NGA PËLLUMB GORICA/
Lumturinë e vlerëson kur përballesh me udhëtime-Jean Sasson/
Ka rrugë të cilat nuk maten me kilometra e orë udhëtimi, por me mori impresionesh dhe emocionesh që të falin ato. Ndaj, kur rrugëton, ashtu si uji që rrjedh e gurgullon në shtratin e vet duke lenë pas rrugë të shkelura në kërkim të atyre të reja, te Natyra çdoherë gjejmë qetësi e kënaqësi. Ajo të fton mes bukurive magjike dhe me të vërtetë të bën ndjesor, por edhe miqësohesh shpirtërisht me të. Përmes saj ndjekim dëshirat që të çojnë drejt realizimit të qëllimit për të dashuruar më tepër çdo copëz të së tërës. Por, sa herë nisemi në rrugë të largëta me padurimin për të arritur sa më parë, nuk e di si të shprehim emocionet frymëzuese për ta bërë atë pjesë në krijimtari, biseda miqsh e të njohur.
Në fshehtësinë e së bukurës
Panoramat zëvendësonin njëra – tjetrën, ndërsa makina jonë mori drejtimin e një rruge të përbaltur, që në çdo metër e troshiste atë, në lartësinë e kaperximit të 1500 m mbi nivelin e detit. Me vështrimin e puthur pas malit Korab, që së largu ai na shfaqet me shpatet dhe majat e tij të zbardhura nga bora për të na dhënë mirseardhje, mbërrijmë paksa të lodhur nga rruga prej disa orësh nëpër luginat e thella, pranë thepisjeve të ashpra shkëmbore, përrenjve e vendbanimeve. Kryeneç ndaj djallëzive të kohërave, Korabi që ngrihet madhështor drejt qiellit, një Parajsë Shqiptare dhe një nga ato befasitë e këndshme, të bën të ndjehesh i ekzaltuar së paku kur kundron pikturën madhështore të tij.
Radomira, e shtrirë dhe e shpërndarë këmbëve të malit, magjepsëse dhe gjithë ngjyra në të katër stinët; aty ku egërsia e Natyrës, ajri i pastër, ujërat e kristaltë, kullotat, bagëtitë, gurë e drurë, të krijojnë në shpirt të tjera emocione. Kjo, e rrokshmja e terrenit të ashpër të Radomirës, ndërthuret me përzemërsinë e banorëve të saj, të përcjellë aq bukur edhe në këngën perlë ”Cuca e Radomorës”. Ata janë të shpenguar e miqësorë, për më tepër fisnikë, të sinqertë e të respektueshëm. Në bisedat e tyre ndjehet shqetësimi që hasin në jetën e përditshme, si ajo e zakonshmja, kur ne shqiptarët, duke mos treguar vëmendjen e duhur, jemi të shkujdesur; ndoshta pak të skajshëm që t’i shpërfillim vlerat me këndvështrime realiste, mbi të gjitha për mundësitë që të afron jeta këtu, por edhe problematikat. Së pari, që të lulëzojë Turizmi kërkohet më shumë vëmendje dhe investime nga shteti. Kryesorja rruga e fshatit le për të dëshiruar. Dhe që për ironi nuk është më shumë se 5 km. Ndaj, duhet rregulluar ajo, me vizon në shpalosje, që kësisoj të tërheqë më shumë vizitorë. Le të jenë këto rreshta një apel për qeveritarët, se bukuritë natyrore nuk lypin vota elektorale, por përkujdesje për këta njerëz, për jetesën e tyre, për vështirësitë e kushtet që përjetojnë.
Sapo mbërritëm ne, Haxhi Hima, me dashamirësinë e mirësjelljes na fton në bujtinë, ku kushtet dhe veçantia e saj ndërthuren me përkujdesjen e vet për të pushuar nga lodhja e rrugës së gjatë. Aty, zjarri i një sobe që bubullonte e përshkëndriste, të jepte ngrohtësinë e duhur. Por më shumë se çlodhëse janë bisedat e çiltra, (si të njiheshim prej kohësh), përpara përkëdheljes së gotave të rakisë së kumbullës. Ato të ngërthyera nëpër tema, të cilat rrotullohen rreth kulisave të Politikës, zemërgjersisë së traditës, krenarisë së sportit, më pas rrjedhin interesante për malin, ngjitjet, alpinistët të cilët janë preferuesit e tij.
– Nuk e kanë të gjithë privilegjin – thotë Haxhiu -, neve që banojmë në Radomirë, në këtë bukuri, të cilin na e ka falë Natyra jemi krenarë. Mali është i ashpër, që ashtu siç ka bukurinë e tij ka shkaktuar edhe fatkeqësi.Fjalët e tij të shtien në mendime të thella, jo rrallë në keqardhje për fatkeqësitë e ndodhura, gjë që i topiti të gjithë.
Pas gjithë këtyre mendimeve që na goditën në kokë si çekan, e nesërmja na priste në rrugëtimin tonë drejt majës së Korabit e cila përbën arsyen e ardhjes këtu.
Njeriu i maleve
Miqtë e mi alpinistë, me forcën shpirtërore që i tërheq gjithmonë drejt majave, e shkelin prej vitesh këtë mal, duke e shndërruar në diçka joshëse dhe magjike. E, natyrisht, me faktin që pasionet e njerëzve janë të ndryshme edhe prej mjedisit ku jetojnë, ka ndikim: i nxisin më shumë hovet e shpirtit. Rrugëtimet e tyre këtu, por edhe nëpër lartësi të tjera shqiptare, janë sfida të guximshme për të matur forcat në një sport ekstrem siç është Alpinizmi. Nuk janë pak që u ngjiten lartësive të Korabit, ashtu siç mund të pohosh se nuk janë shumë: jo vetëm nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, por edhe nga Polonia, Gjermania, Italia, Spanja, Franca, Anglia, Amerika, etj. Por, sa herë që vijnë aq më shumë u shtohet oreksi dhe dëshira, që i bën të fluturojnë në krahët e kënaqësisë.
– Ajo që të pëlqen, – të thotë Lavdie Sulo një alpiniste të cilën e njoha këtu – kthehet në pasion, mjafton të kesh kohë e dëshirë të zjarrtë. Prej vitesh e kam pasion të rrugëtoj edhe nëpër male e të ushtroj Alpinizmin.
Është kjo dëshirë dhe pasion që i thith ëmbëlsisht e i që bën të lehta vështërsitë. Që herët kam pasur dëshirë të ngjitem në malin e Korabit; për më tepër se dëshirë për të eksploruar shpalosjen e panoramave të tij. Ndaj, kur kjo dëshirë për shijimin e lartësive të ngacmon bukurisht, mezi e pret udhëtimin dhe distancat të bëhen të afërta. E pata fatin e mire që bashkë me grupin e alpinistëve të ngjitem edhe unë. Ftesës dashamirëse të mikut tim Fation Plaku, një ndër alpinistët më të njohur shqiptarë i u përgjigja me kënaqësi.
– Mirë! Bukur! … Më pëlqen dhe mezi pres të shkojmë atje.
I gëzuar, nisa rrugëtimin, i përgatitur dhe i përqëndruar, jo vetëm shpirtërisht për të shijuar atë maksimalisht, por edhe fizikisht për të përballuar vështirësitë e njohura, që do i ndeshja. Por, kur je edhe në shoqërinë e njerëzve të duhur, ke shumë arsye për ta ndjerë veten mirë. Fationi është i lidhur ngushtë me malet, por edhe me detin, liqenet, shpellat, ujëvarat e gjithçka tjetër të Natyrës; përjetues i një mozaiku interesant nëpër vende të ndryshme të Botës. Ato janë me rëndësi në jetën e tij, si dëshirë e një vullneti këmbëngulës për të arritur atë që e ka pasion, ndaj nuk merr guximin t’i braktisë. Ka njohur sa e sa vise dhe gjithmonë mbetet i joshur pas tyre. Dhe i prirur e më tepër se çdo gjë tjetër e mbush jetën e vet me të njënjtën mënyrë si puna krijuese e një artisti, gjë që ka ekzistuar që në krye të herës tek ai, e cila ka gjithçka; ka një kuptim, sepse ai gjen veten në qetësi e paqe, por që i ngjan fluturimit të Fluturës së Natës kur i qepet dritës së llampës. Tek ecën përmes udhëtimeve, shpesh ndërmjet fotove dhe vidiove, tregon bukuritë e rralla natyrore. Si një protagonist i alpinizmit shqiptar, për të nuk ekziston asgjë e pamundur; sepse malet i njeh aq mirë me majat e tyre, bukuritë, por edhe me vështirësitë. Ato kanë formësuar në shpirtin e tij një oaz kënaqësie. Çdo rrugëtim i tij në lartësi është i këndshëm dhe ndonjëherë i vështirë. Të tregon për endjet andej e këndej Shqipërisë, që shpesh janë edhe misterioze. Ai nuk harron emocionet e ngjitjes në Çatinë e Botës, Everestin e 8848 metrave lartësi, atje ku jeta është edhe në fije të perit.
-Alpinizmi jo vetëm i bën mirë shëndetit- thotë ai, – por edhe të largon nga monotonia e ditëve dhe veset, që, për fatin e keq, e kanë prekur shoqërinë tone, veçanërisht rininë.
Pasioni i vërtetë te njeriu nuk shuhet kurrë. Ai jeton së bashku me njeriun, me mundësinë e shpalosjes së tij, edhe kur mosha bën të vetën. Në shoqëri vlerësimet për aftësitë e tij kanë tregues të tillë që shpesh, ndërmjet epiteteve, e kanë krahasuar me Njeriun e Maleve.
Në majëmalin e Korabit
Janë orët e para të një dite që “zgjohet” në prehër të malit, mes një përballje kontrasti drite dhe mugëtire të errësuar nga retë, të cilat sikur e kanë banesën e tyre këtë mëngjes. Por, diku më tutje, ca ndriçime skajore të tretura larg në maja të larta, tregonin se dielli, nëpërmjet të çarave të reve, lëshonte rrezet e veta. Nisemi të përshëndetur nga era e ftohtë, që të fishkullon fytyrën, me ndjesinë drithëruese të të ftohtit; se, dimri nuk jep shpirt aq lehtë, pavarësisht se është mars e ditët po bëhen më të ngrohta.
Në hapësirën kohore të hapave të para, aty ku fillon të lartësohet mali me madhështi, ndjekim një rrugëkalim gjarpërues dhe këtë e tregonte një tabelë orientuese. Më tej, gurët kilometrikë të shenjuar, para disa vitesh nga alpinistët polakë, eleminojnë vështirësitë nga mosnjohja e terrenit. Rrjedha e një përroi, që zhurmon e shkumbëzon me rrapëllimë nëpër gurë e guralecë të murrmë, të cilët e bënin më epike pamjen e tyre, kthehej në jehonë si një simfoni. Ecim pranë copëzave të arave të shkarravitura nga gurët, staneve e lëndinave të Radomirës dhe përmes një pylli të harlisur pishash Arrnoj, siç i thonë vendasit, ku era që frynte me ngulm e përzier me kundërmimin e aromës së tyre, e lëkundte dhe shkundte borën nga degët. Ato, me gjelbërimin e thellë, kombinuar me bardhësinë e borës, krijonin një tablo mahnitëse dhe i bënin karshillëk në çdo çast shpateve shkëmbore të thikta e të grinjta të Kapistogjit dhe Luftanjit me forma të çuditshme, të krijuara nga kataklizmat e hershme tektonike.
Bora gjithandej malit kishte hedhur shtresën e bardhë e cila në disa vende shkonte deri në gju. Veçse bukuria e kristaltë dhe e statujuar vetvetiu të emocionon. Fjolla të borës, si flutura, e miellëzonin më shumë natyrën teksa hapat krijonin një zhurmë kërcitëse. Pa ia ndarë sytë rënies së flokëve të dëborës, nën një kope resh të hirta si një hartë që kacafyteshin qiellit e duke dhënë sinjale se diku do të zbrazeshin, vazhdojmë të ecim nëpër një terren të shkatërruar nga gërryerjet, ku ca gjurmë kafshësh të egra tregonin se kishin kaluar pak para nesh. Dhe shushurima e ujërave që rrjedhin nga burime e rrëkeza, të cilat furnizojnë me ujë qytetin e Peshkopisë, duket se i japin një frymarrje dobiprurëse malit, ndërsa neve na shoqërojnë një copë udhë bukurive të përjetshme të Natyrës.
Thjesht i kalojnë me sy një varg majash të pjerrëta, tashmë të borëzuara, të cilat janë të janë aq të njohura për alpinistët, ngrihen të larta me shpalosjen e tyre të veshur me bardhësi. Ato të pushtojnë aty për aty shpirtin për të frymëzuar deri në thellësi të tij, gjë që është e pamundur ta përshkuash me fjalë. Me vështrimin e syve zhbirues shquanim në largësi konture të mjegullta të majave të tjera, por qëllimi i vetëm i alpinistëve është ngjitja në majën më të lartë të malit Korab, si lajmotivi i ardhjes këtu, ku ndodhet edhe kufiri me Maqedoninë. Alpinistët ndjejnë lodhje dhe frymëmarrje të shpeshtuar, të cilën e shton më shumë era dhe një perde e padukshme që e bënte të vështirë ecjen. Në një ngjitje prej 5 orësh, edhe mes një çasti pushimi, që janë një nga ato ndijimet e ëmbëla të çlodhjes, ata bëhen soditës të natyrës, për më tepër që edhe dëbora së cila reshti së rëni, i lejon të pushojnë. Zbresim dhe lartësitë, që tanimë i kishin lënë prapa, të mundimshme dhe me një paralele zymtësie prej reve të përhimta, ditën e bënë muzg.
Syri i një mjelme
Mbresa të veçanta të shtojnë kënaqësinë e etur në shpirt. Sidomos kur e vështron natyrën magjepsëse, të zhytur në heshtje, duke zbuluar oaze të saj që të mbeten të pashlyera në mendje. Ndaj nuk mund të jesh indiferent nga tërë ai dekor hijerëndë i malit, me larmi panoramash; nën hijet e mëdha të reve, me sytë e gjelbërimit të përhershëm të pishave dhe mes lojës së rrezeve të diellit mbi to, ku patjetër ke se ç’të qëmtosh të qëndisurën e hireve të kësaj natyre. Por, duke mos qënë thjesht një përshkues i lartësive të malit Korab e më shumë një adhurues i bukurive të tij, fluturon si një zog i vetmuar në kërkim të tyre. Fundja edhe kjo ka të bukurën e vet, sepse të miklon larg e më larg skenografia e qiellit me vazhdën e reve, herë të serta e herë të bardha, të cilat diku bëhen tufë.
I hap udhën vështrimit me atë ndjesinë e një shëtitjeje eksplorore me veçantinë e vet. Në mes të pishave qindravjecare, një udhë e ngushtë këmbësore dhe gjithë gjarpërime që ngjitej siç thotë ajo fjala e urtë “shtegu i rrahur të çon diku”, të bënte të mos ndaloje për asnjë çast, sepse edhe ajri i pastër të nxiste vetvetiu ecjen. Përtej lodhjes, duke u rrekur mes vështirësisë së saj, ku diku vraga e rrugës të humbet pllaskave gjurëmbardhë, porse shpina e një kafshe laramane, herë pas here i lejon vetes ndalesa mes drurëve të pishave që, përveç bukurisë mahnitëse e mbushin shpirtin me aromën dehëse.
E shijon me një mendim tjetër natyrën që nderet nga një frushullimë e lehtë paqeje, ku të vetmet zhurma që janë të zakonshmet këtu, janë ato që ndjehen rreth e rrotull: Një degë që pëshpërin nga era për të shtuar murmurimë freskie, fëshfëritja e krahëve të një turme trumcakësh endur ngeshëm tutje, të cilat me gjasje i ngacmon kërcitja e hapave; më të rrallë ndonjë këngëzim i tyre nga larg, por që të bënte mbret të kësaj kësaj natyre. Këto çaste, që nuk i përjeton përditë, të bëjnë t’i thuash vetes: Sa mirë bëra që erdha këtu, larg zhurmave e telasheve, larg barbarisë që po i bëjnë Natyrës. Të shpëton edhe ndonjë psherëtimë ndjesie, sepse ndodh që përherë Natyra zbut e çiltërson shpirtin edhe në kulmin e rrëmujave politike e të ngjarjeve të rënda.
Me vete bluan këto mendime pa i shqitur sytë kurreshtarë pamjeve dhe nuk mund të të shpëtojë një tjetër nga bukuritë e Korabit, Liqeni i Zi në një hapësirë të vogël 0.8 ha, të rrethuar me pemë të larta. Ashtu me plot emocion, së brendshmi e rrok bukurinë e mjelmët të liqenit të Radomirës, këtij syri magjik, që natyra e ka krijuar në lartësinë e formacionit përrallor të malit. Emocionohesh aq shumë sa që rraskapitja e ngjitjes zbehet në çast.
***
Përshtypjet nga rrugëtimet mbeten gjatë në kujtesë me embëlsinë e emocioneve që të dhurojnë mbresat. Edhe unë që përjetova një të tillë ndjehem i pushtuar nga mbresat e kësaj dite. Në këtë mënyrë u plotësua edhe një dëshirë, por edhe për të shkruar çdo gjë të bukur; atë gjurmën e thellë që ka lënë në shpirt, për t’ia transmetuar lexuesit me qëllimin e vetëm se endjet në këto lartësi, të prekura nga alpinistët shqiptarë, mund te vlejnë po aq sa edhe një poezi, apo një tregim i bukur. Ne u larguam si krushqit që kanë marrë nusen, kalëruar mbi kuaj të bardhë, por edhe me konceptin e të këndshmes së vlerave, si një ftese që të rikthehemi sërish këtu, në malin më shtatlartë të Shqipërisë, të mbuluar me bore, për t’u çlodhur nga stresi i qyteteve të zhurmshme.