NGA ASLLAN BUSHATI/Këto ditët e fundit masmedia (stimuluar nga qeveria dhe qarqe të afërta me të), parapëlqeu të vinte në një plan të dukshëm takimin dhe bisedimet e Ministrit tonë të Jashtëm Bushati me homologon e tij grek Kotzias . Dhe më pas me shumë kujdes e me një farë “krenarie” të heshtur, vuri në gojën e këtij të fundit se: është rënë dakort që pala greke të heq “ligjin e luftës” me Shqipërinë. Pra, me fjalë të tjera , prapa bisedimeve na qenka një “fitore e madhe” e politikës sonë të jashtme. Madje duke cituar në ligjiratë të drejtë ministrin e jashtëm grek, vihen ne dukje se kjo ceshtje na qenka e përfunduar, vetëm se duhet të zgjidhet një nga dy opsionet e mundëshme : njeri me anë të një dekreti presidencial ,ose (varianti tjetër jo i pëlqyer prej tij) nëpërmjet një vendimi të Parlamentit të Greqisë. Më pas me shumë hile e mungesë sinqeriteti lëshohen nja dy fraza se : po ashtu ”është rënë dakort edhe për ngritjen e varrezave të reja të ushtarakëve grek të rënë në teritorin shqiptar në Luftën e Dytë Botërore(LBD), sic ka qenë dakort edhe Qeveria e mëparshme, (pra qeveria e PD-së). Tek kjo fraza e fundit fshihet gjithë llumi e ndotësi e marrëzisë së re politike.
Që ligji i luftës i Greqisë me Shqipërinë duhet të hiqet, kjo ishte dhe është një domosdoshmëri midis dy vendeve normale, demokratike e fqinje dhe aq më tepër midis dy antarve të NATO-s, sepse mbajtja më tej e tij është një turp për Greqinë dhe jo për Shqipërinë. Por puna e varrezave greke ne teritorin shqiptar është një maskaradë e re politike që dëmton rëndë interesat e sigurisë tonë kombëtare sot e në të ardhmen, duke bërë tramkë të turpshme varrezash e ligje lufte.
Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra ( përfshi dhe mua personalisht), edhe më para ka folur hapur e me shume forcë kundër këtij fenomeni, duke e konsideruar atë anti kombëtar. Madje i është drejtuar me një ftesë të hapur publike edhe ish Presidentit Topi që të mos e dekretojë se (në gjykimin e Vatrës), kjo është tradhëti e re kombëtare.
Tani, ky problem ka eskaluar shumë , është “maisur”, është bërë i rrezikshëm dhe është koha t’ju thuhet hapur e pa as më të voglin ekuivok grekëve se : Shqipëria nuk ka asnjë përgjegjësi për sulmin që Italia fashiste i bëri Greqisë nga teritori shqiptar në kohën e LDB-së. Sepse sic dihet botërisht , Shqipëria ishte e pushtuar para Greqisë, pra nuk ishte një vend i lirë që mund te merrte vendime të lira. Por vendimet i merrte Jakomoni- mëkëmbësi i Mbretit të Italisë (pra pushtuesi Italian). Ne e respektojmë luftën vetmbrojtëse të Greqisë kundër pushtuesve italianë dhe shprehim respekt për të rënët e saj në LDB brenda kufijve territorial të Greqisë. Por për të rënët grek brenda kufinjeve të Shqipërisë, problemi është shumë më kompleks. Në se ju grekët keni respekt për to , varrezat e tyre duhet ti trasferoni në Greqi në mënyrë që të afërmit të kenë mundësi që t’ju shprehin atyre nderimet e duhura dhe jo të ngreni komplekse memoriale në teritorin e Republikës së Shqipërisë.
Edhe varrezat e mëparëshme ( vecanërisht në Kosinë të Përmetit ), kanë ngjallur shqetësime të medha publike në Shqipëri ,se me to është abuzuar deri në ekstrem. Kujtoj këtu deklaratën e mjekut të nderuar Dr.Meksi, i cili gjatë ekzaminimit të eshtrave të varrezave të sipërpërmendura , konstatoi se jo vetëm ishin grumbulluar eshtra të të afërmve të disa familjarëve përmetar, por, në ato të ashtuquajturave “ushtarë grek”, kishte eshtra plakash(femrash), një fëmije femër gjashtë vjecare, madje edhe eshtra kafshësh. Pra t’ju thush grekëve sot, hajdeni e ngrini edhe ca varreza të reja në teritorin e Shqipërisë është, marrëzi e re politike me kosto të madhe për të ardhmen.
Edi Rama, me” delirin e tij prej gjoja lidershipi ndryshe nga të tjerët” dhe me idenë se do të ndjellte pas qerres se tij politike një pjesë të të përndjekurve politik të regjimit komunist, sajoi një “bunker” sipërfaqsor pranë Ministrisë së Brendëshme në qendër të Tiranës . Ai e quajti atë veper arti kushtuar anti komunistëve, por që në të vërtetë jo vetëm që nuk ishte vepër arti për këtë shtresë të shoqërisë, por një tallje e radhës me to. Ka plot vende që me të vërtetë e meritojnë të kthehen në vepra arti dhe muze kombëtar për të përndjekurit politik si: Spaci, Qafbari, Kampi i Tepelenës, Porto-Palermos etj, për të cilat nuk është bërë asgjë.
Por nuk mjaftuan këto, se” i nderuari Kryeministër”, u tallë publikisht dhe shpalli , ish Vend-Komandën e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare (në veri të Qytetit të Tiranës- afër Shtisht-Tufinës), “bunker art”, vend peleglinazhi për vizitorë shqiptar e të huaj. Kjo Vend-Komandë nuk ishte e diktatorit Enver Hoxha, sic u reklamu (se diktatori ka shkelur në atë hapsirë vetëm një herë në jetën e tij për 15-20 minuta), por ajo ishte një objekt me vlera të pazëvëndësueshme për Ushtrinë Shqiptare në rast lufte dhe specifikisht në rast të përdorimit të armëve të dëmtimit në masë(ADM).
Tani kam rastin ta pyes publikisht të nderuarin Kryeministër Rama se :Kur ndodhi sulmi terrorist mbi SHBA më 11 Shtator 2001 mbi (Pentagon, gradacelat e NY, e Pensilvani) a e dini se ku e strehu personeli i Shtëpisë Bardhë (Zëvëndës Presidenti e personeli tjetër madhor) se Presidenti ishte jashtë Uashington DC me shërbim? Ju a them unë: në tunelin (ose sic mund ti thoni Ju bunkerin) kundër berthamor, si ai i Shtabit Përgjithshëm Shqiptar që ju u tallët me të. Po në rast sulmi bërthamor nga i cmenduri i Koresë së Veriut ? Ju a them une : në tunelin kundër bërthamor, pa as më të voglin dyshim. Po a e dini i nderuar Kryeministër se i gjithë Kremlini (kryeqendra e Rusisë), është i fortifikuar me strehime kundër bërthamore të nëndheshme dhe i lidhur po me rrugë të nëndheshmë kundër bërthamore me objektet strategjike rreth tij? A e din se objektet themelore të qendrës së Pekinit në Kinë (Komitetit Qendror i PKK-së, Parlamenti, Ministritë e institucionet kryesore), kanë strehime kundër bërthamore nën objekt dhe dytësore të gjitha kundër bërthamore si ai shqiptar me të cilin u tallët Ju? A e dini i nderuar se të tilla objekte kanë edhe UK-ja, Franca, Gjermania, Italia, Suedia, Norvegjia… etj etj.
More i nderuar kryeministër avanturier (e ke pak nofkën avanturier) ,a i ke “ti Edi Rama” në dorë kodet dhe celsat e ADM-ve të të gjithë botës? A mendon ti se bota pa urdhërin tënd nuk ka për ti përdorur ADM-të? A mendon ti se rreziku i ADM-ve është zhdukur (përfshi dhe terrorizmin)? Në se mendon se këto pyetje dhe shumë të tjera si këto janë inekzistente, atëherë unë si qytetar shqiptar, si ish specialist dhe drejtues i fushës së ADM-ve, si ish ushtarak i lartë i Ushtrisë Shqiptare më e pakta gjë që mund të të them është:” je i cmendur”. Veprimet tuaja po i shtojnë popullit shqiptar marrëzi pas marrëzie.
Duke e parandjerë se një marrëzi e re shqiptare do të ndodhte në selinë e OKB-së në NY, më 21 Dhjetor 2017, para disa ditësh pata publikuar në shtyp një shkrim me titull:”Deklarata e Presidentit Trump për Jeruzalemin” ku ndër të tjera theksoja (citoj):“Po shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, si ta vlerësojnë deklaratën e Presidentit Trump, në një kohë që kerkojnë ti bashkangjiten BE-së dhe kjo e fundit nuk e mbështet atë. Mendoj se nuk duhet të ketë asnjë dyshim për rrugën dhe qëndrimin pro amerikan. BE-ja ka punët e veta dhe vështirësitë e panumërta, sic shpesh është e pa zonja të marrë vendime të shpejta, të drejta e të bashkrenduara me të gjithë partnerët. Por BE-ja është hapsira të së cilës i përkasim, gjeografikisht, politikisht, kulturalisht etj, pra është shtëpia jonë natyrale”.
Tani që kjo ndodhi ,dhe Shqipëria votoi kundër SHBA-së, mikut tonë më të madh dhe kontribuesit më të madh për ruajtjen e integritetit territorial shqiptar në Lidhjen e Kombeve dhe në realizimin e pavarsisë së Kosovës, mund të them se është marrëzia e radhës e Edi Ramës.
Pa e zgjatur më, do të theksoj edhe një marrëzi të fundit. Ramiz Alija dhe Nexhmije Hoxha, u përpoqën për shumë kohë që ta nxirrnin të larë e të pa përlyer në asnjë gjë të keqe diktatorin Enver Hoxha për gjithë kohën e sundimit të tij. Megjithëse ai sundoi me dorë të hekurt e si një diktator mizor , vrau, preu e shtypi popullin shqiptar pa as më të voglën mëshirë, Ramizi e Nexhmija ja faturuan kriminalitetitn e tij , të tjerëve (grupeve armiqësore). Por kjo nuk qe e mjaftueshme për ta mbrojtur atë dhe Nexhmija u distancu nga Ramizi duke thënë se edhe ai e njollosi qëllimisht figurën e Enver Hoxhës, dhe se Enveri ishte krejt i pastër. Tani kohët e fundit del i biri i diktatorit (Sokoli me të shoqen Liliana), të cilët thonë se fajtoret kryesor janë Nexhmije Hoxha e Ramiz Alija (madje sipas tyre të dy këta kanë qenë pjesë e agjenturës jugosllave që në kohën e LDB-së). Pra arma e fundit e përdorur për mbajtjen gjallë të ndonjë gjëje nga Enver Hoxha ,është edhe sakrifikimi i Nënës (vjehrrës) tyre Nexhmije Hoxha. Këto lloje përpjekjesh unë i quaj shkurt –marrëzi, megjithëse nuk shoh asnjë politikan që ti kundërvihet kësaj prirje mediatike të kohëve të fundit.
Shpresoj e dëshiroj që marrëzitë e politikës shqiptare të ndalohen këtu, megjithëse ajo (politika) është inkubator ose edhe mitër e marrëzive.