Nga Fadil LUSHI/
Vështrimin e radhës do ta filloj me nocionin paragjykim për të cilin Fjalori i gjuhës së sotme shqipe jep këtë shpjegim: 1. Mendim i gabuar dhe i pambështetur, i ngulitur nga njohja jo e plotë e dukurive të botës dhe e shkaqeve të tyre, nga i cili niset dikush në gjykimet e në veprimet e tij në kundërshtim me dijen e arsyen; pikëpamje a qëndrim, që formohet si shprehi nën ndikimin e shoqërisë e të mjedisit dhe jo nga njohja e përvoja e jetës. Këtë e bëj me qëllim që as unë e as lexuesi im i nderuar të mos paragjykohemi.
Shumë autorë të huaj kanë shkruar për shqiptarët, duke krijuar kështu një portret të pazakontë sa i përket karakterit të shqiptarit të fillimviteve ‘900. Një ndër to ka qenë edhe albanologu dhe baroni hungarez Franc Nopça, i cili në shënimet tij vend e vend me a pa të “drejtë” na ka paragjykuar, ku, pos të tjerash, thotë: “Shqiptarët janë të lëkundur, të padisiplinuar, lakmitarë të parasë, të ndjeshëm, krenarë, inatçorë, por edhe trima, të vetëdijshëm, besnikë, mikpritës dhe me një zgjuarsi të jashtëzakonshme…,veprimet e tyre ndikohen vetëm nga instinkti; veprojnë shpejt dhe pa i peshuar konsekuencat; janë të mirë prej natyre dhe pranojnë dhurata pa u detyruar për mirënjohje, por gjithashtu janë dorëhapur dhe nuk pretendojnë mirënjohje. Urrejtja zë rrënjë të thella në shpirtin e tyre, por zhduket sapo kënaqet. Shqiptari aty qesh, aty gëzohet, aty zemërohet!”.
Edhe miqtë e mi, shpesh me a pa të “drejtë”, më paragjykojnë duke thënë se vështrimet që i shkarravis për ndonjë mesele a vaki, kinse i bëj me shumë vonesë, kinse i bëj ashtu bythëprapthi, kinse gjatë të shkruarit sillem me mospërfillje a pa respekt ndaj sintaksës dhe morfologjisë së gjuhës shqipe, kinse vështrimet e mia në vijimësi shkaktojnë ilaritet a të qeshura te lexuesit, gjoja bëj shaka pa kripë, shaka që padrejtësisht dëmtojnë të pafajshmin, kinse shtirem gjegjësisht mundohem të paraqes veten ndryshe nga ç’jam, kinse nuk dalloj të paqenësishmen nga e qenësishmja, kinse gjithë këtë e bëj vetëm e vetëm për të “mashtruar” të gjithë ata që më paragjykojnë për gjëra të paqena. Ca të tjerë, miq të mi, “që më mbajnë për inat”, lëre që asnjëherë nuk ma “dhanë” pafajësinë a padjallëzinë, por edhe mëtuan të ma “rrëmbejnë” mallëngjimin për NËNËN NAZË…, disa thonë se shkrimet gjoja i bëj me tarafe, po edhe i shkarravis ashtu pa rend alfabetik, kronologjik dhe pa “pehriz”; më “akuzojnë” se gjoja në shkrimet e mia të deritanishme asnjëherë nuk paskam shkruar për pronarin e “kumarhanes politike” të Shkupit, si dhe për rojtarin e “Kështjellës së Drakulës” atje përtej Vardarit, atje ku frymon shfrytëzuesi i egër, ai drakula që është i etur për gjak shqiptari, atje ku kleptomanët dhe piromanët, kërkesat e politikanëve shqiptarë për barazi politike, për barazi ekonomike, për marrëdhënie të barabarta me pronën shoqërore, për barazi kombëtare e tjerë barazi, lëre që i mohojnë, por edhe i marrin me tallje. Ata sot e gjithë ditën thonë se gjoja rendi a turrem më shumë pas sasisë, pas lekut, sesa pas cilësisë, gjoja në vështrimet e mia më ha meraku që për personazh kryesor të zgjedh njerëz të halucinuar, njerëz me prapanicë të dhjamosur, njerëz që vuajnë apo që janë të diagnostikuar nga sëmundja e tifos, njerëz të paranojave, njerëz që ia kanë kthyer shpinën shtëpisë së tyre, njerëz që kanë rënë në kllapi dhe që llafosin jerm! Së fundi, më pandehin për të “marrë a budalla”, kinse toptan shkrimet, lere që nuk i kam me tamam a në terezi, por edhe më krahasojnë me malësorët shqiptarë davaxhi, të cilëve kur u mungojnë arat në mal, bëjnë dava me çakejtë, më krahasojnë me optimistin, i cili, kur humb shpresat, mëton që ta shohë gotën gjysmë të mbushur dhe me atë pesimistin që atë e sheh si gjysmë të zbrazët, vazhdojnë të më krahasojnë me “dasmorët e Klinës, të cilëve u kishte ikur orkestra dy orë para ceremonisë së kënasë…, dhe me ata krushqit të cilët ishin detyruar t’u bien kusive, sahanëve e sinive që të vallëzonte nusja“. Mbase unë as që e kam ndërmend t’u bie kusive, sahanëve e as sinive, sepse po ta bëj këtë, atëherë mos vallë nuk do ta ngatërroj punën time me zanatin e daullexhiut…, me zanatin e kumarxhiut dhe, në instancë të fundit, edhe me zanatin e falltarit…, mbase nuk dua të ndërmendem dhe nuk do lejoj që gjithsecili të ma strukturojë mendimin ndryshe…, dhe, tekefundit, këtë nuk do ta bëj as për qejfin tim dhe as për hatërin e njerëzve të cilëve fiqiri u ka katandisur në lesh e li.
Në këtë shkrim nuk do lejoj të keqkuptohem, po as edhe të krahasohem me dy nënat e paragjykuara në vijim. Dikur moti, kur varfëria e skajshme shqiptarëve ua kishte vënë litarin në qafë, një nënë në moshë ishte takuar me një zonjë pasanike. Kjo e fundit kishte marrë udhë për ta vizituar të birin e saj në një kazermë të mbretërisë së Ahmet Zogollit. Nëna që jetonte në varfëri e në mjerim dhe që u ishte nënshtruar me forcë emocioneve torturuese të saj, i ishte drejtuar duke i thënë; “E nderuara zonjë e shtëpisë së madhe, kam një lutje dhe kërkesë për ju. Merre këtë mollë dhe, po ta takosh tim bir ushtarak, jepja dhe bëji të fala nga unë!”. Ajo e gjendur përpara kërkesës së saj të papritur, po edhe paksa të pakuptueshme, ia kishte kthyer: “Ti nuk ma the emrin e tij…, po më thuaj se si do ta njoh tët bir!?”. “Nuk të duhet emri…, shumë lehtë do ta identifikosh, ai që është më i bukuri në mesin e të tjerëve…, dije se është pjellë imja…, ai është një çunak i mirë, i ndershëm, i drejtë, i urtë, i dashur, i thjeshtë, i qeshur, i lumtur, me vullnet të mirë, i fjalës dhe i gojës…, ani se është i thatë dhe më ngjyrë!”. Fatkeqësisht, zonja e rëndë e beut, në vend që mollën t’ia dhuronte të birit të nënës nga Mirëdita, atë ia kishte dhuruar birit të saj, atij çunaku i cili në mëhallën e aristokratëve njihej si adoleshent i qejfit, i lekut si dhe me dëshirat dhe fantazitë e tij të azdisura.
Pavarësisht se kjo mesele është paksa e koklavitur, të krijon përshtypjen se është me moral të dyfishtë, andaj duam të besojmë se e gjithë kjo mesele tok me personazhet e saj, këmbë e krye është pjellë e paragjykimeve në fjalë.
Që e zgjodha këtë stil a mënyrë të shkruarit të këtij vështrimi, kam një shkas a një sebep. Dhe ky sebep është i lidhur ngushtë me një mik timin nga Kosova, të cilin ditë më parë kur e takova aty pranë kufirit administrativ shqiptar-shqiptar, më përshëndeti me “hundë e buzë!” Kur e pyeta se ç’janë këto “turinj”, ma ktheu ashtu me “inat”…, më ka zaptuar zhgënjimi i thellë nga rrethanat dhe ngjarjet politike në Prishtinë, ashtu me plot gojën, pos të tjerash, më tha: “Ju shqiptarët e Republikës së Maqedonisë nëse do të vazhdoni të paragjykoni dhe të paragjykoheni, përfundimisht atdhetarizmin tuaj do ta shndërroni në patriotizëm arkaik dhe në folk-patriotizëm të veshur me kostum të rremë legjendar a përrallor, andaj do të duhet të bëni shyqyr natë e ditë që jeni nën zgjedhën e kaurit se përndryshe…!?“. Nuk ia ktheva. Thjesht e “paragjy-kova” me atë meselenë e “manastirit pa hair“.