• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Hoxhaj: Kosova aplikon për anëtarësim në Këshillin e Evropës

June 22, 2013 by dgreca

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, beson se Kosova ka përkrahjen e dy të tretave të nga 47 anëtarët e Këshillit të Evropës që të anëtarësohet në këtë institucion. Në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Hoxhaj flet edhe për dialogun me Serbinë, si dhe për dorëheqjen e ish-zyrtarit ndërlidhës Lulzim Peci.

RADIO EVROPA E LIRË-Zoti Hoxhaj, sipas informacioneve të fundit, Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Konsideroni se janë pjekur kushtet për këtë veprim?

ENVER HOXHAJ-Javën e kaluar ne jemi anëtarësuar në Bankën Evropiane për Zhvillim dhe ne gjatë këtyre muajve të fundit i kemi bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe kemi hartuar një dokument strategjik dhe mund t’ju them që ne së shpejti do të aplikojmë për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
Ka dy institucione që janë vendimmarrëse për pranimin e një anëtarësimi të tillë. Së pari është Komiteti i Ministrave të Punëve të Jashtme. Këshilli i Evropës i ka 47 anëtarë. Prej këtyre 47 anëtarëve, neve na duhen dy të tretat, ku bëjnë pjesë 34 vendet që e kanë njohur Republikën e Kosovës. Por, edhe në mesin e vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën do të ketë që do të votojnë pro anëtarësimit të saj në Këshill të Evropës.
Kurse, niveli i dytë i vendimmarrjes është Asambleja e Përgjithshme, e cila përbëhet nga deputetët e parlamenteve nacionale të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës. Mendoj se ne, si Ministri e Punëve të Jashtme e kemi mbështetjen e 37 vendeve që të anëtarësohemi në këtë Këshill. Tani mbetet që deputetët e Kuvendit të Kosovës të punojnë me kolegët e tyre deputet të Asamblesë së Përgjithshme me qëllim që ne të bëhemi anëtar.
Mendoj që është çështje javësh dërgimi i kërkesës që Kosova të bëhet anëtare e plotë e Këshillit të Evropës, që do të ishte anëtarësimi më i madh që ka pasur Kosova këto pesë vjetët e fundit.

RADIO EVROPA E LIRË-Anëtarësimi mund të jetë një proces. Sa konsideroni se do të zgjasë?

ENVER HOXHAJ-Po, anëtarësimi është një proces që mund të zgjasë dy deri në tri vjet, meqë vendeve të rajonit, si Maqedonisë, i ka marrë dy vjet, Serbisë po ashtu, kurse Bosnjës tri vjet. Ka dinamika të ndryshme të anëtarësimit. Kjo nënkupton që nga koha e paraqitjes së aplikacionit dhe nga verifikimi i progresit të brendshëm që do të duhet të bëhet sa i përket përparimit në sundimin e rendit dhe ligjit, respektimit të drejtave të njeriut dhe miratimit të disa konventave që anëtarësimi të jetë i plotë.

EVROPA E LIRË-Nëse mund të kalojmë në një temë tjetër… Dialogu Prishtinë – Beograd në nivel të kryeministrave ka vazhduar këto dy ditët e fundit. Cilat janë rezultatet. Ka përparime?

ENVER HOXHAJ-Gjatë këtyre dy ditëve të fundit, të dy kryeministrat janë takuar disa herë. Ka pasur përsëri një proces dialogues që ka zgjatur disa orë. Sipas kontakteve të mia direkte me kryeministrin Thaçi, ka përafrim në çështje konkrete, siç është organizimi dhe data e mbajtjes së zgjedhjeve. Ka përafrim edhe sa u përket çështjeve që kanë të bëjnë me sektorin e sigurisë dhe zhbërjen e strukturave ilegale të sigurisë dhe policisë.
Por, do të duhej që ditët në vijim grupet teknike nën udhëheqjen e zonjës Tahiri edhe më tutje t’i qartësojnë disa çështje si telekomi, energjetika, që janë kryesisht teknike dhe më pak politike.
Marrë në tërësi ka një përafrim, por duket që do të ketë nevojë ende për punë.

RADIO EVROPA E LIRË-A është arritur përparim i mjaftueshëm në dialog që Kosova të marrë dritën jeshile nga Këshilli i Ministrave i BE-së për nisjen e negociatave për MSA?

ENVER HOXHAJ-Kosova ka bërë përpjekje maksimale që me një dialog për normalizimin e relacioneve mes Kosovës dhe Serbisë, të bëhet një partner i rëndësishëm evropian. Në këtë proces kemi bërë disa hapa që të arrihet marrëveshja dhe kuptohet që vendimet që janë marrë dhe të cilat nuk kanë qenë të lehta, kanë qenë vendime në të mirë të Kosovës dhe rajonit, por edhe në favor të mbështetjes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian karshi rajonit të Ballkanit dhe politikës së zgjerimit.

Andaj, Republika e Kosovës duhet të shpërblehet nga Brukseli për sjelljen e saj evropiane dhe shumë konstruktive në një proces të tillë.
Hapja e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim – Asociimit (MSA) është kyç, jo vetëm sa i takon agjendës evropiane të Kosovës dhe integrimit të saj në BE, por është kyç edhe sa i takon forcimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës meqë është një marrëdhënie kontraktuale në mes të Kosovës dhe BE-së. Ky do të ishte një argument i fuqishëm edhe jashtë Evropës se si të tjerët duhet ta shohin shtetësinë e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË-Ministria e juaj ka reaguar tejet ashpër në lidhje me dorëheqjen e zyrtarit ndërlidhës në Beograd, Lulëzim Peci. Mund ta shpjegoni pse erdhi deri te dorëheqja dhe pse u desh të reagohet në atë formë?

ENVER HOXHAJ-Mendoj që çdo përfaqësues i Republikës së Kosovës, qoftë në rangun e ambasadorit, apo diplomatë të tjerë, nuk e përfaqësojnë veten e tyre dhe egon e tyre, por shtetin e Kosovës, qëndrimet politike dhe në përputhje me ligjet e Kosovës, në përputhje me udhëzimet tona në fuqi. Kërkohet që të ketë bashkëkoordinim dhe bashkërendim të secilit diplomat apo ambasador me Ministrinë e Jashtme, për çdo deklaratë, qëndrim politik që jep.
Për ne rasti i ish-ambasadorit Peci është i mbyllur, por ai në dorëheqjen e tij pas 48 orësh dhe në interpretimin politik që i ka dhënë kësaj situate, po dëshmon edhe më tutje që përcillet me papjekuri politike. Është sjellje jopolitike dhe dëmton imazhin e vendit. Më lejoni të përmend një raport të këtyre ditëve të baroneshës Ashton, të cilin ajo ua ka shpërndarë vendeve anëtare dhe komisionari Fyle e përmend këtë dorëheqje, ngase një lajm i tillë nuk ishte i mirë për Kosovën.
Sidomos duhet veçuar edhe pretendimin e tij se ai ka pasur gjoja konflikt me kryeministrin, se kryeministri gjoja qenka kundër normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë përmes njohjes nga ana e Serbisë – nuk qëndron. Deklarata të tilla kryeministri ka bërë disa herë në Kuvendin e Kosovës, ndërsa unë në çdo paraqitje me zyrtarë ndërkombëtarë kam thënë se normalizimi i plotë me Serbinë arrihet atëherë kur Serbia e njeh Kosovën.
Dialogu aktual ka të bëjë me fazën fillestare të krijimit të bazës se si do të normalizohen këto marrëdhënie.

RADIO EVROPA E LIRË-Po komunikata e MPJ-së, e cila nga opozita u cilësua si cenim i integritetit të Lulzim Pecit, duke u bazuar në thashetheme. A kanë bazë ato akuza që u përmendën në të?

ENVER HOXHAJ-Mendoj që të gjitha partitë politike në Republikën e Kosovës edhe këto të cilat formojnë koalicionin qeverisës, edhe ato të opozitës, duhet të interesohen për temat, që janë jetike të politikës së jashtme dhe jo për çështje të politikës së brendshme, realisht shpenzohet aq shumë zhurmë.
Çdokush që synon të thotë diçka për politikë të jashtme, duhet ta shtrojë pyetjen se si Kosova në këto 10 vjetëve të fundit është prapa vendeve të rajonit për 10 vjet me agjendën e tyre evropiane.
Kuptohet që shpjegimi racional është se ne e kemi shpallur pavarësinë para 5 vjetësh, por duhet të angazhohemi që agjendën tonë evropiane ta bëjmë agjendë të të gjithëve. Mandej, kemi vështirësi të mëdha në integrimin e Kosovës në sistem ndërkombëtar.
Edhe më tutje kemi sfida sa i përket forcimit të pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe shumë elemente, të cilat janë të natyrës së politikës së Jashtme. Dhe, fakti që unë nuk dëgjoj sugjerime, propozime dhe këshilla për tema, të cilat e përbëjnë politikën e jashtme të një vendi, mendoj që deklaratat që janë bërë për një rast të caktuar, nuk do të meritonin shumë vëmendje.(Kortezi:Zijadin Gashi)

