• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NE KUJTIM TE POETIT MARTIR NAMIK MEHQEMEJA

November 16, 2013 by dgreca

Nga  Agim Xh. Dëshnica/Boston/ MA/
Pak fjalë për jetën e veprën./

Më 1944 intelektuali e patrioti demokrat Izedin Mehqemeja, humbi jetën në kampin nazist të shfarosjes Majdanek-Poloni, ndërsa në dhjetor 1945, diktatura komuniste pushkatoi në Berat të birin 22 vjeçar Namik Mehqemeja, poetin e lirisë e luftëtarin e ri të bashkimit kombëtar, i njohur me anonimin letrar Nako. Vrasja e një poeti është jo vetëm krim, por dhe një akt barbar. Nuk do të mjaftonin këto dy tragjedi, por në vazhdim do të vuanin në  punë të rënda e në mjerim nëna dhe tri motrat më të vogla që u larguan nga jeta para kohe me dhimbje, pa mundur  të dinin se ku dergjeshin njerëzit e tyre të dashur.

Nako, u lind më 1923 në Berat. Gjatë e pas mbarimit të  mësimeve  në shkollën tregtare të Vlorës ai krijoi e botoi poezi e prozë, në gazetat e revistat e kohës. Në krijimtarinë e tij plot frymëzim, vihej  re ndikimi i letërsisë së viteve 30-të, sidomos i poezisë së  Migjenit. Sipas atyre që e kanë njohur nga afër, ai qe një djalosh me sy të kaltër e flokët biond që ia merrte era, i pakët në fjalë, i thellë në mendime, shpesh ëndërronjës e  me shpirt të  ndijshëm.

Nako qysh në hapat e para të krijimtarisë kishte tiparet e një poeti  të mirëfilltë i cili me talentin  e tij do të shquhej midis poetëve të kohës e do të mbetej i paharruar deri në ditë e sotme.  Poezitë e tij ishin fryt i një fantazie  e gjuhe të pasur gjatë  orëve të krijimit nën dritën e kandilit apo soditjes së natyrës së bukur shqiptare, veçanërisht të qytetit të lindjes, Beratit romantik. Burime frymëzimi për të ishin njeriu i dashur, nëna, babai, motrat, shokët atdheu, deti, mali, dëbora, vjeshta, muzgu, mbrëmja pranverore etj. Mundësinë e tij për një nivel më të lartë artistik i kishte zbuluar prej kohësh poeti e dijetari i shquar Vexhi Buharaja, por fati i mbrapsht i poetit ndërpreu gjithçka, jetën, rininë, shkollën e lartë për në Vienë dhe krijimtarinë e tij të bukur.  Autorët e tij të preferuar ishin Sami e Naim Frashëri, Konica, Fishta, Noli. Dostojevski, Turgnievi, Petëfi, Tagora, Gorki, Niçe, Frojdi, Hegeli etj.

