• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FALTORJA E RE BEKTASHIANE VEPËR ARTI PËR NJË AMANET TË PËRMBUSHUR*

September 8, 2015 by dgreca

Duke soditur këtë tempull të përfunduar, m’u kujtua filozofi Jozef Ratzinger, ipeshkëv i ardhshëm i Romës. Atëhere ende kardinal, i përshkuar nga një sens murgjëror vëzhgimi të hatashëm, ai pat shkruar diku se “apologjia e vërtetë e krishtërimit është arti”, perifrazë e së famshmes klithmë të Dostojevskit, “e bukura do të na shpëtojë”.
 Nuk e di nëse kjo është “udha” – për t’i përshtatur këtij momenti një fjalë kuptimplotë për urdhërin bektashi – që në intimitetin e ndërgjegjes së vet pat dashur të ndjekë arkitekti i vërtetë i kësaj mrekullie, i ndjeri dhe i paharruari Haxhi Dede Reshat Bardhi.
 Çdo gjë që na rrethon këtu, duke filluar nga vetë faltorja, e cila nuk gjen të dytë në Shqipëri, është mishërim i sensit të masës, të përmasës, të ekuilibrit dhe të një shijeje jashtëzakonisht të hollë befasuese.
 Këtu janë vërtet, në të 12 cepat e faltores, 12 imamët, emrat e të cilëve, ndonëse mund të tingëllojnë të huaj, janë për shqiptarët jehonë e 12 virtuteve njerëzore.
 Shqipërisht i përcolli deri tek ne, Naim Frashëri, në të pavdekshmen Fletore të Bektashinjve, këtë Kuran e Bibël të dytë të “besës sonë të shenjtëruar”, duke rradhitur krah tyre, 12 shtylla të udhëtimit shpirtëror: Te vërtetën, drejtësinë, inteligjencën, urtësinë, vëllazërinë, dashurinë, miqësinë, humanizmin, besimin, atdhedashurinë, përvujtarinë dhe zemërgjerësinë.
 Këtu janë edhe Haxhi Bektash Veliu, themeluesi i urdhërit, edhe vet Naimi, mjeshtri i ligjërimit të tij, të ndarë në mes nga ky tempull i paqtë, ashtu siç ndahen në mistikën bektashie, pa ju kundërvënë njëra-tjetrës, “lulja e së vërtetës dhe lulja diturisë”.
 Pa patur kultin e imazhit, bektashinjtë reflektojnë kështu përkujdesjen ndaj një rendi gjeometrik dhe estetik shumë të përkorë, ndaj një ekonomie të shqisave, e cila është një përshkrim dhe një udhërrëfyes fillimor i jetës së një individi e po njesoj edhe i një bashkësie.
 Sot, këtu dhe falë këtij kurorëzimi të aq shumëkërkuar, bektashizmi gjen përfundimisht atë të drejtë qytetarie që gjen edhe kujtesa e ndjerë e Baba Reshatit, i destinuar që në fëmijëri, të ndjente peshën e rrënimit, dhunën e përçmimit dhe pastaj dora-dorazi, belbëzimet e para të ringjalljes.
 Një njeriu të cilit që në fëmijëri e në rini të hershme ju skalit karakteri dhe forca morale pasi i ra për pjesë të ishte dëshmitar i djegies së shtëpisë atërore nga diktatura ateiste dhe të cilit, i’u konsolidua besimi tamam atëherë kur feja varrosej me pahirin e kërbaçit dhe krimit shtetëror, nuk kish se si të mos kërkonte shëlbimin në mirësinë dhe bukurinë e natyrës, por edhe në perfeksionin e artit dhe artizanatit të mbrujtur nga dora e besimtarit.
 Mermer, granit, porfir, vitrazhe me arabeska befasuese për nga rrafinimi i tyre, kaligrafi arabe gjithmonë shoqëruar me transliterim në shqip të emrave të martirëve të besimit bektashian, gjenden në këtë faltore, jo për t’i shpallur pelegrinit fuqinë shekullore të një feje apo të një riti, por për ta ftuar që të ketë pjesë në pasurinë dhe trashëgiminë e pasosur të përshpirtshmërisë bektashiane.
 Kush nuk do të aderonte, në fakt, dhe kush nuk do të gjente paqen në këto fjalë të nxjerra edhe një herë, nga e madhërishmja “Fletore e Bektashinjet” e Naim beut të madh, i cili shkruan: “Kush përçudnon njerinë dhe njerëzinimin, rradhitet mes kafshëve… Njeriu nuk është kurrë nën hekura, në çdo pikpamje ai i përket lirisë dhe për çdo veprim të tijin është përgjegjës”.
