e Jashtme, Parlamentin dhe Senatin. Sipas një komunikate për shtyp kuptojmë se delegacioni nga Kosova, konkretisht fjalimi i kryetarit të AKB-së Agim Shahini, është pritur shumë mirë nga të pranishmit dhe nga dhjetëra folës nga e mbarë bota, ku është ndërprerë disa herë nga duartrokitjet. Pas nikoqirit, Kosova ishte e para me fjalim e prezantim me temë: “Kosova mundësi e re për investime”. Po ashtu gjatë këtij samiti kanë qenë të pranishme edhe simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës. Duke parë rëndësinë e madhe të pjesëmarrjes sonë në samit, Ministria e Punëve të Jashtme i dha mbështetje të fuqishme delegacionit nga Kosova.
Nikoqiri i samitit, presidenti i Elitës të Industrialistëve të Rumanisë Mihai Nita, njëherësh edhe kryetar i Qendrës së Biznesit të Rumanisë, tha se për herë të parë në një samit madhështor merr pjesë edhe delegacioni nga Kosova, ku të gjithë diskutojnë rreth bërjes së biznesit në Rumani dhe thellimit të bashkëpunimit me Kosovën. Qëllimi i këtij samiti është që të gjitha bizneset të mblidhen në Bukuresht dhe nga këto edhe rezultatet janë pozitive. Bashkimi krijon arritjen e rezultateve dhe fuqisë dhe të gjithë janë koka e biznesit. Bashkëpunimi ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës, do të sjellë rezultate të dyanshme dhe se në Kosovë do të nisin investimet rumune. “Ditë më parë është ndërmarr një iniciativë shumë e rëndësishme për bashkëpunim dhe investime me Kosovën, tashmë gjërat kanë ndryshuar dhe lëvizur përpara, ku kemi gjetur rrugën e ndryshimeve e pastaj edhe ato politike. Jemi pionierët e kësaj ngjarje madhore për dy shtetet”, tha Nita.
Në faqet e Shqiptarit defilon një shkrim i Istref Haxhillarit mbi romanin “Angelus Novus” të Bashkim Shehut, i përkthyer në gjuhën rumune nga Kopi Kyçyku. I njëjti autor (I. Haxhillari) vjen në faqet e revistës me artikullin “Nikolla Naço në një duel mendimtarësh për Rilindjen Kombëtare”. Po japim vetëm një fragment, sa për ilustrim: “Naçot ishin mokrarë, treva e hijshme dhe e rëndë në juglindje të Shqipërisë, me shumë bëma dhe histori. Autoritarë dhe nursëzë nuk duronin t’ua bëje fjalën dysh. Të zotët e punës e fjalës, të zotët edhe të gishtit, nuk shiheshin me sy të mirë nga ajo pjesë që bënte dovanë e turkut, po nuk kishin ç’u bënin se frika ruan vreshtin. Kur erdhi puna që i shkelën në kallo, Naçot ua treguan mirë qejfin. Kështu hynë në hasmëri jo aq me fisin e agait se sa me parinë turke që në ato kohë kishte shumë fuqi dhe bënte hatanë(…).
Energjik dhe atdhetar, shqiptar nga fijet e flokut deri në thonjtë e këmbëve, Nikolla zuri miqësi me bashkatdhtarët e mësuar në Egjipt, të përmasave të Thimi Mitkos me shokë. Të gjithë bashkë morën përsipër barrën e madhe të përlindjes së kombit. Mbi këto baza më 1875 formohet në Egjipt shoqëria patriotike “Vllazëria”, ku Naçua zuri vendin e parë. Historia tashmë e ka pasqyruar veprimtarinë e shoqërisë dhe dobinë e saj për zgjimin kombëtar. Në Stamboll Sami Frashëri kishte hartuar një alfabet të gjuhës shqipe mbështetur në gërmat latine me përzierje edhe të atyre turke e greke. Ndonëse jo fort i përshtatshëm, ishte më i miri i hartuar nga patriotët deri në atë kohë… Më 1878 po në Stamboll lind “Shoqëria e të shtypurit të shkronjave shqipe”, ku Naçua mori përsipër financimin e botimit të librave të para në gjuhën amëtare, përgatitur për shkollat që do të përpiqeshin të çelnin në të ardhmen e pritshme. Nikolla Naço u bë shpirti i lëvizjes patriotike shqiptare për të cilën vuri në shërbim të pandërprerë pasurinë, mendjen dhe shpirtin e tij të madh.”
Pason një tregim i gjatë të njëjtit autor (I. H.) “Nikolla Naço sa një delegacion”, ku bën fjalë për intervenimet e Naços në Stamboll për hapje shkollash në gjuhën shqipe: “Vetë Fatih beu e shoqëroi mysafirin e lartë te dhomat e hotelit, ndrequr e rregulluar posaçërisht. Afër fundditës së gjatë e të lodhshme, Naçua zbriti ngadalë shkallët me parmakë të lartë, plasaritur nga kujtime të hershme. Si njëzet vjet më parë vegoi sërish Aleksia, rumunia e hijshme me kurmin e derdhur prej perëndeshe. Harresa ra në kurthin e dhimbjes, dallgët e mallit të pashuar e përmbytën. Duart e trëndafilta, vështrimi i ndezur i gruas së bukur e mbërthyen si atëhere. Lëngata rëndoi e plumbtë dhe hija e trishtimit u ndeh mbi ballin e plagosur. Në mesditën e shtyrë të jetës Aleksia i preu rrugën, ngjalli ëndrrën e venitur të martesës. Ishin gjashtë muaj të nxehtë që nuk i pati njohur kurrë më parë. Gratë patën hyrë shpesh në jetën e tij, por asnjëra nuk e robëroi si rumunka me shtatin e derdhur dhe përkëdhelitë e zjarrta.” Dhe më tej:
“Nikolla qeshi me frikën e dukshme të beut, maskuar dobët. – Unë jam tregtar zotëri dhe tregtia ka një rregull të fortë e të përjetshëm në gjithë botën. “Ai që bën kërkesën kurrë nuk tradhton, tjetri nuk dihet”. Qeshi edhe beu. Logjika e hekurt e arnautit e qetësoi përfundimisht, dërrmoi ngurrimin e gjatë. U ngrit, zgjati dorën, e përgëzoi si rrallë herë: – Qenke i zgjuar, efendi. Mua më pëlqen të merrem vesh me burra të tillë. Nikolla u ngrit, nderoi me përkulje të lehtë pa ndërruar shprehjen e papërcaktuar si përherë, pastaj i tha beut, gërmuqur në zyrën e tij të madhe, vetëm dy fjalë: – Faleminderit zotëri. Doli shoqëruar nga Gjergji dhe hyzmeqarët e zyrës së këshilltarit. Mëngjesin e ditës së tretë Nikolla korri fitoren përfundimtare. Mori në dorë dekretin perandorak. Sulltani u jepte lejë të hapnin shkollë në gjuhën e tyre. Jashtë zakonit dhe natyrës së tij e puthi tri herë me gjithë zemër iradenë, lidhur me fjongo mëndafshi ngjyrë vjollcë, e vendosi në çantën e lëkurës dhe u nis me shpirt të ngarkuar. Më në fund u groposën degët e kalbura të vetmisë. Shirat qenë varur mbi det dhe mëngjesi hidhte supeve pelerinën e lagur. Qielli i grizhdë, i pamatë tretej tutje horizontit. Paradita me duart e ujshme përkëdhelte gëzimin e tij. Në trupin e Nikolla Naços nuk qarkullonte gjak, po llavë. Ngriti kokën, vështroi hapësirën e murrmë përmbi qytetin e madh.- Shpirtrat janë si retë, – mendoi, – mbledhin e derdhin.” Në faqet e kulturës, Shqiptari prezanton për herë të parë me vargje në gjuhën shqipe, poeteshën rumune, Gabriela Marcu. Revista, si çdo numër tjetër i kohëve të fundit, del me 50 faqe në kolor, e dinamizuar me fotografi të ndryshme. Çka boton Shqiptari në numrin e tij të fundit (korrik 2013)?
Atdhetarizmi, shoqatat e miqësisë dhe ekspansionizmi serb kundër Banatës rumune
Pas faqes së parë me personalitetet importante rumune dhe shqiptare, revista hapet me artikullin “Formohet shoqata e miqësisë Kosovë-Rumani”, me president Pleurat Sejdiun dhe me fragmente si: “Kemi nderin të Jua bëjmë të ditur se ish-studentë të Kosovës, të cilët kanë studiuar në Rumani, së bashku me miq të tyre rumunë kanë themeluar Shoqatën e Miqësisë ndërmjet këtyre dy shteteve. Edhepse Rumania ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, përfaqësues të shtetit rumun kanë thënë se kjo lidhje e tyre me shqiptarët ka rrënjë shekullore dhe se është në të mirë të të dy vendeve, raporton KTV. Ndërsa, përfaqësues të institucioneve të Kosovës e kanë vlerësuar lart iniciativën për themelimin e kësaj shoqate, duke thënë se shpresojnë që në një të ardhme të afërt edhe Rumania të njohë pavarësinë e Kosovës dhe të vendosen marrëdhënie diplomatike. Kjo shoqatë ka si qëllim thellimin e miqësisë midis popullit të Kosovës dhe atij të Rumanisë, si dhe të promovojë ide për zhvillim shoqëror në të gjitha fushat, ku si pikësynim kryesor mbetet përqafimi i vlerave të përbashkëta europiane.”
Shqiptarët dhanë rëke gjaku, thesarë të arta dhe miliona jetë për të huajt, theksonte Shqiptari i Naços para 125 vitesh. Në këtë kontekst, në faqet e revistës jepet një portret kushtuar pronarit të Shtypshkronjës Albania në Konstancë, Mihail Sotir Xoxe, të cilin e botoi paraprakisht Zemra Shqiptare dhe disa media tjera në Shqipëri dhe Kosovë. Pason një artikull i Dr. Ibrahim Makolli, “Diaspora ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit”, huazuar nga Bota sot (13 qershor 2013). Në vazhdim prezantojmë Branko Manojlovskin e guximshëm, njeriu që po ringjall ortodoksizmin shqiptar në Maqedoni, një informatë mbi Konferencën Ministrore për Diasporën në Paris, artikullin e huazuar nga massmedia rumune, “Trădaţi de prieteni: Invazia sârbilor în Banatul românesc” (Të tradhëtuar nga miqtë: Invazioni i serbëve në Banatën rumune), me mestituj si Një luftë për integrim kombëtar, Republika e Banatës, Rumunët në mëshirë të serbëve, Serbët i riformulojnë revendikimet etj. Me një fjalë, bëhet fjalë për shijet paranoike të Serbisë për të gllabëruar trojet rumune të Banatës dhe Luginës së Timokut. Jo vetëm që s’u ngopën me këto troje që s’i përkisnin, as gjeografikisht dhe as etnikisht, por më 15 nëntor 1918, serbët marshuan me trupa edhe në drejtim të Timishoarës, duke inauguruar brenda një intervali prej dy muaj e gjysmë, një regjim represiv kundër popullatës rumune, derisa intervenoi faktori ndërkombëtar për t’u zbrapsur.
Në faqet e Shqiptarit defilojnë edhe interesimet e Rumanisë ndaj Kosovës, që shkojnë duke u shtuar, sidomos gjatë këtij viti të mbarë kur ka gjasa që pas disa muajsh, në vjeshtë, qeveria e re ta njohë pavarësinë e shtetit më të ri në botë. Në këtë drejtim, të interesimeve rumune për Kosovën, më 19 qershor u mbajt një debat në Fondacionin European Titulescu, me përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme (sekretarë shteti), presidenti i komisionit të politikës së jashtme nga Senati (Radu Filip), profesorë, akademikë, njerëz të kulturës etj. Ishte prezent edhe ambasadori i Shqipërisë, Sami Shiba, ish ambasadori i Rumanisë në Shqipëri dhe Gheorghe Micu, përfaqësuesi i parë i zyrës rumune në Prishtinë, Gheorghe Bucura. E vetmja që nuk e nderoi këtë manifestim ishte deputetja Oana Manolescu që ik si gjarpëri nga manifestimet kushtuar Kosovës, që tallet me buxhetin e komunitetit shqiptar duke promovuar kultin e personalitetit, e shpallur nga komuniteti shqiptar si persona non-grata. Moderator në këtë debat ishte ish kryeministri Adrian Nastase.
Në faqet e kulturës, Shqiptari i korrikut prezanton jehona nga tryeza e miqësisë rumuno-shqiptare me burime të reja lidhur me lansimin e dyfishtë të librave Kosova letrare të Monika Mureshan dhe Gologota kosovare të Fehmi Kelmendit (Bukuresht, 28 Nëntor 2010). Pasojnë faksimile revistash të vjetra rumune me vargje të Rahman Dedajt, Agim Spahiut, Muhamet Kërveshit, Milazim Krasniqit, Agim Malës, prozë të Anton Pashkut, një intervistë e Bajram Krasniqit, të përkthyera nga autori i këtij shkrimi dhe të botuara në revistat Luceafarul dhe Vatra, që nga viti 1974 e këndej. Kaq sa për sot, për këtë tribunë të jashtëzakonshme të diasporës sonë, që transmeton burime të mëdha të miqësisë letrare, të vlerave historike dhe dashurisë patriotike! (bukureshtiim@yahoo.com)