Shënime për librin “Nëndetësja “, shkruar nga Viron Kona/
Nga SEJDO HARKA/
Për krijimtarinë e shkrimtarit Viron Kona, edhe pse është shkruar e diskutuar shumë, përsëri mbetet për të shtuar. Kjo ndodh, jo vetëm se ai është një nga krijuesit më prodhimtarë të kohës, por edhe sepse në çdo libër të ri sjell problematika, këndvështrime dhe vlera të reja për letërsinë e sotshme moderne shqipe. V. Kona ka shkruar mbi 35 vëllime me tregime, novela e romane për fëmijë e të rritur,e, megjithatë, vazhdon të shkruajë e të botojë vazhdimisht libra gjithnjë e më të mirë. Ai është fitues i 7 çmimeve në gjininë e tregimit dhe të novelës, ndërsa romani i tij “Eh, more Bubulino!”, botuar edhe në suedisht, i vlerësuar si libri më i mirë i vitit 2006 për fëmijë, është nderuar me çmimin UNICEF-AMC. Krijimtaria e Viron Konës dallohet për një tematikë të gjerë e vlera gjithëkohore, për narracion të ngrohtë dhe gjuhë të pastër, për kthjelltësinë e mendimit dhe figuracion emocional, për karaktere reale dhe konflikte që herë ndjekin rrjedhën e jetës dhe herë atë të fantazisë dhe të trillit të tij krijues. Pas monografisë “Ju dua më shumë se veten!”, kushtuar mëmëdhetarit, leksikografit dhe poetit të nderuar Sadulla Zendeli-Daja, ai rishfaqet me librin me tregime “Nëndetësja”.
Titulli i këtij libri është sa i drejtpërdrejtë, aq edhe metaforik,madje është i dukshëm synimi se autori kërkon të zgjojë e ngacmojë tek lexuesi memorien kombëtare. Të ecësh përpara, nuk do të thotë që të shkelësh me këmbë çdo gjë të mirë që na kanë lënë brezat. Ndërkaq, nuk do të thotë të fshish nga kujtesa ato që janë bërë keq dje, sepse nuk do të dish t’i ndreqësh ato nesër. Tregimet e këtij vëllimi lexohen me kënaqësi nga të gjitha moshat, sepse autori, jo vetëm se në themel vendos ngjarje reale të përjetuara nga vetë ai gjatë jetës(një tipar dallues ky i veprave të Viron Konës), por edhe sepse për t’u dhënë këtyre ngjarjeve formë sa më emocionale, ai përdor fantazinë dhe trillin e tij krijues artistik. Është kjo arsyeja që tregimet e këtij libri nuk janë riprodhim i thjeshtë e spontan i disa momenteve kryesore të jetës së autorit, por krijime me vlera e frymëmarrje të thellë përgjithësuese dhe artistike.
Libri çelet me një nga tregimet më të bukura që titullohet “Kamerieri i Ismail Qemalit”. Në qendër të brendisë së këtij tregimi lartësohet figura e ndritur e Ismail Qemalit, burrit të madh të shtetit të parë shqiptar, që ngriti Flamurin e Pavarësisë në Vlorë. Ai shfaqet para lexuesve si diplomat i madh e burrë shteti, si njeri i ditur, guximtar dhe me forcë të madhe bindëse për diplomacinë botërore dhe shqiptarët. Këtë figurë dhe personalitet të ndritur kombëtar, që e kemi parë e lexuar të portretizuar në këndvështrime nga më të ndryshmet, shkrimtari Kona e ndriçon nëpërmjet një plani mjaft origjinal, nga këndvështrimi i një fëmije, një kamerieri të vogël. Ndonëse nuk e ka kulturën dhe nivelin e duhur të kuptojë në mënyrë të plotë ngjarjet që ndodhnin aso kohe në Shqipëri, ai, nëpërmjet gjuhës së figurshme që përdor Ismail Qemali, merr mesazhe të qarta për gjendjen dhe realitetin ku jeton. Për ta bërë bisedën midis Ismail Qemalit dhe kamerierit të vogël sa më të bukur dhe më emocionale, autori përdor një paralelizëm të bukur figurativ midis zogut të rrëzuar e të mbetur në vetmi, i cili simbolizon shqiptarin e pambrojtur, dhe nga ana tjetër midis lukunisë së qenve(pushtuesve) ,që lëshohen gjithë egërsi për kafshimin e trojeve tona.
“Qentë lëviznin rreth e qark të egërsuar dhe lehnin me tërbim. Gjuhët e dhëmbët i mbanin jashtë, ndërsa nga gojët u kullonin jargë. Sytë u shkreptinin nga lakmia.
Ismail Qemali hoqi vështrimin nga dritarja dhe tha:
-Zogu shpëtoi, por i plagosur. Do ca kohë që të shërohet. Kurse, qentë, i shikon, nuk lëvizin nga vendi. Duket që janë më të egërsuar se më parë, sepse u iku preja nga dhëmbët. Tani vijnë rrotull lisit me sytë nga foleja dhe përgjojnë rastin, që ai zog i vogël, ende i pafuqishëm, të rrëzohet përsëri”.
Nga kjo bisedë e ngrohtë dhe e figurshme midis Ismail Qemalit dhe kamerierit të vogël, lexuesi merr mesazhin e bukur: “Vetëm të bashkuar dhe të pavarur nga të tjerët, mund t’i bësh ballë çdo lloj agresioni dhe pushtuesi, sado i fortë që të jetë ai”. Ashtu si zogjtë që luftojnë të mbrojnë folenë dhe shokun e tyre të vogël, ashtu edhe shqiptarët të bashkuar dhe me guxim e trimëri duhet të luftojnë për mbrojtjen e trojeve. Një mësim i tillë kishte vlerë të madhe për shqiptarët, jo vetëm në ato kushte , kur vendi luftonte për shpalljen e Pavarësisë nga të huajt, por edhe sot e kësaj dite që Shqipëria është e pavarur dhe jeton kohën e demokracisë.
Vend të dukshëm në tematikën e tregimeve të këtij vëllimi zë dashuria e respekti për prindërit dhe lidhjen midis brezave. Dashuria prindërore nuk është thjesht respekt e dashuri për prindërit dhe të afërmit, por një dashuri universale, për vendlindjen dhe atdheun, për traditat dhe kulturën, për vazhdimësinë e gjakut dhe të gjuhës. Dy nga tregimet më të mira që trajtojnë këtë tematikë janë “Antigona” dhe “Një gotë uzo”. Për autorin nëna është mbretëresha e bukurisë shpirtërore. Me dashurinë e saj të rrallë ajo të kthjellon mendjen dhe të ngroh shpirtin edhe në ditët më të vështira të jetës. Portreti i saj i papërsëritshëm e ndjek autorin në çdo hap dhe i sjell atij fat kudo, madje dhe ditën e provimit. Për çudi , në tezën e provimit të letërsisë antike i bie të analizojë “Antigonën” e Sofokliut, emër që rastësisht e mbante edhe nëna e autorit. Ndoshta ishte ky emër magjik, që e mbush atë me emocione e përgjegjësi të lartë për t’u përgjigjur shkëlqyeshëm para komisionit të provimit. Gjatë analizës së “Antigonës”, atij i dukej sikur bisedonte ngrohtësisht me nënën e tij, e cila i jepte forcë që ai të përgjigjej sa më mirë.
“Ecja në rrugët e Tiranës me gëzimin që të fal dhënia e një provimi dhe nota e mirë. Ndihesha si një pupël e lehtë dhe doja t`u flisja të gjithëve sa njihja. Libreza e notave qëndronte e ngrohtë në xhepin e brendshëm të xhaketës, në xhepin pranë zemrës. Herë – herë më bëhej se, bashkë me rrahjet e mia të zemrës, rrihte lehtë edhe zemra e bukur e nënës sime, e cila, me emrin e saj, më kishte qëndruar aq pranë, edhe në atë provim të letërsisë antike..”(27).
Viron Kona dhe Sejdo Harka
Po kaq i bukur dhe emocional është dhe tregimi “Një gotë uzo”. Në qendër të brendisë së këtij tregimi qëndron babai, i cili fiket si qiriri në krevatin pranë komodinës, mbi të cilën qëndronte gota e pambaruar e uzos. Për ta shprehur sa më emocionalisht dashurinë, dhimbjen dhe mirënjohjen për gjithçka që babai i tij ka bërë për të, autori përdor këto vargje të poetit të njohur kosovar Sokol Demaku: “Shpirti yt/Sot është i madh/Është yll në qiell/Ndriçim mbi mua”. Pajtohem gjithashtu edhe me shënimin për vlerat e këtij tregimi të publicistit Guri Shyti, i cili pasi e përgëzon autorin për këtë tregim me ndjenja njerëzore, i shkruan:“ Aty nuk përmendet fare fjala shumë e përfolur “dashuri”, por tregimi është përplot me të për prindërit dhe për jetën që vazhdon”.
Përmes tregimit “Eukalipti” Viron Kona përçon mesazhin e përgjegjësisë që duhet të kemi për ruajtjen e memorjes së kombit dhe përçimin brez pas brezi të kulturës dhe traditave tona më të mira. Për ta sjell këtë mesazh sa më mirë tek lexuesit, autori intrigon metaforikisht me mbjelljen e një eukalipti, nëpërmjet të cilit ofron të gjalla kujtimet dhe emocionet e moshës së fëmijërisë. Shtatin e lartë të asaj bime të shenjtë, trungu i së cilës mbante të shkruar historinë e gjallë të vendit tonë, autori e kujton me dhimbje e mall: “E shihja, – shkruan ai, – atë eukalipt me mall tek lartësohej me rrënjët e futura thellë në këtë tokë, por fatkeqësisht… Ç`ta zgjas! Bashkë me ata qindra drurë, pemë, shkurre dhe lule të llojllojshme, edhe eukalipti im, ai simbol i jetës, por edhe i fëmijërisë sime… nuk jetonte më. E, teksa trupi i tij, u shndërrua në copa druri për t`u ngrohur në dimër, apo… për të zier raki, brenda meje ishte këputur e thyer me zhurmë diçka tepër e shtrenjtë dhe e shenjtë…Ky ishte fundi i atij eukalipti….U deshën më shumë se 30 vjet që ai të lartësohej e të bëhej aq i madh, i fuqishëm dhe i bukur, por, vetëm disa goditje spate druvari dhe, Ai, u shemb në tokë, si…Anteu”.(52) Për ta bërë sa më emocionale dhe më dramatike këtë papërgjegjshmëri ndaj vlerave, autori në krye të tregimit citon këto vargje të bukura të poetit të diasporës shqiptare Sadulla Zendeli – Daja: “Ku jeni, o lisat e vendit tim/Që zogjtë të shtegtojnë e të kthehen në Atdhe/E në degët tuaja gjelbërore/të ndërtojnë/Të bukurat fole”.
Ndjesinë e dhimbjes dhe të protestës qytetare ndaj vandalizmit shkatërrues të traditave, kulturës dhe gjithçkaje të mirë që trashëgojmë nga e kaluara, autori e përjeton edhe në tregimin “Nëndetësja”. Protagonisti kryesorë i këtij tregimi është “Nëndetësja 105”, e cila do të bëhej mollë sherri dhe krenarie në filmin “Ballë për ballë”. Ky “përbindësh” metalik mbante mbi shpinë një luftë sa të ftohtë, aq edhe të tmerrshme. Por, fatkeqësisht, ky simbol guximi e krenarie, që s’u dorëzua para sulmeve grabitqare të kohës, i tjetërsuar në skrap, do të bluhej nga dhëmbët e përflakur të furrnaltës së Metalurgjikut të Elbasanit. Prandaj me dhimbje autori shkruan: “Krenaria” e Flotës Luftarake Detare Shqiptare gjatë “Luftës së Ftohtë”, po përfundonte në kremator(furrnaltë)…E bashkë me ato copëra çeliku dhe bakri, m`u bë se po përfundonin në furrnaltën e zjarrtë edhe tërë ato ngjarje, ndodhi, episode, marrëdhënie, histori njerëzish që kishin ëndërruar, kishin sakrifikuar…Në vitin 2013, – vijon më tej autori, – isha i ftuar në Suedi në një takim shkrimtarësh. Ndër të tjera, vizitova edhe Muzeun Detar të Goteborgut. Mbeta i mahnitur nga ajo që pashë. Një muze detar me hapësira të paana, me anije të shumta që pluskonin qetësisht në ujë. Ishin anije gjithfarë llojesh, nga më të vjetrat dhe nga më modernet, anije viking, anije me vela, anije peshkimi,anije transporti,anije luftarake… Këtë emocion, e përjetova veçanërisht kur pashë parakalimin triumfalë e krenar të asaj flote “të çuditshme”, me anije të shumëllojshme, përfaqësuese të të gjitha kohëve, që lundronin “duke parakaluar” herë pas here përpara banorëve të qytetit dhe miqve të ardhur nga tërë anët e botës, si për t`u treguar njerëzve se atë që ata ndërtojnë, të mos e shkatërrojnë, sepse, ashtu ata respektojnë vlerat e vetes dhe të brezave, ashtu nderojnë dhe ruajnë gjithnjë të freskët kujtesën, historinë e tyre…
Në këtë vëllim lexuesi do të gjejë edhe shumë tregime të tjerë të bukur, por në këto shënime u ndalëm kryesisht në ato tregime që e përçojnë drejtpërdrejt kujtesën dhe memorien e kombit, në themel të të cilit qëndron mesazhi universal: “Që një komb të mos vdesë kurrë, në çdo çast duhet të mbajë të ndezur kujtesën për të djeshmen, të sotshmen dhe të ardhshmen”. Dhe ky mesazh i bukur vlen edhe më shumë sot, kur, fatkeqësisht disa pseudo modernistë, i kanë drejtuar shigjetat helmuese kundër memories, kulturës dhe traditave tona më të mira…