Filed Under: Interviste Tagged With: aplikon per anetaresim, Hoxhaj, kosova, ne Keshillin e Europes

REPORTAZH NGA STRASBURGU NË 50 VJETORIN E ANËTARËSIMIT TË ZVICRËS NË KËSHILLIN E EVROPËS

May 7, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ & SKËNDER BUÇPAPAJ/

Zvicra festoi këto ditë 50 vjetorin e hyrjes të saj në Këshillin e Europës. Me një seri aktivitetesh. Midis tyre edhe vizita në Strasburg e një grupi gazetarësh vendas e të huaj rezidentë në Zvicër. Ky aktivitet ishte organizuar nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme në kuadrin edhe të vizitës së numrit një të diplomacisë zvicerane zotit Didier Burkhalter, i cili me këtë rast mbajti një fjalim përpara Asamblesë të Këshillit të Europës e më pas dha një konferencë shtypi.
Në grupin e gazetarëve kësaj here ishim tre shqiptarë, ne nga Zëri i Shqiptarëve dhe kolegu ynë Nefail Maliqi nga portali Presheva jonë.
Departamenti Federal i Punëve të Jashtme ashtu si të gjitha institucionet në Konfederatën helvetike mbajnë marrëdhënie të shkëlqyera komunikimi jo vetëm me gazetarët vendas, por edhe me gazetarët e huaj që jetojnë e punojnë në Zvicër. Me këtë rast falenderojmë zëdhënësin e DFPJ zotin Renz Tilman dhe stafin që na shoqëroi.
Gjithnjë ne si gazetarë me rrënjë shqiptare pyesim veten se kur do të funksionojë shteti shqiptar si Zvicra, model i shteti ligjor dhe ekonomisë së tregut, e cila vitin që shkoi nga Forumi Ekonomik Botëror u shpall ekonomia më konkuruese në botë duke lënë në vendin e katërt SHBA, Francën në vendin e 21të e kështu me rradhë. Ndërsa nga Economist Inteligence Unit, Zvicra për vitin 2013 shpallet vendi ideal ku duhet të lindin fëmijët, SHBA dhe Gjermania mbajnë vendin e 16, Italia vendin e 21të, ndërsa Franca dhe Britania ndajnë vendet 26 dhe 27.
E pra, këto rezultate të mrekullueshme të cilave ua kanë zilinë vendet më të fuqishme të botës janë pasojë e funksionimit të shtetit të së drejtës, ku sipas indeksit të Transparency International për vitin 2012 Zvicra ishte midis gjashtë vendeve me nivelin më të ulët të korrupsionit, çka flet për integritetin e zyrtarëve publikë në të gjitha nivelet.
Ashtu si ndodh gjithnjë, edhe kësaj here organizimi ishte perfekt. Nuk të duhen shpenzime të mëdha të organizosh një udhëtim të tillë, veç përgjegjshmërisë dhe seriozitetit, të cilat në Zvicër janë në nivelin maksimal, ndërsa në nivelin minimal në Shqipëri.
Axhenda na ishte dërguar paraprakisht. Nisja nga Berna bëhej më 7:30 me autobus deri në Strasburg. Për ne që banojmë afër Bazelit, takimi ishte përpara Badischen Bahnhof. Megjithëse u përpoqëm të ishim të përpiktë, në pikën e takimit na priste zëdhënësi i Departamentit të Punëve të Jashtme, i cili nuk kishte harruar të blinte dy qese të mëdha me croissant ose gipfeli, si i quajnë zviceranët.
Autobusi ishte nga ata që shoqërojnë politikanët në fushata. Ne ishim një grup i vogël gazetarësh, së bashku me zyrtarë të Departamentit të Punëve të Jashtme. Duke pirë kafenë e mëngjesit e duke diskutuar u nisëm drejt Strasburgut, i cili nga Bazeli është rreth110 kilometra, pra shumë afër, kur ke parasysh se Zvicra është në zemër të Evropës.
Takimin e parë e kishim në Misionin e përhershëm të Zvicrës pranë Këshillit të Europës, ku ndodhet gjithashtu edhe Konsullata e Zvicrës. Mendoni, Zvicra, ky vend i vogël, me sipërfaqe një herë e gjysmë sa Shqipëria dhe me 9 milionë banorë ka 12 Konsullata vetëm në Republikën Franceze.
Ishte një drekë pune me sanduiçë të pasur, nga më të larmishmit, me gota vere të zgjedhur, të kuqe e të bardhë, por të vogla dhe në fund me eklerë e kafe, e cila shoqëroi bisedën midis gazetarëve me Ambasadorin e Zvicrës pranë këtij misioni zotin Charles-Edouard Held dhe me diplomatët e misionit. Biseda, me një referim, pastaj pyetje-përgjigje pati në qendër rolin e Zvicrës në Këshillin e Europës, si dhe objektivat kryesore të Këshillit të Europës, të cilat janë të Drejtat e Njeriut, Demokracia, Sundimi i Ligjit. Zvicra është model i komunikimit, dialogut, kompromisit. Në Zvicër funksionon sistemi i Konkordancës, që rregullon ekuilibret.
Zvicra nuk e kupton stilin e moskomunikimit politik si në Shqipëri, ku klasa politike nuk dialogon, nuk bën kompromise, nuk gjen konsensuse. Gjatë bisedën sonë ne pyetëm a është e mundur që institucionet demokratike si Këshilli i Europës të ushtrojnë instrumenta obliguese në të mirë të demokracisë së vendeve me demokraci të brishta apo në zhvillim.
Ndërkaq koha kishte fluturuar. Kështu e ka koha. Nuk të pret. Në orën 13:00 deri 14:00 ishte takimi me Delegacionin Parlamentar të Zvicrës pranë KE. Deputetët zviceranë na prisnin në zyrat e tyre. Ne ndërkohë shkuam tek zyrat e Shqipërisë. Ishin bosh. Këshu ndodh rëndom. Nuk gjen njeri. Edhe kur takohesh me delegacionin e Shqipërisë, ata kanë një komunikim mizerabël me gazetarët, nëse nuk e dinë se kanë të bëjnë me ndonjë gazetar që mbështet partinë. Kemi parasysh një takim para dy vitesh, kur i morëm intervistë Dick Marty-it. Vetëm Kastriot Islami u tregua i disponueshëm dhe Shpëtim Idrizi u tregua normalë, këta të PD-së na shihnin me dyshim si të ishim alienë.
Në zyrat e Zvicrës, pothuaj nuk mungonte askush nga delegacioni i përhershëm zvicreran. Dhe shfrytëzojmë rastin për t’i falenderuar për disponimin dhe seriozitetin e pritjes, për komunikimin sa profesional dhe njerëzor. Falenderojmë zonjën Liliane Maury Pasquier, që kryeson delegacionin e Zvicrës, zonjat Doris Fiala e Elisabeth Schneider Schneiter, zotërinjtë Urs Schwaller, Gerhard Pfister dhe të gjithë delegacionin e pranishëm që na treguan për rolin e Zvicrës në Këshillin e Europës, për të marrë përgjegjshmëri e dhënë kontribute për zbutjen e krizës ekonomike por edhe të krizave në vendet ku demokracia kërkon kohë për t’u përshtatur si sistem vlerash. Përfaqësues të pesë partive politike, ata shpesh kanë diferenca me njëri tjetrin, por kur vjen puna gjejnë konsensus për të ecur në shina të përbashkëta. Kjo është demokracia.
Qëndruam bashkë deri në prag të fjalimit të Didier Burkhalter, Ministrit të Jashtëm të Zvicrës përpara Asamblesë Parlamentare. Ne ndërkohë e kishim marrë paraprakisht. Fjalimi kishte një titull larg standartit të fjalimeve rutinë që na dëgjojnë veshët gjithë kohën ne shqiptarëve: „E ardhmja e Europës është të shohësh të qeshur sytë e fëmijëve“ –
Për shqiptarët Zvicra ka një rol shumë të veçantë. Një në çdo dhjetë shqiptarë të Kosovës është rezident këtu, pjesa më e madhe si shtetas zviceranë. Zvicra gjatë konfliktit të 1998, hapi portat e priti më tepër se 60 mijë refugjatë, Swisscoy është mision paqeje në Kosovë. Micheline Calmy-Rey, pararendësja e zotit Burkhalter shihet si heroinë për shqiptarët, sepse Zvicra ishte vendi i parë që shpalli në OKB se Kosova meriton të jetë e pavarur, po kështu Zvicra është një nga vendet e para që e njohu shtetin e Kosovës, ndërkohë që e ndihmon Kosovën me projekte e programe.
E pra, edhe zoti Didier Burkhalter jo vetëm që është në vijimësi të kësaj rruge mbështetje, por edhe e pasuron këtë rrugë.
Në fjalimin e tij u përmendën të paktën dy herë shqiptarët. Kur 50 të rinj nga Shqipëria dhe dhjetë vende të tjera, të pranuara më së fundmi në KE, ishin ftuar një javë në Zvicër për të festuar së bashku 50 vjetorin e pranimit të saj në Këshillin e Europës si dhe për t’u njohur me nstitucionet dhe kulturën e këtij vendi si dhe në rastin kur Zvicra do të mbështesë pranimin e Kosovës në Këshillin e Europës.
Duke u kthyer në kohën kur Zvicra u pranua në Këshillin e Europës më 6 maj 1963, zotit Burkhalt kujtoi se pak a shumë në të njëjtën periudhë Presidenti Amerikan John F. Kennedy do të mbante përpara Portës të Brandenburgut fjalimin e famshëm„Ich bin ein Berliner“. „Politika, tha ai, është të ndërtosh një vend, një Europë, një botë më të mirë për gjeneratat e ardhme, për fëmijët, është t’i ofrosh rinisë perspektiva dhe shanse për t’i realizuar,” duke cituar filozofin zviceran Denis de Rougement se „politika është një autorizim për të Ardhmen“.
Për më tepër, kur filozofi Denis de Rougement është nga Neuchatel-i dhe duket me ndikim të veçantë tek vetë Bukhalteri, i cili është deputet i të njëjtit kanton.
Kjo është Zvicra. Nuk është demagogji. Është realitet. Prandaj ekonomia e saj zë vendin e parë në botë, prandaj është vendi më i mirë për të lindur fëmijët. Sepse këtu funksionon shteti i së drejtës. Është vlerë në demokraci që ne shqiptarët kemi 22 vjet që e ëndërrojmë me sy hapur. Politikanët tanë janë demagogë, sharllatanë, gënjeshtarë.
Fjala e zotit Burhalter ishte shumë elitare dhe gjithë filozofi, e një burrështeti zviceran që krenohet me vendin e tij, Konfederatën Helvetike që ec përpara duke u mbështetur nga një trashëgimi aq e pasur, ku Zvicra është bërë strehë e vatër edhe për iluministët francezë si Voltaire, Rousseau.
Pas fjalimit pati pyetje. Nuk mungon asnjëherë një pyetje „për parajsat fiskale“, ku Zvicra gjithnjë tregon gatishmërinë për reforma të përbashkëta me vendet më të zhvilluara. Sekreti bankar nuk është temë tabu, është identitar, por brenda kornizave ligjore.
Ne gazetarëve na bëri përshtypje pyetja që i drejtoi një parlamentar italian, i cili ishte i shqetësuar se, sipas tij, „zvicerancët i shohin italianët në Zvicër si minjtë e djathit“. Na bëri përshtypje se demonstroi nivel aspak dinjitoz të paraqitjes, sepse natyrisht që italianët në Zvicër gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë e duhura për të jetuar dhe punuar. Kështu u përgjigj edhe zoti Burkhalter kur tha se fëmijët e tij luajnë gjithë ditën me shokë e shoqe italiane.
Në konferencën për shtyp pati dy pyetje nga gazetarët shqiptarë. Njëra për marrëveshjen që posa ishte nënshkruar midis Kosovës dhe Serbisë dhe pyetja tjetër në lidhje me kohën e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës. Zvicra e mbështet marrëveshjen midis dy vendeve, ndërkohë që do të vazhdojë të përkrahë edhe anëtarësimin e Kosovës në KE, por pa fiksuar afate. Zvicra më 2014 ka rradhën në kryesimin e OSBE-së dhe do t’i përmbushë angazhimet e saj.
Dhe me konferencën për shtyp do të mbaronte edhe dita e vizitës tonë në Këshillin e Europës. Strasburgu përjetonte një ditë pranvere fantastike, të vonuar këtë vit edhe në Zvicër. Ne bëmë fotot e rradhës, duke mos harruar të fiksonim të gjithë grupin tonë.
Pastaj të gjithë tek autobusi për t’u kthyer. Sa e bukur është mbrëmja në pranverë, sepse dielli perëndon vonë dhe drita e dita zgjat deri sa afrohet nata. Gjatë kthimit kihism birra dhe përshtypje plot.
Ne zbritëm të parët në Bazel, me atë përshëndetjen e njohur, mirupafshim herën tjetër! Tschüss bis bald ! A bientôt ! Till the next time!

Filed Under: Reportazh Tagged With: 50 vjetori i anetaresimit, Elida Buçpapaj, ne Keshillin e Europes, Skender Bucpapaj, te Zvicres

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT