Një qytetar me origjinë shqiptare me banim në Aigle të kantonit Vaud (Zvicër frankofone) ka fituar 27.2 milionë franga në lotarinë Euromillions.
Siç bënë të ditur mediet zvicerane, fatlumi një i ri 26 vjeçar ka plotësuar të martën biletën e lotarisë me të gjithë numrat e qëlluar.
Ai ka rrethuar numrat: 19, 23, 34, 47 dhe 50 si dhe yjet numër 4 dhe 6, duke i qëlluar kështu që të gjithë.
Fituesi me fat është një djalosh modest dhe beqar. Ai ka fituar shumën e dytë më të madhe në Zvicër. Ndërsa rekordin me 99 milionë franga e kishte fituar një qytetar portugez në Sierre (VS) në vitin 2005.
Blerimi (emër fiktiv, por i njohur për redaksinë e albinfo,ch), jeton në katin e gjashtë në një kuart multikulturor të lagjes Planchette të qytetit Aigle. Fqinjët janë shprehur të befasuar. Një shok i tij i shkollës ka thënë për « le Matin » se « askush nuk e ka parë që nga e marta në mbrëmje. Ndoshta edhe e ka marrë pasaportën dhe ia ka therur. Edhe unë ta bëja të njejtën gjë ».
Ai nuk ka shkuar ende ta kërkojë shumën e fituar, por i mbesin ende gjashtë muaj për ta reklamuar atë. Shuma në fjalë do të derdhet në një llogari bankare pas dhjetë ditësh. Por ajo nuk do të derdhet në tërësi prej 27 milionëve ngase do t`i ndalen paraprakisht 35% për tatim.(Burimi-Albinfo.ch)