Poezitë që mundën të shpëtonin nga shfarosja në hetusi,  apo në biblioteka, dorëshkrimet e fshehura dhe ato të botuara para vitit 1944, panë dritën  e botimit pas vitiit 1990 në gazeta të ndryshme dhe në vëllimin “Shpirti është lot”.- 1994. Së fundi, u përmblodhën edhe shkrime të tjera në vëllimin “Dy jetë, një poezi”-Berat 2003 dhe në librin “Poetë berates në shekuj”-Berat-2011, përgatitur e botuar nga shkrimtari e publicisti i njohur Agim Mehqemeja.  Nga këto krijime përmendim disa. Në poezi: “Kënga e pakënduar”, “Kënga e re,” “Deti”, “Shpirti është lot”, “Muzg vjeshte” “Jeta”, “Mbrëmje pranverake” (në burg),”Ja.Nata bie”, “Kalorësi i Ri”, “Vallja e hijeve”, “Dëshirë”, “Do të vijë një ditë”, “Poetit”, etj. Në prozë: “Atit tim”, “Motrës sime”.  “Kënga e detit”, “Dëbora”. “Loti im”,” Një vajze”.” Ylli karvanit veton në të feksur”etj. Vijojnë: fragmente drame, përkthime, ndër to nga Tagora, shkrime e fjalime të ndryshme dhe letra nga burgu.  Kanë humbur  ose janë zhdukur  poezitë “Trimi”, “I kujtoj të gjitha”, “Shqiponjat fluturojnë lart”; novelat “Mbas malit”; romanet “Çerdhja u prish”, “Hije e dritë”, “Ditari i burgut dhe eseja “Në vendin e zambakëve të bardhë”.Nga letrat e burgut veçojmë, kujtimin e fundit, shkruar pas një fotografie të burgut: “Nënës sime të dashur që i shkaktova kaq dhembje e dëshpërim.” dhe letrën :“Të dashura motra”: “E vetmja porosi që ju lë prej birucës është kjo:  Ruani vetëm nderin. Ruani nderin, në qoftë se doni të jini të denja për kujtimin e vëllait tuaj.

Ruani nderin në qoftë se nuk doni të lëndoni eshtrat e mia.

Shoqëria që ju rrethon është e korruptuar.

Prandaj ju them edhe njëherë:

Ruani nderin!

Kjo është porosia ime e fundit. 15 nëntor 1945 “

Në mbarim të fjalës së fundit në sallën e gjyqit pas vendimit me vdekje për fajin se  atdheun  e donte të lire e të bashkuar me të gjitha trojet e veta, ai u shpreh: “Nuk kërkoj mëshirë, mëshira është arma e të dobëtit.”

Në mbyllje të këtij shkrimi të shkurtër  japim strofën e parë  nga poezia e tij “ Kënga e pakënduar”:

“Ndiej një këngë në zemrën time

Kam një këng’ të pakënduar

Kam një këngë thellë të harruar

Mu në fund të zemrës sime.”

 

 

Poezi kushtuar poetit martir,

nga përgatitësi i këtij shkrimi përkujtimor.,

 

POETIT  TE  KENGES  SE PAKENDUAR

 

Me rrezet e fundme

gjerdan i ndritur e i artë,

u ndeh e u shtri,

mbi kreshtë në  Shpirag.

Befas  u fik.

 

 

Afër lumit nën ulli

mjegull, krisma, dhimbje e gjak.

A fle lumi?

A ndien lumi,a sheh lumi?

 

Hesht në shkëmb qyteti i bardhë

me dritare rradhë mbi rradhë ,

me përralla e legjenda

brenda mureve të rënda.

 

Afër lumit nën ulli

u vra poeti,

ra  e u shtri,

u vra kënga e pakënduar

në zemër e harruar

për fllad e det

për lule e fletë,

vjeshtën e borën dimërore

për mbrëmjen pranverore,

në kohë zgjimi

e çast frymëzimi

nën flakën  e kandilit

me trillet e bylbylit.

 

Hesht qyteti, ëndërron nën yje,

në orët e krimit  fshehur nëpër hije.

Pakëkush di  për krismat nën ulli,

Por ah! Bri rrape fërfërimash

me jehona suferimash

qajnë valët nën urë flijimesh

qajnë zanat me lot mallkimesh,

pa myezinë e  pa kambanë,

qajnë poetin e  lirisë

poetin e hijshëm të dashurisë.

 

Hëna sipër në Kala

shndrin dritare e baxha,

në gjumë trondit qytetin,

nën ulli e zgjoi poetin.

 

Nako! Nako! Emri i tij rinor

jehon tutje  lumit në Tomor.

jeton me kumtin e besimit

për ditën e ngadhnimit.

 

E ndjek në çaste muzg vjeshte

shpirtin lot, tek ngrihet  lart në heshtje

e shuhet tej malesh e pyjesh,

por befas ndrin si yll mes yjesh.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Namik Mehqemeja, Ne kujtim te poetit

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT