• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

REVISTA SHQIPTARI NË FUNKSION TË DIASPORËS SONË

July 18, 2013 by dgreca

Shkruan: Baki Ymeri, Bukuresht/

Çdo dhuratë e vërtetë nuk është tjetër veçse një flakë e gjallë e dashurisë. Të jesh shqiptar don të thotë të jesh një shpirt i hatashëm, thekson Marian Danieli në një kronikë të tij. Shqiptari i Naços (1888-1903) të cilin e rinxorri në dritë Xhelku Maksuti (që nga viti 1993), e të cilin e botojmë kohëve të fundit falë përkrahjes së Ministrisë së Diasporës, i ofron lexuesit një platformë të larmishme subjektesh dhe një hapsirë dialogu mes gjeneratave e profesioneve të ndryshme. Në faqet e kësaj tribune ka vend për çdo kend që vjen me subjekte përmes të cilavet e shpreh talentin për të krijuar ura miqësie mes dy popujve, dy vendeve e dy gjuhëve, para një opinioni të vetëdijshëm se kemi respekt dhe admirim ndaj njëri-tjetrit, që nga periudha parasllave e simbiozës rumuno-shqiptare. Revista respekton programin e Shqiptarit të Naços që delte në dy gjuhë, si dhe atë të rilindësve tanë lidhur me veprimin kombëtar të shqiptarëve të Rumanisë.

Në rubrikën e Historisë, Shqiptari i qershorit (2013) prezanton në gjuhën rumune studimin “Ilirët kundër sllavëve” të Andrei Crăciun (“Kosova – Ilirii contra slavi”), me argumente historike, etnike dhe kulturore që ndërlidhen me Kosovën e dymilionë shqiptarëve që i kanë bërë ballë gjatë shekujve uraganit sllav. Dardania e lashtë, Instalimi i serbëve në Kosovë, Dy betejat në Fushën e Mjellmave, Konferenca e Londrës – gjeneratore e krizës kosovare, Kosova e Konstancës (1932), Tito, autonomina dhe pastrimet etnike të Millosheviqit, Rruga e gjatë drejt pavarësisë, janë disa nga mestitujt e këtij studimi historik. Pason një intervistë e Dr. Ibrahim Makollit me titullin “Serbia mos t’iu krijojë probleme mërgimtarëve”, ku bëhet fjalë mbi problemet e mërgimtarëve tanë që lindin qysh në hyrjen e tyre në kufirin e Serbisë dhe deri me rastin e hyrjes në territorin e Kosovës: “Në shumë raste mërgimtarëve iu është kërkuar të paguajnë para me qëllim që të kalojnë më lehtë apo më shpejt kufirin”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, duke shtuar se “shpreson që këto probleme do të zgjidhen në kuadër të marrëveshjeve që Kosova ka arritur me Serbinë. (Bota Sot, 18.05.2013).

Në vazhdim jepet një informatë lidhur me Rumaninë që theu rekordin botëror duke hyrë në librin Guinness me flamurin më të madh në botë. Flamuri, me përmasa 349 dhe 227 metra dhe me peshë prej 5 tonësh, është shtrirë në shtatë hektarë tokë, në jug të Bukureshtit (27 maj 2013). Ngjarja është transmetuar drejtpërdrejt në televizionin kombëtar. Kryeministri rumun, Victor Ponta, dhe anëtarë të tjerë të qeverisë kanë ndjekur nga afër ngjarjen e së hënës. Puna për flamurin gjigand thuhet të ketë nisur para dy muajve. Jack Brockbank, nga Libri Guinness, ka konfirmuar se ky është flamuri më i madh në botë. Rekordin e mëparshëm për këtë e ka mbajtur Libani. Në kuadrin e rubrikës “Shqipëria turistike” Shqiptari i Bukureshtit jep në gjuhën gjermane një intervistë të Nina May që ia ka marrë ambasadorit të Shqipërsië në Bukuresht, Sami Shiba. Zoti Shiba ka botuar edhe disa intervista e artikuj tjerë të rëndësishëm për Shqipërinë në gjuhën rumune dhe atë angleze. Të gjitha shkrimet e huazuara nga shtypi i huaj apo ai shqiptar, shoqërohen me burime respektive.

Nikolla Naço dhe Kosova në Samitin Ekonomik të Bukureshtit

 

Nga Kosova vijnë kohëve të fundit në Bukuresht ekspertë fushash të ndryshme. Ndër ta edhe Liman Asllani që mori pjesë me një delegacion në Samitin Ndërkombëtar Ekonomik të Rumanisë (9 prill 2013), organizuar nga Elita e Industrialistëve të Rumanisë, Qendra e Biznesit të „Carpathia“ dhe e mbështetur nga donatorë dhe institucione rumune. Në këtë samit ishin të pranishëm rreth 400 biznesmenë, zyrtarë të lartë e senatorë shtetërorë dhe deputetë, jo vetëm nga Rumania, por edhe nga vende të ndryshme të botës. Delegacioni i AKB-së, ishte i pari nga Kosova që morri pjesë në një aktivitet me konotacione ekonomike, edhepse ky shtet akoma nuk e ka njohur Kosovën. Portat e njohjes janë të hapura në sajë të Qeverisë së re, por për këtë duhet të ketë interesim konkret edhe pala politike e diplomatike kosovare, për ndërlidhhje konkrete me Kryeministrin, Ministrinë e Jashtme, Parlamentin dhe Senatin. Sipas një komunikate për shtyp kuptojmë se delegacioni nga Kosova, konkretisht fjalimi i kryetarit të AKB-së Agim Shahini, është pritur shumë mirë nga të pranishmit dhe nga dhjetëra folës nga e mbarë bota, ku është ndërprerë disa herë nga duartrokitjet. Pas nikoqirit, Kosova ishte e para me fjalim e prezantim me temë: “Kosova mundësi e re për investime”. Po ashtu gjatë këtij samiti kanë qenë të pranishme edhe simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës. Duke parë rëndësinë e madhe të pjesëmarrjes sonë në samit, Ministria e Punëve të Jashtme i dha mbështetje të fuqishme delegacionit nga Kosova.

Nikoqiri i samitit, presidenti i Elitës të Industrialistëve të Rumanisë Mihai Nita, njëherësh edhe kryetar i Qendrës së Biznesit të  Rumanisë,  tha se për herë të parë në një samit madhështor merr pjesë edhe delegacioni nga Kosova, ku të gjithë diskutojnë rreth bërjes së biznesit në Rumani dhe thellimit të bashkëpunimit me Kosovën. Qëllimi i këtij samiti është që të gjitha bizneset të mblidhen në Bukuresht dhe nga këto edhe rezultatet janë pozitive. Bashkimi krijon arritjen e rezultateve dhe fuqisë dhe të gjithë janë koka e biznesit. Bashkëpunimi ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës, do të sjellë rezultate të dyanshme dhe se në Kosovë do të nisin investimet rumune. “Ditë më parë është ndërmarr një iniciativë shumë e rëndësishme për bashkëpunim dhe investime me Kosovën, tashmë gjërat kanë ndryshuar dhe lëvizur përpara, ku kemi gjetur rrugën e ndryshimeve e pastaj edhe ato politike. Jemi pionierët e kësaj ngjarje madhore për dy shtetet”, tha Nita.

Në faqet e Shqiptarit defilon një shkrim i Istref Haxhillarit mbi romanin “Angelus Novus” të Bashkim Shehut, i përkthyer në gjuhën rumune nga Kopi Kyçyku. I njëjti autor (I. Haxhillari) vjen në faqet e revistës me artikullin “Nikolla Naço në një duel mendimtarësh për Rilindjen Kombëtare”. Po japim vetëm një fragment, sa për ilustrim: “Naçot ishin mokrarë, treva e hijshme dhe e rëndë në juglindje të Shqipërisë, me shumë bëma dhe histori. Autoritarë dhe nursëzë nuk duronin t’ua bëje fjalën dysh. Të zotët e punës e fjalës, të zotët edhe të gishtit, nuk shiheshin me sy të mirë nga ajo pjesë që bënte dovanë e turkut, po nuk kishin ç’u bënin se frika ruan vreshtin. Kur erdhi puna që i shkelën në kallo, Naçot ua treguan mirë qejfin. Kështu hynë në hasmëri jo aq me fisin e agait se sa me parinë turke që në ato kohë kishte shumë fuqi dhe bënte hatanë(…).

Energjik dhe atdhetar, shqiptar nga fijet e flokut deri në thonjtë e këmbëve, Nikolla zuri miqësi me bashkatdhtarët e mësuar në Egjipt, të përmasave të Thimi Mitkos me shokë. Të gjithë bashkë morën përsipër barrën e madhe të përlindjes së kombit. Mbi këto baza më 1875 formohet në Egjipt shoqëria patriotike “Vllazëria”, ku Naçua zuri vendin e parë. Historia tashmë e ka pasqyruar veprimtarinë e shoqërisë dhe dobinë e saj për zgjimin kombëtar. Në Stamboll Sami Frashëri kishte hartuar një alfabet të gjuhës shqipe mbështetur në gërmat latine me përzierje edhe të atyre turke e greke. Ndonëse jo fort i përshtatshëm, ishte më i miri i hartuar nga patriotët deri në atë kohë… Më 1878 po në Stamboll lind “Shoqëria e të shtypurit të shkronjave shqipe”, ku Naçua mori përsipër financimin e botimit të librave të para në gjuhën amëtare, përgatitur për shkollat që do të përpiqeshin të çelnin në të ardhmen e pritshme. Nikolla Naço u bë shpirti i lëvizjes patriotike shqiptare për të cilën vuri në shërbim të pandërprerë pasurinë, mendjen dhe shpirtin e tij të madh.”

