• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rreth “fajit për të shkuarën” të shqiptarëve

April 12, 2014 by dgreca

NGA NELSON ÇABEJ/

Vitet e fundit në median shqiptare ka filluar të trajtohet një temë e re, ajo e “fajit për të shkuarën”, dhe jo teorikisht, por duke folur hapur për një faj kolektiv të shqiptarëve. Pa vënë në dyshim rëndësinë dhe nevojën e këtyre diskutimeve, për mendimin tim, ato vuajnë nga dy të meta thelbësore. Së pari atyre u mungon përmasa kohore, d.m.th nuk përcaktohen kufijtë kohorë brënda të cilëve shqyrtohet (ose duhet të shqyrtohet) faji. Ato janë tepër të përgjithëshme për të kuptuar në se është fjala për kohët moderne, për mesjetën apo për historinë e lashtë të shqiptarëve. Në qoftë se ky mospërcaktim do të nënkuptonte të gjithë historinë mijravjeçare të popujve, duke përfshirë popullin shqiptar, atëhere nga ky afrim do të dilte që çdo popull duhej të pranonte “fajet për shkuarën”, nganjëherë të përsëritura, ndaj shumë popujve të tjerë, t’u kërkonte falje shumë popujve, dhe të falte “fajet e së shkuarës” të shumë popujve të tjerë. Kjo do të ishte absurde. Është e domosdoshme të përcaktohet një terminus post quem, kohë pas së cilës ky faj mund të gjykohet. Duke përdorur një term ligjor, duhet të jepet një “statut i kufizimit”, që përcakton kohën më të largët nga do fillojë të kërkohet “faji”.

Së dyti, diskutimet që flasin haptas për një problem kaq serioz si “faji për të shkuarën” i shqiptarëve, në përgjithësi përmbajnë deklarata retorike për këtë “faj”, pa sjellë të dhënat konkrete nga të cilat do të dilte ai. Pa të dhëna të tilla, ato diskutime janë vetëshvlerësuese.

Vetëm duke përmbushur këto dy kritere të paraqitjes së të dhënave autentike për “fajin” dhe duke i vendosur ato në një kornizë botërisht të pranueshme kohore, idetë rreth “fajit kolektiv i shqiptarëve”, mund të ngrihen mbi nivelin retorik të deklaratave të paprovuara.

Historia e njerëzimit, dhe e Europës posaçërisht, është e tejngopur me luftra për pushtim dhe dhunë ndaj popujve të tjerë. Jo vetëm perandoritë europiane, pa përjashtim, por edhe disa shtete kombëtare në Europë, janë krijuar me zjarr e me hekur, me krime dhe shtypje të egër të popujve, me asimilimin ose dhe zhdukjen e etnive të tëra.

Të parët tanë, ilirët, nuk arritën të krijonin perandori për të sunduar mbi popujt e tjerë e madje shtetet e njohura ilire nuk prodhuan dot forcën e nevojshme për bashkimin e të gjithë fiseve ilire në një shtet të centralizuar. Nga historia unë nuk di sulme të shqiptarëve për të pushtuar vënde të tjera ose për të sunduar mbi popuj të tjerë. Ky popull sot zë vëtëm një copëz të vogël të truallit të madh që zinin paraardhësit e tij në Ballkan.

Është e vërtetë se  edhe shqiptarët dhe parardhësit e tyre kanë luftuar dhe i janë përgjigjur dhunës me dhunë e luftës me luftë. Por të mos bësh dallim midis luftës së tyre për çlirim nga sundimet e huaja dhe luftrave që janë bërë për të përjetësuar ato sundime, do të thotë të biesh në “relativizëm moral”, në mohimin e ekzistencës të “së drejtës” dhe “të padrejtës”, të përligjësh agresionin dhe padrejtësinë në përgjithësi. Unë nuk dua të besoj se në ato diskutime shqiptarëve u rekomandohet të pranojnë ekuivalencën morale të luftës së tyre kundër sundimit të huaj me luftën për t’i mbajtuar ata nën sundim.

Na thuhet, pa përmëndur të dhëna konkrete, se në kohën e perandorisë turke, feudalët shqiptarë kanë luftuar kundër popujve të Ballkanit ose i kanë shërbyer perandorisë. Por këtu nuk ka asgjë të re: feudalët e të gjithë vëndeve të Ballkanit si dhe të çdo vëndi tjetër në mesjetë i kanë shërbyer, e nganjëherë  i kanë rezistuar, pushtetit qëndror.  Ata i kanë shërbyer perandorive për të shtypur lëvizjet popullore për çlirim jo vetëm në 5 shekujt e perandorisë osmane, por edhe 11 shekujt e sundimeve bizantine, bullgare e sërbe. Por, kur flitet për këto, nuk duhet hedhur pas krahave edhe rezistenca e pashëmbullt e feudalëve dhe popullit shqiptar, sidomos ajo që ata bënë për një çerek shekulli nën udhëheqjen e Skënderbeut, kur disa nga popujt fqinjë kishin kohë që paguanin taksa për të mbajtur perandorinë osmane; le të mos harrojmë edhe faktin që dobia e madhe që i solli ajo luftë Europës, pati një kosto jashtëzakonisht të lartë dhe pasoja të rrënuese për demografinë, gjeografinë dhe ekonominë e Shqipërisë. Feudalë shqiptarë si Ali Pashë Tepelena kanë tronditur nga themelet perandorinë turke duke dhënë edhe një kontribut në përpjekjet e popujve për pavarësi në Ballkan e më tej (Egjipt). Kryengritjet fshatare të shqiptarëve nga vitet 30-te të shekullit XIX i dhanë po ashtu një goditje të fortë perandorisë. Në këtë kontekst, nuk është e rastit që shqiptarët janë i vetmi popull në Ballkan të cilin ajo perandori e privoi nga e drejta për të patur shkolla në gjuhën e vet.

Shtypja e popujve të Ballkanit në kohën e perandorisë turke ka vazhduar me të njëjtin intensitet edhe në kohët kur përandoria osmane qeverisej nga kryeministra me prejardhje greke, qipriote, sërbe, bullgare, gjeorgjiane, armene, hungareze, moldaviane, etj. Ka të dhëna historike autentike bizantine se perandori bizantin Androniku III në shekullin XIV, me ndihmën e turqve selxhukë, shtypi kryengritësit e Shqipërisë së jugut. Dhe më përpara akoma, nga fillimi i shekullit XIII grekët nga Thesalia, Peloponezi dhe Konstantinopoli u dyndën në Epir, duke helenizuar pjesërisht ato troje shqiptare. Të gjithë kemi dëgjuar për Thoma Preljuboviçin, të njohur në histori si shqiptarvrasësi (albanoktoni) dhe për perandorin bizantin Vasil Bullgaroktonin (bullgarovrasësin). A di njeri që historia të flasë për ndonjë feudal shqiptar “helenokton” ose “serbokton”?

Të thuash ose edhe të aludosh se “fajet e për shkuarën” të shqiptarëve janë edhe shkaku i humbjes së trojeve shqiptare në 1912-13 është e pasaktë. Sepse po të pranohet kjo, logjikisht do të dilte që pavarësia e Kosovës tregon se Europa dhe Amerika ka pranuar “pafajësinë për të shkuarën” të shqiptarëve. Kufijtë e sotëm të Shqipërisë janë rrjedhim i një kompromisi të mirënjohur interesash gjeopolitike midis fuqive të mëdha që donin një Shqipëri etnike dhe fuqive të Antantës, që pranonin vetëm një “shtet” shqiptar të paqëndrueshëm në trojet e Shqipërisë së mesme. Dhe le të mos harrojmë se Shqipëria nuk është i vetmi vënd që ka humbur trojet e saj në kuadrin e këtij konflikt interesash të fuqive të mëdha për ruajtjen ose rivendosjen e ekuilibrave strategjikë në Europë: Gjermania  humbi rreth një të tretën e trojeve të saj e po kështu humbën pjesë të mëdha të trojeve të tyre Hungaria, Bullgaria dhe Austria.

Një ide tjetër që ka dalë në ato diskutime është se populli shqiptar është fajtor edhe për komunizmin në Shqipëri. Vendosja e komunizmit në Shqipëri ishte kryesisht produkt i konjunkturave ndërkombëtare gjatë luftës së dytë botërore dhe kompromiseve (gabimeve?) që Shtetet e Bashkuara dhe Anglia bënë me Rusinë e Stalinit (moshapja e frontit të dytë në Ballkan, që kërkonte Çërçilli). Shqiptarët kanë qënë viktima të komunizmit dhe t’u kërkohet atyre të pranojnë fajin për vendosjen e komunizmit dhe politikën e shtetit komunist në Shqipëri në atë kohë, do të thotë të kërkosh  nga ky popull më shumë nga ç’mund të pranojë arsyeja e shëndoshë.

Në shkallë ndërkombëtare, “faji për shkuarën” në përgjithësi është kufizuar te faji kolektiv i Gjermanisë dhe Japonisë në luftën e dytë botërore. Në qoftë se ky do të ishte kufiri prej të cilit do të shqyrtohej “faji për të shkuarën” edhe në Ballkan, shqiptarët jo vetëm që nuk kanë kryer absolutisht ndonjë faj, por janë viktimat e dy fushatave çnjerëzore të pastrimit etnik masiv nga trojet e tyre shekullore.

Është folur ndonjëherë edhe për forcën emancipuese të pranimit të fajit kombëtar, duke marrë si shëmbull Gjermaninë. Por kjo nuk qëndron dot përballë faktit që edhe para luftës së dytë botërore ajo ishte qendra më e përparuar e botës nga ana e zhvillimit industrial, teknologjik e shkencor (ajo mirrte pa krahasim më shumë çmime Nobel se sa çdo vend tjetër i botës) dhe faktit që populli japonez, që prej 70 vjetësh refuzon të pranojë fajin për bombardimin e Pearl Harbour-it, ka bërë gjithashtu një mrekulli  ekonomike.

Nuk duhen njohuri të thella në historinë e Europës për të parë ndryshimin dhe epërsinë morale të shqiptarëve nga pikëpamja e “fajit të së shkuarës”. Kështu, unë nuk di, p.sh., që Franca, një vënd “më i emancipuar” se Shqipëria, të ketë pranuar ndonjëherë fajin për luftrat, krimet, shkatërimet dhe plaçkitjet e përmasave kontinentale të kryera anembanë Europës, sidomos në kohën e Napoleonit, as për shfrytëzimin, skllavërinë dhe skllavërimn e popujve anembanë botës, as për krimet e mizoritë e luftës që trupat e saj kryen për 8 vjet në Algjeri,  etj. Cilat janë ato vënde, të mëdha apo të vogla, që u kanë kërkuar falje vëndeve që kanë pushtuar dhe kolonizuar, në shumicën e rasteve duke kryer me të vërtetë “krime kundër njerëzimit”?

Dhe prapë në ato diskutime rekomandohet që populli shqiptar të pranojë faje që nuk dëshmohen në histori. Përse duhet të nxihet edhe kjo faqe e pastër dhe e ndritur e historisë së shqiptarëve?

Është me të vërtetë shumë ironike, por një ironi e idhur dhe sadiste, t’i vihet barra e “fajit kolektiv” popullit shqiptar, një populli që për mbi dymijë vjet ka jetuar nën sundimet e njëpasnjëshme, romane, greko-bizantine, normane, bullgare, sërbe dhe turke.

Ideja e një fajësie  kombëtare të shqiptarëve është aq absurde sa që nuk do t’ia vlente të humbisnim kohën duke u marrë me të, në qoftë se kjo nuk do të lidhej me pasoja serioze politike. Dihet çmimi i madh që pagoi populli gjerman jo vetëm me reparacionet e pashëmbëllta në historinë e njerëzimit, por edhe me humbjen e një pjese të madhe të trojeve gjermanofone.

Problemet e historisë së popujve dhe kombeve, përfshirë këtu edhe shqiptarët, janë shumë serioze dhe komplekse për t’i diskutuar dhe aq më tepër për të arritur në “konkluzione” vetiake për fajësinë e një populli, pa njohur historinë e tij e madje pa bërë dhe botuar studimet përkatëse. Eseja nuk është formë e përshtatshme për të trajtuar “fajet e së shkuarës”.

Ideja “fajit të së shkuarës” të shqiptarëve, në rastin më të mire, dëshmon për mosnjohje të historisë së Shqipërisë e të Ballkanit. Dhe ky është shfajësimi më i mirë për mbartësit e asaj ideje.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: ne te shkuaren, Nelson Cabej, rreth fajit, te shqiptareve

Lesh (Lezhë)

December 16, 2013 by dgreca

Rubrika e Diellit: Tingellime vendemrash Ilire/

Nga NELSON ÇABEJ/

 An ancient Illyrian city, known in antiquity as Lissos (Λίσσος)/Lissus. Now Lesh and Lezhë (the latter form evolved for avoiding being confounded with the Albanian word lesh ‘wool’). It was founded as an ancient Illyrian settlement of Early Iron from 8th century BC1. Three centuries later, in 385 BC, it became a Syracusan colony by Dionysios I 2,3 .  Lissos came under the rule of the Illyrian  kingdom of ardaiei with their capital city Scodra by the second  half of the  3rd century BC during the rule of Agron, Teuta and Gentius. After the Roman conquest of Illyria in the 2nd century BC, Lissus became a Roman colony. Lissus  is mentioned again by Stephanus of Byzantium in the 6th century as an Illyrian city with a separate fortified site known as Acrolissus “πόλλίς Ίλυρίας, και Άκρόλισσος”4. By the end of  the 14th century it became  a possession of  the Republic of Venice. In 1467  there was convened the  League of Lesh organized by the Alnbanian national hero Georges Castriotis – Scanderbey. In western  late medieval sources the name appears mainly in the Italianized form Alessio. The  very rare form of the city name, Eschenderari, may be related to the Persian form of hero’s name , Eskander/Iskander.

The name of the city, Lissus, may be derived from a PIE *legh- ‘to lie’ (Compare Proto-Germanic *lega- ‘lying flat, low’, Old Norse lagr, Swedish låg, Danish lav ‘low’ and English low), which reflects the geographic position of the city, almost at the sea level.

The shift of the short open -i- in the ancient name of the city Lissus, to -e-in the modern form Lesh/Lezhw, is normal for Albanian, as attested by Latin loanwords such as meshë from missa, letër from littera, shpesh from spissus, peshk from piscis, ipeshkv from episcopus, etc.5

References

 1. Lissus Excavation Report 2004, Karl Franzens Universität, Graz, Österreich. Available:

2. Polybius, Histories  8, 15. 16.

3.  Diodorus Siculus, Library  XV 13. 4-5.

4. Stephani Byzantii Ethnicorvm quae svpersvnt. A. Meineke (ed). Reimer, Berlin,  1849.

5. Çabej, E. (1958). Problemi i autoktonisë së shqiptartëvet në dritën e emravet të vëndeve. Buletin i Universitetit Stetëror të Tiranës, Seria  Shk. shoq. 2, p. 54-62.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Lezha, Nelson Cabej, rubrika e Diellit, Tingellime vendemrash ilire

Rubrika e Diellit: Tingellime vendemrash Ilire- ARTA

December 13, 2013 by dgreca

Nga NELSON ÇABEJ/

Arta është një vëndbanim illiro-epirot pranë gjirit të Ambrakisë në Greqi. Si vëndbanim Arta është themeluar qysh nga shekulli IX p.e.s. në brigjet e lumit  që mbante të njëjtin emër me të, Arachtos.  Në burimet e lashtësisë ajo del me emrin e saj autentik Arachthos (Άραχθος). Siç dihet, emërtimi i vëndbanimeve  sipas emrit të lumit mbi të cilin, ose pranë të cilit, ato shtrihen është karakteristik për emërtimin e vëndbanimeve ilire (kujto këtu Naronën, Rizonin, Drinopolin, Skampën, Devollin, etj.). Në atë kohë rajoni banohej nga fisi epirot i atamanëve (athamanes)1.

Dy shekuj pas themelimit të Arachthos-it, midis viteve 650-625 p.e.s., aty u ngulën edhe kolonë grekë2 nga Korinthi, të cilët e ripagëzuan atë si Ambrakia (Ἀμπρακία). Në lashtësi kjo ishte kolonia më e lulëzuar greke në Epir dhe në shekullin V p.e.s., në kohën e luftës së Peloponezit, kishte rreth 25 mijë banorë3. Në vitin 295 p.e.s. Pirua i Epirit e bëri atë kryeqytet të mbretërisë së tij dhe ngriti shume ndwrtesa publike dhe statuja. Pasi kolonia e Ambrakisw u bashkua me Lidhjen Etole, ajo u pushtua nga Roma në vitin 189 p.e.s. Veprat e artit u plaçkitën dhe banorët u shpërngulën në qytetin e ri Nikopolis, që ngriti Augusti pas betejës së  Aktiumit në vitin 31 p.e.s.4.

Nga shekulli XIII deri në vitin 1318 Arta u bë qendër e një shteti të pavarur,  despotatit të Epirit, nën dinastinë e Komnenëve. Pastaj ky shtet mbeti, për thuajse 20 vjet nën dinastinë e italiane Orsini (1318–1337), dhe 20 vjet të tjera nën sundimin e  (1837-1359) e car Stefan Dushanit para se të binte për 57 vjet (1359-1416) nën sundimin e fisnikëve shqiptarë. Sunduesit kryesorë të despotatit të Artës ishin princat shqiptarë Pjetër Losha (“Pjetri vrarëlije”) dhe Gjin Bua Shpata, të cilët futën nën sundimin e tyre edhe  pjesën më të madhe të Etolisë greke deri në gjirin e Korinthit.

Ndonëse vëndemëri Ambrakia vazhdoi të përdorej nga kolonët grekë dhe nga autorët e lashtë grekë e romakë, etniciteti jogrek i banorëve të zonës dhe hinterlandit bëri që emërvendi Ambrakia të mos mbijetojë në popull e, gradualisht, të humbasë edhe në buirimet mesjetare bizantine (greqisht) të cilat do ta njohin këtë qytet si Arta, d.m.th. me emrin e lashtë iliro-epirot të evoluar në bazë të regullave fonetike të shqipes. Kështu, në vitin 1082, qyteti del në formën e sotme Arta (Άρτα), një formë e evoluuar e emrit të lashtë Arachthos (Άραχθος).

Evolucioni i emrit të lashtë Arachthos (Άραχθος) në Arta ka tërhequr vëmëndjen e gjuhëtarëve për një kohë të gjatë dhe është konsideruar të ketë ndodhur në pajtim me regullat e fonetikës së gjuhës shqipes e me të asnjë gjuhe tjetër ballkanike fqinje, e aq më pak të greqishtes, siç eshtë vënë re dhe diskutuar nga gjuhëtarë si Paul Kretschmer (1866 -1956) në veprën themelore të gjuhësisë së lashtë greke  “Hyrje në Historinë e Gjuhës së  Vjetër Greke”5 dhe nga Eqrem Çabej (1908-1980). Ndjekja e formave të njëpasnjëshme të këtij vëndemri në burimet historike e certifikon atë si një shëmbull tipik të evolucionit të një vëndemri  sipas ligjeve fonetike të shqipes.

Në shekullin I p.e.s. Tit Livi (Titus Livius Patavinus, 59 BC – AD 17) duke përshkruar betejën e Appius Claudius-it kundër Perseusit tregon se ky i fundit ndaloi afër lumit Aratthus dhe për shkak të thellësisë së tij ndërtoi një urë për të kaluar matanë6. Menjëherë pas tij po këtë formë Aratthus gjejmë edhe te Plini Plak7. Shndërrimi i -kt-  së Araktos (Arachthos) në  -tt- të Aratthus-it në shekullin I të erës sonë mundet që tregon se tanimë kishte filluar të vepronin ligjet fonetike të shqipes. Që ky evolucion nuk ka të bëjë me ligjet fonetike të latinishtes, gjuha e nënës e këtyre autorëve, kuptohet nga fakti që të dy ata shkruan 5-6 shekuj para evolucionit të latinishtes vulgare dhe 10 shekuj para daljes së italishtes (nga shekulli X), që dihet se, po ashtu, shndërruan grupin latin -ct- në -tt-. Megjithatw,  albanologu amerikan Eric Hamp ka shprehur dyshime lidhur me këtë: “Por pervec sinkopesw sw papritur, -kt– duhej tw jepte -ft- ose -jt-, nga ai nivel”8. He believes that ct in Albanian gives -fsh- like in kofshë from Latin coxa. First of all, the syncope in the name is not so surprising if one would bear in mind that Albanian preserves the initial accent of trivocalic Illyrian words. As for the ks > fsh shift this is a rather late law that was active in later Latin  borrowings.

Shndërrimi i grupit -kt- në -t- që ndodhi gjatë evolucionit të Arachthos në Arta është një dukuri e shqipes e panjohur në greqishten. Kështu p.sh. -kt- e fjalës protoindoevropianishte *h₂oḱtōtis ‘tetë’ u ruajt në greqishten për të dhënë okto (οκτώ) ‘tetë’, por u reduktua në -t-  për të dhënë tetë në shqip. Krahaso edhe humbjen në disa raste të grupit kt- në shqip si në rastin kur protoindoevropianishtja *h₂r̥tḱos – ‘arí’ dha fjalën ari në shqip, ndërkohë që në greqishten grupi -kt- u ruajt për të dhënë arktos (άρκτος) ‘ari’.

Le të citojmë pakëz gjatë Paul Kretschmer-in, një nga helenistët më të mëdhenj të të gjitha kohëve:

“Nga ilirët ka të gjarë vjen asimilimi i emrit të lumit Ἂραχϑος (Ptolem. III 14,6. Liv. 43, 21): Ἂραϑϑος (I.v. Krkyra, IGA. 343), Ἂρατϑος (Polyb. 21, 26, 4. Strab. VII 325), Aratus  (Plin. IV 4), Arethon (Liv. 38, 3). Që shndërrimi nga kt në tt, përmes ht është i ilirishtes mund të konkludohet 1) nga shqipja: natë, lituanishtja naktis; dhe nga shqipja pesë, sankskritishtja pañkti (G. Meyer, Alban. Stud. III 5), 2) nga Nesattium istrian (Liv. 41, 15), Nesatium (Plin. III 127), Nesakton (Νέσακτον) (Ptolem. III 1, 27) dhe 3) nga  venetishtja rehtiia, të cilën Pauli (Die Veneter p. 256) e shpjegon bindshëm si emrin e perëndeshës Rectia.”9.

 

Referimet

 

1. Malte-Brun, C. and Huot, J-J-N. (1834). A system of universal geography: or A description of all the parts of the world. S. Walker, Boston, f. 415.

2. Hammond, Nicholas Geoffrey Lemprière (1996), “Ambracia”, in Hornblower, Simon; Spawforth, Anthony, Oxford Classical Dictionary (3rd ed.), Oxford University Press, Oxford.  

3. Oberhummer E. (1887). Akarnanien, Ambrakia, Amphilochien, Leukas im Altertum. T. Ackermann, München, f. 6-7.

4. Peck, H.T. (1898). Harpers Dictionary of Classical Antiquities. New York, f. 64.

5. Kretschmer, P. (1896). Einleitung in die Geschichte der griechischen Sprache. Vandenhoeck und Ruprecht, Göttingen.

6. Titus Livius (Livy), The History of Rome, Libri 43, 21.

7. Pliny the Elder, The Natural History, Libri  IV, 1: “molossorum flumina aphas, aratthus”.

8. Hamp, E. (1966). Ancient Indo-European Dialects: Proceedings. Ed.  Birnbaum, H. and  Puhvel, J., University of California Press, London, p. 104-105 (97-121): “but apart from the surprising syncope, kt should give ft or jt, and not t from that level”.

9. Kretschmer, P. (1896). Vep. përm. f. 258 : “Von den Illyriern rührt vermutlich auch die Assimilation in dem Flussnamen Ἂραχϑος (Ptolem. III 14,6. Liv. 43, 21): Ἂραϑϑος (I.v. Krkyra, IGA. 343), Ἂρατϑος (Polyb. 21, 26, 4. Strab. VII 325), Aratus  (Plin. IV 4), Arethon (Liv. 38, 3). Denn dass der Wandel von kt über ht zu tt illyrisch war, dürfen wir schliessen 1) aus dem Albanesischen: natë, lit. naktis;  pesë, skr. pañkti (G. Meyer, Alban. Stud. III 5). 2) aus dem histrischen Nesattium (Plin. III 127), Νέσακτον (Ptolem. III 1, 27). 3) aus venet. rehtiia, dass Pauli (Die Veneter p. 256) ansprechend als Namen einer Göttin Rectia erklärt.”.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: arta, Nelson Cabej, rubrika e Diellit

BUTRINTI

December 7, 2013 by dgreca

Nga NELSON CABEJ/

 Qytet iliro-epirot në jug të Shqipërisë. (në greqishten e vjetër Butroton (Βουθρωτόν) and latinisht Buthrotum). Të dhënat arkeologjike tregojnë se në Butrintin e sotëm ekzistonte një vëndbanim prehistorik1 iliro-epirot që nga shekulli XII p.e.s. Ky vëndbanim ishte në tërritorin e fisit të madh të kaonëve. Pesë shekuj më vonë, nga fillimi i shekullit VII p.e.s. aty u ngulën aty edhe kolonë nga kolonia greke e Kerkirës dhe formuan një koloni greke. Pas pushtimit romak Butrinti u bë një protektorat romak qysh në vitin 228 p.e.s. e më vonë Jul Cezari e shpalli atë koloni romake dhe rreth vitit 30 p.e.s. shumë  kolonë romakë u vendosën në këtë qytet.

Sipas mitologjisë romake, Butrinti u themelua nga trojanët pas shkatërrimit të Trojës nga grekët. Themeluesi mitologjik i qytetit është Helenusi, biri i Priamit, mbretit të Trojës. Sipas Virgjilit, qyteti u ndërtua për t’i ngjasuar Trojës nga Enea pasi shpëtoi “nga grekët fitimtarë’. Poeti romak Publius Ovidius Naso (43 p.e.s-17/18), i njohur përgjithsisht si Ovidi, shkruan: “Pastaj ata shkuan drejt vëndit të pheakasve, të pasur me fruta të shijshme, dhe arritën pastaj Butrintin në Epir, që i ngjante Trojës.”2. Sipas legjendës romake Butrintin e vizitoi edhe Enea, para se të shkonte me ushtrinë e tij në Dodonë për të marrë këshillat e orakullit3.

Në Tabula Peuttingeriana (shekulli IV) qyteti del me emrin Butharoto dhe në shekullin IX flitet për një peshkopatë të Bothrotos të varur nga arkipeshkopata e Naupaktit4. Në shekullin VI, në Hieroclis Synecdemus qyteti del me emrin Βουτρυτός (Butrytos)5.

Në mesjetën e vonë qyteti del në dokumente venedikase me emrin Butrinto. Që këtë emër ata e kanë marrë nga banorët shqipfolës të rajonit kuptohet jo vetëm sepse ata ranë në kontakt të drejtpërdrejtë me të vetëm në shekullin XV, kur morën në zotërim Butrintin, por edhe nga fakti se evolucioni i vëndemërit Buthrotum në Butrint ka ndodhur në përputhje me ligjet fonetike të shqipes e as të italishtes as të greqishtes. Nga e para do pritej që normalisht të binte prapashtesa –um dhe të dilte forma Butroto, e cila ka dalë në fakt dhe është përdorur e vazhdon të përdoret edhe sot në italisht. Forma shqip Butrint u italainizua në Butrinto duke marrë prapashtesën karakteristike italiane -o. Forma italisht u përhap edhe në  gjuhë të tjera të Europës perëndimore.

Për greqishten, duhet mbajtur parasysh edhe vwrejtja e  Kretschmer-it se  prapashtesa -ot- wshtw e huaj pwr greqishten6. Duke qënë një gjuhë conservative, ajo do të ruante formën e lashtë, me të vetmin ndryshim të pritshëm,  shndërimin e b-së nistore në v-. Në vënd të kësaj në të folurën e popullit greqisht, siç e ka marrë nga goja e greqishtfolësve dhe e ka hedhur në hartë në shekullin XIX gjeografi gjerman i lashtësisë Heinrich Kiepert (1818 – 1899), ajo ka evoluar në Vutzindro7. Forma Vutzindro, që del dhe në hartën e Turqisë europiane të Kiepertit8, duket qartë se ka kaluar në greqisht përmes shqipes.

Forma Butrint shihet qartë se ka dalë nga evolucioni normal i Buthrotum në bazë të regullave fonetike të shqipes, duke humbur prapashtesën -um dhe duke pësuar shndërrimin e -t- në -nt-, që, sipas Pokorny-t, është karakteristik për shqipen dhe ilirishten9.

 Referimet

1. Ceka, N. (2005). Butrint: A guide to the city and its monuments. Tiranë, 1919.

2. P. Ovidius Naso, Metamorphoses,  Libri XIII, 719-21: “.Proxima Phaeacum felicibus obsita pomis rura petunt, Epiros ab his regnataque vati Buthrotos Phrygio simulataque Troia tenetur”.

3. The Roman Antiquities of Dionysius of Halicarnassus Libri I, 51, 1.

4. Prinzing, G. (2012). The AutocephalousByzantineEcclesiasticalProvince of Bulgaria: How independent were its archbishops? Bulgaria Mediaevalis, III, 355-383 (376).

5. Hieroclis Synecdemvs: accedvnt fragmenta apvd Constantinvm Porphyrogennetvm servata et nomina vrbivm mvtat. Red. B. G. Teubner, Leipzig, 1893, f. 13.

6. Kretschmer, P. (1896). Einleitung in die Geschichte der griechischen Sprache. Vandenhoeck und Ruprecht, Göttingen, f. 257.

7. Kiepert, H. (1878). Lehrbuch der alten Geographie. D. Reimer, f. 301.

8. Kiepert H. General-Karte von der europäischen Türkei : nach allen vorhandenen Originalkarten und itinerarischen Hülfsmitteln / bearbeitet und gezeichnet von Heinrich Kiepert; Schrift gestochen von W.u.C. Kratz in Weimar ; Terrain radirt von C. Ohmann in Berlin. Në internet:

http://www.lib.uchicago.edu/e/collections/maps/kiepert/

9. Pokorny J. (1959). Indogermanisches etymologisches Wörterbuch. Francke, Bern, 1959-1969. Internet: http://dnghu.org/indoeuropean.html

 

Filed Under: Featured Tagged With: Butrinti, Nelson Cabej

AMANTIA ILIRE

December 4, 2013 by dgreca

 NGA NELSON ÇABEJ/

Amantia ka qenë  kryeqendra e fisit ilir të amantëve. Sipas S. Bizantinit, Amantia (Άμαντία) ishte një qytet ilir: “afër Orikumit dhe Korfuzit me prejardhje nga abantët që ktheheshin nga lufta e Trojës”1. Pavarësisht nga përmbajtja mitike (lufta e Trojës kishte ndodhur 6 shekuj para themelimit të qytetit), e rëndësishme këtu është se amantët për grekët e lashtë ishin një fis ilir. Edhe te Hierokli në shekullin VI qyteti del me emrin Amantia (Άμαντία).2  Sipas

Lidhur me etimologjinë e vëndemrit Amantia, në shqip ka një fjalë amë ‘lumë, burim’,  e cila është lidhur përgjithësisht me rrënjët indo-europiane ab- dhe ā̆p- ‘ujë, lumë’, që, sipas Pokornit, kanë dalë nga një rrënjë më e lashtë indoeuropiane ǝkʷā : ēkʷ- me të njëjtin kuptim nëpërmjet shndërrimeve  -gʷ- > -b- dhe  -kʷ- > -p-, që kanë ndodhur në ilirishten, greqishten dhe  gjuhët kelte3. Demiraj ka rindërtuar një formë të lashtë *abnā, për  protoshqipen, të cilën e krahason me irlandishten e vjetër aub, dhe latinishten  amnis ‘river’4. Emri i banorëve të fisit ishte amantes, të cilin Norbert Jokli e ka përkthyer ‘bregalumas’5. Kjo rrënjë ap- del dhe në emrin e lashtë te lumit Osum e Seman (Apsus), në emrin e sotëm të Mesaplikut ne rrëthin e Vlorës që ndodhet midis lumit të Kuçit dhe një lumi me të vogël që buron nga fshati Vërmik, në emrin e Apulias në jug të Italisë që banohej në lashtësi nga mesapët me prejardhje iliro-epirote, dhe n w emrin e lumit Amantia  nw jug tw Italisw nw provincen Bruttium6.

Qyteti mendohet të jetë themeluar  nga shekulli VI p.e.s., por përmëndet për herë të parë në burimet historike të shekullit IV p.e.s. Në shekullin III p.e.s.  mendohet të ketë qenë qendra  kryesore e bashkësisë së amantëve.

Në fillim të shekullit XIX topografi britanik W.M. Leake (1777-1860) shprehu mendimin se emri i fshatit Bënça në rrethin e Tepelenës mund të ishte një shtrëmbërim i vëndemrit ilir Amantia7, por më tej thotë se Amantia duhej kërkuar në Nivicë të Kurveleshit8. Po aty, në rrjedhjen e lumit Shushica e lokalizon edhe Pouqueville9. Më vonë, kërkimet arkeologjike e kanë lokalizuar atë në fshatin Plloçë të rrethit të Vlorës. Ky lokalizim, që nuk mund të vihet në dyshim, nxjerr problemin e fatit të mëtejshëm të vëndemrit të lashtë, Amantia.

Mos duhet besuar, vallë, se ai u zhduk dikur në lashtësinë e vonë si rrjedhim i sulmeve barbare, për të mos dalë më në asnjë formë? Një përvojë e gjatë me vëndemrat ilirë në trojet shqipfolëse flet për një qëndrueshmëri të madhe të tyre, të lidhur edhe me një dukuri interesante ku vëndemri i lashtë mërgon nga vëndi origjinal për t’u shfaqur diku tjetër në zonën përrreth si emër i një fshati, mali a vëndi tjetër. Duke shqyrtuar nga kjo pikëpamje vëndemrat e rajonit na tërheq vëmëndjen vëndemri Amonicë, emri i fshatit, që ndodhet në afërsi të drejtpërdrejtë të Plloçës. Amonica sot ndodhet  rreth 6 km në veri-perëndim të  qytetit të lashtë Amantia.

Në një përpjekje për të gjetur ndonjë hallkë ndërmjetëse që do të lidhte vëndemrin Amantia me Amonicën, gjetëm se në regjistrimin osman të vitit 1431 aty del një fshat me emrin Umenicë, që bënte pjesë në krahinën e Kurveleshit (Kirelesh në atë dokument). Duke marrë parasysh mundësinë e gabimeve në regjistrimin në osmanishten e asaj kohe, forma shqipe e këtij vëndemri në atë kohë mund të ketë qënë Amonicë ose Umonicë, që shihet qartë se i përgjigjet fshatit të sotëm Amonicë.

Siç shihet, forma e sotme Amonicë në krahasim me atë të shekullit XV ka pësuar një shndërrim të –e-së në -o-, në rrokjen  e dytë të rrënjës. Këto të dhëna na lejojnë të  rikonstruktojmë  evolucionin fonetik të këtij vëndemri që do të  paraqitej si vijon:

Amantia – *Amansa – Amanica (e dëshmuar në mesjetë) – Amonica.

Evolucioni i vëndemrit ilir Amantia përputhet në të gjitha hollësitë me ligjet e fonetikës së shqipes, duke përfshirë shndërrimin  a>o , humbjen e mbaresës -ia dhe përftimin e prapashtesës  -ica.

Në qoftë se te Amonica kemi të bëjmë me një formë të evoluar të vëndemrit të lashtë ilir Amantia, vetvetiu del pyetja: Përse ky vëndemër ‘mërgoi’ për të emërtuar një vëndbanim tjetër? Shkaku më i besueshëm i këtij ‘mërgimi’ është  mërgimi i qytetarëve të Amantias pas shkretimit të qytetit të lashtë në kohën e furive barbare të lashtësisë së vonë për të themeluar një vëndbanim fshatar, në një truall gjeografikisht më të mbrojtur.

Referimet

1.Stephani Byzantii, Ethnicorvm quae svpersvnt. G. Reimer, Berlin, 1849: ”Ίλλυριῶν μοίρα, πλησίον Ὠρικοῦ χαὶ Κερχυρας ἐξ Άβάντων τῶν ἀπὸΤροίας νοστησάντω ᾠκισμένη.

2. Hieroclis Synecdemvs: accedvnt fragmenta apvd Constantinvm Porphyrogennetvm servata et nomina vrbivm mvtat. Red. B. G. Teubner, Leipzig, 1893, f. 13.

3. Pokorny, J. (1959). Indogermanisches etymologisches Wörterbuch.

4. Demiraj, B. (1997). Albanische Etymologien: Untersuchungen zum albanischen Erbwortschatz, Amsterdam, The Netherlands, f. 76

5. Çabej, E. (1976). Studime etimologjike në fushë të shqipes. Akad. Shk. RPSSH, Tiranë, f. 39.

6. Schmid, W. P. (2001). Was Gewässernamen in Europa besagen. Aka- demie-Journal, 2, 42-45.

7. Leake, W.M. (1835). Travels in Northern Greece, I, London, J. Rodwell, New Bond Street, f. 34.

8. Leake, W.M. (1835). Travels in Northern Greece, I, London, J. Rodwell, New Bond Street, f. 35.

9. Pouqueville, F. C. H. L. (1820). Voyage dans le Grèce: comprenant la description ancienne et moderne de l’Epire, de l’Illyrie grecque de la Macédonie Cisaxienne I, Paris, f. 274.

Filed Under: Kulture Tagged With: amantia Ilire, Nelson Cabej

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT