• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LEXUESI INTERPRETUES PËRBALLË VEPRËS SË ZHITIT

October 17, 2021 by s p

Neim Zhuri

Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan/

Në krye të faqes së parë të romanit “Funerali i pafundmë”, aty ku mund të ishte prologu, ose në mos, të paktën një epigraf, autori shkruan: altoreliev i një metafore me bronz të munguar Nuk kemi të bëjmë më një epigraf, që ti si lexues i vëmendshëm do dëshiroje të ishte, sepse do të të jepte mundësinë e një leximi prapakthyes dhe do e kishe më të lehtë të shkoqisje domethënien e tekstit, dhe gjallërisht të merrje pjesë ne përpilimin e kuptimit të tij. Apriori do të duhet të merresh me një tekst, interpretimi i të cilit kërkon zbërthim aluzionesh dhe atje ku duhej të ishte jo domosdoshmërisht një prolog, në të vërtetë është “një fletë e grisur nga fundi për tu lexuar në fillim”. Kjo fletë “e grisur nga fundi…” nuk shënjon veçse mirazhin tragjik të një tufe ikanakësh drejt absurdit. Nuk thuhet nga vinin, pse bujtën në këtë “fushëtirë të përdhunuar” dhe ku shkonin? Në këtë fletë “të grisur” nuk ka asnjë kumt, asnjë pohim. Ndërkaq ka nisur “udhëtimi i zi” dhe vjen ndërkohë edhe pohimi i parë: “të ikësh larg… sa më tepër këmbë aq më pak lodhje… kokët janë të rrezikshme. Të menduarit ndryshe gjithmonë prish punë…” Dhe ti që ke marrë përsipër të bësh lexuesin interpretues ndihesh një cast i entuziasmuar mbas këtij pohimi, mendon se ke gjetur fillin që do të shthurë lëmshin e kësaj loje të imagjinatës. Sapo e ke vendosur një lidhje mes tekstit dhe autorit. Shumë vite burg për shkak se pat menduar ndryshe “rrugëtimin e bën më të lehtë mendimi i njejte, i vetëm, i përbashkët” Ky tërthoritet ligjërimi në rastin e aluzionit të përcaktuar kërkon njohjë, pse jo dhe erudicion të lexuesit, për të çkoduar tekstin. Ndihesh në të njëjtin siklet që do të ndiheshe po të të kërkonin të interpretoje “Kumtin Perandorak” te “Kështjella” e Kafkës. Kumtari që e merr kumtin nga perandori, i cili dergjet në shtratin e vdekjes, niset për ta çuar atë tek ata që bëjnë hije nën diellin perandorak. Sakaq, perandori ka vdekur dhe atij i duhet të çajë muret pengues që krijojnë grupet e spektatorëve të cilët janë mbledhur për vdekjen e tij. Atij i duhet të hapë rrugën, por mizëria shtrihet shumë larg, numri i njerëzve nuk ka të mbaruar… ai akoma është në dhomat e brendshme të pallatit, nuk dihet nëse do të dalë ndonjëher prej tyre, por edhe sikur, më tej vijon një pallat tjetër, pastaj një tjetër… gjithandej porta, shkallë, oborre. Askush nuk ja hap rrugën dhe ai do të çonte një kumt, kumtin e një njeriu të vdekur… pas tij shtrihet kryeqyteti i perandorisë. Nuk do të ishte korrekte, nëse e njeh sadopak stilin e Kafkës, ta reduktoje atë çka parashtrohet te “Kështjella” në një kuptim të veçantë, ai ta përjashton vetë çdo mundësi të një interpretimi të tillë pasi thelbin e artit të tij e përbën dykuptimësia. Ndërsa ty, që ke marrë përsipër të jesh lexues interpretues i “Funeralit…”, dhe që të duhet ti nënshtrohesh kodit simbolik të veprës, edhe pse ke sigurinë që vepra nuk mund të protestojë kundër kuptimit që i jep ti, madje siç vëren Roland Bart “ajo as mund ta shpallë si autentik këtë kuptim” (R.Bart, Aventura semiologjike), sapo të është tronditur besimi se e kishe gjetur fillin që do të ndihmonte për ta shthurur lëmshin. Marrëdhëniet e autorit me shtetin diktatorial, kjo metaforë ironike i është dashur autorit për të përqeshur dhe groteskuar botën komuniste. Por,sapo nis të shfletosh disa faqe, kupton se do të ishte fyese për autorin, por edhe për veprën,ta reduktoje vetëm në kaq kuptimin e saj, si një vepër kundër diktaturës komuniste. Duke ndjekur udhen e “funeralit” autori të jep shkas për interpretime të tjera “një ballë jetim u rrudh. Vetullat e trasha sikur kërcyen nga një fytyre tjetër, u afruan për tu bërë një vetull e gjatë si krah korbi mbi dy sy krejt të tjerë që skishin ç’shihnin. Ditë qorre. Shteti dhe varrimi. Po i vdekuri ku bën pjesë, apo është i gjithëkundshëm si vdekja? Po ky varrim është shtetëror. Semos shteti është varrmihës? Eh, më mirë ciklop se je më i fortë. Po më dhëmbin kockat e nofullave. S’duhet të bluaj fjalë më shumë nga ç’lejohet. Do të bjerë shi. Kam reumatizëm në mendime. A do të pushojmë gjëkundi? Kafka ime pikon brenda…” Duket si një marrëdhënie qenësore që njeriu ka vendosur me shtetin e tij shumë herët, ndoshta që nga koha e perandorive dhe që vazhdon deri te demokracitë që presin të rriten, por që të gjitha janë regjime që e kanë të pranishme indoktrinimin dhe totalitaritetin. Heroi i “Funeralit…” na “dëshmon” se ka qënë i pranishëm në çdo varrim, jo vetëm brenda vendit, por edhe në morte të mëdha të përsonaliteteve të klasit të parë. Ka preferuar veçanërisht varrimin e tiranëve. Le të themi që varrimi i Çezarit nuk i pat pëlqyer dhe aq, për të mos thënë fare. Ajo që e pat emocionuar ishte salla në senat ku i patën ngulur thikën. “u ula atje, në shkallët e gurta, veshur me dru dhe doja të rijetoja thikat në brinjët e Çezarit. Sapo kisha veshur shpirtin e tij si një pelerinë dhe në çastin kur filluan të më dhimbnin plagët e tij, e duart i kisha mbushur me gjakun e ndjenjave të mia, erdhën rojet e bashkise së Romës dhe më nxoren”. Funeralisti i Zhitit ka bindjen, se njeriu më i mirë se kudo është në funeral, mbase ngaqë ndihet njëlloj si i vdekuri “dhe i vdekuri është më i urtë se urtësia dhe i papërballueshëm, më filozof se filozofët” Mendimi për ta përqasur romanin “Funerali…” me një vepër kundër diktaturës komuniste, nuk vlen, pasi funeralisti (metanarratori), pohon se parapëlqen jo vetëm mortet e personaliteteve të klasit të parë, por veçanërisht ato të diktatorëve. Ajo që të bën të mendosh për një qasje të tillë është marrdhënia e autorit me shtetin diktatorial. “Një nga novitetet më gjeniale, që kanë mundur të bëjnë komunistët, është pikërisht rinovimi i sistemit ndëshkimor… me fjalë të tjera gjethja gjeniale e komunistëve ishte rikthimi i skëterrës në jetën bashkëkohore”. V. Zhiti ishte një nga ata që brenda asaj skëterre të madhe, po vuan një tjetër skëterrë, që në tipologjinë e prozës së tij është bërë e njohur tashmë si burgologji. Ai i ndjeu më afër se çdokush novitetet gjeniale të komunizmit. Në rastin e funeralit, lexuesit i duhet të mbledhë apriori copëza të rrëfimit për të zbuluar dhe ndërtuar një domethënie. I duhet të marrë përsipër një zbërthim aluzionesh, që në më të shumtën e rasteve e fshehin kuptimin por jo synimin e shkrimit. Duke shfletuar romanin, vjen një cast, që të duket se je bërë edhe ti pjesë e këtij “funerali” që nuk ka as fillim as fund. Ajo që ndjen të të shoqërojë është ritmi i të rrëfyerit, i narratorit funeralist, një zë që të ngjet me një melodi që se ke dëgjuar kurrë por që të mbetet në mendje për shumë kohë edhe pasi je shkëputur nga leximi. Funeralisti “merr pjesë” në varrimin e Enver Hoxhës dhe i duhet të pohojë se qe përballur me një madhështi të rreme. Aty kish parë që grave ju ndalohej me “dekret” të bënin buzët me të kuq, madje nuk duhej të bënin as dashuri në ditët e zisë. Dënoheshe po të buzëqeshje, ndërsa po të qeshje përballeshe me dënime shumë më të rënda. Ndërkohë që vdekja e Mao Ce Dunit përshkruhet si një gjunjëzim grotesk i një populli të tërë, i cili qan në një shesh të stërmadh të mbushur, jo me flamuj, por me tullumbace. Është një liste e gjatë diktatorësh dhe personalitetesh në të cilat funeralisti ka qënë pjesmarrës por madhështia e varrimit që theu një ligj të botës është varrimi i Nënë Terezës. Mbi arkmortin e saj u gjunjëzuan gjithë sundimtarët e botës, ndërsa ajo , plaka fisnike e dobët kockë e lëkurë dontë të buzëqeshnin të vdekurit. Letërsitë bashkëkohore shpesh i referohen teprisë së librave të trashëguara nga një fond kulturor ndër shekuj duke veçuar veprën më të afërt me të në kohë. Kjo krijon ndjesinë e tejngopjes por dhe domosdoshmërinë e kërkimit të risisë “e cila nuk kalon më nëpërmjet një procesi mbledhës, por një fond mbi të cilin çdo vepër përpiqet të shkëputet, e frymëzuar nga një merak risie, aq të thellë saqë historia letrare, do ta ëndërronte veten në modernitet si një revolucion i përhershëm”. Parë në këtë kontekst “Funerali…” i Zhitit përbën në mënyrë të padiskutueshme një risi. Për nga lloji i diskursit është rrëfim që mbështet mbi një erudicion që synon të vendosë të vërtetën,por që ushqehet mbi imagjinaren. Metafora “funeral” të çon drejt kuptimesh ekzistenciale. Përgjatë gjithë tekstit, gjerat që nuk të ndahen asnjë çast janë ankthi dhe vdekja. Të trokasin në kujtesë ndërkaq etërit e ekzistencializmit, Jaspersi, Hajdeggeri dhe Sartri, por dhe ata që me shumë fije të padukshme ishin jashtëzakonisht të lidhur me ekzistencializmin, Niçe e Dostojevski por dhe Rilke, Kafka e Kamy. Sipas Valter Kaufman, ekzistencializmi nuk është filozofi por thjesht emërtim për një numër revoltash kundër filozofisë tradicionale. “është ndjeshmëria e pa kohë e cila mund të dallohet aty këtu në të kaluarën, po vetëm në kohën tonë, kjo ndjeshmëri është rritur deri në protest të organizuar dhe në një shqetësim të shprehur.” Përmasa ekzistenciale është konstatuar nga studjuesit e Zhitit edhe në poezinë e tij që sipas studjuesit A.Aliu “e çfarëdo prejardhjeje qoftë, e çfarëdo objekti frymëzimi dhe shqetësimi, në të gjitha rrethanat e ngjizjes dhe zënies, të kthen te burimi, te kuptimësia e të ekzistuarit” Por poezia e Zhitit i ka të gjitha tiparet që Du Bellay do dëshironte që ti kishte poezia e vërtetë, në gjuhën e tij apo në të gjitha gjuhët e botës. “Ta dish lexues, që poeti i vërtetë që unë kërkoj në gjuhën tonë, do të jetë ai që do të më bëjë të nxehem, të qetësohem, të gëzohem, të vuaj, të dashuroj, të urrej, të admiroj, të habitem shkurt ai do të mbajë frerin e ndjenjave të mia duke më kthyer lart e poshtë sipas dëshirës së tij” Të folurit lirik mjeshtëror që i dha sukses të padiskutueshëm si poet, ka depërtuar natyrshëm edhe në prozën e Zhitit, aq sa kur lexon romanin, te duket se je para një poeme të stërgjatë, të fragmentarizuar, pa kurrfarë fabule dhe skeme kompozicionale. E megjithatë vepra është gjithmonë brenda kufijve zhanëror të romanit, por të një romani ndryshe, jo thjesht për shkak të gjuhës lirike të përdorur por dhe për shkak të hapësirave për të shpalosur një paralele me realitetin, përmes një ngjizjeje imagjinare, që shkon deri në kufijtë e përmasës apokaliptike dhe që groteskon me absurdin e botës. Një stil rrëfimi i ngjashëm me atë të Xhoisit, në trajtën e një rrjedhe që e orienton lexuesin drejt portave të pandriçuara mirë të subkoshiencës. Duke ndjekur rrugën e protagonistit të funeralit e kupton se je duke ecur së bashku me të drejt një shteg dalje që nuk ekziston, je duke ecur për në askund, një askund i ngjashëm të Jozef K të Kafkës, i cili rri përpara derës së Portës së Ligjeve dhe prêt me ditë, me vitë për të hyrë brenda. Çasti i ngjizjes së veprës duhet kërkuar tek metafora e funksionimit të kujtesës, ndryshe objekti metaforik është një lloj palimpsesti i trurit njerëzor. Siç ka pohuar më shumë se njëhërë, një pjesë e mirë e poezive të Zhitit, veçanërisht poezitë ekzistenciale, u shkruajtën në një qeli të errët e të lagësht, ku mungonte edhe drita edhe lapsi edhe letra u “shkruajtën” dhe u ruajtën gjatë në muret e kujtesës së poetit. “Sado pa lidhje të jetë një ekzistencë, thotë Bodler, njësia njerëzore nuk është e turbulluar dhe nëse do të mund ti zgjonim njëkohësisht të gjitha jehonat e kujtesës ato do formonin një koncert të këndshëm ose të dhimbshëm, por logjik dhe pa shkëputje” Në rastin e Zhitit do të përftonim një koncert tragjikisht të dhimbshëm. Si lexues, jam i prirur të besoj, se “Funerali” është ngjizur në njësinë e kujtesës, brenda qelisë së zezë, i populluar në fillim nga banorët e qelive. Me “u ngjiz” nënkuptoj romanin sepse funerali si i tillë ka ekzistuar, ai është i pafundmë edhe në kohë edhe në numër. Funerali nuk ka identitet, sepse nuk ka identitet as i vdekuri në arkmort. Ky ankth parak që shoqëron gjithë romanin, ka lindur pikërisht atje, në skutat e errëta të asaj qelie të lagur, si shumica e motiveve ekzistenciale të krijimeve të autorit, pastaj është ushqyer nga erudicioni i shumë librave të Xhoisit, Kafkës, Borgesit, Kamysë. Mundimi i Sizifit për ta ringritur sërish gurin e rëndë në fund të malit, është një torturë që nuk mbaron kurrë dhe që e bën mitin tragjik. Mendoni ç’torturë do të ishte sikur ai të shpresonte se një ditë do t’ia arrinte qëllimit? Por Sizifi është i qartë në fatkeqësinë e tij dhe fati i tij është absurd, por dhe një fat që përballohet me anë të përbuzjes. I gjithë thelbi i mitit mund të përmblidhej me pak fjalë; njeriu absurd kur mediton përvuajtjen e tij, bën të heshtin të gjithë idhujt. Funeralisti në një farë kuptimi ngjet me Sizifin, përpjekja e përhershme e Sizifit drejt majave, është e mjaftueshme për të mbushur zemrën e tij, sikurse përpjekja e vazhdueshme e funeralistit për të mbërritur në krye të funeralit, atje ku të bie rradha për ta mbajtur një çast mbi supe arkmortin është dëshira finale për të përmbushur misionin e tij. Në të ashtuquajturin epilog të veprës, ku ka rënë maska e narratorit, funerali shpallet antifuneral dhe sakaq, të vijnë në mendje sekuencat e “faqes së grisur nga fundi për tu lexuar në fillim”, korruptimi i frikshëm mortor ka marrë fund, por pafundësia e pamjeve të tmerrshme duket se sdo të mbarojë kurrë. Një helicopter fluturonte ulët, gati rrafsh me fushëtirën. Shiheshin qartë pas dritareve të tij njerëz që xhironin hullinë e madhe të asaj heqje zvarrë, aq të çmendur dhe tërësisht absurde, fotografonin këpucët e hedhura, gjurmë pa kuptim dhe këmbët e vetmuara, të pashkulura dot nga toka… skelete njerëzish… herë pas here ata largonin aparatet nga sytë, sa për të fshirë lotët.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Neim Zhuri

Përmi veprën e Lazër Shantojës

September 8, 2021 by s p


Nga Neim Zhuri/


“Historia e letërsisë shqiptare pa emrin e Dom Lazër Shantojës del e mangët dhe e varfër…”, shkruan Angjelina Çirinçone. Ernest Koliqi, kritiku që është marrë më gjatë me figurën e Shantojës, e cilëson atë jo vetëm si një nga stilistët më të ndritshëm të letërsisë shqiptare, por e përqas figurën e Shantojës me atë të Konicës kur shkruan :”Shkrimet e tij të pakta por shembullore e vendosin atë në historinë e letërsisë së Shqipnisë, pranë ma t’rafinuemit stilist shqiptar, Faik Konicës.” Një krahasim me Konicën bën edhe një nga biografët e Shantojës, Pjetër Pepa i cili, pasi vë në dukje përpjekjet për çështjen kombëtare e cilëson si penën më të fortë në publicistikë për veriun ashtu si Faik Konica për jugorët, madje nuk ngurron t’i cilësojë si”binjakë”të Shqipëisë. Në Historinë e Letërsisë Shqiptare Robert Elsie e cilëson Shantojën si poet, eseist, përkthyes… autorin e disa prozave me një stil mjaft të shkathët. Edhe Elsie është i mendimit se kemi të bëjmë me një stilist të shkëlqyer”me një stil mjaft të ngjashëm me atë të Koliqit.” Janë pjesë e stilit të tij shprehjet e limuara artistikisht të gjuhës së folur dhe të shkruar. A e meriton emri i Shantojës të qendrojë denjësisht përbri emrave të Konicës dhe Koliqit? Tashmë vepra e tij është e plotë dhe kjo u bë e mundur nën kujdesin e botuesve françeskanë dhe veçanërisht të dr. Arben Markut. Studiuesit kanë mundësinë të njihen me një vepër voluminoze me poezi, skica, elegji të shkurtra, ese, artikuj publicistikë, proza poetike dhe përkthime nga shumë autorë të njohur. Krijimtaria e Shantojës, megjithëse flet shumë për kohën, pati heshtur për një kohë të gjatë e ndrydhur nëpër faqe periodikësh të pluhrosur në dorëshkrime të mbetur gjatë nëpër sirtare. Më në fund Dom Lazri rikthehet. Shantoja rikthehet për herë të dytë sepse rikthimi i parë është në vitin 1939 pas një mungese 15-vjeçare, për shkak të përndjekjes nga regjimi i Zogut si njëri prej atyre që ideuan dhe mbështetën pa rezerva Revolucionin e vitit 1924. Më 1939 Shantoja kthehet me shpresën që Shqipërinë do ta shpëtonte vetëm perëndimi dhe në rastin konkret Italia. Shantoja, si shumica e klerikëvë që patën studiuar në perëndim dhe ishin pro perëndimorë njihte mirë rrezikun e madh që i kërcënohej Shqipërisë me vendosjen e forcave komuniste të lidhura ngushtë me jugosllavët e rusët. Kjo shpresë e Shantojës nuk do të zgjaste shumë sepse forcat komuniste erdhën në pushtet dhe bashkëjetesa e klerit me këtë lloj pushteti ishte përtej pamundësisë. Rikthimi i dytë është ai i veprës së plotë në gjininë e letrave shqipe:”Ai tashmë kthehet rishtas për mos me ik ma kurrë, mbasi as mtuesit, as barbarët nuk kanë çka me i ba atij që me jetën e vet ka tregue si mbrohen idealet” 1. Në veprën e Shantojës që kemi në dorë krijimtaria e tij nuk është ndarë sipas një kriteri gjinor, por thjesht sipas periudhave kohore: në periudhën e parë që përkon me vitet 1915-1924 gjejmë poezi të hershme të autorit, shkrime publicistike, aforizma, skica të shkurtra, humor dhe përkthime nga autorë të ndryshëm; periudha e dytë përfshin vitet 1925-1938; kurse periudha e tretë vitet 1938-1944. Poezia e hershme e Shantojës vazhdon në hullinë e krijuar prej lirikës së traditës, poezi që përmban ankthe nga trashëgimia stërgjyshore shqiptare për të kaluar nëpër një shoshitje sipas modeleve të kulturës perëndimore. “I madhi poet i popullit shqiptar, At Gjergj Fishta – nënvizon Koliqi – kishte këndue luftën heroike të shqiptarëve kundra çdo tentative armike për me thye bashkimin etnik të kombit. Shantoja lakmonte me paraqit në nji afresk të gjanë jetën familjare, me virtytet e panjoftuna, madje të keqkuptueme të saja të cilat lulëzojnë rreth vatrës ku flaka simbolizon kultin e lirisë, bazue mbi besimin te Perëndia e mbi bindjen se ndërsa asht për jetën dritë ma e nevojshme se ajri e dielli” 2. Për Shantojën atje ku ka poezi ka më shumë të vërteta sepse poezia është i vetmi mjet që udhëton lirshëm nga shpirti tek natyra e anasjelltas. Por kur Muzat prangosen, poetët lëndohen… Dhe nuk ka gjë më trishtuese se lëndimi i poetit. Me këtë lloj lëndimi në një nga këngët e rinisë së hershme do të shkruante: Ah, mos e lyp atë varg, asht shum ma mir Korimbat t’tu mos t’din ça do me than Me qenë poet e mos me qenë I lirë Me kndue me gojë kur zemërngrita qanë Tepër i ndjeshëm ndaj bukurisë femërore, Shantoja i mahnit lexuesit me sonetet kushtuar zonjës së re shkodrane. Shtrydh në vargje turbullimin e ngashërimeve që i shkakton bukuria por nuk tundohet. Për shkak të kushtit fetar heq dorë prej ndjesive tokësore. Gjithsesi, ajo që lë të shkruar tek kolona e soneteve:”Për një puthje të vetme”( pseudonimi nuk e ndihmon për ta fshehur autorësinë ) mbetet një nga më të bukurat në poezinë shqipe kushtuar një femre. Këndo poet, porse nji tingull lire A mundet kurr me shpreh aq bukuriT’tan jaseminat e lilat t’vetat ngjyrë, Ta falme asaj, t’tan lulet n’Shqipni.E më tej një përshkrim i pazakontë për penën e një kleriku që do ta kishte zili dhe më i zoti i piktorëve… E flokë e vetlla e t’ndritshmit sy, pasqyrë e mendes hollë, e gushë, e qafë, e gji e buzt lakmuese puthjesh prej natyre t’tan trupi i saj difton dashni, dashni. ***Në vitet ’23-’24 patër Anton Harapi boton gazetën”Ora e Maleve”duke pasur si mbështetës të fuqishëm Lazër Shantojën. Gazeta kishte si synim të edukonte rininë me aspirata perëndimore dhe të informonte popullin për rrezikun e një regjimi të ri anadollak në dukje i reformuar. Shantoja afirmohet një gazetar tepër i aftë që lufton të shkallmojë efektin hipnotizues të demagogjive së kundërshtarëve. Ai krijon profilin e një eseisti dhe publicisti të shkathët, por njëherazi dhe të një politikani idealist.”Ne jemi, – shkruan Shantoja – shkëndija dhe pluhuri i një revolucioni” 1. Ai ndihet apostull, luftëtar dhe viktimë e një ideali. Ai lufton me skamjen dhe pasurinë, me martirizimin dhe tiraninë, me aventurat e së kaluarës dhe besimin në të ardhmen. Në një shkrim të botuar në gazetën”Liria Kombëtare”, 10 Nëntor 1926 me titull”Si u bëra politikan”me një humor fin, vë në lojë politikanët e kohës, ata që jetojnë për politikë.”Po të diftoj nji herë…se unë politikan nuk jam, në mos nuk jam batakçi…politikaj po quhen sotë ata që jetojnë për politikë e me politikë, mua përkundrazi politika tjetër shpërblim nuk më dha pas këtij me më qitun në rrugë të madhe”.Tek “Rrno për me tregue”At Zef Pllumi e kujton Dom Lazrin si një njeri me një kulturë të gjerë dhe aftësi të rralla oratorike, si pjesmarrës aktiv në jetën politike të vendit dhe ndër redaktorët kryesorë të gazetës”Ora e Maleve”. Fjalimet oratorike të Shantojës si”Fjalimi tek vorri i Ramiz Dacit në Maqellarë ( Dibër )”;”Fjalimi ditën e 28 Nëntorit nga ballkoni i Shkodrës”;”Fjala tek vorri i Avni Rustemit”etj., bien në sy jo vetëm për frazën tipike shantojane, mahnitëse e mallëngjyese, por domosdoshmërisht i japin atij edhe statusin e oratorit zyrtar. Në veprën e Shantojës jo pak vend zënë dhe disa ese e proza të shkurtra poetike në të cilat trajtohet motivi i mërgimit. Vitet e mërgimit ishin vite makthi për Dom Lazerin. Ai jetonte çdo ditë me ëndrrën e padurimit për t’u kthyer në atdhe. Për Shantojën mërgimi është gjysëm burgu dhe ky gjysëm burgu zgjati jo pak por pesëmbëdhjetë vjet:”Vuejtje që më kanë kushtue shumë sakrifica, pa numër. Shpirti e trupi ynë u përshkrue prej shumë shgjetave morale…” 1. ***Shantoja është njohës shumë i mirë i gjuhës gjermane nga studimet e kryera në Innsbruck, por edhe i frengjishtes elegante. Ai sjell me korrektësi në shqip Shilerin,”Kënga e Kambanës”që e cilëson si më të bukurën poezi që doli prej penës së dramaturgut të madh gjerman. Do të shqipërojë”Faustin”e famshëm të Gëtes, të cilin Noli, një nga përkthyesit tanë të shquar, mbasi e lexoi i shkruan Shantojës : “Nuk gjej fjalë për të të uruar për përkthimin tënd në shqip të poezisë, veçse duke të siguruar se, po ta dinte shqipen gjigandi i Vejmarit do të falenderonte ty, një Nerval shqiptar, për këtë përkthim” 2.Me të njëjtin sukses Shantoja do të sillte në shqip edhe emra të tjerë të shquar të letërsisë botërore; Hajne, Friedrih Wilhelm, Weber, A. De Musset etj.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Don Lazer Shantoja, Neim Zhuri

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT