Nga AFRORE SHAIPI/Presheve/
Epokat e ndryshme të njerëzimit kanë dëshmuar për fuqinë e lirisë njerëzore si një triumf mbi padrejtësitë e robërimin. Besimi në të gjithnjë e çoi botën një hap përpara drejt evoluimit, i dha kuptim jetës njerëzore dhe nxori në pah parimin se njeriu lind për të qenë i lirë dhe si i tillë, duhet të respektohet me të drejtat e veta të plota.
Kjo pikëpamje u shndërrua në shtyllën ku mbështetet drejtësia dhe dinjiteti njerëzor. Ajo simbolizoi kërkimin e paqes univerzale dhe shërbeu si ide për të luftuar dhunën dhe diskriminimin.
Çdo popull ruan me fanatizëm në historinë e vetë, personalitetet e veta më të shquara, luftëtarët dhe heronjtë e vetë të lirisë. Por, luftëtarët nuk admirohen nga të gjithë! Ata që adhurohen nga populli i tyre, ndoshta janë më të urryerit për popullin tjetër. Andaj, ata që çmohen më shumë janë ata që vepruan përtej kufijve e kombësive të veta, ata që i lanë botës trashëgim humanizmin e paqen dhe sot gëzojnë respektin e tërë njerëzimit.
I tillë ishte edhe Nelson Mandela, “ambasadori” më i mirë dhe i përjetshëm i Afrikës së Jugut!
I lindur në një fshat të vogël afrikan, Mandela ishte shprehur njëherë “Unë nuk linda me nje uri për t’u brë i lirë. Unë linda i lirë”. Besnikëria ndaj kësaj bindjeje i kushtoi shumë shtrenjtë dhe e pagoi me çmim shumë të lartë. Duke mbrojtur idetë e veta mbi liritë e njeriut, ai u shndërrua në një kundërshtar të ashpër të aparteidit, një politike raciste të pakicës së bardhë, që diskriminonte njerëzit me ngjyrë.
Ai ndoqi një rrugë, që më 1964, e çoi prapa grilave të atij sistemi dhe ia mori 27 vite të jetës. Por, nuk hoqi dorë! Vetëm pak para se të dënohej, Mandela do të shprehej kështu “Gjatë jetës sime, i jam dedikuar luftës së popullit afrikan. Kam luftuar kundër dominimit të bardhë dhe kam luftuar kundër dominimit të zi. Kam mbështetur idealin e një shoqërie demokratike dhe të lirë, në të cilën të gjithë të jetojnë së bashku në harmoni dhe me mundësi të njejta. Është një ideal, për të cilin shpresoj të jetoj dhe ta arrij. Por, po qe nevoja është një ideal për të cilin jam gati të vdes”. Një vendosmëri që nuk u shua në asnjë sekondë e minutë gjatë atyre 27 viteve të kaluara në qeli. Sepse e dinte se ai ishte simboli i drejtësisë në gjyqin e pushtuesit, përfaqësues i idelaeve të mëdha të lirisë, drejtësisë dhe demokracisë në një shoqëri që i kishte çnderuar ato virtyte. Ai e kuptoi se atëherë dhe atje, ai mund të vazhdonte të luftonte, qoftë edhe në kalanë e armikut.
Por përtej asaj sakrifice të madhe, vlerësimi më i madh për Mandelën, nis nga viti 1990, kur lirohet nga burgu. Të rallë janë ata njerëz që kanë zemër aq bujare e fisnike, sa të arrijnë të mbyllin sytë ndaj vuajtjeve më të mëdha që kanë përjetuar, e të jenë aq human edhe ndaj atyre që ndoshta më së paku e meritojnë. Si një njeri me vlera të mëdha, Mandela fali të gjithë ata që e dënuan e i vodhën 27 vite të jetës. “Tek sa po ecja drejt portës që do të më çonte drejt lirisë sime, e dija se nëse nuk do ta lija zemërimin dhe urrejtjen time prapa, unë ende do të isha i burgosur”. Kështu, Mandela e bëri atë që pak kush do e bënte sot! E kjo e bën atë unik. Se ai më së miri na tregoi të gjithëve se për të krijuar një botë të lirë, duhet të falësh dhe të pajtohesh. E kjo e shndërroi atë në një ikonë botërore të lirisë, barazisë, faljes dhe pajtimit. E të gjitha këto e bënë të denjë për të fituar Nobelin e paqes!
Mandela e ndjente për detyrë t’i shërbente popullit të vet, për të pasur drejtësi për çdo qytetar. E ndjente për mision të realizoj ëndrrën e tij për një Afrikë Jugore demokratike dhe joraciste! “E vlerësoj shumë lirinë time, por ende shqetësohem për lirinë tuaj. Shumë njerëz kanë vdekur qëkur isha në burg, shumë kanë vuajtur për dashurinë ndaj lirisë. Ua kam borxh grave të tyre, jetimëve të tyre, nënave e etërve të tyre, që kanë qajtur dhe kanë pasur dhimbje për ta. Nuk kam vuajtur vetëm unë gjatë ketyre kaq shumë, shumë viteve të humbura. Liria juaj dhe liria ime nuk mund të ndahen.” Por sa ka arritur tË realizoj AfrikËn e tij ideale, ta nxjerrË atË prej konfliktit dhe kaosit, ai vetë do të shprehej “Kam ecur rrugë të gjatë drejt lirisë. Kam bërë gabime gjatë rrugës. Por, kam zbuluar sekretin se pasi të ngjitësh një maje, e kupton se ke edhe shumë maje të tjera për të ngjitur. Kam pushuar një moment, për të vjedhur një pamje nga lavdia që më rrethon, të shikoj prapa, në distancën që kam bërë. Por, mund të pushoj vetëm për një moment, sepse me lirinë vijnë përgjegjësitë, nuk guxoj të zgjatem, sepse rruga ime e gjatë nuk ka mbaruar ende”.
Nelson Mandela, një lider i jashtëzakonshëm që udhohoqi tranzicionin e vështirë, duke arritur të shuaj konfliktin racor në Afrikën e Jugut, duke i shtrirë dorën kundërshtarit të vetë dhe duke zhdukur urrejtjen mes bashkëkombasve, u bë një forcë e pamatshme e mirëkuptimit dhe e pajtimit. Në këtë mënyrë, ai bëri për vete jo vetëm zemrat e miliona jugafrikanëve, që e zgjodhën si president të parë me ngjyrë të vendit të tyre, por në të njejtën kohë, Mandela rrëmbeu edhe zemrat e miliona njerëzve paqedashës, përtej Afrikës, anembanë globit.
E më 5 dhjetor, ditën kur ndërroi jetë Nelson Mandela, personaliteti që mishëronte në vetvete virtytet më të larta njerëzore, u dëshmua se njerëzit e mëdhenj u përkasin të gjithë popujve. Sepse ai ishte i të gjithëve. Ishte inspirim për të gjithë ata që kërkonin liri dhe paqe. Ishte shëmbëlltyra më e mirë e njeriut fisnik, që di të kërkoj dhe të mbroj të drejtat e veta, ishte aq i fortë sa diti të falte dhe të shtrinte dorën e pajtimit, duke i dhënë leksion mbarë botës se edhe konfliktet më të vështira, që ndoshta duken të pazgjidhshme, mund të zgjidhen nëpërmjet paqes, mirëkuptimit dhe dashurisë ndaj njëri-tjetrit. “Askush nuk ka lindur duke urryer dikë tjetër për ngjyrën e lëkurës, fenë apo bagazhin e tij të diturisë. Njerëzit mësojnë të urrejnë, dhe nëse mund të mësojnë të urrejnë, ata mund të mësohen të duan, se bile dashuria vjen më natyrshëm në zemrën e njeriut sesa e kundërta.”
Nelson Mandela e rriti nivelin e humanizmit dhe zbërtheu më së miri domethënien e vërtetë të demokracisë, e për këtë sot i ngrit atribut i tërë njerëzimi. Afrika e Jugut humbi “babain e kombit”, liderin e saj gjenial, me vullnet dhe vizion të pazakontë. Kurse e mbarë bota humbi mbrojtësin e madh të të drejtave të njeriut, njeriun ikonë të drejtësisë, zërin e barazisë dhe paqes.Bota humbi heroin e fundit të shekullit XX!
Këto epitete ndaj figurës së pavdekshme të Mandelës, lënë të kuptohet se shpirti, ideali dhe vepra e tij do të rrojnë përjetësisht! “Le të ketë drejtësi për të gjithë. Le të ketë paqe për të gjithë. Le të ketë punë, bukë, ujë dhe kripë për të gjithë. Le ta dijë secili se për secilin trupi, mendja dhe shpirti janë të lirë për të përmbushur vetveten.”
E tërë jeta dhe vepra e Nelson Mandelës, përçon mesazhin se ajo çka e bën më të bukur këtë botë gjigante është diversiteti, por ajo që e çon përpara atë, është liria… Një liri e pastër, që thyen tabu nëpër kohë, sfidon realitete, i jep fuqi fjalës dhe mendimit të njeriut, duke revolucionalizuar botën e lë njërzimin të jetojë jetën.
*Gjimnazi “Skenderbeu”/ PRESHEVË