 Baba Reshati e deshi, e ëndërroi dhe e projektoi shumë kohë përpara se sa të kishte mundësi për ta ndërtuar, selinë bektashiane si një kopsht ku të kultivohej liria dhe larmia, ku mistika, po aq sa arsyeja dhe kultura të kishin një parcelë të zgjedhur e të shqueshme që në sy të parë. Një kopsht, ku në rrënjët e traditës, e vjetra të përtërihej, pa u përhumbur, si risi e shekullit tonë.
 Kur Baba Reshati, i cili si shenjtët e moçëm në Perëndim dukej se e kishte paraparë momentin kur do të ndahej nga jeta e këtushme, këmbëngulte në gjetjen e mjeteve për të përfunduar Odeonin, mua më përçonte gjithmonë përshtypjen që parashihte një ndërtesë simbol, me një domethënie unike.
 Ja ku jemi këtu ne të mbetur pas ikjes së tij, dëshmitarë të vizionit te jashtëzakonshëm të një njeriu në pamje të parë shume të zakonshëm, por në thelb të shenjtë. Dhe jam krenar që projekti i ngritur mbi ate vizion mori mbështetjen financiare te qeverisë sonë, e cila në fakt duke mbështetur ndërtimin e kësaj faltoreje, nuk përmbushi thjesht amanetin e një njeriu të shenjtë, por kreu një detyrë patriotike karshi bektashizmit dhe të gjithë bektashinjve shqiptarë. S’kam asnje dyshim se në këtë truall brezave u mbetet një monument i cili për nga mesazhi që mbart, siç do të thoshte poeti i lashtë Horac, “do të jetë më jetgjatë sesa vete çeliku”
 Pa minare, pa gjysëmhënë, pa yje, pa të tjera simbole të pazëvendësueshme, një faltore që i përket universit shumëngjyrësh të fesë islame mund të habisë këdo që nuk e njeh bektashizmin. Të them të drejtën unë nuk e di, as si, as kur, as në ç’moment, as për ç’arsye, tarikati i bektashinjve ka hequr dorë nga shpallja qartazi dhe prerazi e përkatësisë së tij ndaj një universi fetar në një ritual aq të përcaktuar. Ndoshta kjo ka ndodhur për të mos larguar asnjë udhëtar nga pragu i teqesë, cilido mund të ketë qënë besimi i tij. Si pasuria më e madhe e bektashinjve, njeriu është aspirata, shpresa dhe pritshmëria madhore, guri filozofal i tempullit mistik që është në të vërtetë çdo teqe apo çdo tyrbe.
   Në pragun e një teqeje, çdo njeri e ndjen edhe nëse nuk e kupton sensin e thellë të këtyre fjalëve të Fletores së Bektashinjve: “Bektashiu nuk përbuz asnjë besim, por i respekton të gjithë, siç respekton të gjithë librat e mësimet mbi jetën e përtejme”.
 Nën këtë kube e nën këto qiparisa, në këmbët e Haxhi Bektash Veliut e nën vështrimin e Naimit, i krishteri, ortodoksi, katoliku apo ungjillor qoftë, është në shtëpinë e vet, po aq sa është myslimani synit, çdo besimtar, por edhe jo besimtar, çdo filozof, por dhe çdo i panxënë, çdo njeri, dhe deri çdo ateist i thekur.
 Me këtë faltore, gdhendet në gur të punuar e të fisëm, porosia e madhe e bektashizmit e cila shkrihet në një me atë të rilindësve tanë të mëdhenj:
 “Së bashku më krerët dhe fisnikët, të inkurajohet dashuria, vëllazëria, bashkimi dhe miqësia mes të tërë shqiptarëve; të mos ndahet kurrë myslimani nga i krishteri dhe i krishteri nga myslimani, por së bashku të punojnë.
 Së bashku të udhëtojnë drejt dritës së pasosur, që Shqiptari, në tërë botën i shquar për diturira, kurrë të mos përpihet nga errësira!”
*Fjala e Kryeministrit Rama ne Odeon

Filed Under: ESSE Tagged With: Fjala e Kryeministrit Rama, ne Odeonin bektashian

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT