Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
Humbja e Ulqinit është dështimi i madh më i dukshëm, pra më flagrant, i politikës aktuale shqiptare, para së gjithash, i politikës aktuale të Tiranës në rrafshin kombëtar.
Është një ligj universal, i përjetshëm – nëse nuk je në ekspansion, atëherë vetvetiu je në restriksion. Dhe kjo pasqyrohet ku më dukshëm, ku më padukshëm, në të gjitha rrafshet dhe në të gjitha fushat e jetës së një vendi e të një kombi.
Politika jonë është në restriksion. Kjo është kundërnatyrore, sepse ne jemi kombi më vital në rajon, me popullsinë më të re dhe nga më të arsimuarat.
Kjo është kundërlogjike në rrethanat kur dalim nga një shekull copëtimesh, robërie, pushtimesh, diktaturash, në rrethanat, pra, kur pritej një shpërthim i vrullshëm i energjive tona të ndrydhura.
Kjo është absurde, në rrethanat e epokës globale, në rrethanat kur të gjitha vendet dhe kombet, të mëdhenj apo të vegjël, të fuqishëm apo të pafuqishëm, në të katër anët e botës, janë duke rendur për të përfituar nga hapësirat e krijuara për të bërë ekspansionizëm ekonomik, politik, ideologjik e tjerë, për të rritur ndikimin e tyre, praninë e tyre kudo, sido dhe sado që të jetë e mundur.
Kjo është veçanërisht kundërnatyrore, kundërlogjike, tejet absurde në kushtet kur jemi i vetmi vend, i vetmi komb në NATO, kur Amerika, mikja, aleatja, partnerja jonë e madhe na ka dhënë mundësinë e statusit të vendit më të privilegjuar të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Ekspansioni në politikë është zmadhim, zgjerim i hapësirave të një populli, të një vendi, të një kombi duke u shtrirë në hapësira të popujve, shteteve, kombeve të tjera. Ekspansionizmi është prirje për të zmadhuar, për të zgjeruar kufijtë, sferën e ndikimit ekonomik, kulturor, e tjerë nëpërmjet shtrirjes në hapësira të reja, tregje të reja.
Restriksioni në politikë është zvogëlim, tkurrje, kufizim i hapësirave të lartpërmendura nga ana e një populli, një kombi, një shteti. Restriksionizmi është prirje për t’iu nënshtruar zvogëlimit, tkurrjes, kufizimit të hapësirave të tij jetike nga ana e një populli, një kombi, një shteti.
Në kushtet e sotme, të epokës globale, kur ekspansioni bëhet në formën e investimeve ekonomike dhe zhvillimore, në formën e transferimit të kapitaleve dhe të transportimit të zhvillimit nga një vend më i zhvilluar në drejtim të një vendi më të pazhvilluar, ekspansionizmi ekonomik dhe kulturor është ndërsjelltar i dobishëm për të gjitha palët. Në rrethanat e rajonit tonë, asnjë nga fqinjët tanë tokësorë nuk i ka premisat e natyrshme për të bërë ekspansion, të asnjë lloji, ndaj popullit tonë, vendit tonë, shteteve tona, hapësirës sonë kombëtare në përgjithësi.
Sot ne përjetojmë në mënyrë tejet të dukshme, prirjen tonë për restriksion të gjithanshëm. Kjo u pa së fundi në Ulqin. Por po shihet gjithaq dukshëm në procesin e bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë. Dhe po pasqyrohet në mosfunksionimin e shtetit të Kosovës në një pjesë të konsiderueshme të territorit të tij. Po pasqyrohet në gjendjen përherë e më të përkeqësuar të pranisë shqiptare në Luginën e Preshevës (Kosovën Lindore). Po shihet në mospërparimin e popullit shqiptar në Maqedoni, si në aspektin kombëtar, si në aspektin shoqëror, ekonomik e tjerë. Po shihet me kërcënimet për ta tjetërsuar Radikën dhe Vjosën dhe për ta ngushtuar kështu më tej hapësirën tonë të interesave jetike.
Dukuritë e përmendura më lart, plot dukuritë e tjera që mund të rreshtoheshin këtu, ndodhin kur klasa jonë politike është e përfshirë në ethe të gjata, të pandërprera të revanshizmave të brendshme politike, ideologjike, të karakterit të ngushtë grupor, meskin, kundër interesave të elektorateve të tyre, kundër interesave të kombit të tyre, kundër interesave shqiptare. Ndodhin në një kohë kur palët në konfliktin brendashqiptar trumbetojnë gjithnjë e më zëshëm, gjithnjë e më kobshëm “nacionalizmin” e palës tjetër, “islamizmin” e palës tjetër, “primitivitetin” e palës tjetër, duke damkosur kështu kombin më të përkushtuar në Evropë për fqinjësi të mirë, kombin me islamin më të moderuar në botë, kombin ku është përkundur, rritur dhe kultivuar pandërprerë qytetërimi perëndimor, pavarësisht kushteve e rrethanave të veçanta, shpesh tragjike të imponuara.
Humbja e Ulqinit, mu para hundëve të Tiranës dhe Prishtinës, është me pasoja konkrete për gjeopolitikën shqiptare, një humbje, pra, që do të pasqyrohet në zhvillimin ekonomik dhe kulturor të vetë Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës. Një lëshim të tillë në dëm të vetes së tyre dhe në dobi të shqiptarëve nuk do ta kishte bërë asnjë prej fqinjëve tanë. Humbja e Ulqinit në vetvete shënon edhe humbjen e çështjes shqiptare në Mal të Zi. Një humbje e tillë, qoftë edhe në fshatin më të vogël e më të largët të banuar me shqiptarë, shënon humbje të çështjes shqiptare. Një humbje e tillë, qoftë edhe në shtëpinë më të largët të fshatit më të largët shqiptar, shënon humbje të çështjes shqiptare. Sepse, secili nga këto raste, shënon dobësim të faktorit shqiptar në terrenin e caktuar, shënon rrjedhimisht dobësim të faktorit shqiptar në tërësi. Çdo defaktorizim shqiptar, kudo që ndodh, në trojet shqiptare apo jashtë tyre, në diasporë, në fakt përbën defaktorizim të mëtejshëm të shqiptarëve në tërësi.
Prania shqiptare, në trojet e saj, kudo që ndodhet, është një përparësi, një privilegj, një favor i një politike në raport me veten dhe të tjerët. Është një premisë që e përjashton, në çdo rrafsh, mundësinë e fqinjëve tanë për politikë mësymëse ndaj nesh; një premisë që e përjashton, në çdo rrafsh, prirjen tonë zbrapëse, lëshuese ndaj fqinjëve tanë.
Politikës sonë, sidomos asaj në Tiranë, ia ka zënë sytë internacionalizmi gjoja kozmpolit, në fakt retrograd. Ende kjo politikë nuk e kupton se çështja shqiptare, kudo që të jetë, në hapësirën shqiptare apo kudo nëpër botë, është absolutisht çështje e brendshme. Kjo politikë kurrsesi nuk mund të hiqet si e zënë në befasi, përkundrazi përballë një detyrimi kushtetues, prandaj mban përgjegjësi të plotë para kombit dhe para historisë.