Pason një tregim i gjatë të njëjtit autor (I. H.) “Nikolla Naço sa një delegacion”, ku bën fjalë për intervenimet e Naços në Stamboll për hapje shkollash në gjuhën shqipe: “Vetë Fatih beu e shoqëroi mysafirin e lartë te dhomat e hotelit, ndrequr e rregulluar posaçërisht. Afër fundditës së gjatë e të lodhshme, Naçua zbriti ngadalë shkallët me parmakë të lartë, plasaritur nga kujtime të hershme. Si njëzet vjet më parë vegoi sërish Aleksia, rumunia e hijshme me kurmin e derdhur prej perëndeshe. Harresa ra në kurthin e dhimbjes, dallgët e mallit të pashuar e përmbytën. Duart e trëndafilta, vështrimi i ndezur i gruas së bukur e mbërthyen si atëhere. Lëngata rëndoi e plumbtë dhe hija e trishtimit u ndeh mbi ballin e plagosur. Në mesditën e shtyrë të jetës Aleksia i preu rrugën, ngjalli ëndrrën e venitur të martesës. Ishin gjashtë muaj të nxehtë që nuk i pati njohur kurrë më parë. Gratë patën hyrë shpesh në jetën e tij, por asnjëra nuk e robëroi si rumunka me shtatin e derdhur dhe përkëdhelitë e zjarrta.” Dhe më tej:

“Nikolla qeshi me frikën e dukshme të beut, maskuar dobët. – Unë jam tregtar zotëri dhe tregtia ka një rregull të fortë e të përjetshëm në gjithë botën. “Ai që bën kërkesën kurrë nuk tradhton, tjetri nuk dihet”. Qeshi edhe beu. Logjika e hekurt e arnautit e qetësoi përfundimisht, dërrmoi ngurrimin e gjatë. U ngrit, zgjati dorën, e përgëzoi si rrallë herë: – Qenke i zgjuar, efendi. Mua më pëlqen të merrem vesh me burra të tillë. Nikolla u ngrit, nderoi me përkulje të lehtë pa ndërruar shprehjen e papërcaktuar si përherë, pastaj i tha beut, gërmuqur në zyrën e tij të madhe, vetëm dy fjalë: – Faleminderit zotëri. Doli shoqëruar nga Gjergji dhe hyzmeqarët e zyrës së këshilltarit. Mëngjesin e ditës së tretë Nikolla korri fitoren përfundimtare. Mori në dorë dekretin perandorak. Sulltani u jepte lejë të hapnin shkollë në gjuhën e tyre. Jashtë zakonit dhe natyrës së tij e puthi tri herë me gjithë zemër iradenë, lidhur me fjongo mëndafshi ngjyrë vjollcë, e vendosi në çantën e lëkurës dhe u nis me shpirt të ngarkuar. Më në fund u groposën degët e kalbura të vetmisë. Shirat qenë varur mbi det dhe mëngjesi hidhte supeve pelerinën e lagur. Qielli i grizhdë, i pamatë tretej tutje horizontit. Paradita me duart e ujshme përkëdhelte gëzimin e tij. Në trupin e Nikolla Naços nuk qarkullonte gjak, po llavë. Ngriti kokën, vështroi hapësirën e murrmë përmbi qytetin e madh.- Shpirtrat janë si retë, – mendoi, – mbledhin e derdhin.” Në faqet e kulturës, Shqiptari prezanton për herë të parë me vargje në gjuhën shqipe, poeteshën rumune, Gabriela Marcu. Revista, si çdo numër tjetër i kohëve të fundit, del me 50 faqe në kolor, e dinamizuar me fotografi të ndryshme. Çka boton Shqiptari në numrin e tij të fundit (korrik 2013)?

 

Atdhetarizmi, shoqatat e miqësisë dhe ekspansionizmi serb kundër Banatës rumune

 

Pas faqes së parë me personalitetet importante rumune dhe shqiptare, revista hapet me artikullin “Formohet shoqata e miqësisë Kosovë-Rumani”, me president Pleurat Sejdiun dhe me fragmente si: “Kemi nderin të Jua bëjmë të ditur se ish-studentë të Kosovës, të cilët kanë studiuar në Rumani, së bashku me miq të tyre rumunë kanë themeluar Shoqatën e Miqësisë ndërmjet këtyre dy shteteve. Edhepse Rumania ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, përfaqësues të shtetit rumun kanë thënë se kjo lidhje e tyre me shqiptarët ka rrënjë shekullore dhe se është në të mirë të të dy vendeve, raporton KTV. Ndërsa, përfaqësues të institucioneve të Kosovës e kanë vlerësuar lart iniciativën për themelimin e kësaj shoqate, duke thënë se shpresojnë që në një të ardhme të afërt edhe Rumania të njohë pavarësinë e Kosovës dhe të vendosen marrëdhënie diplomatike. Kjo shoqatë ka si qëllim thellimin e miqësisë midis popullit të Kosovës dhe atij të Rumanisë, si dhe të promovojë ide për zhvillim shoqëror në të gjitha fushat, ku si pikësynim kryesor mbetet përqafimi i vlerave të përbashkëta europiane.”

Shqiptarët dhanë rëke gjaku, thesarë të arta dhe miliona jetë për të huajt, theksonte Shqiptari i Naços para 125 vitesh. Në këtë kontekst, në faqet e revistës jepet një portret kushtuar pronarit të Shtypshkronjës Albania në Konstancë, Mihail Sotir Xoxe, të cilin e botoi paraprakisht Zemra Shqiptare dhe disa media tjera në Shqipëri dhe Kosovë. Pason një artikull i Dr. Ibrahim Makolli, “Diaspora ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit”, huazuar nga Bota sot (13 qershor 2013). Në vazhdim prezantojmë Branko Manojlovskin e guximshëm, njeriu që po ringjall ortodoksizmin shqiptar në Maqedoni, një informatë mbi Konferencën Ministrore për Diasporën në Paris, artikullin e huazuar nga massmedia rumune, “Trădaţi de prieteni: Invazia sârbilor în Banatul românesc” (Të tradhëtuar nga miqtë: Invazioni i serbëve në Banatën rumune), me mestituj si Një luftë për integrim kombëtar, Republika e Banatës, Rumunët në mëshirë të serbëve, Serbët i riformulojnë revendikimet etj. Me një fjalë, bëhet fjalë për shijet paranoike të Serbisë për të gllabëruar trojet rumune të Banatës dhe Luginës së Timokut. Jo vetëm që s’u ngopën me këto troje që s’i përkisnin, as gjeografikisht dhe as etnikisht, por më 15 nëntor 1918, serbët marshuan me trupa edhe në drejtim të Timishoarës, duke inauguruar brenda një intervali prej dy muaj e gjysmë, një regjim represiv kundër popullatës rumune, derisa intervenoi faktori ndërkombëtar për t’u zbrapsur.

Në faqet e Shqiptarit defilojnë edhe interesimet e Rumanisë ndaj Kosovës, që shkojnë duke u shtuar, sidomos gjatë këtij viti të mbarë kur ka gjasa që pas disa muajsh, në vjeshtë, qeveria e re ta njohë pavarësinë e shtetit më të ri në botë. Në këtë drejtim, të interesimeve rumune për Kosovën, më 19 qershor u mbajt një debat në Fondacionin European Titulescu, me përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme (sekretarë shteti), presidenti i  komisionit të politikës së jashtme nga Senati (Radu Filip), profesorë, akademikë, njerëz të kulturës etj. Ishte prezent edhe ambasadori i Shqipërisë, Sami Shiba, ish ambasadori i Rumanisë në Shqipëri dhe Gheorghe Micu, përfaqësuesi i parë i zyrës rumune në Prishtinë, Gheorghe Bucura. E vetmja që nuk e nderoi këtë manifestim ishte deputetja Oana Manolescu që ik si gjarpëri nga manifestimet kushtuar Kosovës, që tallet me buxhetin e komunitetit shqiptar duke promovuar kultin e personalitetit, e shpallur nga komuniteti shqiptar si persona non-grata. Moderator në këtë debat ishte ish kryeministri Adrian Nastase.

Në faqet e kulturës, Shqiptari i korrikut prezanton jehona nga tryeza e miqësisë rumuno-shqiptare me burime të reja lidhur me lansimin e dyfishtë të librave Kosova letrare të Monika Mureshan dhe Gologota kosovare të Fehmi Kelmendit (Bukuresht, 28 Nëntor 2010). Pasojnë faksimile revistash të vjetra rumune me vargje të Rahman Dedajt, Agim Spahiut, Muhamet Kërveshit, Milazim Krasniqit, Agim Malës, prozë të Anton Pashkut, një intervistë e Bajram Krasniqit, të përkthyera nga autori i këtij shkrimi dhe të botuara në revistat Luceafarul dhe Vatra, që nga viti 1974 e këndej. Kaq sa për sot, për këtë tribunë të jashtëzakonshme të diasporës sonë, që transmeton burime të mëdha të miqësisë letrare, të vlerave historike dhe dashurisë patriotike! (bukureshtiim@yahoo.com)

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Baki Ymeri, ne funksion te diaspores, Revista Shqiptari

Revista Shqiptari dhe magjia e fjalës shqipe

May 19, 2013 by dgreca

Ne Foto: Ballina e revistes Shqiptari (Mars 2013)/

Nga Baki Ymeri/

Në krahasim me nja dy fletushka tjera minore që promovojnë kultin e personalitetit dhe të familiarizmit,  Shqiptari i muajve mars, prill dhe maj të këtij viti, nuk të josh me magjinë e fjalës shqipe siç e përmendëm në titull sa për të joshur kureshtjen e lexuesit, por me forcën e mesazhit dhe përmbajtjen e saj politike që shkon në favor të njohjes së Kosovës nga ana e një vendi me të cilin na lidh një miqësi e lashtë tradicionale. Në numrin e marsit, në kuadrin e artikullit “Rumania drejt njohjes së Kosovës” (me burime nga Bota sot), lexojmë: Do të ishte gabim në qoftë se Rumania nuk i merr parasysh ndryshimet dhe përparimet lidhur me Kosovën dhe “të vazhdojë të mbetet e ngulitur në vijën e parë, sikurse ushtari japonez në Oqeanin Paqësor pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ka thënë ministri i Punëve të Jashtme të Rumanisë Titus Korlacean Corlăţean. Këtë deklaratë ministri Korlacean e ka bërë në një televizion rumun, duke u përgjigjur në pyetjen nëse Rumania do t’i bashkëngjitet trendit evropian sa i përket njohjes së pavarësisë së Kosovës. “Në Kosovë ekziston një realitet politik të cilin duhet trajtuar në mënyrë inteligjente dhe të hapur”, citon agjencia Beta shefin e diplomacisë rumune. “Rumania duhet të shikojë me kujdes se si po zhvillohet dialogu politik në mes të Kosovës e Serbisë, që ndërmjetësohet nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton. Ky është realiteti të cilin Bukureshti duhet ta ketë parasysh”, ka thënë Corlăţean. (3 mars 2013).

Nga Bota sot jepet edhe një shkrim tjetër kushtuar akademisë solemne kushtuar 100 vjetorit të pavarësisë, pas të cilit pason rumanisht artikulli “Xhelku Maksuti në 82 vjetorin e lindjes”, një informatë e Shtefan Agopianit lidhur me origjinën shqiptare të dramaturgut më të madh të Rumanisë Ion Luca Caragiale (Karaxhiale), i cili vjen përmes të parëve të tij nga një fshat shqiptar i Greqisë, Idra. Pason një artikull në gjuhën rumune mbi progreset e Shqipërisë në kohën e Sali Berishës, artikulli “Makolli përuron mësuesit e diasporës”, një pamflet rumanisht i zonjushes Mona Agrigoroaiei me titullin “Të respektohet pakoja e Ahtisaarit edhe për rumunët e Timokut të ndodhur nën kthetrat e kolonializmit të Serbisë “demo(n)kratike”, artikulli “Gruaja Ndërkombëtare e Kurajos” kushtuar zonjës Ermira Babamusta, reçensioni “Patriotizmi i përflakur i poetit Rashit Gashi” (Patriotismul inflacarat al poetului Rashit Gashi), një reportazh i Hazir Mehmetit nga Viena me titullin “Krimet serbe në Kosovë”, poezi të Andreea Maria Cotoros, ballina librash e revistash dhe fotografi të ndryshme.

Ç’të reja na sjell numri i prillit? Nga ministri i Jashtëm Titus Corlăţean jepet deklarata e tij me titull “Një rikonsideratë eventuale e pozitës rumune që vizon pavarësinë e Kosovës implikon një dialog politik”, pas të cilit pason një përkthim i zsh. Mona Agrigoroaie me titullin “Victor Ponta sugjeron se Rumania duhet të njohë Kosovën. Çfarë thotë Ministria e Punëve të Jashtme?” Po e japim në tërësi: Kryeministri Viktor Ponta ka deklaruar para disa ditësh se Rumania duhet të shkojë afër familjes evropiane në rastin e Kosovës, duke sugjeruar kështu se Bukureshti duhet të njeh pavarësinë e këtij shteti të vogël, ashtu siç ka bërë shumicën e shteteve të BE-së. Ministri i jashtëm Titus Corlatean beson se një rekonsiderim eventual të pozitës rumune lidhur me njohjen e pavarësisë së Kosovës implikon një dialog të gjerë politik në Rumani.

Një rikonsiderim eventual të pozitës rumune lidhur me njohjen e pavarësisë së Kosovës implikon një dialog politik midis të gjithë partive, në nivelin e Parlamentit, midis Qeverisë dhe Presidencës, ka pohuar, të enjtën, ministri i Jashtëm, Titus Corlăţean, sipas agjencisë së lajmeve rumune Agerpres. “Janë realitete politike të cilat ne duhet t’i shqyrtojmë dhe duhet të diskutojmë në një mënyrë korrekte në plan politik ashtu në nivelin e parlamentit, midis partive të ndryshme politike, në nivelin e presidencës, të Qeverisë. Nuk ju fsheh se jemi në një proces reflektimi prej kësaj pikëpamje. Në Rumani pozita e mosnjohjes ka përfshirë edhe një pozitë e shprehur prej Parlamentit të Rumanisë. Një rikonsiderim eventual të pozitës rumune implikon një dialog politik midis të gjithë partive politike prej nivelit të Parlamentit dhe për të mundur të shikohet saktë perspektivat. Nuk është një gjë shumë të thjeshtë. Megjithatë, nga kjo pikëpamje, unë ju thashë se Qeveria u angazhua që më parë në këtë reflektim dhe ne jemi në një dialog dhe jemi jashtëzakonisht të hapur dhe dëshirojmë të kemi këtë dialog edhe në nivelin e Parlamentit, se paku në komisionet parlamentare të specialitetit”, ka shpjeguar të premtën, në Pallatin e Parlamentit, Titus Corlăţean.

