• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LUFTA E KLASAVE NË SHËNDETËSINË E VITEVE 80

November 25, 2020 by dgreca

NJË  JETË  NË  DIKTATURË/

(Kujtime të një “armiku të klasës”)/

Shkruan: EUGJEN MERLIKA/

  “Ktu vaji e trishtimi/

Veç ndihet ndër shpija/

Ktu ndihet tingllimi /

I hekrave të mija/

E gjama e nji të shkreti/

Qi bjen vala e detit.”/

NDRE  MJEDA /

LUFTA E KLASAVE NË SHËNDETËSINË E VITEVE 80

Lirimin nga burgu para kohe Komisioni i internimeve e ktheu në shkurt 1984 në internim, pa asnjë farë motivacioni. Një komunikim i thjeshtë i një punonjësi të Degës, në praninë pompoze të kryetares së këshillit dhe të sekretarit të Partisë që vërtetonin aktin “human”, më fuste në një burg të dytë, por pa tela me gjemba. Ishte një modë e re n’atë kohë, një fushatë internimesh me karakter ordiner për të goditur shfaqjet e huaja me rrezikshmëri shoqërore si vjedhja, imoraliteti etj.. Në këtë fushë u përfshiva dhe unë së bashku me shumë të tjerë të liruar nga amnistia. A do të plotësonim numrin e planifikuar nga ministria e punëve të brendshme apo partia dhe shteti e shihnin me keqardhje aktin e tyre “zemërgjerë” të lirimit tonë nga burgu?

Interrnimi në ato vite kishte karakterin e një paraburgimi. Rregulla shumë të rrepta kushtëzonin jetën e përditshme e sillnin vështiresi të mëdha për lëvizjen e nevojat familjare. Të gjithë në shtëpi ishim të internuar e pasojat ndiheshin shumë, sidomos në çështjet e shëndetit. Këtu dua të tregoj  disa episode të dhimbshme. I pari ka lidhje me vajzën time të dytë, Elenën. Në moshën pesë vjeçe asaj iu shfaq një dhimbje e fortë barku që e mundonte pothuajse vazhdimisht. Mjeku i zonës dyshoi për parazitë për muaj të tërë; ajo piu gjithfarë barnash të farmacisë e të mjeksisë popullore, por pa rezultat. Vuajtjet e fëmijës së shkretë, që kalonte herë-herë dhe netë të

tëra pa gjumë në krahët tanë, na shqetësonin pa masë. Duke parë gjendjen e fëmijës dhe rezultatin jo të kënaqshëm të mjekimeve, mjeku vendosi t’a shtrojë atë në spitalin e Lushnjës. Deshëm ta çonim të nesërmen në qytet, e kërkuam lejen përkatëse nga personi që na bënte apelin e që ishte sekretar i këshillit. Por ky person, sigurisht në marrëveshje me Degën e Punëve të Brendshme e manipuloi mjekun deri në atë shkallë, sa që ky i fundit të nesërmen doli me mendimin se fëmija nuk ka nevojë për t’u shtruar në spital. Kjo ndodhte sepse unë nuk kisha të drejtë të shkoja deri në qytet për të çuar fëmijën. Le ta gjykojë vetë lexuesi gjendjen shpirtërore të një prindi në të tilla kushte. Si pasojë e pamundësisë për ta çuar vajzën tek specialistët, asaj iu bë kronike një sëmundje veshkash, të cilën e zbuloi mbas një viti doktor Polikron Çela. Atij mjeku i jam shumë mirënjohës për kujdesin dhe humanizmin e tij të spikatur në kryerjen e detyrës. Para disa kohësh lexova në gazetë se dikush e kishte qëlluar këtë mjek të shquar duke i thyer krahun. Nuk di se kush ka qenë, por jam i bindur se do të jetë shok ideali i atyre që nuk deshën të shërohej fëmija ime, më erdhi shumë keq, diçka më theri në shpirt…

Nëna ime vuan nga një koleksion sëmundjesh; vetë kushtet e jetës së saj e kanë stimuluar shfaqjen e tyre. Në kohën që ishte e internuar në Grabjan është detyruar të shtrohet dy herë në spital, në gradë të fundit, nga veshkat dhe nga zemra. Radhën e parë mjeku nefrolog Fatmir Dabulla e kishte në patronazh. Kisha patur të bëj me të për çështjen e vajzës, ai më kishte rekomanduar vizitën e saj tek Dr.Polikroni në Tiranë dhe herë mbas here e kontrollonte vetë. Nëna ishte me një krizë të rëndë pielonefriti, gati të kalonte në azotemi. Mjeku e vizitoi me kujdes, dërgonte infermieren të bënte analizën e duhur, e pastaj me seriozitet profesional më shpjegoi gjendjen e rëndë të nënës. Nuk kishim ndonjë konfidencë të madhe, ai më mbante mend një çerek shekulli më parë në shkollë, megjithëse kishte qenë disa vjet prapa meje. I shpjegova gjendjen time aktuale, se si nuk kisha mundësi t’i gjendesha nënës pranë, veçse kur të më jepte leje Dega e Punëve të Brendshme për të shkuar në qytet. Nuk reagoi me fjalë, u bë shumë serioz dhe më siguroi se do të përdorte të gjitha mjekimet e duhura e për rreth dy javë do ta stabilizonte gjendjen e saj shëndetësore… Kështu u ndava me të me besim në fjalët e tij. Por mbas rreth dhjetë ditësh më lajmëruan të shkoj të marr nënën. Si ka mundësi të jetë shëruar kaq shpejt? Më jepet leja e shkoj së bashku me një miken tonë që nuk ishte më e interrnuar. Takoj Fatmirin dhe e pyes si qëndron çështja. Ai i vrenjtur në fytyrë shtypet në vetvete e s’është në gjendje të më japë përgjigje. Po unë atë e lexoj vetë në fytyrën e tij, në atë fytyrë që para pak ditësh kishte qenë e mbushur plot besim se do t’ia dilte në krye një pune të tillë të vështirë, shërimit të një njeriu. Tani lexoja në të zhgënjimin, keqardhjen për pacienten, për mua e sigurisht dhe keqardhje për veten e tij… Ai si mjek duhej t’i shikonte ndryshe pacientët e tij, duhej t’u shërbente sipas pozitës shoqërore e politike, sipas përkatësisë “kllasore”, duhej të shkelte mbi nenin e parë të librit të madh të botës së mjekësisë, mbi parimin e Hipokratit “Të jesh mjek, së pari duhet të jesh njeri”. Më dha recetën për gentamicinën, një antibiotik i fuqishëm, të cilin ai kishte filluar t’ia injektonte nënës, por që mbas dy ditësh një tjetër mjek jo i specialitetit kishte dhënë urdhër t’i ndërpritej.

Ç’ishte ky “mjek” apo më mirë të themi kasap që e kishte dhënë urdhrin t’i ndërpritej mjekimi pa dalë nga spitali? Nuk dua t’i përmend emrin, emra të tillë e ndyjnë shkrimin, ata nuk duhet të ekzistojnë as në kujtesën e njerëzve. Ai ishte anëtar i PPSH, ishte shef pavioni, një farë polici i institucionit mjekësor, i shkolluar në sajë të farefisnisë me një zonjë të madhe të regjimit, dhe ishte i ngarkuar në spital të zhvillonte “luftën e klasave” jashtë çdo parimi njerëzor që i njeh dhe të dënuarit me vdekje të drejtën e mjekimit apo shërbimit para ekzekutimit. Çfarë përshtypje do t’i kishte bërë Marksit një fakt i tillë? Kjo shoqëri e projektuar prej tij, për të “ndrequr” padrejtësitë e botës së kapitalit, sa bukur do të përkonte me dukuri të tilla që ilustronin “humanizmin” socialist të saj në prag të vitit 2000!!!

Unë e mora nënën për krahu, me zor e çuam deri tek një makinë që për fat ishte afër spitalit dhe shkonte në Grabian. Më erdhi shumë keq për të që ishte në një gjendje të rëndë, më erdhi shumë keq edhe për veten por m’u dhimbs mjeku. Ai njeri i mirë, që mundohej të kryente detyrën me aq përkushtim e njerëzi ishte i detyruar t’u bindej tekave të një krimineli injorant, të diplomuar në armatën e të paaftëve, por që në sajë të vetëm një triske të kuqe në xhep bënte ligjin. “Socializmi është një luftë ndërmjet të aftëve dhe të paaftëve. Fatkeqësisht në këtë luftë më të shumtën fitojnë të fundit”. Këto fjalë të Ismail Kadaresë u vërtetuan pothuajse në çdo hap të shoqërisë që na rriti e na gjymtoi.

Merret me mend gjëndja shpirtërore e tij, personaliteti i vrarë, dinjiteti i çuar në pikën zero. Në një rast tjetër më vonë ai mjek, ishte qortuar deri në komitetin e partisë, sepse kishte vizituar në Pluk një të sëmurë me azotemi që i kishte ditët e numëruara. Ishte zgjatur pak në këtë vizitë, duke u munduar të kryente detyrën e tij më shumë si njeri se sa si mjek duke i dhënë kurajo pacientes për ta mbajtur të gjallë shpirtërisht me shpresën se shkenca do të bënte mrekullinë e saj. Ishte një vepër tejet humanitare: t’i largonte sadopak imazhin e tmerrshëm të vdekjes një gruaje në moshën dyzetepesë vjeçare që nuk kishte njohur në jetën e saj veçse vuajtje. Për këtë mori vërejtje në komitetin e partisë, sepse kishte shkelur në shtëpinë e të deklasuarve, nuk kishte respektuar kodin famëkeq të ndarjes së klasave. Sa turp, si do të na dënojnë brezat e ardhshëm sepse poshtërsinë dhe antihumanizmin i vumë në institucion e në piedistal…

Por megjithatë Fatmiri nuk u thye; ai vazhdoi t’i shërbejë profesionit të tij, me gjithë vërejtjet, qortimet, padrejtësitë që ndeshi në çdo çap të punës së tij, e kjo vërtetohet në qindra e qindra raste të cilat çdo ditë jeta i vu përpara si prova. Ai më pret mua dhe të tjerë si unë si njerëz, si

gjithë të tjerët, na jep këshillat mjeksore, interesohet për të sëmurët, pavarësisht se dikujt ndofta ende nuk i pëlqen ky qëndrim. Ai ka respekt për vuajtjen, për dhimbjen njerëzore, por jo thjesht si mjek, por dhe si njeri, si qytetar, si shqiptar. Dhëntë Zoti që njerëz të tillë të ketë mjaft, sepse janë kusht i domosdoshëm për ringjalljen shpirtërore të këtij kombi të sëmurë rëndë.

Herën e dytë nënën e çuan në urgjencën e spitalit, gjithmonë me lejen e këshillit popullor me një krizë të rëndë në zemër. Mjeku specialist nuk ishte aty dhe e sëmura qëndroi gjithë ditën pa u shtruar në pavion, e vetëm në mbrëmje, një mjek që e njihja mori përgjegjësinë për ta sistemuar përkohësisht në të. Unë u ktheva natën në këmbë, gjithsej 18 km udhë, mbasi firmosa fletë-lejen në degë, për t’ia dorëzuar këtu personit të ngarkuar me detyrën e policit. Mbas dy ditësh përsëri thirrem për ta nxjerrë nënën nga spitali. Nuk jam mjek, nuk kam njohuri të thella në mjekësi, por besoj se nuk do të kishte mjek në botë që të pranonte të nxirrte nga spitali mbas shtatëdhjetedy orësh një të sëmurë me parainfarkt. Këtu, në këtë proçedurë nuk respektoheshin ligjet e mjekësisë por urdhrat e Sigurimit, që njerëz të molepsur me dogmën e luftës klasore, i përçonin nëpërmjet kanaleve deri në pavionet e spitaleve, për t’u zbatuar nga homologët e tyre me bluza të bardha.

Grabian, qershor 1990

Vijon

Filed Under: Analiza Tagged With: E VITEVE 80, Eugjen Merlika, Jete en diktature, LUFTA E KLASAVE, NË SHËNDETËSINË

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT