Fondacioni “Ibrahim Kodra”, Ministria e Kulturës, Bashkia e Tiranës plotësojnë vullnetin e fundit të Mjeshtrit, Ibrahim Kodra, “Nder i Kombit” i cili do të prehet në Memorialin në Kodrat e Liqenit, pranë figurave të nderuara të kombit, Faik Konica, Vëllezërit Frashëri.
Në një njoftim për mediat, ministria e Kulturës bën të ditur eshtrat e artistit Kodra do të vendosen në një vendndodhje që do të vizitohet nga bashkatdhetarë të shumtë të tij.
Në njoftim sqarohet se pranë Ministrisë së Kulturës është depozituar kërkesa e Behgjet Pacolli dhe Fatos Faslliu, kryetarë të Fondacionit “Ibrahim Kodra” në Lugano dhe në Durrës, lidhur me plotësimin e vullnetit të fundit të vetë piktorit të madh me titull “Nder i Kombit”, Ibrahim Kodra që të prehej në Tiranë, në një vendndodhje ku të vizitohej nga bashkëatdhetarë të shumtë të tij. Ky vullnet i artistit Kodra, si pasojë e një moskoordinimi, nuk u plotësua dhe eshtrat e tij sot prehen në Ishëm të Durrësit.
Vënia në vend e amanetit të Mjeshtrit kryhet me rastin e 10-vjetorit të ndarjes nga jeta. Në koordinim me Bashkitë Tiranë dhe Durrës janë marrë të gjitha masat për të realizuar ceremoninë e nderit, që do të mbahet në Kodrat e Liqenit Artificial, me pjesëmarrjen e personaliteteve më të larta të vendit.
Ministria bën të ditur se Memoriali i vendosur në Ishëm në varrezën aktuale të Maestro Kodrës do të qëndrojnë në Ishëm dhe do të plotësohet me një pllakë përkujtimore ku do të shkruhet: ISHMI ËSHTE KRENAR PËR BIRIN E VET, PIKTORIN E MADH, NDERIN E KOMBIT IBRAHIM KODRA (1918-2006), QË TANI PREHET SIPAS VULLNETIT TË TIJ TË MBRAMË NË TIRANË, PRANË FIGURAVE TË SHQUARA TË KULTURËS KOMBËTARE.
Gjithashtu vënia e kësaj pllake përkujtimore do të shoqërohet me një ceremoni zyrtare nderimi.
Ministria e Kulturës, në mbështetje të vullnetit të fundit të Mjeshtrit Ibrahim Kodra, piktorit me famë botërore , është e mendimit se memoriali i tij i vendosur në krah të figurave të mëdha të kombit shqiptar si Faik Konica, Vëllezërit Frashëri nderon figurën e madhe të Kodrës si dhe do të nderonte shtetin shqiptar në plotësimin e këtij vullnet.
Ky Memorial në nder të tij është respekt i emrit, kontributit, dashurisë për figurat e vyera të kulutrës shqiptare të cilët kanë lartësuar emrin e kombit në nivele ndërkombëtare.
Eshtrat e Mjeshtrit Ibrahim Kodra do të pushojnë në Kodrat e Liqenit, në datën 12 shkurt, sipas amanetit të tij të fundit.(ATSH)