Sic kemi njoftuar edhe më parë në Dielli on line, me 22 dhjetor 2012, e shtunë, ora 10 e 40 minuta, në prani të familjarëve të saj të dashur, të djalit të saj Beqirit, mbylli sytë e shumëvuajtura, Hane Sina. Për katër ditë komuniteti shqiptar në Amerikë i shprehu ngushëllimet familjes Sina pranë Qendrës Muslimane Shqiptare në Brooklyn.Të mërkurën, me 26 dhjetor, në orën 10 të mëngjesit, kortezhi i përmortshëm pas lutjeve fetare, u nis drejt varrezave publike në Nju Xhersi, ku morën pjesë qindra bashkadhetarë. Ndodhej edhe Konsulli i përgjithshëm i Kosovës, ambasador Bekim Sejdiu me konsullin Fatmir Zajmi, biznesmeni dhe veprimtari i njohur i komunitetit shqiptar, z. Hajdar Bajraktari dhe të tjerë. Pas lutjeve fetare u krye varrimi. Djali i së ndjerës, Beqir Sina, falenderoi bashkadhetarët që për të gjitha këto ditë u qëndruan pranë për të ndarë dhimbjen. Më pas në emër të familjes ai i ftoi të pranishmit që të shkonin për drekën e shpirtit të së ndjerës.
Po japim të plotë fjalën që mbajti poeti Ilir Spata në emër të familjes Sina.
***
Fjala e Fundit për Nanën Hane Sina
( Nekrologji )
Katër ditë më parë, mbylli një herë e përgjithmonë sytë, një prej grave më stoike të kampeve të komunizmit, një nga ma të thjeshtat, ma të përvuajturat, ma të pambështeturat, nji ikonë e njerzores: Hane Sina!Ose Nana e Vuajtjeve!
Jeta e kësaj gruaje fillon si për konçidencë me dhëmbjen , ashtu si dhe vazhdoi në një kalvar të pasosun dhimbjeje, ndaj nuk është aspak e tepruar të quhet dhe nëna e dhimbjes dhe e vuajtjeve. Në moshën 11 vjeçe u vra babai i saj, Haxhi Dishi, si i themi ne dibranët për një “vijë uji”. Më e rënda e asaj vrasjeje ishte se babai i saj u vra nga djali i vëllait Beqir Sinës, atëhere qarkkomandat xhandarmarie në Dibër të Madhe. Vrasjen e babait të Hanes Beqir Sina e përjetoj rëndë, nga që e donte aq shumë sa nuk ja falte kërkujt gjakun e Haxhi Dishit dhe si besnik që e kishte dhë më vonë e bëri edhe mik.
Hanja lindi më 18 Maj 1928 në katundin Rreth Kale – Muhurr Peshkopi.
Në moshën 12 vjeçare propoganda fashiste e dërgoi edhe Hanen me një grup fëmijësh nga Dibra me fëmijët e familjeve të mëdha nga e gjithë Shqipëria në Itali me “Balilat” quheshin ata atëhere. Këtë të mirë atëhere kësaj fëmije për të harruar ndoshta edhe vrasjen e babait të saj ia bëri Qark Komandt Beqir Sina.
Kthimi saj në Shqipëri ishte një kthim drejt kalvarit të vuajtjeve të njëpasnjëshme.
Në moshën 18 vejcare martohet me djalin e Beqir Sinës, Rasim Sina, i cili megjithë dy kunatat e veja (burrat ua kishte pushkatur sllavo komunizmi në Maqedoni)-(Dijen e Biden) dy motrat(Mihanën e Remen) dhe tre vëllëzërit e tij, Musën, Hashimin, Besimin, dhe gruan sojnike Kafile Kaloshen qenë kthyer, më 1949, nga Kampi i Uznovës mbas një amnistite provizore, në katundin e tyre në Rreth Kale. Aty kishin gjetur Kullën e djegur nga komunistët e gjithçka kishin lanë të vjedhur e shkatërruar në themel .
U mblodhën fshatarët dhe brenda natës i ngritën një kasolle familjes së Beqir Sinës. E rrethuan me qepra dhe e veshën me thupra pastaj e suvatuan me baltë e lyen harasan sa me e ba të mundëshme me ndenjun në të familja. Shtepia u bë gati nga fshtarët e familja Sina, që dikur kishte qënë e para e fshatit , me emër si Kulla e Sineve , tani ishte edhe pa bukë, pa drita, pa tasa e lugë, pa tenexhere, pa jorgan e dyshek.
Fshatarët e të afërmit e tyre filluan kush e kush tju falte dicka, sepse po afrohej edhe dita që Rasimi do të martohej me Hanen sipas fjalës që ishte dhënë sipas Zakonit. Dhe kështu u bë dasma por pa lodra, dasmë pa mish, vetëm disa të afërm i ranë çiftelisë e kënduan pak atë natë do të kujtone ma vonë nusja e re, Hanje Sina. Qen në moshën 19 vjeçe dhe dhëndërri, Rasimi, qe vetëm 16 vjeç.
Në atë kasolle çiftit të ri Zoti u dha tre fëmijë: Fëmija e parë ishte vajzë, Zenepja, i dyti Dika dhe i treti Beqiri u nis në atë kasolle dhe lindi në barangat e kampit të interrnimit në Savër të Lushnjës.
Para arratisjes, me ndihmën e një besniku të familjes Sina, të tre djemve të saj, nëna e tyre, Kafile Kaloshi a si i thërrisnin malësoret në kamp “Sojnike!” a “Kaloshja “ si e kishin zakon familjet e mëdha për të respektuar njëra tjetrën, i mblodhi të gjithë fëmijët saj rreth vetes, dhe i pyeti se kur do të arratiseshin. Aty ishte edhe nusja e re shtatëzanë shtatë muajshe me fëmijën në bark, që thoshte se vetëm dëgjoja se sipas zakonit nuk mund ta hapja gojën, si nuse e re që qeshë!
Sojnikja u tha djemëve: “Gjemtë e mi, Zoti ua bëftë udhën dritë nga të shkoni se Nana me tesha në krah e nisi dhe do ta bitisi me tesha në krah! Shyqyr Zotit kësaj rradhe kam edhe nusen e re dhe do ta kalojmë me gjithë nanat e tjera si jemi mësuar në kampet e interrnimit, se na presin shoqet atje ku i kemi lanë.
Kështu nusja e re, Haneja, me fëmijë në bark, ashtu si e kishin zakon gratë në anët tona e lidhi shaminë dhe bashkë me të vjehrrën, “Kaloshen” nga dera e madhe e Kaloshëve të Kandrit, morën rrugën drej Kënetave të Myzeqesë. Djali tjetër, Musa në atë kohë qe në burg.
Nga që ishte shumë e drejtë, e ndershme, dhe bujare, të gjithë njerëzit nga Krerët e Parisë së Shipnisë që qenë të internuar në Savër e deshën dhe respektuan Hanen si “ Nusen e Kampit”. Aty qenë familjet më me zë në mbarë vendin si të Mirakajve, Markagjonit, Bajraktarit, Dineve, Dukagjinit, Mulosmanëve, Hoxhës, Nezajve, Kolgjinit, e sa e sa të tjerë, sa do të duhej një listë e gjatë me i përmendë. Vajzat e Gjon Markagjonit i blen teshat të reja dhe e bënë Hanen, si qeshte ajo kur tregonte, “moderrne”. E gëzuan se e bënë si “nuse” në atë skamje që qe atje.
Kishte kohë që pati nisur ai kalvar i pafund për vajzat, gratë e nënat e atyne familjeve shqiptare që patën dhanë aq shumë për kombin. Haneja do të ishte nji prej tyre, që e kapërceu me dinjitet të naltë e qëndrueshmëri të papërshkrueshme atë tmerr të pafund prej një gjysmë shekulli ndëshkuar padrejtësisht nga fati e nga njerëzit; duke mbrritur deri te dita e ikjes së saj e plotë, e patjetërsuar në gjithë vlerat e veta si njeri, si grua e si nanë! Një shembull i përhershëm virtuti për të gjithë ata që e njohën në ditët e saja më të vështira e që fatëkeqësisht qenë shumë të gjata, ashtu dhe në ato të pakta çaste gëzimi kur ju ndodhën pranë. Qe një simbol i përballimit me dinjitet i shtypjes mizore të pushtetit të pa parimtë e të pa drejtë, sa kalonte çdo kufi njerezor kur merrej me familje të pa
mbrojtuna e të pa ndihmë si qe familja e saj në internim.
Hane Sina qe njana prej tri nuseve të Sinëve, që së bashku me vjehrrën e tyre fisnike, Kafile Kaloshin-Sina, pësuan shkatërrime, rrënime dhe vuajtje nga ma të pabesueshmet. Ajo, e nisi jetën si gruaja e Rasim Sinës, po me arratisjen e tij, ajo humbi sa hap e mbyll sytë gjithçka! Për të e shumë të tjera si ajo nis tmerri i pafund i kampeve të diktaturës! Me tre fëmijë njëri mbas tjetrit, e para sa kish nisur të ecte, i dyti në krahë dhe i treti në bark, ajo i dorëzohet fatit përbindësh, ku më shumë se rrugë, do të ishte skëterrë që zgjati nji jetë, e ku ajo me atë thjeshtësinë e saj prej malsoreje e përballoi jo veç me dinjitet, po edhe me at’ humorin e hollë e shpërfillës, që ishte në natyrën e saj, ndaj atyre që po i shkaktonin të keqen kësaj gruaje, kësaj nëne, kësaj gjysheje të dhimbsur, që përtypte në heshtje privimet nga çdo gëzim sado i vogël i jetës! Qysh herët ajo pëson humbjen djalit, Dikës trembëdhjetë vjeçar, që shpresonte t’i bëhesh krah e që nga thellsia e shpirtit e quajti gjithnji “lofka e nanës!”
Ajo përjetoi përbuzjen, varfërinë, urinë, dhimbjen, mungesat, humbjet, po qëndroi në këmbë si pak kush… Shpesh kujtoj se çdo fetë buke në mungesë të gjithçkaje, ajo i shtronte ca pika loti dhe i jepte shije bukës thatë me dashurinë prej nëne! Sepse shpirti i saj s’kishte asgjë veç dhimbjes po i shtonte asaj mirësinë dhe dinjitetin… Dhe ajo shija e bukës së duarve të saj s’ka për t’i ikur kurrë shpirtit tim, po edhe gjithë atyre që patën rast ta njohin këtë grua të thjeshtë, e stoike që s’u dorëzua kurrë…
Sot, në ikjen e saj në qiell, ajo ikën e qeshur dhe e gëzuar ashtu si ishte vetë ajo sepse la pas vetes vajzen Zenenpen, djalin Beqirin e plotë nipër e mbesa që ajo i deshte aq shumë.
Hane Sina i iku kësaj bote dhimbjesh në paqe… e rrethuar nga shumë njerëz dhe e respektuar prej të gjithëve, jo thjesht për vuajtjen e saj, por për at mirësi që shpirti i saj kishte të pashterrur, e që kurrë ajo s’e shfaqi të përgjysmët, po gjithnji të plotë…
Asaj ia mbylli i syt i pari djali i saj Beqir Sina në orën 10 e 40 minuta të mbrëmjes të së shtunës, pas ajo kaloi një sëmundje të rëndë. Kështu që në fundin e kësaj jete, Zoti e pa një ditë edhe këtë nënë pas ranijes së komunizmit. Ky njeri që kaloi një jetë të vështirë në kampet e internimit të diktaturës komuniste, Hane Sina, pas rënies së komunizmit në Shqipëri u vendos në SHBA së bashku me të birin. Në çastet e fundit e ndjera ndodhej në shtëpi e rrethuar nga të gjithë njërëzit më të dashur të saj si dhe nga e kunata e saj e shoqja e vuajtjeve edhe Myrvetja.
Familja thotë se Dashuria dhe malli për nënën tonë do të jenë gjithmonë pjesë e pandashme e jetës sonë. Atë do ta kujtojmë, gjithmonë si një ndër ato të gjitha nanat tona shqiptare, që na rritën dhe edukuan me sakrifica të mëdha, Atë do t’a duam dhe nuk do t’a harrojmë sa të jetë jeta.
Me dhembje e me shumë mall gjithmonë do të kujtojnë: vajza e saj Zenepia, djali i saj Beqiri si dhe të gjthë nipat e mbesat, kunati Hashimi me fëmijët , Tomorri me femijët, Myrvetja me fëmijët.. Mbarë farefisi Sina si në Shqipëri dhe ketu ne SHBA. Por edhe Bashkëvuajtësit tanë dhe të gjithë ata që e njohën, nga Savra e Lushnjes. Do t’a kujtojë dhe mbarë komuniteti shqiptar në SHBA, të gjithë ata që patën rastin t’a njohin atë sadopak e dëgjojnë fjalën e saj të urtë mbushun gjithëmonë me dashuni nane.
I ftojmë të afërmit, miqtë dhe të dashurit tanë që të marrën pjesë në këtë ceremoni dhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit nanës tonë Hane!
Në emrin e Familjes Sina gjejmë rastin t’ju faleminderojmë dhe për ndarjen e kësaj dhimbeje këto ditë së bashku me ne, duke na e bërë më të lehtë humbjen!
Lutemi Zotit që ju dhe të gjithë atyre që na kan ngushëlluar tua kthëjmë vetëm në të mira! Zoti u bekoftë të gjithëve! I lehtë i qoftë dheu i kësaj toke të bekuar që i dha atë që nuk ja dha toka ku lindi, kësaj Nane!