Ashtu siç ishte njoftuar, të shtunën e 31 Majit, dega e Vatrës në Queens, NY, u mblodh në një takim para Kuvendit Vjetor të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA.
Në takim merrnin pjesë nga Kryesia e Vatrës, sekretarja e Federatës Vatra, Nazo Veliu, editori i Diellit, Dalip Greca, dy anëtarët e Këshillit të Vatrës, pjesë të kësaj dege, zotërinjët Bashkim Musabelliu dhe Lek Mirakaj.
Takimin e ka hapur kryetari i degës së Vatrës të Queensit, dr. Skënder Murtezani. Ai tregoi për përpjekjet që ka bërë kjo degë për t’u riorganizuar , për të shtuar anëtarësinë dhe për të përcjellë mesazhe vatrane tek shqiptarët e kësaj zone. Dr. Murtezani tha se janë bërë disa qindra telefonata nëpër familjet shqiptare të Queensit, ku janë përcjellë mesazhe për Federatën Vatra dhe historinë e saj 102 vjeçare. Natyrisht, tha ai,nuk jemi të kënaqur me anëtarësinë egzistuse, pasi mundësitë e shtimit janë të shumta. Dega ka rezerva për t’u dy e shumëfishuar.
Më pas dr. Murtezani u ndal në dy nga veprimtaritë e degës së Queensit, në atë kushtuar Apostullit të Shqiptarizmit, Mithat Frashërit, veprimatri që u zhvillua në Hotelin, ku u ndal zemra e atdhetarit të madh dhe në veprimtarinë kushtuar historisë dhe tragjedisë së Çamërisë.
Po ashtu dr. Murtezani shfaqi projektin për hapjen e një shkolle shqipe nën kujdestarinë dhe drejtimin e degës së Vatrës. Ai tha se e ka siguruar objektin e shkollës shqipe dhe se ai vetë do të shlyente detyrimet financiare për objektin e shkollës. Por me kaq nuk mbaron puna, ne sapo kemi filluar, komentoi ai.
Kryetari i Komisionit të projektit të ndryshimeve të Kanunores së Vatrës, anëtar i Këshillit të Vatrës, juristi Bashkim Musabelliu, bëri një paraqitje esenciale të projektit të rishikuar të Kanunores së Vatrës. Ai u ndal në paketën e ndryshimeve, në nevojën që dikton koha e sotme për këtë Kanunore-hartuar para 102 vitesh, dhe ftoi pjesmarrësit që të shfaqnin mendimet e tyre rreth këtij projekti, siç ishte parashikuar në rendin e ditës të këtij takimi. Musabelliu iu përgjigj pyetjeve që u drejtuan nga salla.
Anëtari i Këshillit të Vatrës, Lek Mirakaj, shfaqi rezervat e tij për domosdoshmërinë e ndërhyrjes në Kanunore, në këtë dokument historik 102 vjeçar. Ai tha se nuk është Kanunorja ajo që pengon veprimtarinë e Vatrës dhe se vlerat e Kanunores egzistuese mbeten historike dhe nuk duhen prekur, por mund te behen amendamente. Më pas z. Mirakaj shfaqi kritika me projektin dhe kryesisht kufizimet që diktojnë disa nga nenet e shtuara. Kufizimet që vihen, tha ai, ia heqin karakterin e lirë Vatres, karakterin e një shoqate të hapur, dhe e afrojnë atë me partitë politike. Po ashtu, Mirakaj, konstaton se ka shumë kopetenca në dorën e kryetarit, çka dëmton karakterin demokratik të Federatës. Vatra duhet të jetë më hapur dhe jo e kufizuar, tha ai. Z. Mirakaj shfaqi mendimin që strukturat udhëheqëse, përfshi Këshillin, duhet ët zgjidhen në Kuvend.
Pjesmarrësit ishin aktivë në diskutime. Takimi u karakterizua nga debate dhe toleranca e rrahjes së mendimeve.
Diskutuan, Ylli Dosku, Altin Qosja, Monda Musabelliu, Panajot Përmeti, Halit Shpuza, Erjon Bardhi, Ymer Dervishi, Arben Bardhi,Qazim Velaj, e të tjerë.
Sekretarja e Vatrës, Nazo Veliu, pasi falenderoi degën për përpjekjet e saj për t’u organizuar dhe për të shtuar anëtarësinë, informoi për përgatitjet e Vatrës për Kuvendin vjetor që do të organizohet me 14 Qershor. Ajo u ndal edhe në mesazhet që duhet të përcjellim tek shqiptarët që nuk janë anëtarë të Vatrës. Të jesh në Vatër është krenari, por edhe obligim kombëtar,tha ajo. Duke folur për projektin e hapjes së shkollës shqipe, Veliu orientoi gjithëpërfshirjen e degës me qëllim që të mos lihet kjo detyrë vetëm tek kryetari. Ruajtja e gjuhës shqipe në mërgim është sfidë e hershme e Vatrës dhe ne duhat ta çojmë më tej.Është e pafalshme që fëmijët e shqiptarëve të humbin gjuhën këtu në Amerikë, ku vetë shteti të parkrah qoftë në hapjen e shkollave, qoftë edhe në veprimtaritë kulturore.
Për këtë pikë diskutoi nënkryetati i degës së Vatrës së Queensit, Halit Shpuza, i cili para disa vitesh mori inisiativë për hapjen e shkollës shqipe pa pagesë në Ridgewood, por që mbështetja e familjeve shqiptare ishte e pa mjaftushme dhe të gjitha shpenzimet e familjes Shpuza, përfshi dhe librat e fletoret,shkuan kot. Para se t’i hyjmë këtij projekti, duhet të bindemi se sa mbështetje do të kemi nga familjet shqiptare, sygjeroi ai.
Në takim diskutoi edhe editori i Diellit Dalip Greca, i cili kërkoi më shumë mbështetje për gazetën Dielli, që është regjistri më i vjetër i Botës shqiptare prej 105 vjetësh, por është edhe një zëdhënës i fuqishëm i Vatrës. Ai mirëpriti sugjerimet për ta përcjellë gazetën, përveçse tek vatranët, edhe tek komuniteti shqiptar.
Editori i Diellit, kërkoi që puna me pasion atdhetar e kryetarit të degës, dr. Skënder Murtezani, kërkon më shumë mbështetje nga strukturat dhe anëtarët e degës me qëllim që atij t’i lehtësohet misioni sepse profesioni i mjekut ia kufizon kohën e lirë.
Ndërsa për projektin e degës së Queensit për të hapur në të ardhmen një shkollë shqipe, editori e vlerësoi pozitivisht, por sygjeroi që të ngrihet një grup pune që tani, të trokitet derë më derë në familjet shqiptare, dhe t’u flitet për projektin, si një obligim i Vatrës për ruajtjen e gjuhës shqipe, traditave dhe kulturës kombëtare. Ai tha se Vatra që në kohëthemelimin e saj, më 1912 është marrë me shkollimin në gjuhën shqipe të shqiptarëve, të vegjëlve dhe të rriturve. Në një nga mbledhjet bashkuse të Vatrës, konkretisht në atë të 24 prillit, siç dëshmohet në rekordet e Vatrës, që ruhen në arkivin e saj, tregohet se dy nga anëtarët e Komisionit, nuk mundën të merrnin pjesë në takim sepse ishin në çeljen e shkollës shqipe. Dhe këta qenë editori i Diellit Kristo Floqi dhe delegati Kostë Kota. Pra që prej 102 viteve të shkuara Vatra u mor me shkollën shqipe dhe e ka vazhduar edhe më vonë, deri në ditët tona, ku vihet re një përtëritje e traditës. Një shembull për këtë vazhdimësi na e dha dega e Vatrës në Jacksonville, që e bëri projektin realitet. Ky projekt kërkon pasion dhe përkushtim. Ndërsa për shtimin e anëtarësisë, ai solli si shembull po degën e Jacksonville me kryetar Adriatik Saphiun, që ka çuar numrin e anëtarve në më shumë se 80 vetë, ndërkohë që ishte inisiator edhe për hapjen e degës së Vatrës në Hartford, degë që ka 35 anëtarë. Po ashtu ai po përgatitet që këto ditë të organizojë dhe një degë të re në Florida.
Në këtë takim kishte dhe përfaqësues nga Brooklyni, të cilët premtuan që të kontribuojnë në krijimin e një dege atje.
Në fund të takimit, me propozime nga anëtarësia pjesmarrëse, u zgjodhën delegatët për Kuvendin e Vatrës. Ata janë:
1-Skënder Murtezani, si kryetar i degës dhe anëtar i Këshillit.
2- Raimonda Musabelliu
3-Ylli Dosku
4-Teodora Përmeti
5-Halit Shpuza
6- Qazim Velaj
NJOFTIM I KRYETARIT TE DEGËS SË VATRËS NË QUEENS
Dega e Federatës Vatra në Queens njofton anëtarët e saj dhe simpatizantët se mbledhja e radhës do të organizohet me 31 Maj 2014 në orën 9 e 45.
Adresa e takimit është 7200 Douglaston Parkëay, Litlle Neck, NY 11362.
Takimi do të nisë me regjistrimin formal dhe plotësimin e të dhënave dhe do të vazhdojë me:
1. Puna e degës së Queens-it mes dy mbledhjeve
2. Masat që do të merren për hapjen e shkolles Shqipe nag dega e Vatrës në Queens prej 1 Shtatori te ketij viti
3. Diskutim per menyrat e reja se si te afrohet komuniteti i Queensit rreth degës së Vatres
4. Diskutime për ndryshimet në Kanunoren e Vatrës, përshtatjen me kohën e sotme.
5. Te ndryshme
6. Zgjedhja e delegatëve për Kuvendin e ardhshem të Vatrës që do të organizohet me 14 Qershor 2014, në orën 10 para dite.
Kryetari i degës së Vatrës
Dr. Skënder Murtezani