Nga Arjan Th. Kallço/
Universiteti Fan S. Noli, Korçë /
Arsimi dhe përsëri arsimi, ky është dhe do të mbetet lajtmotivi më madhor i një vendi nëse dëshiron që e ardhmja vërtet t’i buzëqeshë. Bota ose më mirë pjesa dërmuese e saj e ka kuptuar qysh në agimet e shoqërisë, e kupton edhe sot, pavarëisht se dituria ka arritur shkallë të tilla që dikur ishin vetëm ëndrra. Me arsimim mund të arrihet dhe të fitohet mbi çdo sfidë. Me arsim projekton vizione dhe arrin rezultate. Me arsim fiton njeriun dhe ngre një shoqëri të denjë për kohën. Por tek ne në të gjitha këto vite, nuk janë pak, por 8-të, arsimimi i njeriut u pa si një gjë e dorës së dytë, pa të cilin mund të mbijetosh në pushtet, por që shumë shpejt tregoi se është vetëm një iluzion që herët a vonë do të shpërthente. Ta reduktosh sektorin më strategjik të një vendi në një synim ku vetëm teknologjia është primare, ndërsa njeriu skllav i tij që vetëm thith, por kurrë nuk mendon, rezulton gabim fatal. Arsimi është si një shoqëri që kërkon vëmendje të gjithanshme, por dy shtyllat kryesore nuk mund të lëvizen: forma dhe përmbajtja. Të investosh vetëm për të parën dhe këtu nënkuptoj të gjithë infrastrukturën apo modele të shëmtuara të Perëndimit, do të thotë të mos kuptosh abc-në e thelbit. Forma është logjika e përmbajtjes, por tek ne kjo e dyta, e humbi të gjithë vlerën, pasi u prodhuan reforma që në realitet e shkatërruan krejtësisht atë. Ideja e politikës militantiste bëri që shkolla shqiptare të endej në paformësi përmbajtjesh dhe ndryshime të pathemelta që nuk mund të mbanin dot peshën e rëndë të dijes. Kur idetë apo orientimet dalin nga kaosi politik, detyrimisht që edhe shkolla do të ishte një kaos i vërtetë. Një produkt i menduar si një plotësues i nevojave të politikës rrugace për synime afatshkurtëra, nuk mund të funksiononte normalisht dhe me jetëgjatësi. Po të fillojmë dhe të ballafaqohemi pak me Europën ku ende vazhdojmë të bërtasim se duam të hyjmë në të, do të shohim se jemi afër gjeografikisht, sepse me ëndrrën politike ia kemi kaluar, do ta kuptojmë sesa na kushtoi i gjithë shkatërrimi 8 vjeçar. Jo shumë larg, porn ë ditët e fundit të muajit të kaluar, OSBE-ja nxori raportin e saj të përvitshëm që lidhet me arsimin në të gjitha vendet që e përbëjnë atë. Por më tërhoqën vëmendjen dy fakte që lidhen me shifra të shprehura në investime për arsimin dhe tjetri kur investimi nuk realizohet në % e disa vendeve lidër, kriza e ka mbërthyer keq edhe vetë Europën, i mëshohet faktorit njeri dhe brezave të arsimitarëve të përgatitur dhe formuar në vite. Qeveria e re që do të instalohet në muajin shtator dhe që mori plebishitin mbarëpopullor, duhet të fillojë të mendojë seriozisht që t’i vendosë mbi brazda të reja dhe baza të qëndrueshme të gjitha nivelet e arsimit. Europa kërkon standarte dhe këto duhen siguruar sa më mirë dhe shpejt. E kuptoj se kriza ka bërë punën e vet dhe ndoshta investimet nuk do të jenë në masën që duhet, por kemi në dorë faktorin e dytë që të mund ta mbyllim disi plagën. Përzgjedhja e mësuesve dhe pedagogëve nuk duhet më t’i lihet në dorë militantizmit, por një seleksionimi tepër të rreptë. Përmbajtja është faktor i cili nuk mund të nënvleftësohet më, prandaj profesionistët e arsimit duhet ta thonë fjalën e vet. Në raportin e OSBE-së një prej vendeve që u kritikua për progress të vogël është Italia. Përveç moshës së mësuesve, ky nuk do të ishte problem, nëse ndryshojnë ligjet e pensionit, ka mungesë të theksuar të diplomuarisht që të përgatiten për punësim në arsim. Por edhe paga e tyre është shumë më e vogël se e vendeve kryesore europiane që në disa prej tyre ëshët edhe dyfishi. Ndërsa tek ne të diplomuarit janë të panumërt, sigurisht dihen nivelet e tyre, dhe universitetet janë shndërruar në fabrika diplomash. Për më tepër, ironia e fatit, po bëjmë me diploma edhe të huajt që nuk janë në gjendje t’i marrin në vendin e tyre. Ky është niveli real i universiteteve shqiptare përballë atyre simotrave europiane.
Instituti i njohur i Parisit, pas raportit të OSBE-së, botoi një tjetër raport që lidhet me arsimin në vitin 2013, duke evidentuar të gjitha të metat e sistemit të formimit Italian. Sipas tij Italia është i vetmi vend i OSBE-së që nuk e ka rritur shpenzimin për nxënës në dy nivelet e para të shkollës që nga viti 1995. Kur ndërkohë vendet e B.E-së e kanë rritur mesatarisht 62% nivelin e shpenzimeve për të njëjtat nivele arsimore. Pyetja është e pashmangshme: tek ne sa herë janë rritur shpenzimet për nxënës në 8 vjetët e qeverisjes së djathtë? Nuk është nevoja që të jepen shifra fiktive sa për të dhëna, por duhen parë saktësisht që më pas të bëhet dallimi me qeverisjen e mëparshme. Ky do të ishte hapi i parë i qeverisë Rama që më pas të krijohen strategjitë e drejta të arsimit. Sa ka investuar shteti shqiptar për njeriun dhe sa situata e sotme kërkon që të investohen. Përsa u përket universiteteve italia ka një meritë, pasi qëndron më lart se vendet e tjera, me një investim prej 39% që në vendet e OSBE-së është në masën 15%. Por kjo rritje i detyrohet financimeve që vijnë nga burime private – sipas gazetave italiane. Ndërsa tek në kultmin e krizës, financimet shtetërore u kaluan edhe për sektorin privat të arsimit. Por përsëri niveli i shpenzimeve është një raport tepër i vogël me vendet e tjera që shpenzojnë një mestare prej 13.528 dollarë për student, ndaj 9580 që shpenzohen në Itali. Politikat e këtyre vendeve të përparuara janë të qarta dhe largpamëse, pasi që të jenë konkurruese në treg, duhet investojnë për arsimin universitar. Nga ana tjetër duke kursyer për arsimin, është rritur numëri i nxënësve për mësues dhe i orëve vjetore të mësimit për ta, ndërsa ka një pakësim të orëve për nxënësit. Një masë e tillë mund të kishte dëmtuar mundësinë e të mësuarit, por nuk e kanë bërë këtë gjë: në vlerësime 15 vjeçarët kanë rezultate të qëndrueshme në lexim dhe janë përmirësuar më matematikë dhe shkenca. Ka një përmirësim të efikasitetit në përdorimin e burimeve, por pjesa tjetër është shkatërrim – theksojnë gazetat. Disa shifra të tjera flasin qartë për gjendjen aktuale të të diplomuarve: Të diplomuarit janë të paktë, 15% e popullsisë nga 24-64 vjeç, ndaj një mestareje 32% të OSBE-së. Në vitet 2003-2009 ka rënie të 15 vjeçarëve që shpresonin të merrnin diplomë, nga 52 në 41%. Sipas Senatores Puglisi duhet dyfishuar numëri i të diplomuarve dhe përgjysëmuar humbja brenda vitit 2020. Në reduktimin e numërit del kriza e besimit tek të rinjtë. Deri këtu pamë sesi është administruar fakti i parë me probleme të shumta për të ardhmen e vetë Italisë, pasi shifra të tilla do të thotë se pas një periudhe 20 vjeçare, do të duhet të përballen me mangësi të shumta në kudro. Por fakti I dytë është më domethënësi sipas zonjës Di Menna e sindikatave UIL, e cila përsërit qëndrimin e sindikatës për rritjen e shpenzimeve në arsim, si për nxënësit, ashtu dhe për që janë më të ulta në Europë. Rezultatet – vazhdon ajo – vijnë si rezultat i impenjimit profesional të mësuesve, pavarësisht numërit në rritje të nxënësve për klasë. Italia është një ndër vendet më të industrializuara të botës dhe nga politika të gabuara arsimore, po i paguan sot ato në renditjen europiane, që do të thotë një vend më pak kompetitiv në tregun e përbashkët europian. Por kemi edhe një fakt tjetër shumë domethënës, pasi shumë të diplomuar, duke mos gjetur punësim në Itali, po detyrohen të largohen drejt vendeve që u ofrojnë kushte më të mira pune dhe pagese. Në një krizë të tillë alarmante është dhe Greqia e cila vitin e kaluar pa t’i largoheshin rreth 40% e të diplomuarve drejt Amerikës dhe Europës.
Uroj që qeveria e re ta marrë shumë në konsideratë arsimin, për ta bërë atë siç ka qënë dikur të fortë dhe tani konkurrues në një realitet të ri, atë europian. Kjo kërkon prej saj një impenjim që në ditët e para, me përzgjedhjen e satfeve fituese, ndaj korrupsionit dhe apatisë. Një shkollë e rënuar nga korrupsioni, paaftësia dhe plogështia, do të ishte gjemb në këmbë në të ardhem e kombit.