Botohen shkrimet e nobelistes shqiptare, Nënë Tereza/
TIRANE,3 Shkurt/- “Në zemër të botës” është një portret i fuqishëm i njërës prej femrave më të dashura të të gjitha kohëve, i rrëfyer me fjalët e saj nëpërmjet një përzierjeje magjepsëse të përvojave ditore të jetës, lutjeve dhe mençurisë shpirtërore.
Para pak ditësh, doli nga shtypi libri “Në zemër të botës” , me autore Nënë Terezën.
Libri është i përbërë me shkrime të nobelistes shqiptare, të cilat janë shkruar dhe botuar nëpër gazeta dhe revista të ndryshme, ndërsa pas vdekjes së saj, këto shkrime janë mbledhur dhe janë botuar në libra të ndryshëm, njëri prej të cilëve është ky që sapo është botuar edhe në gjuhën shqipe.
“Në zemër të botës” është një portret i fuqishëm i njërës prej femrave më të dashura të të gjitha kohëve, i rrëfyer me fjalët e saj nëpërmjet një përzierjeje magjepsëse të përvojave ditore të jetës, lutjeve dhe mençurisë shpirtërore. Ndiqeni Nënë Terezën nëpër rrugët e Kalkutës, Romës dhe Nju Jorkut dhe dëgjojeni atë duke ofruar margaritarë të së vërtetës shpirtërore, aq të përshtatshme sot po aq sa në ditët kur filloi punën e saj para shtatëdhjetë vjetësh.
Me humor, dhembshuri dhe qartësi lirike, Nënë Tereza ndriçon të shenjtën në punët e brendshme të përditshme të jetës. “Në zemër të botës” bart dëshmi të padiskutueshme ndaj influencës së një shpirti tërësisht të përkushtuar – me një zemër të dashurisë – ndaj një jete të të shërbyerit.
Nëpërmjet këtij libri, Nënë Tereza do të ju frymëzojë t’i pushtoni të tjerët me dashuri dhe dhembshuri dhe të punoni së bashku për paqen botërore.
Botimi i librit është mbështetur financiarisht nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës. Librin e botoi “Deon-AB”, kurse është përkthyer prej anglishtes nga Alfred Beka.
Nënë Tereza u bë e njohur në botë për punën e saj vetëmohuese me “më të varfrit e të varfërve” në Kalkutë të Indisë. E lindur në vitin 1910 në Shkup, tani kryeqytet i Maqedonisë, Nënë Tereza e filloi periudhën e rishtares në Indi në vitin 1928. Që nga krijimi në vitin 1950, urdhri i saj, Misionaret e Bamirësisë, ka hapur më shumë se 500 qendra nëpër botë për t’iu ndihmuar atyre që janë duke vdekur dhe varfanjakëve. Nënë Tereza ka qenë pranuese e shumë shpërblimeve humanitare më prestigjioze në botë, përfshirë Medaljen e Lirisë të Shteteve të Bashkuara, çmimin Albert Schweitzer të Kombeve të Bashkuara dhe çmimin Nobel për Paqe. Ajo vdiq në vitin 1997.(Kortezi a.gegvataj
Kur Nënë Tereza për Shqipërinë ishte “agjente e Vatikanit”
*Për herë të parë fliste Lazër Bojaxhiu,vëllai i misionares të nderuar me çmimin Nobel për paqen, në revistën italiane “Gente”./
I Vellai: “Prej kohe e kam respektuar dëshirën për përmbajtje të Nënë Terezës” thotë, “por tani vendosa të flas: bota duhet të njohë mizorinë e regjimeve komuniste” Një artikull i revistës italiane “Gente” i vitit 1979./
Ne Foto: Nene Tereza ne Tirane/
NENE TEREZA, IME MOTER
Lazër Bojaxhiu jeton prej tridhjetë vitesh në Palermo: u largua nga Shqipëria në kohën e fashizmit, mbas pushtimit italian dhe ka qenë i dënuar me vdekje si ‘kriminel’ nga një gjykatë në Tiranë.
“Prej kohe e kam respektuar dëshirën për përmbajtje të Nënë Terezës” thotë, “por tani vendosa të flas: bota duhet të njohë mizorinë e regjimeve komuniste” – “Megjithë ndërhyrjet e politikanëve të gjithë kombësive pranë qeverisë shqiptare nëna jonë vdiq pa mundur ta përqafojmë edhe një herë as unë e as ime motër”. “Nënë Tereza i ka falur, por është mirë që të gjithë ta njohin dramën tonë”.
nga Gaetano Salimbeni sipas bisedës me Z. Lazër Bojaxhiu në Palermo, dhjetor, 1979; botuar në GENTE – dhjetor 1979 (n. 52) dhe janar 1980 (n.1)
Ka një dramë të fshehtë në jetën e Nënë Terezës të Kalkutës, të cilën nuk e ka ditur asnjeri dhe mbi të cilën ajo nuk ka dashur të flasë kurrë. Nuk mundi të përqafojë edhe një herë nënën plakë në shtratin e vdekjes. Është një dramë që e ka jetuar në heshtje duke e ndarë vuajtjen me të vetmin njeri që i ka mbetur nga familja: me të vëllanë. Pikërisht i vëllai na e zbulon këtë.
“E di se Nënë Terezës nuk do t’i pëlqejë t’i lexojë këto gjëra nëpër gazeta”, thotë Lazër Bojaxhiu. “Ajo ka qenë gjithnjë aq e përmbajtur e madje edhe është drojtur të flasë për familjen e vet. “E ç’janë ankthet tona të vogla përpara tragjedisë së miliona qenieve njerëzore të cilët vdesin çdo ditë për bukë?” më thosh gjithnjë. Për vite të tërë ia kam respektuar këtë dëshirë përmbajtje dhe ia kanë respektuar sidomos politikanët të cilëve Nënë Tereza u fliste për nënën e saj duke u kërkuar të bënin diçka. Dhe këta ishin Kenedë-t dhe De Golë-t. Asnjeri nuk ia doli dot. Ja, shkruaje këtë: motrës të vogël e të përulur e cila u pat ardhur në ndihmë miliona të braktisurve, ajo që u ka dhënë dashurisë dhe solidaritet njerëzor aq shumë njerëzve të dëshpëruar, u ndalua t’i qëndrojë mbi krye të shtratit të vdekjes nënës së vet. Dhe kjo grua e gjorë vdiq e dëshpëruar duke shtrënguar në kraharor një fotografi të vjetër të njomur me lotë. Shkruaje: kështu vdesin në një vend komunist, në Shqipëri”.
Lazër Bojaxhiu, qytetar shqiptar, 71 vjeç jeton prej tridhjet vitesh në Palermo, ku është drejtor i degës siçiliane tënjë enti farmaceutik. Është refugjat politik. La Shqipërinë nën fashizëm mbas pushtimit italian dhe ishte oficer në ushtrinë italiane. Një gjykatë e Tiranës e ka dënuar me vdekje si ‘kriminel’; pra në se kthehet – e vrasin. Nëna e tij vdiq në Tiranë më 1974. Ishte 83 vjeç.
E fshehta e tmerrshme
“Dua së pari të sqaroj një pikë” thotë vëllai i Nënë Terezës. “Ne jemi shqiptarë, jo jugosllavë si shkruajnë nga pak gjithë gazetat e botës. Keqkuptimi ka ardhur nga që Shkupi, qyteti ku jemi lindur, më parë ishte shqiptar dhe pastaj i kaloi Jugosllavisë. Po ne të gjithë vazhdojmë të flasim shqip dhe motra ime (e cila di edhe anglisht dhe pak frëngjisht) letrat m’i shkruan shqip.”
“Andrallat për familjen tonë”, kujton Zoti Lazër “filluan pikërisht nga kjo luftë mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë për zotërimin e Kosovës, krahinës ku ndodhet Shkupi dhe që nga sipërfaqja është më e madhe se gjithë Shqipëria e sotme. Babai ynë Nikoll Bojaxhiu, i cili ishte tregtar i kamur dhe kishte edhe një sipërmarrje ndërtimi (pat ndërtuar teatrin e parë në Shkup), ishte i angazhuar edhe politikisht: kuptohet, përpiqej për të drejtat e popullsisë së Kosovës, e cila ndjehej dhe dëshëronte të mbetej shqiptare. Është e qartë se kur erdhën jugosllavët iu desh të vuante gjithë llojet e shpagimit dhe hakmarrje. Vdiq i helmuar më 1919, gati 46 vjeç. Dhe është e qartë, edhe pse nuk thuhet në asnjë çertefikatë mjekësore, u helmua nga jugosllavët”.
Më 1919, vitin e vdekjes së Nikoll Bojaxhiut, e ardhëshmja motër Tereza (emri i pagëzimit të së cilës është Gonxhe, përkthyer italisht Agnese – Anjeze) ishte 9 vjeç me që pat lindur më 27 gusht 1910;
Lazri, vëllai ishte 11 vjeç dhe 13 vjeç motra e madhe Agata (vdekur më 1976, dy vjet mbas së ëmës, edhe ajo e vetme dhe e dëshpëruar). Është pikërisht kjo drama të cilën motër Tereza e jetoi në heshtje për shumë vite: vdekja e nënës dhe motrës.
Lazër Bojaxhiu nuk do të dëshironte të shtonte gjë tjetër asaj që pat thënë: “E di se po hap një plagë ende të pambyllur në zemrën e Nënë Terezës dhe që do të mund të mbyllet me vështirësi, por është e nevojshme që njerëzit ta dinë si është vdekja në këtë vend. Në se vendosa ta zbuloj të fshehtën e tmerrshme (mund ta kisha bërë qysh në Oslo gjatë ceremonisë të dorëzimit të çmimit Nobel nënë Terezës), e bëj veç për këtë: dëshëroj që popujt e gjithë botës t’i hapin mirë sytë”.
Të kallura në dhe të gjalla
Quhej Drande (emër luleje – drandofile) nëna e Agatës, Lazrit e Gonxhe Bojaxhiut. “Ish një grua me karakter të jashtëzakonshëm”, kujton i biri. “Shkatrrimi ekonomik që pësuam mbas vdekjes së babait nuk e ligështoi. Nuk mundi të rifillojë veprimtarinë e dëmtuar, por filloi menjëherë një veprimtari tregtare me mjaft t’ardhura: atë të qilimave, qëndisjeve dhe prodhimeve të tjera të artizanatit vendas, që lulëzonte në gjithë vendin. Fundja, u bë nënë e babë bashkë. Dhe këtë punë vazhdoi ta bëjë për shumë vite, sa kohë që familjes iu desh puna e saj. Pastaj lufta (lufta e dytë botërore), shkatrrimi i dytë. Nga Shkupi nëna dhe motra që tashmë kishin mbetur vetëm, mbasi Goxhja ishte tashmë në Indi dhe unë në Itali, u shpërngulën në Tiranë. Dhe atje, me ardhjen në fuqi të komunistëve mbetën “të kallura në dhe të gjalla”. Kufijtë u mbyllën pa asnjë mundësi komunikimi me ne për të paktën dhjetë vjet. Pastaj, më në fund, një shenjë jete me një letër e cila më mbrriti në Itali, në Palermo. Iu përgjigja, ju dhashë lajme për mua e për Nënë Terezën. Ishte gjë e madhe që po mund të komunikonim. Ato na shkruan përsëri. Por egjimi komunist i Tiranës nuk toleron t’u shkruash më shumë se një letër në muaj të dashurve të tu që ndodhen jashtë shtetit dhe përveç kësaj, letrat si në dërgim ashtu edhe në mbrritje duhet të kalojnë nëpërmjet censurës së Shtetit”.
Nënë Tereza (kështu e quan i vëllai apo thjesht “nëna”) i pati hedhur ndërkohë themelet e asaj që do të shndrrohej në “organizatën ndihmëtare më frytdhënëse në botë”. Vetëm me forcën e saj të madhe që ish forca e dashurisë. “Përballë kësaj motre të përulur me zemër aq të madhe”, pat thënë Indira Gandi, “të gjithë ndjehemi të vegjël e të turpëruar nga vetja jonë”. Tashmë Nënë Terezës i hapeshin gjithë dyert: Kenedi, De Goli, mbreti Gustav Adolf i Suedisë, ishin jo vetëm përkrahës të veprës, por edhe miq të saj. Dhe atyre Nënë Tereza mundi t’u drejtohet për t’u kërkuar t’i shkëpusë motrën dhe të ëmën nga një rregjim i pamëshirshëm, i cili ua bënte të dëshpëruar vetminë.
“U takuam në Romë më 1960” kujton Lazër Bojaxhiu. “Nënë Tereza kthehej nga Shtetet e Bashkuara dhe unë që nuk e shihja prej kaq vitesh pata dëshirë të shkoj e ta përshëndosh në aeroport duke u përzier me turmën e vogël të motrave që po e prisnin. U përqafuam gjatë-gjatë, me dashuri, po askush nuk na njohu për vëlla e motër: ajo aq e vogël dhe e hajthme, unë të paktën dyfish i gjatë. Me mua ishin edhe ime shoqe dhe ime bijë që nuk e kishin takuar asnjëherë.
“I thashë: “Nënë, duhet të bëjmë një gjë për këto gra të mjera që rrojnë aty në Shqipëri”. M’u përgjegj: “Ki besim, tani diç mund të bëj. Kam shumë miq në gjithë botën që mund të më ndihmojnë”.
“Ndenjëm katër ditë në Romë” kujton përsëri i vëllai. “Unë në hotel, ajo në kolegjin e motrave. Rrinim bashkë disa orë në ditë, hanim drekë në hotel dhe një herë edhe në kolegjin ku qëndronte. Ajo kish shumë punë, takime në çfarëdo orë. Nuk arrita të kuptoj kurrë ku e kishte aq forcë një grua e vogël me pamje aq të brishtë. Ajo thosh gjithnjë: “E kam nga Zoti këtë forcë”. I ktheheshim bisedës për nënën. Shkruajtëm bashkë nga Roma. “Shiko se do t’ia dalim ta nxjerrim nga Shqipëria”, vazhdonte të më siguronte. Dhe unë mendoja si do t’u përgatisja një qoshe në shtëpinë time në Palermo, ku mund të vendoseshin e të jetonin më në fund të qeta. Në Palermo Nënë Tereza do të mund t’i takonte shumë lehtë.
Gënjeshtër
“Kaluan vite, u takuam edhe herë të tjera, përsëritëm të njejtat biseda, ndërsa letrat që vinin nga Shqipëria kishin gjithnjë e më shumë ankth. “Dua t’u shoh përpara se të vdes: është e vetmja lutje që i bëj të madhit Zot”, shkruante nëna. “Në jetë”, më thoshte më pas Nënë Tereza në një nga takimet tona, “kam arritur gjithë ç’kam dashur vetëm me forcën e dashurisë; por ama ka pengesa të cilat mjerisht dashuria nuk arrin ende t’i kapërxejë”. E hidhte fjalën tek përpjekiet e bëra nga Kenedi, nga De Goli, nga mbreti Gustav Adolf i Suedisë, të cilat dolën të kota.
“Di se në veçanti ministri i atëherëshëm i jashtëm francez Kuv dë Myrvil pat bërë hapa konkrete ndaj kolegut të vet të Tiranës: Shqipëria, asohere aleate e Kinës, synonte të hapej me drojtje ndaj Perëndimit dhe qeveria frënge dukej e prirur për të filluar dialogun. A nuk ishte pra rasti më i mirë për të zgjidhur çështjen e nënës dhe motrës të motër Terezës!
“Por as kësaj here nuk u arrit ndonjë gjë. Ministri i jashtëm frëng pati këtë përgjigje nga kolegu i tij shqiptar: “Zonjat Drande dhe Agata Bojaxhiu nuk janë në gjendje fizike që lejon një udhëtim jashtë shtetit”1). Ishte gënjeshtër. Nëna dhe motra nuk ishin të sëmura, nuk kishin rënë në shtrat. E vetmja sëmundje e tyre ishte vetmia, dëshpërimi. Dhe vdiqën të dyja të dëshpëruara: nëna më 1974, motra Agata pas dy vitesh”.
Të dish të falësh
Kujtime të tmerrëshme, të cilat na u shfaqën në mënyrë dramatike edhe në mbrëmjen e ceremonisë për dorëzimin e Nobel-it në pallatin e madh të Stokholmit. “Isha gati duke i nxjerrë në shesh të gjit ha me gazetarët”, thotë Lazër Bojaxhiu. “U bllokova nga buzëqeshja e Nënë Terezës. Ajo është gjithnjë e prirur ndaj faljes dhe i tashmë i ka falur”.
Ju buzëqeshi të gjithëve motra e përulur, e cila as në ceremoninë zyrtare nuk hoqi dorë nga nga sari i saj i bardhë prej pambuku me anë ngjyrë qielli, kapur në supe me një kryq. I buzëqeshi mbretit të ri të Suedisë (nip i mikut të saj të madh Gustav Adolf), u buzëqeshi dinjitarëve të Oborrit, anëtarëve të Akademisë, duke i falenderuar për nderin e madh që i patën bërë. “E di mirë” e saktësoi “se ky nuk është çmim për mua, se gjithë këto miliona nuk di fare ç’t’i bëj, meqë gjithnjë kam jetuar në varfëri, po është për punën time, dhe për punën time këto miliona nuk mjaftojnë. Sidoqoftë unë do t’i shpenzoj shpejt, i kam bërë tashmë programet; e di se të tjera do të vijnë nga gjithë bota”.
Nuk pranoi as drekën zyrtare. “Paratë që keni shpenzuar për darkë, në se doni, mund t’ua jepni fëmijëve të mij”. Ia dhanë. Dhe doli nga skena buzëqeshur, si pati hyrë. Vëllait (dhe mbesës që e shoqëronte) para se të ndahen i tha: “Dashuria, kujtoje, do të thotë edhe, dhe mbi të gjitha, të dish të falësh”.
Kur ime motër ishte 18 vjeç
“Nënë Tereza”, thotë i vëllai Lazër “i ka falur vrasësit e prindërve tanë, ndërsa unë nuk di në se do të mund t’i fal ndonjëherë. Ajo ka forcën e madhe të dashurisë që e mban, në saje të së cilës ka kapërxyer aq shumë çaste të vështira dhe fituar aq shumë beteja. “Të duash, kujtoje mirë o vëllai im” më thosh gjithnjë “ do të thotë edhe të dish të falësh”. Ma tha edhe mbrëmjen kur i dhanë Çmimin Nobel në Stokholm dhe unë pyes veten në se do të mund ta kem atë forcë. Do t’i kërkoj ndihmë asaj në se do që edhe unë t’i fal…”
Për Nënë Terezën e Kalkutës janë shkruar shumë libra: për punën që bën sot e 40 vjet “në mes të më të varfërve të të varfërve të botës”; për shtëpitë që ka hapur, të cilat nga Italia u shtrinë në gjithë kontinentet, për fjalimet që mban, letrat, meditimet, mësimet. Por ne kemi ditur shumë pak për jetën e saj. “Nënë Terezës nuk i pëlqen të flasin për të” kanë thënë gjithnjë biografët. “M’u lut të mos bëj asgjë që do të përfundonte si biografi”, ka shkruar englezi Malkolm Magerixh (Malcolm Muggeridge) në parathënien e librit Një gjë të bukur për Zotin.
Jeta e Krishtit
Askush nuk ka cekur ndonjëherë “të vërtetat e tmerrshme” të cilat Nënë Tereza i ka ruajtur në zemrën e vet për kohë të gjatë, duke vuajtur në heshtje: vdekja tronditëse e babait, i helmuar nga jugosllavët dhe fundi i dëshpëruar i nënës të cilën rregjimi komunist shqiptar nuk e lejoi të përqafonte bijtë para vdekjes. Për këtë për herë të parë foli i vëllai për revistën tonë. Dhe tani për shumë biografë do të jetë mbase më e vështirë të kuptojnë ku e gjen forcën e vet kjo “motër e jashtëzakonshme e vogël e cila është zhytur aq shumë në tiparet e të përbashkëta të njerëzimit sa që është identifikuar me vuajtjen njerëzore”.
“Sipas meje bota sot është e pështjelluar dhe vuan shumë”, ka thënë shumë herë Nënë Tereza duke iu folur misionareve të dashurisë, urdhër i krijuar prej saj më 1950 “sepse në vatrat e shtëpive dhe në jetën e familjes ka me të vërtet pak dashuri. Nuk kemi kohë për fëmijët, nuk kemi kohë për njëri tjetrin, nuk kemi kohë as t’i gëzohemi njëri tjetrit. Mendoj se në se do të mundnim veç t’i sillnim përsëri në jetën përditëshme atë jetë që bënin Krishti, Maria dhe Josifi në Nazaret, në se do t’i bënim shtëpitë të tona tjetër Nazaret, në botë do të mbretëronin dashuria dhe gëzimi…”.
Nazareti i Nënë Terezës ish Shkupi, një qytezë e krahinës shqiptare të Kosovës, e cila i kaloi Jugosllavisë më 1909, pak para se ajo të vinte në jetë. Në familjen e saj kish dashuri dhe gëzim e jo varfëri Nazareti. Babai, Nikoll Bojaxhiu, ishte tregtar i kamur lënde ndërtimi; nëna, e cila quhej Drande (emër lule në Shqipëri), vinte edhe ajo nga një familje në gjendje të mirë: Agi (italisht Agata), e madhja; Lazër, i vetmi mashkull dhe Gonxhe (italisht Agnese), e ardhmja Nënë Terezë. Gonxhja lindi më 27 gusht 1910, vëllai më 1908, motra më 1906.
Të shtatë jetimët
“Një familje jashtëzakonish e lumtur”, kujton Nënë Tereza. “Unë nuk mund ta harroj nënën time. Zakonisht ishte gjithnjë shumë e zënë me punë, tërë ditën. Po kur afrohej mbrëmja kish zakon të kryente me ngut punët për të qenë gati të presë tim atë. Atëhere nuk kuptonim dhe qeshnim e madje edhe bënim pak hoka. Sot nuk mund të mos sjell nëpërmend butësinë e dashurisë që ndjente për të ime ëmë: sido që të bëhej ajo ishte gjithnjë gati për ta pritur buzagas… Ishte një grua e dashuruar, shumë bujare, me parime të shëndosha katolike…”
Shkupi atëhere ishte shumica musulman; kishte shumë ortodoksë: shumë të pakët katolikët. “Ne” tregon Lazër Bojaxhiu “ishim ndër të paktët katolikë të qytetit. Ishte një kishëz dy hapa nga shtëpia jonë: nëna na çonte në meshë që të tre, gati përditë në mëngjes në orën kur babai dilte për të shkuar në punë. Dhe në mbrëmje, sapo errej, mblidheshim të gjithë në sallonin e madh ku rrinim dhe thoshim ruzaret2) me të. Shpesh kish edhe të afërm që i prisnim në një shtëpi tjetër, ë cilën e ndante nga e jona një kopësht i madhme shumë lule dhe pemë. Edhe miqtë tanë, të përpiktë, vinin çdo mbrëmje për të thënë ruzaret me ne.
“Dhe nëna, me gjithë punët e shtëpisë, gjente kohë edhe për të shkuar e vizituar të sëmurët në qytet, për t’u çuar veshje të varfërve. Shpesh shkonim edhe ne fëmijët. “Ju jeni me fat” na thosh gjithnjë nëna: “keni shtëpi të bukur, bukë e veshje, po nuk duhet të harroni se ka shumë njerëz që vuajnë për bukë dhe fëmijë që nuk kanë me se të vishen dhe kur sëmuren nuk kanë as barna për t’u mjekuar”.
“Gonxhja”, vazhdon më tej tregimi i vëllait “nuk linte t’i ikte as edhe një nga këto vizita ditore. Ishte një grua e varfër e ve që rronte me shtatë bijtë e saj, gati të gjithë të vegjël, në një dhomë të errët e të ndyrë dhe ishte e sëmurë rëndë. Ne fëmijëve na ndahej zemra më dysh kur i shihnim të gjithë atje, grumbull mbi një shtrat të vetëm të madh, që ish një lloj shtroje mbulesash të lerosura e të ronitur. Veç një dhomë për tetë krijesa me një birucë për guzhinë dhe madje pa banjë, ndërsa ne kishim sejcili dhomëzën e vet të bukur, madje kishim edhe vaskë banje me ujë që vinte drejtpërdrejt nga rubineti (gjë e rallë atëhere për Shkupin). Gonxhja, kur dilte nga shkolla, shkonte gjithnjë tek këta fëmijë të varfër para se të vinte në shtëpi dhe kthehej mbasdite për të ngrënë zemër me ta: kuptohet se zemrën e çonte ajo. Kur më pas kjo e gjorë vdiq, më kujtohet se të shtatë fëmijët rronin në të vërtet në shtëpinë tonë”.
Jeta ime e re
Po edhe për Bojaxhijtë erdhën ditë të trishtme. Fërkimet mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë mbas kalimit të krahinës së Kosovës në Jugosllavi nuk pushonin. “Im atë, i cili merrej edhe me politikë”, tregon vëllai i Nënë Terezës “i pat mbrojtur pa u tundur të drejtat e kësaj krahine shqiptare për të mbetur e bashkuar me vendin amë, por më pas iu pat dashur të dorëzohet përballë trupave të Beogradit dhe shpagimeve e hakmarrjeve të padronëve të rinj. Sipërmarrja e tij falimentoi, familja jonë filloi të vuajë dhe më në fund jugosllavët e vranë duke e helmuar. Një mbrëmje babai u kthye në shtëpi dhe e kapën dhimbje therëse. E shtruan në spital, po nuk patën s’t’i bënin. Vdiq mbas pak orësh.” Ishte viti 1919. Nikoll Bojaxhiu ishte gati 46 vjeç. Të tre fëmijët ishin 13, 11 e 9 vjeç. Ishte nëna ajo që i shpëtoi nga varfëria duke filluar një tregti qilimash, qëndizmash dhe të prodhimeve të tjera të artizanatit të vendit.
“Gjithë ne fëmijët” kujton Lazër Bojaxhiui, “jepnim një dorë, por pa lënë mbas mësimet. Shkonim mjaft mirë në shkollë. Të tre ndiqnim shkolla jo katolike, por Gonxhja kalonte një pjesë të madhe të kohës së lirë në famulli, të cilën e drejtonin jezuitët”.
Si e kujton vëllai Gonxhen e këtyre viteve? “Kujtoj shumë mirë” thotë Zoti Bojaxhiu “për Gonxhen nëntë vjeç. Ishte bufe dhe e rrumbull, e shëndetëshme, e rregullt, e arësyeshme, madje tepër serioze për moshën e vet. Ishte e vetmja nga të tre që nuk merrte fshehtaz marmelatë. Po ndonjëherë, siç ish e mirë dhe bujare, më në fund më ndihmonte, sepse i vetëm nuk ia dilja dot të ngreja kapakun e enës së madhe të vendosur lart mbi një murin në dhomën e bukës. Unë isha grykës i madh marmelate dhe ëmbëlsirash. Shpesh ngrihesha edhe natën për të llupur ndonjë gjë dhe ajo m’i ndjente hapat në korridor e vinte e gjente në guzhinë apo në dhomën e bukës dhe më kujtonte se mbas mesnate nuk duhej as të pija dhe as të haja ndonjë gjë sepse të nesërmen në mëngjes duhet të kungoheshim. Asohere ishte i detyruar agjërimi i plotë, i cili u hoq
veç para pak kohe. Unë, të them të drejtën nuk u kushtoja rëndësi këtyre rregullave, por ajo trishtohej. “Krishti”, më thoshte shpesh, “duhet pritur me nderim të madh dhe duhet të përgatitemi ta presim me dinjitet, edhe duke bërë sakrifica”. Unë bëja sikur e dëgjoja, po edhe natën e mëpasme shkoja përsëri në guzhinë. Por duhet ta them se nuk më tradhëtoi asnjëherë. Më donte me gjithë shpirt, edhe se disa herë i sillja telashe. Kujtoj se kur nëna na jepte urdhër ne fëmijëve të pastronim këpucët dhe unë nuk doja, vetë ajo pastronte edhe të miat”.
Si i lindi thirrja për misionare? E kujton vetë Nënë Tereza në shkrimet e saja: “S’di të them në se në pjekjen e thirrjes sime ka pasur më shumë ndikim shembulli i nënës sime dhe dashuria e saj për të varfërit apo prania ime e parreshtur në famullinë e jezuitëve. Është e sigurt se mendimet e para më erdhën kur sapo pata mbushur dymbëdhjetë vjeç. Por ama nuk fola me njeri. Vazhdova të studioj dhe përfundova liceun. Dhe kur isha tetëmbëdhjetë vjeç ia thashë të gjitha nënës. “Në se ky është vullneti i Zotit’, më tha kjo grua shenjtore “unë nuk do të kundërshtoj”. Ishte një jezuit në Shkup që më foli për herë të parë për Kongregacionin irlandez të “Abacisë së Loretos” që e kish qendrën në Rathfarnham, pranë Dublinit. Pra u nisa për Irlandë. Ishte 28 nëntor 1928 dhe prej tri muajsh kisha mbushur tetëmbëdhjetë vjeç. Veç një vit më pas isha në Indi”.
Rishtare në Darjeeling, pranë Kalkutës, Goxhe Bojaxhiu përmbush kushtet dhe dërgohet të japë mësim në “Shkollën e Mesme të Shën Marisë” të Kalkutës. Tashmë është motër Tereza. “Është jeta ime e re” i shkruan e lumtur nënës. “Kolegji ynë është i shkëlqyer, në mes të një kopështi shumë të madh, mes vllajash me lule, pemë e shatërvane me currila uji. Më pëlqen të jap mësim. Kam këtu përgjegjësinë e një shkolle të tërë dhe aq shumë vajza, të cilat më duan shumë. Më vjen keq se nuk jam me ju. Po edhe ti shumë e dashur nënë duhet të jesh e lumtur: Gonxhja jote e vogël është e lumtur”.
Shumë shpejt do të heqë dorë nga ky oaz paqe. “Duke udhëtuar një ditë me tren dhe duke dalë pastaj në mbrëmje nëpër rrugët e Kalkutës”, do t’i shkruajë një ditë nënës “u kujtova se thirrja ime e vërtetë ishte t’u shërbej të varfërve. Një mbrëmje eca gjatë. Eca pa u ndalur fare derisa nuk mundja më. Atëhere kuptova më mirë se deri në çfarë shkalle raskapitje duhet të mbrrijnë ata që janë me të vërtetë të varfër, gjithnjë në kërkim të pak ushqimi, barnash, çdo gjëje… Kujtimi i qetësisë materiale që gëzoja në Kuvendin e motrave të Loretos m’u shfaq para sysh si tundim. U ndjeva e pafuqishme ndaj thirrjes së re. Krishti më donte atje. Dhe nuk pata mëdyshje ta ndjek vullnetin e tij”.
Do të kalojnë shumë vite përpara se Nënë Tereza të mund t’i kushtohet krejtësisht e pavarur thirrjes së re dhe përfundimtare. Leja për të lënë Urdhërin e Motrave të Zonjës Tonë të Loretos i mbrriti nga Roma vetëm më 8 gusht 1948. Më 21 dhjetor të po këtij viti hapet shkolla e parë e saj në rrethinat e Kalkutës; mbas një viti Qendra e parë e grumbullimit të njerëzve që ndodheshin në prag vdekjes në një papafingo të dhuruar nga një zonjë europiane e cila jetonte atje; dhe më 7 tetor 1950 themelon Kongregacionin e ri të “Misionareve të Dashurisë”, i cili vetëm mbas 15 vjetësh, më 1965 do të ketë miratimin papnor.
Letrat e saj
Po sidoqoftë, për të filluar punë Nënë Tereza nuk pret miratimin papnor. “E kam shtëpinë time të re” i shkruan nënës më 1950 “dhe është shtëpia e të varfërve: jo e të varfërve, por e atyre më të varfër ndër të varfërit; e atyre të cilëve njerëzit nuk duan t’u aviten nga frika e ngjitjes së sëmundjeve dhe erës së zhulit, nga që janëtë mbuluar me mikrobe dhe insekte; e atyre që nuk shkojnë të luten, mbasi nuk mund të dalin nga shtëpia të zhveshur; që nuk hanë, mbasi nuk kanë më forcë të hanë, që rrëzohen rrugëve, edhe pse e diinë se po vdesin, dhe përbri të cilëve të gjallët ecin pa ju kushtuar vëmendje: e atyre që nuk qajnë më, se nuk kanë më lotë”.
Gëzimi kushtimit ndaj të tjerëve është titulli i një libri shkruar nga një spanjoll, ku janë përmbledhur fjalimet, meditimet, mësimet e kësaj motre të përulur dhe të vogël, e cila mahniti dhe mallëngjeu gjithë botën me përkushtimin e saj, me dashurinë e saj për të varfërit, me vrrull jetësor të jashtëzakonëshëm (“Ma ka falë Zoti forcën”, thotë), që fshihen pas pamjes jashtësore të një karakteri në dukje të brishtë e të pambrojtur. Por pjesë të meditimeve të saj i gjejmë edhe në letrat që Nënë Tereza u ka shkruar njerëzve të familjes.
Ja disa nga më domethënëset: “Pa vuajtje puna jonë do të ishte një veprimtari shoqërore, një veprimtari shumë e mirë dhe e dobishme, po nuk do të ishte punë e Krishtit. Ne duhet të shelbojmë jo vetëm varfërinë materiale, po edhe mjerimin shpirtëror. Dhe duhet ta marrim parasysh sepse vetëm duke u bashkuar fort me të varfërit mund t’i shelbojmë, duke futur Zotin në jetën e tyre, duke i bartur e çuar ndaj Zotit…”.
“Dashuria është arma jonë: dashuri për të gërbulurit, për pleqtë, për ata në prag të vdekjes, për të paralizuarit: për ata që nuk kanë asgjë dhe që nuk duhen nga asnjeri…”.
“Krishti nuk do të na pyesë çfar kemi bërë, por me sa dashuri i kemi bërë veprimet tona…”.
“Ka barna dhe mjekime për çfarëdolloj sëmundje. Por nuk ka duar të mira që t’u shërbejnë dhe zemra bujare që të dashurojnë dhe nuk besoj se do të mund të mjekohet ndonjëherë sëmundja e tmerrshme e të mos ndjerit të dashur nga dikush..”.
“Sot më duket se të gjithë kemi rënë pre e një furie të tmerrëshme, stërmundohen për të arritur synime gjithnjë e më të larta dhe për të grumbulluar pasuri gjithnjë e më të mëdha dhe gjëra të tjera. Fëmijët kanë pak kohë t’u kushtojnë prindërve dhe prindërit kanë pak kohë t’i kushtojnë njeri tjetrit me pasojë që në familje zhduket gëzimi për të jetuar…”.
“Në botë ka shumë urrejtje, shumë luftra. Nuk do t’ia dalim dot t’i mposhtim urrejtjen dhe luftrat me pushkë dhe as me bomba, dhe as me ndonjë tjetër armë që shkakton plagë: do t’ia dalim mb’anë vetëm me vepra dashurie, gëzimi, paqe vëllazërimi”.
“Herët e para kur më jepnin çmime mbeta shumë e habitur. Nuk dija t’i pranoja apo jo. Por mbrrita në përfundim se duhet t’i pranoja çmimet në emër të më të varfërve të të varfërve si nderim ndaj të varfërve”.
Në se do të duhet të meditosh gjatë mbi këto fraza të diktuara nga zemra e një motre të vogël e të përulur e cila pesëdhjet vjet më parë e la familjen e vet për të krijuar një tjetër edhe më të madhe, atë të miliona qenieve njerëzore të cilët bota nuk i pranon, të cilët rrëxohen përdhe, vdesin rrugëve dhe njerëzit që kalojnë as që ndalen për t’u hedhur sytë.
Përgatiti Pandeli Pasko Kuteli
Botuar fillimisht në “Bota Shqiptare” – Gazeta e Shqiptarëve në Itali
Zoti i dergoi të parët në Shqipëri, Nënë Terezen dhe Amerikanët!
Kujtimet e një zyrtari të lartë amerikan – kur ra komunizmi në Shqipëri – vizita e parë e Amerikanëve në Shqipëri/
1991 : “Çfarë mund të bëjnë Amerikanët për të ndihmuar shqiptarët tash për tash?”Nëna Tereze : “Merrni shqiptarët në punë – Merrni ata në punë – “Get Them Jobs. Get Them Jobs” mbasi :”Shqiptarët janë të zotët e punës – dhe duke punuar ata e dinë të ndihmojnë vetveten”/
Nga BEQIR SINA, New York/
BENSONHURST BROOKLYN NY : “Kam pasur privilegjin të shërbejnë si administrator asistent i Byrosë së Evropës, kur ra Muri i Berlinit në vitin 1989, thotë në kujtimet tij zoti Carol C. Adelman një ish oficer i Shërbimit të Jashtëm për 12 vjet, në Departamentin e Shtetit. Sepse, thekson ai :”Shërbeva në kohën e vendeve ish komuniste në rilindjen e tyre, që edhe ato të bëheshin ashtu si kombet të lira, vendet e Europës Qendrore dhe të bëheshin edhe ato të Europës Lindore (EQL), të cilat, në atë periudhë ndryshimesh ishin në rrugën e përfituesve të ndihmës, së shumtë nga Perendimi dhe veçanërishtë asaj nga Shtetet e Bashkuara”.. Republika Çeke, kujton ai ishte e para që bëri thirrje për ndihmë por “jo tregtare,ndihmë politike”, po ashtu edhe Polonia ishte e shtyrë nnga SHBA, për të lëvizur më shpejt në ndihmën e privatizimit, si dhe bizneset e vogla, ashtu si Hungaria që ishte e gatëshme në të gjithë vendin, për ndryshime ku sipërmarrësit vjedhurazi i kishin fshehur ish-pasuritë e tyre, gjatë viteve të komunizmit. Sipas zotit Adelman një nga zyrtarët më të lart, amerikan për të ndihmuar vendet që po kalonin rënjen e komunizimit, dhe ndrrimin e sistemeve pas rënjes së Murit të Berlinit, thuhet se:” Ne(SHBA) ishim në gjendje për të ndihmuar këto vende sa më shpejt dhe me efikasitet për shkak të legjislacionit të ri,- që vendosën menjëherë këto vende për të tërhequr ndihma nga Perendimi dhe ngaqë e prisnim ndryshimin e sistemeve”. Dhe kështu Mbështetja për Demokracinë Europiane Lindore, në SHBA, kaloi nëpërmjet një akti ligjor që u quajt, Akti i 1990, i cili na lejonte për të shkruar vetë, sipas sistemit tonë të strukturuar të prokurimit; dhe na dha mundësinë për të punuar me lehtësi me institucione private. Për të ndarë edhe një shumë të madhe parash për të gjithë Evropën Qendrore dhe Lindore, duke eleminuar kështu sipas vendeve edhe atë çka ato e përcaktonin si funksionale dhe duke na lejuar ne, për të shpërndarë paratë bazuar në performancë, në vende- vende dhe sa më drejtë”. Mirëpo, thotë Carol C. Adelman një ish oficer i Shërbimit të Jashtëm për 12 vjet, në Departamentin e Shtetit, në një shkrim të tij “Kujtesa ime e artë e këtyre viteve është nga Shqipëria, një vend të vogël prej më pak se 3 milion njerëz, që kishin qenë të sunduar nga diktatori i egër stalinist më i fundit në kampin socialist, Enver Hoxha. Kur unë dhe Ekipi i parë i USAID-it kemi shkuar atje, në vitin 1991. Ne u “hapëm syt”, shqiptarëve se si të shkonin drejt hapjes së tregut të lirë e privat, dhe e përqëndruam ndihmën tonë duke ndihmuar në radhë të parë spitalet, që ishin në gjendje të mjerueshme, . Për shpërndarjen e ndihmave na duheshin e automjetet. Atje gjetëm vetëm 200 makina në të gjithë vendin, dhe një infrastrukturë të rrënuar totalisht. Në Tiranë, edhe një hotel që mburreshin komunistët, në kryeqytetin e Shqipërisë, dhe që e ofron për mysafirët e huaj – nuk kishte as ujë të nxehtë as drita as ushqim. Gjetëm burgjet përplot me të burgosurve politikë, të interrnuarit në kampe që ankoheshin ende në rradhët e bukës ose edhe e linin “bukë dhe ujë” vetëm për të dëgjuar “Zërin e Amerikës”, së bashku me fëmijët e tyre, të cilët thonin si kishte qenë i vetmi ushqim për për tre ose katër dekada që i kishte mabjtur gjallë”. Në kujtimet e tij zoti Adelman, thotë se ka parë me syt e tij vizitën historike të ish Skretarit të Shettiti James Baker në Tiranë. “Kur James Baker – Sekretar i Shtetit, në atë kohë shkoi për të vizituar Shqipërinë, ai arriti në në Tiranë, në verën e vitit 1991. Më shumë se 500.000 shqiptarë brohorisnin si të ” çmendur” USA- USA- Baker! Baker!”. Dhe shton, ne Amerikanëve na bëri shumë përshtypje, sesi në “Në një vend që kishte qenë i shtypur plotësisht për një gjysmë shekulli, ku Shtetet e Bashkuara ishin “mitizuar” nga propaganda komuniste tek njerëzit në Shqipëri, si të mishëruarit djallit (imerialistët amerikan)- “armiqët’ më të rrezikshëm të Shqipërisë socialiste, ai(James Baker – Sekretar i Shtetit, në atë kohë ) u prit si një hero.” Unë, thotë ai për vete u befasova kur pash me syt e mi se se 40 për qind e shqiptarëve flisnin një gjuhë të huaj – përfshirë edhe anglisht, dhe se një emër popullor për fëmijët ishte edhe emri Wilson. Mabsi kuptova se nuk harrohej ajo çfarë ka bërë për Shqipërinë presidenti i SHBA Woodrow Wilson. Pra, edhe më skeptikët e dëshirës së lindur të njerëzimit për liri dhe demokraci, e kishin kuptuar mesazhin që po përcillte SHBA, në Shqipëri”. Kur ish presidenti i parë demokrat i sapo zgjedhur, Prof.Dr. Sali Berisha, u pyet nga zyrtarët e lartë Amerikan, se si SHBA mund të ndihmojnë më mirë, Shqipërinë në ato momente, ai u përgjigj: “Ne kemi një zemër demokratike dhe një mendje demokratike që janë të mbërthyer në një trup bolshevik për gati gjysmë shekulli por që syt i kemi pasur gjithmonë nga Perendimi dhe SHBA”.
Nëna Tereze : “Merrni shqiptarët në punë – Merrni ata në punë “Get Them Jobs. Get Them Jobs” ” Ajo që unë kujtoj më dashuri nga Shqipëria, e viteve 1991, është se jam u takuar me shqiptarët më të mrekullueshm, si ikona shqiptare Nënë Tereza. Ishte rasti i parë për t’u takuar me një njeri të shejtë që kishte shkuar në Shqipëri, për të ndihmuar fëmijët shqiptar në ato vite- Ajo kishte hapur një shtëpi bamirësie në Tiranë, me infermieret dhe kujdestarët e Shoqatës “Nëna Tereze”. Unë për herë të parë eci përkrah Nënë Terezes dhe Zëvendës Sekretari amerikan i Thesarit John Robson, ndërkohë që Nëna Tereze me ” dukej se kurrë nuk ndalej në lëvizjet e saj”, ajo në tokën e prindërve të saj me “dukej se ishte shumë më gjallë kur vinte puna për të ndihmuar njerëzit e gjakut të saj “. Në shkrimin e tij zoti Adelman sqaron se Zëvendës Sekretari amerikan i Thesarit John Robson, dhe unë ishim në Shqipëri verën e viti 1991 për të ndjekur nga afër të caktuar nga Qeveria amerikane, udhëtimin në Tiranë të Sekretarit të Shtetit James Baker, dhe për të hartuar programet e asistencës të Qeverisë Amerikane që do të iu përgjigjëshin nevojave shqiptarë dhe dëshiratve të tyre” në atë periudhë tranzicioni.. Nuk më harrohet kurrë thotë, ai se ndërsa ishim duke ecur me Nënë Terezën, në pistën e aeroportiti të Tiranës, unë e pyeta Nëna Terezen : “Çfarë mund të bëjmë ne Amerikanët për të ndihmuar shqiptarët tash për tash?”
Ajo qëndroi dhe mu kthye dhe me shikim nga lart( nga qielli – Zoti) dhe më pa mua drejt në sy, duke mu përgjigjur me plot zemër: ” “Merrni shqiptarët në punë – Merrni ata në punë – “Get Them Jobs. Get Them Jobs” “. “Ajo qëndroi përsëri përpara meje në mënyrë të qartë dhe me një zemërgjerësi, duke më thënë se :”Shqiptarët janë të zotët e punës – dhe duke punuar ata e dinë të ndihmojnë vetveten”.
Mungesa e ushqimit në Shqipëri kishte arritur nivele të krizës, në atë kohë. Në përgjigje, të asaj i menjëhershëm dhe që nuk priste kohë ishte fakti që ushtria amerikane filloi nga shpërndarja në ushqime – gjysmëgati për të ngrënë – sipas një plani qeveritar të USAID Meals Ready to Eat (MREs). Aeroplani i parë amerikan i ngarkuar me Meals Ready to Eat (MREs), në Shqipëri, u ul në një pistën me “gunga”, bar dhe me fshatarë që kullosinin në fushën fqinj, delet, dhitë dhe lopët .
Kurse, Nënë Tereza, u bashkua me qindra shqiptarë të tjerë që po presin avionin ushtarak në këtë aeroport të vogël. Kur aeroplani ndaloi në fund të pistës, piloti, dhe ekuipazhi me komandën ushtarake doli nga kabina, shqiptarët brohoritën USA – USA dhe nxituan drejt aeroplanit. Ata ngelen të habitur sidomos kur për herë të parë panë një aeroplan amerikan dhe për herë të parë panë se piloti ishte një 20-vjeçarë. Nënë Tereza u ndal dhe të gjithë njerëzi u rreshtuan pas saj – përfshirë, pilotin, ekuipazhin dhe komandën ushtarake, Zëvendës Sekretari amerikan i Thesarit John Robson dhe unë me zyrtarët e tjerë pas saj, :”Kur Nëna Tereze, nisi e kreu bekimin e saj – duke filluar me shpërndarjen tespihe dhe lutjen tek Jesusi duke bërë kryq” . Ajo hipi nëpërmjet shkallve në aeroplan, u ngjit mbi ndihmat duke qëndruar mbi to duke dhe nisi përsër “duke mbajtur duart lart ne dëgjuam lutjet e saj, teksa ajo mbylli sytë dhe i bekoi – ndihmën për popullin shqiptarë”. Shqipëri, thotë në kujtimet e tij ish – Administratori asistent i Byrosë së Evropës, kur ra Muri i Berlinit në vitin 1989, zoti Carol C. Adelman një ish oficer i Shërbimit të Jashtëm për 12 vjet, në Departamentin e Shtetit. edhe një herë, më kujtojë atë sesi :”Shtetet e Bashkuara mund të ndihmojnë njerëzit që të u kthehen tek ëndrrat dhe shpresat e tyre që ato të bëhen në realitet, Departamenti i Shtetit dhe ushtria amerikane mund të punojnë së bashku, për të ndihmuar njerëzit në nevojë në mbarë botën”
Nënë Tereza në Republika Srpska
Nga Uk Lushi/New York/
“Të gjithë sa ishim të ulur në karriget e teatrit të Banja Llukës- boshnjakë, kroatë, serbë, maqedonë dhe shqiptarë- brofëm në këmbë dhe filluam të duartrokasim të ngazëllyer. Sikur të kishe qenë me ne, do ta kishe provuar atmosferën e mrekullueshme vetë miku im i dashur. Një sukses i madh i Nënë Terezës!”— po më thoshte ambasadori shqiptar në Bosnjë e Hercegovinë, Flamur Gashi, përmes Viber-it; unë në New York, e, ai në Sarajevë.
Ambasadori Gashi, një diplomat yni i klasit të parë, e kishte fjalën për shfaqjen “Majka Tereza- Svetica Tame” (Nënë Tereza- Shenjtëresha e Errësirës), e cila pas një premiere të jashtëzakonshme në Teatrin Popullor të Sarajevës me 19 qershor, ishte ftuar të paraqitej edhe para publikut të kryeqytetit të Republika Srpska me 15 korrik 2014. Drama e frymëzuar nga jeta e bamirëses me famë është një produksion i Shoqërisë Kulturore “Napredak” me regji të kroatit nga Bosnja Gradimir Gojer, bazohet në tekstin e maqedonasit Venko Andonovski dhe në të interpretojnë aktorë nga Bosnja-Hercegovina, Kroacia dhe Kosova. Rolin e Nënë Terezës e luan Kostadinka Velkovska, artiste e njohur e teatrit Kerempuh në Zagreb, ndërkaq ekipi realizues një rol i ka dhënë edhe aktorit shqiptar nga Prishtina Ilir Tafa. Projekti multinacional, multikonfesional dhe multikulturor prej nisjes së tij është mbështetur nga ambasadat e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë në Bosnje- Hercegovinë. Të dyja premierat, si në Sarajevë ashtu edhe në Banja Llukë, janë parë nga personalitete kulturore, diplomatike dhe intelektuale. Pritet që pjesa teatrore për fituesen shqiptare të Nobelit për Paqe do të nisë së shpejti një turne ballkanik dhe mbase do të inskenohet edhenë Republikën e Shqipërisë dhe Kosovës.
Në tetor të vitit 2011 në teatrin beogradas Bitef u dha performansa postmoderne “Patriotic Hypermarket”, një pjesë teatrale e përbashkët e artistëve ballkanas nga Beogradi, Prishtina, Shkupi dhe Tirana. Brenda dhe jashtë ndërtesës ishin të pranishme forca të shumta policore të cilat u desh të siguronin trupën teatrore nga sulme të mundshme prej radikalëve nacionalistë serb. Në fakt, në dy raste — me 2008, gjatë ekspozitës së veprave të artistit shqiptar Dren Maliqi, dhe— me 2013, gjatë ekspozitës së dëshmive të vrasjeve të familjes Bogujevci nga paramilitarët serb “Škorpioni”në Podujevë me 1999, policia u detyrua të ndërhynte për të zbythur egërshanët dhe vandalët. Në ekspozitën e Maliqit ata shqyen një punim ku portretizohej Adem Jashari, kurse në ekspozitën që rrëfen vizualisht masakrimin e 14anëtarëve të familjes Bogujevci nga perspektiva e përjetimeve të pesë të mbijetuarve, shovinistët provuan ta digjnin godinën.
Fatmirësisht shfaqjet apo prurjet kulturore serbe apo tjera ballkanike që janë paraqitur para publikut shqiptar, (kudo në trojet tona), nuk janë pritur me kanosje dhune. Shumica e tyre kanë arritur dhe vajtur pa marrë vëmendjen e merituar dhe tek-tuk iu është hedhur ndonjë sharje nacionaliste primitive. Duke e pas përjetuar pushtimin serb dhe diskriminimin e disa popujve sllav që na kanë bërë shqiptarëve me dekada, e kuptoj shumë mirë hezitimin dhe zemëratën e bashkëkombësve tonë kur vjen puna te shkëmbimet dhe qarkullimet e vlerave me popujt joshqiptar në gadishullin tonë, e posaçërisht me serbët. Kjo u pa sidomos me rastin e paraqitjes së një muzikanti serb në një televizion të Tiranës para ca muajsh, paraqitje kjo redaktoriale e dështuar ndërsa u vendos që serbi të këndonte në një emision dedikuar melosit shqiptar, mirëpo, në anën tjetër, prezantimi i artistit serb është plotësisht i arsyetueshëm nga aspekti i njohjes kulturore të tjetrit. Si shpesh herë, disa hamulitës shqiptarë nuk elanë pa e shfrytëzuar precedentin dhe bile tentuan të nxisnin urrejtje duke përhapur gënjeshtra mbi gjoja dallimet e shkallës së patriotizmit midis Tiranës dhe Prishtinës. Padrejtësitë që na janë bërë shumicës dërmuese nga ne duhet të dritësohen duke ndjekur rrugët legale dhe duke kërkuar shpagim financiar për dëmet materiale dhe humbjet e dhimbshme njerëzore, ama ndërshkëmbimet me kombet tjera nuk duhet të ndalen.
Ka mjaft radikalë edhe në popullin tonë të cilët dëshirojnë dhe barabar punojnë që të mbyllemi nga marrje- dhënia me popujt tjerë. Veçimin ata e arsyetojnë zakonisht ose me argumentin e ruajtjes së “pastërtisë” së kulturës dhe civilizimit shqiptar, ose me argumentin se popujt tjerë ballkanik nuk na i duan vlerat tona sa ne të tyret dhe së këndejmi, sy për sy e dhëmb për dhëmb, edhe ne duhet t’i refuzojmë të tyret.
Kjo mënyrë e të rezonuarit është edhe e paleverdishme edhe shenjë inferioriteti pikësëpari për kombin i cili vendos ta praktikoj atë. Pjesëtaret e një kombi të ditur duhet të orvaten të jenë prodhues të sa më shumë vlerave, siç duhet të jenë kërkimtarë të jenë edhe konsumues të vlerave të veta dhe të të tjerëve. Duke qenë edhe krijues edhe nevojtarë të vlerave, kombet e zgjuara e dinë që vlera fisnikërohet kur vihet në ballafaqim me vlerat më inferiore apo superiore të të tjerëve. Kombet moderne bashkëpunojnë me të tjerët sepse ashtu e ngritin cilësinë e vlerave të tyre ndërsa konsumojnë madje edhe vlerat, që, për arsye të përparësive krahasuese apo çfarë do qofshin arsyet, nuk i kanë apo nuk mundi krijojnë. Dikush mund të thotë, po, ja filan kombit ballkanik nuk i interesojnë vlerat tona. Mirëpo humbja është e atyre që nuk interesohen, ngase ti ja njeh avantazhet dhe disavantazhet tjetrit dhe gjithsesi do të përfitosh nga kjo njohje, kurse ai nuk i njeh tuat. Nuk duhet ndier i frikësuar e as inferior për t’u hedhur në logun e vlerave dhe dallimeve rajonale dhe globale. Secili komb ka diçka të shkëlqyeshme për të ofruar dhe secili komb ka nevojë për të marrë diçka të shkëlqyeshme nga të tjerët. Dallimi se ku gjendet një komb në rangimin e arritjes përcaktohet shumë nga pranimi i këtij ligji të pashkruar lidhur me dobinë e shkëmbimeve kulturore, shkencore, sportive…, e deri gjenetike.
Para 86 vitesh, që të kthehemi te fillimi, me 1928, një vajzë e ndruajtur 18 vjeçare e quajtur Agnes Gonxhe Bojaxhiu vendos të lëshojë Shkupin e saj, të lë prapa nënën e ve dhe të niset për Irlandë në Misionin e Motrave Loretto për të mësuar mbi jetën. Një vit më vonë ajo shkon për herë të parë për të shërbyer në Darjeeling të Indisë ku nis përkushtimin e saj të devotshëm për t’i ndihmuar të varfrit e botës dhe fillon të njihet si Nëna Tereze. Brenda 68 vitesh, bija e brishtë shqiptare e Nikollë dhe Drane Bojaxhiut shndërrohet në simbol planetar i të tashmes dhe ardhmes njerëzore. Ndonëse tërë jetën përballë errësirës, Nënë Tereza kishte hapur shpirtin dhe mendjen kundrejt njerëzve tjerë dhe duke shkëmbyer vlerat e saj me të tjerëve, ajo mbërriti t’i jepte kombit shqiptar një vlerë universale të përhershme. Prandaj, “Majka Tereza- Svetica Tame”, me 15 korrik natyrisht që do të ngriste në këmbë së bashku boshnjakë, kroatë, serbë, maqedonë dhe shqiptarë midis Republika Srpska, ku deri para disa vitesh boshnjakët, serbët dhe kroatët priteshin e vriteshin me njëri- tjetrin thua se fati i universit varej nga lufta, e jo paqja mes tyre. Urat janë më të dobishme dhe rëndësishme se sa kufijtë dhe kudo ka njerëz mendjehapur dhe zemërgjerë është e mundshme të hiqet një copë kufi dhe të ndërtohet një urë, derisa, ndoshta,një ditë, jo fort të largët, të mos ketë kufij fare.
Çfarë u shkrua në vitin 1991-92 për Nënë Terezën
Nënë Terezën e pengon ligji i vendit të saj/
Nga Donika OMARI/
Po këmbëngulet gjithnjë e më shumë për të pasur në shtypin tonë një informacion më të plotë, sidomos për ngjarjet e rëndësishme. Dhe një ngjarje e shënuar e vitit që shkoi qe ardhja e Nënë Terezës në Shqipëri dhe dekorimi i saj me rastin e 80-vjetorit me Urdhrin “Naim Frashëri”.Në shtyp u njoftua për vizitat e takimet e Nënë Terezës,për ceremoninë e dekorimit, por nuk u pa e nevojshme të riprodhohej fjala e saj e përshëndetjes, një fjalë e shkurtër,por plot domethënie njerëzore, dhe ku, ndër të tjera, ajo bëri kërkesën për të hapur një shtëpi bamirësie në Shqipëri.
Jo më kot ajo rikujtoi se ka hapur shtëpi të tilla në të gjitha vendet, duke përmendur veçan vendet fqinje me ne.
Jo më kot theksoi vajtjen madje edhe në Kubë. Jo më kot njoftoi se i kish sjellë motrat mu këtu pranë nesh e po prisnin në Romë lejen për të filluar menjëherë nga puna.
Të gjitha këto argumente të diktuara nga dëshira dhe energjia e saj e pashtershme për të qenë e dobishme e për të shërbyer, me sa duket nuk vlejtën që të merrte një përgjigje pozitive.
Ndoshta mendohet se kërkesa e saj është e parakohshme, se duhet të miratohen më parë dekrete e ligje të caktuara.
Sidoqoftë, si qytetarë, kemi të drejtë të dimë lidhur me këtë dhe të shprehim mendimin tonë. Dhe le të kemi parasysh se një gruaje kaq heroike si Nënë Tereza nuk i mohohet gjë dhe nuk bën t’ia thyejë zemrën tamam vendi i saj.
(Rilindja Demokratike 12.01.1991)
Libri më i fundit për Nënë Terezën
Gjendesha në kolegjin e përkthyesve të Proçidës duke punuar për përkthimin e një romani të E.Morantes, kur miku im proçidan, profesor Paskuale Lubrano, më propozoi të bëja prezantimin e librit “Tereza e Kalkutës. Lapsi i Zotit”, të gazetares së njohur italiane Franka Xambonini, që sapo ishte botuar në Itali. Por, ç’t’u thoja dëgjuesve, kur vepra tërheqëse e Xamboninit është aq e qartë, e pasur dhe e thjeshtë njëkohësisht?
Për këtë më ndihmoi vetë autorja, që thotë në parathënie se nuk ka pasur për qëllim të shkruajë një biografi. Ajo rrëfen disa ngjarje me Nënë Terezën, dhe vetëm ato që i ka jetuar vetë ose që i janë rrëfyer prej atyre që i kanë jetuar vetë.
Atëherë pse të mos i përmbahesha edhe unë këtij kriteri,meqenëse kisha patur rastin të kisha ndjerë personalisht joshjen e pranisë e të fjalës së Nënë Terezës? Kështu, pasi vura në dukje vlerat e librit, vlerat me shumë përmasa të figurës që trajton dhe ërfundimin fatbardhë të punës së ndërmarrë nga autorja, fola për ardhjen e Nënë Terezës para afro dy vjetësh në Shqipëri me rastin e dhënies së çmimit të Republikës. Qëndrimi i qeverisë shqiptare në këtë rast ishte paradoksal: e dekoronte për të vlerësuar Veprën e saj, dhe, nga ana tjetër, nuk pranonte hapjen e shtëpive të bamirësisë në Shqipëri. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, Nënë Tereza, në fjalën e falënderimit, bëri edhe një përpjekje të fundit për t’ia arritur qëllimit të saj të vërtetë të ardhjes në Shqipëri. “Kam qenë kudo e më kanë pranuar. Kam hapur shtëpi të Karitasit kudo në botë, edhe në vendet rreth e rrotull Shqipërisë, në Jugosllavi, Greqi, Rumani. F.Kastroja, kur mori vesh se përse doja të shkoja në vendin e tij, më tha: “Eja”. Ia bëra kërkesën time Presidentit, ia bëra zonjës Hoxha, të pranishme këtu, tani po ju drejtohem ju në këtë sallë, duke ju lutur të më ndihmoni të realizoj projektin tim. Motrat janë në Romë gati për të ardhur dhe presin vetëm një fjalë timen”, – këto qenë pak a shumë fjalët e saj. Gjithçka qe e kotë. Një shtet që e kishte dhunuar aq herë Kushtetutën, në këtë rast tregohej tepër skrupuloz për t’iu përmbajtur, duke iu përgjigjur Nënë Terezës se shtëpitë e bamirësisë mund të hapeshin në Shqipëri vetëm pas miratimit të një kushtetute të re.
Duke qenë e pranishme në këtë ceremoni, pata rastin të vërej këmbënguljen e njohur të Nënë Terezës, që nuk e humbiste shpresën për të nxjerrë një “po” edhe nga shkretëtira.
Thirrja e saj na drejtohej të gjithëve dhe secilit veç e veç, pra edhe mua. Doja shumë të ngrihesha e ta përkrahja kërkesën e saj. Por s’pata guxim. Megjithatë, një ndjenjë keqardhjeje, që s’më linte të qetë, më nxiti ndonjë ditë më pas, mendimin për një peticion drejtuar qeverisë në përkrahje të kërkesës së Nënë Terezës. Në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, ku punoja, munda të mblidhja 20 firma.
U përpoqa të mbledh nga institucione të tjera. Por askush nuk firmoste. “A e di se Nënë Tereza është një e dërguar e Vatikanit?”, më tha një i njohur. “A e di se ajo grua s’kërkon tjetër veç të na ndihmojë?”, iu përgjigja. Pastaj shkrova një artikull të shkurtër në RD që sapo kishte nisur të dalë.
Ndërkohë, ngjarjet, të shtyra nga lëvizja çlirimtare demokratike kundër diktaturës u rrokullisën me shpejtësi. Dhe kështu Nënë Tereza mundi ta hapë shtëpinë e saj të parë në atdheun e vet katër muaj pas atij 4 nëntori të 1990-s, që kishte dashur t’ia zhgënjente shpresat, dhe, sidoqoftë,para miratimit të kushtetutës së re.
Kur lexon për jetën dhe veprën e Terezës së Kalkutës, nuk mund të mos mendosh për rrënjët e saj shqiptare. Ajo i përket një populli që historikisht ka qenë fatkeq: truall i favorshëm ky për lindjen e një vokacioni që të bën të ndiesh vuajtjen e të tjerëve. Premtimi i bërë Zotit dhe të varfërve të saj se s’do t’i tradhëtojë kurrë, është për Gonxhe Bojaxhiun besa e dhënë njëherë e mirë. Një nga nyjet e ligjit të mikpritjes në Kanunin e Maleve është: Shtëpia është e Zotit dhe e mikut. Dhe Nënë Tereza thotë me kënaqësi se s’ka qenë kurrë e detyruar të lërë jashtë asnjë nga ata që i kanë trokitur në derë. Edhe me fjalët e saj të kursyera të kujton temperamentin e shqiptarëve, që dihet se janë njerëz të heshtur.
Ndërkaq, cilësitë e saj mund të të sjellin në mend edhe të meta tonat, të shndërruara tek ajo në virtyte. Në zonat ku izolimi ka qenë më i madh, nuk është se shqiptarët nuk janë kokëfortë. Ndërsa Nënë Tereza është këmbëngulëse,“kokëfortë” vetëm për ata që s’duan të kuptojnë arsyet e saj të diktuara nga misioni që i ka vënë vetes: të jetë çdo çast në shërbim të më nevojtarëve mes njerëzve.
Në librin e saj Xambonini e ndjek figurën e imët e të kërrusur, të famshme në botë, kudo ku ajo është shfaqur, në Indi, Amerikë, Romë, Oslo, Londër, Tiranë… Por e gjurmon hap pas hapi sidomos në sheshin e saj të betejës, në Kalkutë.
Atje filloi revolucionin e saj, duke ngritur nga një trotuar i Kalkutës një njeri që po vdiste në mjerimin më të madh. Veprim i thjeshtë, por që pati vlerën e një zbulimi.
Ndiejmë në libër intuitën e thellë të Nënë Terezës, e cila kap me një qartësi të habitshme kuptimin e fshehtë të gjërave. E pajisur me “mençurinë më të lartë, atë të zemrës”, kupton thelbësoren dhe e shpreh me fjalë thelbësore. Libri është i pasur me sentenca të saj: Vetëm duke e harruar vetveten e gjejmë prapë. Varfëria është liri. Kisha jemi ne: Unë dhe ti.
Meqë i njeh mirë kufizimet e njeriut, këmbëngul për të qenë besnikë në gjërat e vogla. Ngaqë i di mirë dobësitë njerëzore pikas madje edhe në dëshirën e lindur për të bukurën, një kurth për shpirtin. Sepse zgjon zilinë, lakminë, mosdurimin e shëmtisë fizike të tjetrit, neverinë për shformimet e tij të jashtme. Atëherë ajo vetë bëhet e skajshme: në trupin e në shtëpitë e saj pranon vetëm veshjet dhe orenditë më të thjeshta, ato të domosdoshmet. Për të, bukuria duhet të jetë vetëm e brendshme, prandaj deklaron për lebrozët e saj: Janë të bukur…
Duke shkruar këto radhë jam rrekur të shlyej paksa detyrimin që ndiej ndaj kësaj shqiptareje e cila na sjell një mësim kaq të madh me shembullin e saj. Do të vazhdoj ta shlyej këtë detyrim kur të kem përkthyer e botuar për lexuesin tonë librin “Tereza e Kalkutës. Lapsi i Zotit”1.
(Republika, 27.08.1992)
1. Libri u përkthye dhe u botua dy vjet më vonë nga shtëpia botuese “Elena Gjika”.
- « Previous Page
- 1
- …
- 20
- 21
- 22
- 23
- 24
- 25
- Next Page »