 

Ponta, pasi PE ka miratuar rezolutën e njohjes së Kosovës: Shkojmë afër familjes europiane

 

Ai konsideron se Rumania duhet të shqyrtojë me vemendje rezolutën e Parlamentit Europian. “Rezoluta e miratuar nga Parlamenti Europian është një dokument politik të rëndësishëm, i miratuar nga një institucion të rëndësishëm të BE-së dhe në mënyrë evidente në do të shqyrtojmë me vëmendje këtë rezolutë. E them këtë dhe nuk është herën e parë kur themi së në nivelin e qeverisë ka disa realitete politike, disa evolucione në Ballkan të lidhur me këtë rajon, të cilat ne nuk mundemi t’i injorojmë. Ekziston një dialog që ka avancuar dhe që është afër dhënies së rezultateve midis Prishtinën dhe Beogradit. Nëse Beogradi dhe Prishtina dialogojnë dhe avancojnë për t’u kuptuar, në mënyrë evidente se ne të tjerat duhet të jemi jashtëzakonisht të vemendshëm në këto evolucione, tha gjithashtu Corlăţean.

Në kontekst ai ka treguar se  “shtete të cilat nuk kanjë njohur dhe nuk kanë ndryshuar pozitën, siç është Sllovakia dhe Greqia kanë kontakte politike, kanë disa porjekte të rendit ekonomik”. “Rumania ka një marrëdhënie shumë të ngushtë bashkëpunimi me Serbinë. Ne përkrahim rrugën europiane me respektimin e kritereve, dhe këtu referohem në mbrojtjen e minoritetit rumun dhe, nga ana tjetër janë realitete që thonë shkurtimisht se ne, Rumania, jemi të interesuar në Ballkan që proceset e integrimit europian dhe euroatlantik të referohen në tërë rajonin. Dhe në këtë pikëpamje unë besoj se Rumania ka pasur një pozitë jashtëzakonisht konstruktive, duke përfshirë edhe muajt e fundit në aspekte të lidhura me Kosovën”, ka shtuar shefi i diplomacisë rumune. Duke qenë i pyetur për një horizont kohor lidhur me Kosovën, Corlatean tha: “Në një subjekt të tillë është, besoj unë, të mençur të mos flasim për horizonte kohore, por një koordinim të mirë, duke përshirë edhe me partenerët tonë ndërkombëtarë europianë që nuk kanë njohur deri më tani Kosovën, është një domosdoshmëri.

Pason një letër Qeverisë shqiptare me këtë përmbajtje: “Përshëndetje të përzemërta nga Bashkësia Kulturore e Shqiptarëve të Rumanisë, Presidentit Nishani, Kryeministrit Berisha, Ministrit të Jashtëm Aldo Bumçi, Ministrit të Kulturës Visar Zhit dhe ministrave tjerë! Ministria e Jashtme dhe Qeveria e Shqipërisë duhet ta dijë se në Bukuresht jeton sot e kësaj dite në moshën 84 vjeçare albanologu Grigore Brënkush, si dhe Nikolla Naço i ditëve tona, Dr. Xhelku Maksuti (82 vjeç), të cilët e meritojnë nga një Mirënjohje për kontributin e tyre 60 vjeçar në favor të kulturës shqiptare nga Ministria e Jashtme dhe Qeveria Shqiptare, sepse sot janë e nesër jo. Mirënjohjet mund t’u dërgohen në emër të Ministrisë së Jashtme dhe Qeverisë nëpërmjet Ambasadës Shqiptare në Bukuresht, sepse mosha dhe gjendja shëndetësore nuk u mundëson të vijnë në Tiranë. (Bota sot, 5 prill 2013). Me respekt,Baki Ymeri, Kryeredaktor i revistës Albanezul / Shqiptari.

Në vazhdim jepet një reportazh me titullin  “Jemi një, pavarësisht ku jetojmë”, kushtuar vizitës së ministrit të  Diasporës, Ibrahim Makolli, në gjirin e komunitetit shqiptar në Suedi, një reportazh tjetër i Hazir Mehmetit  lidhur me pjesëmarrjen e ministrit Makolli në një takim pune me mësuesit e gjuhës shqipe në Austri. Më tej jepet një portret me titullin Legjenda e kulturës shqiptare në Suedi: Sadulla Zendeli Daja është autor i disa veprave të mrekullueshme që mbeten në memorjen e historisë. Ndër to shquhet Fjalori Suedisht-Shqip me 950 faqe dhe 28.550 fjalë. U lind në Sërmnovë të Gostivarit, me pregaditje shkollare dhe profesionale si intelektual me ide përparimtare. Sipas Murat Gecajt, që heret nisi aktivitetin e tij atdhetar duke iu kundërvënë në mënyra të ndryshme pushtetit të atëhershëm komunist, i cili me çdo kusht tentonte t´i zhbëjë shqiptarët nga faqja e dheut. Pikërisht aktiviteti i tij prej atdhetari u bë halë në sytë e regjimit të asaj periudhe  famëkeqe rankoviqiane, e cila nisi ta ndjekë këtë atdhetar të devotshëm. Mu për këtë, Daja u shtërngua ta braktisë vendlindjen dhe të kërkojë  strehim në Suedi (1966), në qytetin universitar Uppsala. Fillimisht kreu kursin e paraprak të gjuhës suedeze, pastaj diplomoi për shkencat filozofike në Universitetin e Uppsalës, studioi dy vjet gjuhën shqipe në Universitetin e Sofjes (dega e Albanologjisë, duke patur për shef të katedrës albanologjike, profesorin e ndjerë Thoma Kacorri). Në ndërkohë kreu shkollën e lartë Bibliotekare (drejtimi universitar dhe i sipërmarrjeve) në Borås. Një kohë punoi si shef i biblotekave të shkollave në Nybro.

Aty pa se gjëja më e shtrenjtë për fëmijët është ruajtja dhe kultivimi i gjuhës dhe traditave kombëtare. Mu për këtë u angazhua që të  hapë shkollën shqipe për fëmijët e  mërgimtarëve shqiptarë. Kësaj ia arriti me  sukses dhe kështu hapi shkollën e parë në Nybro. Kështu pra, që nga 5 marsi i vitit 1975, nisi të punojë si arsimtar i gjuhës shqipe në Nybro me 12 nxënës. Më vonë hapi shkollën e parë shqipe në Emmaboda me 5 nxënës dhe në Kalmar me 10 nxënës, punë kjo të cilën vazhdoi ta kryejë me entuziazëm dhe kënaqësi të veçantë. Përveç punës së palodhshme si arsimtar i gjuhës shqipe, Daja është autor i një varg shkrimesh publicistike dhe botime të fjalorëve dhe librave për fëmijë. Në vitin 2001 doli në pension duke i lënë arsimtarit Raif Mehmetit 65 nxënës në Nybro dhe arsimtarëve Sali Komoni, Hasan Sula dhe Milaim Lekajt, me rreth 70 nxënës  të gjeneratës së dytë. Për këtë konribut 27 vjet si arsimtar i gjuhës shqipe në Nybro, Emmaboda dhe Kalmar, si dhe për punën e palodhur për çështjen kombëtare  Sadulla Zendeli Daja shprehet: ”Unë jam njëri ndër mërgimtarët e parë në Suedi, i dëbuar me dhunë para 46 vitesh. Rrethanat e jetës në mërgim, siç mund ta dini, janë mjaftë të ndërlikuara e të vështira. Duke qenë larg atdheut, mërgimtarët tanë i pret pashmangshëm asimilimi i pjesshëm ose ai i plotë. Ajo që brengos çdo njeri në rrethanat e jetës jashtë atdheut është ruajtja e gjuhës shqipe”.

Sadulla Zendeli Daja ka qenë dhe është shumë i afër me bashkatdhetarët tanë në Suedi, të cilët kishin marrë rrugën e mërgimit ugurzi nga dhuna që bëhej në trojet e tyre shekullore. Këtë gjë e dinte mirë sepse e kishte përjetuar në kurrizin e vet, gjatë veprimtarisë së tij në vendlindje. Në komunën Nybro, përveç shkollës shqipe, bashkarisht me bashkatdhetarët e tij, hapën  shoqatën  e parë shqiptare  me emrin ”Ilirida”. Për herë të parë u ndanë shqiptarët nga shoqata ”Vuk Karadjic”, e cila bënte presione me ambasadën jugosllave që fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë të vazhdojnë të ndjekin shkollën e përzjerë serbe-jugosllave. Në anën tjetër pason hapja e shkollave shqipe në Nybro, Kalmar dhe Emmaboda,  hapja e shoqatës shqiptare “Ilirida” në Nybro dhe hapja e një Restorani me emrin “Shqiponja”. Kaq sa për këtë shqiptar të prekur nga flatrat e engjëllit, i cili defilon në faqet e antologjisë me disa poezi në gjuhën rumune, si: Shpirti (mërgimtarëve që vdesin në mërgim),  Lisat e atdheut tim, Pranë tregut, Miq të betuar, Përgjakje prej tradhëtisë, Nëpër shkallë, Drita e varrosur në qeli (kushtuar Ukshin Hotit), etj. (B. Y.)

Në vazhdim jepet reçensioni i Dumitru Vela-s „Dumitru Ichim, apo për ripërkujtimin e gjuhës së harruar”, artikulli “Makolli priti ambasadorin Ozan”, artikulli i Gani Mehmetajt (huazuar nga Zemra Shqiptare) “Jemi shtet laik a islamik?”. ballina revistash e librash dhe fotografi të ndryshme. Në numrin e majit (2013), Shqiptari i bukureshtit boton artikujt “Rumania ndryshon qëndrimin ndaj Kosovës” me burime nga Bota sot:Publikuar: 19.04.2013 – 09:21Bukuresht, 19 prill – Rumania paralajmëron qëndrim tjetër karshi Kosovës.Bukuresht, 19 Prill – Romania paralajmëron qëndrim tjetër karshi Kosovës. Pas miratimit të rezolutës së Parlamentit Europian, ajo ka bërë një hap drejt njohjes së Kosovës, raportojnë mediet .Pas miratimit te rezolutës së Parlamentit europian, ajo ka bërë një hap drejt njohjes së Kosovës, raportojnë mediet. Kryeministri i këtij vendi, Victor Ponta citohet nga mediat e ndryshme evropiane të ketë thënë se Rumania ka lëvizur nga qëndrimi i saj i mëparshëm për Kosovën, ndërkaq lëvizjet e shtetit rumun kanë ardhur pas takimit të Pontas me raportuesen për Kosovën në PE, Ulrike Lunacek.Kryeministri i këtij vendi, Victor Ponta citohet nga mediat e ndryshme evropiane të ketë thënë se România ka lëvizur nga qëndrimi i saj i mëparshëm për Kosovën, ndërkaq lëvizjet e shtetit rumun kanë ardhur pas takimit të Kryeministrit Ponta me raportuesen pe Kosovën në PE, Ulrike Lunacek. Kryeministri Ponta edhe më parë kishte treguar dispononim më të mirë për njohjen e Kosovës, ndërkaq thirrja e Parlamentit Evropian që pesë vendet e BE-së ta njohin Kosovën vetëm i ka ndihmuar kësaj klime.Kryeministri Ponta edhe më parë kishte treguar dispononim për njohjen e Kosovës, ndërkaq thirrja e Parlamentit Europian që pesë vendet e BE-së ta njohin Kosovën vetëm i ka ndihmuar kësaj klime. (Bota sot, 19. 04. 2013. Pasojnë Shënime biobibliografike mbi shqiptarët dhe filoshqiptarët e Rumanisë, gazeta të vjetra shqiptare dhe misioni historik i tyre, poezia e Riza Lahit „Pilotët e vjetër”, një album me fotografi të ndryshme dhe kolegjiumi i redaksisë me bashkëpunëtorë si Gëzim Marku, Xhever Ymeri, Sadulla Zendeli-Daja, Tiberius Puiu, Ejup Ajdini, Ilir Dardani, Kozeta Zylo, Eduard Dilo, Gheorghe Bucura, Sokol Demaku, Aurel Dasareti, Ilo Mani, Mediar Leka, Vlash Fili, Neki Lulaj, Xhafer Leci, Xhevat Muqaku, Ylli Dilo, Ramiz Dërmaku, Ilir Kosova etj.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Baki Ymeri, ne Rumani, Revista Shqiptari

Artikujt e fundit

  • NË VEND TË NJË KARTOLINE, SOT NË DITËLINDJEN E TIJ
  • ASOCIACIONI I PROPOZUAR E SHNDËRRON KOSOVËN NË FUÇI BARUTI 
  • GJASHTË KUSHTET E KRYEMINISTRIT KURTI JANË TË ARSYESHME
  • VACE ZELA ( 7 prill 1939 – 6 SHKURT 2014)
  • NJË BIBLIOTEKË PËR QYTETIN E ALFABETIT SHQIP
  • Hapja e shkollave të para shqipe në vitet 1941 – 1944, ngjarje e rëndësishme, kyçe në historinë e Kosovës
  • Ekspozita “Gjergj Kastrioti Skënderbeu-kalorësi i lirisë së shqiptarëve”
  • TECHNOLOGY REVIEW (1981) / ÇFARË ËSHTË NJË FOTOGRAFI? — PËRGJIGJJA E FOTOGRAFIT SHQIPTAR ME FAMË BOTËRORE GJON MILI DHE NJË KOMENT PËR LIBRIN E TIJ “FOTOGRAFI DHE KUJTIME”
  • Rreth rëndësisë së përkthimit në gjuhën angleze të librit “Koja në rrjedhën e kohëve” të autorit Fran Gjeloshaj
  • Kryeministri Kurti priti në takim ambasadorët e akredituar në Kosovë
  • THE SIX CONDITIONS OF PRIME MINISTER KURTI ARE REASONABLE
  • Momenti që drejtësia në Shqipëri që të tregojë se sa është e pavarur
  • MISIONI I VATRAVE SHQIPTARE NË SHBA. NË VEND TË NJË URIMI…
  • Pentagoni godet dhe rrëzon balonën ‘spiune’ kineze. Po tani ?
  • Tërmeti në Turqi, Vatra shpreh solidaritet dhe lutet për viktimat e të plagosurit

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT